Ismail ARSLLANI – Ekzistojnë shumë dokumente për Hasan Pashë Derallën, por edhe për të birin e tij, Mehmet Pashë Derallën, i cili ishte ministër i parë i Mbrojtjes në Qeverinë shqiptare të Ismail Qemalit, shprehet me krenari mbesa e tij, Valdete Deralla, gjatë një vizite shumë vite më parë në Tetovë. Ajo kishte lindur në Tetovë, ndërsa në moshën më të re, bashkë me familjen shpërngulet në Shqipëri, për shkak të rrezikut nga pushteti i atëhershëm, që sapo kishte dalë nga Lufta e Dytë Botërore. Duke folur për stërgjyshin e saj, Valdetja thotë se Hasan Pashë Deralla ka dhënë një kontribut të veçantë për organizimin dhe mbajtjen e Konferencës së Lidhjes së Prizrenit, në vitin 1878, duke qenë përfaqësues politik i saj, që dëshmohet edhe me disa akte të shkruara.
“Kam lexuar pikërisht në këto akte se Hasan Pashë Deralla ka qenë një ndër përfaqësuesit e “Memorandumit”, që ishte dedikuar faktorit të jashtëm për pavarësinë kombëtare shqiptare”, vë në dukje ajo, duke shtuar se edhe i biri i tij, Mehmet Pashë Deralla, i cili asokohe ka qenë në moshën 30 vjeç, me disa përfaqësues të tjerë nga Tetova, ka marrë pjesë në punimet e Lidhjes së Prizrenit, si përfaqësues politik dhe ushtarak.
“Na tregonte shpesh babai, se pasuria e të parëve tanë, Hasan Pashë Deralla dhe Mehmet Pashë Deralla ka qenë aq e madhe, sa që është numëruar ndër tri më të mëdhatë në trojet etnike shqiptare, bashkë me atë të Libohovëve të Gjirokastrës dhe Begollëve të Pejës”, kujton ato rrëfime Valdetja. Kjo pasuri ishte vërë në shërbim të çështjes kombëtare, që mund të dëshmohet me të gjitha argumentet historike.
Edhe gjyshja e Valdetes, ka lënë gjurmë në kujtesën e saj. “Kur ishte nisur gjyshi im, me ftesën e Ismail Qemalit, për të marrë pjesë në Kuvendin e madh historik kombëtar në Vlorë, ku ka qenë e pranishme edhe gjyshja ime, ajo përshkruante dhomën e Mehmet Pashë Derallës, para se të nisej. Në një cep të dhomës ishte veshja ushtarake, kurse në tjetrin ishte një arkë, ku ishte e gjithë pasuria me flori, që ishte trashëguar nga stërgjyshi, i cili ka qenë aksionar në minierat e Radushës dhe Orashës”, thotë Valdetja.
KTHIMI ME GJYLE TOPASH I PASHAIT
Një bonjak nga fshati Gradec, vendbanim rrëzë Sharrit, ndërmjet Tetovës dhe Gostivarit, të cilin e kishte rritur e përkujdesur Mehmet Pashë Deralla, kishte përparuar aq shpejt në hierarkinë perandorake, sa që një ditë ishte bërë këshilltar personal i Sulltan Hamidit II, në Stamboll.
Pikërisht ky këshilltar, do t’ ia shpëtojë jetën Mehmet Pashës në një konflikt për çështje rezistence kundrejt pushtetit osman. Sulltani ka dashur ta dënojë me vdekje Mehmet Pashë Derallën, ndaj dhe ka thërritur këshilltarin e dytë të tij, pikërisht bonjakun e dikurshëm të Gradecit, për të cilin ishte kujdesur pashai i Tetovës. Sulltani e pyet për këshillë, kurse gradecasi i thotë: “Nëse merrni një veprim të tillë, mund të ngrihet në këmbë e gjithë Tetova”.
Më 1901, Mehmet Pashë Deralla, ka qenë në Bagdad si komandant xhandarmerie, ku është martuar me vajzën e një personaliteti ushtarak turk, prej së cilës ka lindur Gajur Deralla, i cili kishte edhe shenjën e Bagdadit. Pas ardhjes së xhonturqve, familja Deralla, më 1909, kthehet në Tetovë. Para se ta rrezikonte jetën e vet, Mehmet Pashë Deralla, sipas rrëfimeve të mbesës së tij, Valdete Derallës, e cila i kishte dëgjuar nga gjyshja e vet, Pashai që kishte qëndruar me familje në Bagdad, një ditë kishte marrë rrugën e kthimit me “vapor” drejt Selanikut.
Për kthimin e tij ishin shkrepur gjyle topash, siç ka qenë zakon kur kthehej ndonjë gjeneral ushtarak. Gjyshja e Valdetes ia përshkruan edhe rrugën prej Selaniku deri në Shkup, ku ka pasur shumë njerëz me plisa të bardhë, sa që nga larg i kishte parë dhe i ishte dukur sikur të kishte rënë borë. Ishin shqiptarë që pritnin ardhjen e Mehmet Pashë Derallës në Shkup.
