13 shkurti është zgjedhur pasi në këtë datë, në vitin 1946, Radio e Kombeve të Bashkuara ka emetuar programin e parë. Ish-Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon kishte thënë se radioja argëton, edukon, informon, si dhe ndihmon në popullarizimin e ndryshimeve demokratike në gjithë globin.
Në historinë e mediave, transmetimi në radio hap perspektiva të reja. Krijon një “fole audience’, pra dëgjimin familjar dhe kolektiv mbrëmjeve në shtëpi, aty ku më vonë do të mbërrijë televizioni. Radioja e shtroi në mënyrë më të drejtpërdrejtë sesa kinemaja çështjen e relacioneve me shoqërinë dhe me shtetin, ngase në më shumë vende evropiane stacionet e transmetimit në radio, shfrytëzoheshin drejtpërsëdrejti edhe nga vetë institucionet shtetërore gjatë viteve tridhjetë.
Sa i përket përmbajtjes së saj, radioja u ofron qytetarëve përvojën e dy modeleve të veçanta ose të përziera:
- modelin komercial që i jep përparësi lojërave, muzikës dhe argëtimit; dhe
- modelin edukativ që vlerëson normat e kulturës së ndritur.
Sikurse edhe shtypi në shekullin XIX, radioja, kur përparon “edicioni i lajmeve të folura” ngre një sistem kontrolli të informacioneve të transmetuara, që i bën ato koherente me kulturën politike të çdo vendi.
Për më tepër, radios i duhej të negociojë një modus Vivendi me shtypin e shkruar. Arbitrimet e këtyre problemeve, vareshin nga kultura dhe zgjedhjet politike të vendeve të interesuara.
Hapat e para të radios
Në vitin 1921 – 1922, transmetimi në radio, nisi pak a shumë në të gjitha vendet e industrializuara. Radiodifuzioni lindi nga transformimet e teknologjisë së radio – komunikacionit dhe nga domosdoshmëria e kompanive të mëdha të materialeve radio – elektrike, që e kishin zhvilluar fuqishëm prodhimin e tyre gjatë Luftës së parë botërore, për tu kthyer në tregje civile, edhe pse disa shoqëri të mëdha, veçanërisht në SHBA, e shfaqen me vonesë interesin për radiodifuzionin.
Në fillim të viteve 1920 përdorimet joprofesionale të radios u kufizuan me radio – amatorët që komunikonin ndërmjet tyre brenda caqeve të ngushta të caktuara nga ushtarakët të cilët nuk shqetësoheshin për zhvillimin e një sistemi komunikimi ndër-personal të pakontrolluar, por megjithatë përhapnin një lloj entuziazmi dhe i jepnin një imazh shumë pozitiv teknikës së re. Në vitet e para – luftës, komunikimi me radio po shkonte drejt modelit të difuzionit. Plot vende mburreshin me emisione eksperimentale të transmetuara në radio përpara vitit 1914.
UNESCO e ka shpallur këtë festë për të promovuar radion si medium dhe të gjitha mundësitë që ajo ofron.