Me ardhjen e Derallës në vendlindje, fillojnë përpjekjet për kryengritje dhe pavarësi kombëtare, që arrijnë deri në fazën që quhet pavarësi gjysmake, e cila ishte firmosur në Londër, ku nuk i kishin lënë të marrin pjesë Isa Boletini dhe Mehmet Pashë Deralla, si personalitete ushtarake. Mehmet Pashë Deralla, do të njihet më vonë si ministër i luftës në Qeverinë e Ismail Qemalit.
Babai i tij, Hasan Pashë Deralla, i cili ishte nga Tetova, megjithatë kishte transferuar një pjesë të familjes në fshatin Gradec, që të jetonin në një truall të vjetër ilire, siç konsiderohej ky vendbanim i vjetër, prej nga i kishte rrënjët për nga gjaku. Ai ka dhënë një kontribut të veçantë për organizimin dhe mbajtjen e Lidhjes së Prizrenit në vitin 1878, duke qenë përfaqësues politik i kësaj lidhjeje, që dëshmohet edhe në aktet që janë marrë në mbledhjen e saj.
“Kam lexuar pikërisht në këto akte, se stërgjyshi im ka qenë njëri ndër pjesëtarët e Memorandumit, që është dedikuar faktorit të jashtëm për pavarësinë tonë kombëtare. Edhe i biri i tij, Mehmet Pashë Deralla, në moshën 30 vjeç, me shumë përfaqësues të tjerë nga Tetova, ka marrë pjesë në këtë Lidhje, si përfaqësues politik dhe ushtarak, duke përfaqësuar trevat shqiptare në Tetovë e më gjerë”, thotë Valdeta Deralla.
Ajo kishte arritur të grumbullojë një dokumentacion për personalitetin e Mehmet Pashë Derallës, ndërkohë që kishte botuar një monografi nëpërmjet Gjergj Kasapit, një ushtaraku në Shqipëri, të cilën e kishin prezantuar në Tiranë, por kishte menduar që do të kishte qenë e rëndësishme ta sjellë atë edhe në Tetovë. Kjo për faktin se kishte konstatuar që të rinjtë tetovarë nuk e njihnin sa duhet përfaqësuesit e tyre në luftërat për pavarësi, siç ishin Dervish Cara nga Pallçishti, Mehmet Pashë Deralla e të tjerë, që i kishte mbuluar koha.
Në vitet e 90-ta, ishte organizuar në Tetovë një manifestim madhështor në Pallatin e Kulturës, ku në mesin e 17 personave nga familja Deralla, për herë të parë, edhe pse në moshë të shtyrë, kishte ardhur e bija e Mehmet Pashës, si dhe e Halim Bej Derallës, nipërit e mbesat, bashkë me Valdete Derallën, të cilët kishin bërë disa ceremoni te varrezat e të parëve të tyre, si dhe kishin qenë në një drekë popullore në fshatin Gradec.
TETOVARËT MIRËPRITËN MBESËN E MEHMET PASHËS
Pas një shkëputjeje të gjatë, që nga mosha dy vjeçe e gjysmë, Valdete Deralla, mbesa e Mehmet Pashë Derallës, gjithmonë ka ëndërruar ardhjen në Tetovë. Gjyshi i saj ishte pranë Ismail Qemalit në Vlorë dhe u zgjodh ministër i parë i Luftës.
“Në vitin 1989, kur kisha një vizë për në Turqi, këtë ëndërr e realizova me shumë përpjekje, pas një vize transiti për në Jugosllavinë e atëhershme. Madje, me vështirësi kalova nëpër Ulqin, me qëllimin e vetëm për të ardhur në Tetovë”, kujton ato ditë Valdetja.
Ajo asnjëherë nuk do t’i harrojë ato ditë kur duhej të vinte në Tetovë, në qytetin e saj të lindjes që e tërhiqte aq fuqishëm, përkundër faktit se nuk i kujtohej dita kur bashkë me familjen ishin arratisur që andej nën trysninë e regjimit komunist.
“Para kontaktit tim të parë me Tetovën, pyeta babanë nëse arrij të shkoj në vendlindje, në cilën derë do të duhej të trokas. Ai m’u përgjigj: “Shko ti moj bijë në Tetovë, se vetë tetovarët kanë për të të gjetur ty”. Këto fjalë kaq bindëse të babait kishin lehtësuar sado pak shpirtin e Valdetes, megjithatë babai i saj, Hysen Deralla kishte vërejtur një dozë dyshimi tek ajo. Atëherë, ai kishte shtuar: “Shko bijë në fshatin Gradec, mes Tetovës dhe Gostivarit, se atje ke një lagje të tërë, me dyzet familje, që i përkasin trungut të familjes Deralla”.
Valdeta tregon se kishte shkuar edhe disa herë në Tetovë, për të kërkuar dokumentacionin që është lindur në këtë qytet, por mjerisht nuk kishte arritur t’i nxjerr ato dokumente personale, edhe përkundër kontakteve me shumë personalitete shqiptare. Përpjekjet kanë qenë të kota, sepse me kohë ishin zhdukur, qoftë dokumentet e lindjes ose të martesës së nënës së saj me babanë. “Kam një fotografi të kësaj martese madhështore, që ka ndodhur në vitin 1943, në kohën e Shqipërisë etnike, me flamurin kombëtar shqiptar, ku kanë qenë të gjithë personalitetet shqiptare të kohës, duke filluar nga prefekti, e deri te përfaqësuesit e lartë të fesë islame. Këto fotografi nuk janë ruajtur të gjitha, nga se gjatë arrestimit të babait, organet e pushtetit kishin marrë shumicën e fotografive, por disa prej tyre ishin ruajtur nga anëtarët e tjerë të familjes së gjerë”, rrëfen me keqardhje, Valdete Deralla.
Sipas fjalëve të saj, familja Deralla për disa shekuj i takon Tetovës, ndërsa me origjinë konsiderohet se rrjedh nga fshati Gradec, nja 12 kilometra në jugperëndim të Tetovës, rrëzë Sharrit, në drejtim të Gostivarit. “Nuk e gjej kohën se prej kur kjo familje ka ardhur në Tetovë, por me siguri që fillimet janë para stërgjyshit tim, Hasan Pashë Deralla, për të cilën gjë dëshmojnë gjurmët që ka lënë ky personalitet i lartë ushtarak në ngritjen e nivelit të qytetërimit dhe veprimtarisë patriotike të kësaj ane”, shpalon fjalë Valdetja, duke u kredhur thellë në kujtesë për paraardhësit e saj.
Ajo ka arritur të gjejë edhe vetë shumë dokumente për stërgjyshin, Hasan Pashë Derallën, por edhe për të birin e tij, Mehmet Pashë Derallën, si dhe për brezin e babait të saj, Hysen Bej, Halim Bej dhe Gajur Bej Derallën.
Valdete Deralla, e bija e Hysen Beut, nuk mban mend për depërtimin e dhunshëm të familjes së saj nga Tetova për në Shqipëri, sepse ishte fëmijë pa mbush tre vjeç. Ajo më vonë ka mësuar se babanë e saj, bashkë me familjen, nga viti 1946 e kishte depërtuar policia për në Tiranë, në kohën kur kufijtë ende kanë qenë të hapur. Xhaxhanë e saj, Gajur Derallën, një ushtarak i njohur shqiptar, i angazhuar për çështje kombëtare, regjimi i dalë nga partizanët e pasluftës e kishte dënuar me vdekje, pasi e kishte izoluar në Burgun e Shkupit.
“Supozoj se ky dëbim i dhunshëm nga trojet e tyre stërgjyshore ishte për të mos u ngritur revolta e vëllezërve Deralla, me ndonjë aktivitet të thellë patriotik, deri në organizimin e ndonjë ushtrie nacionaliste kundër sllavëve dhe komunizmit”.
GJURMËVE TË KOLOSIT TETOVAR
Duke gjurmuar pas shtigjeve të jetës dhe veprimtarisë kombëtare të kolosit shqiptar, atdhetarit të paepur, pashait tetovar, Mehmet Deralla, me shumë grada mbi supe, deri në atë të gjeneralit të ushtrisë perandorake; sigurimit me ushtarë të mbajtjes së Lidhjes së Prizrenit; qëndrimit në Bagdad, kthimit në Selanik, hedhjes së uniformës, marrjes së postit të Ministrit të parë të Luftës në Qeverinë e Ismail Qemalit; si dhe peripecive pasuese deri në burgosjen e tij nga forcat serbe, me të birin Halimin, e të tjera ngjarje shumë të rëndësishme historike; arritëm tek “rrëfimet” e njërës nga vajzat e Halim Bej Derallës, Emine Deralla, e cila ka dhuruar kujtimet autentike për këto ngjarje ndër vite, si testamentin më të çmuar, nipit të saj, Ervin Pilku, i cili aktualisht jeton dhe punon në Nju-Jork.
Një premtim i kahershëm, për t’i zbuluar sheshazi disa detaje nga jeta dhe veprimtaria kombëtare e Mehmet Pashë Derallës, që i ka dëgjuar Ervin Pilku gjatë vitesh nga të parët e tij, u sendërtua kohë më parë, në saje të një korrespondence elektronike që vendosëm në linjën Tetovë-Nju Jork. Rastësia deshi që babai i Ervin Pilkut, diplomati në pension, Nexhat Pilku, të qëndrojë dy vjet më parë në Tetovë, së bashku me pasardhës të tjerë të familjes Deralla, me rastin e një Konference të mbajtur në Tetovë, në nëntor të vitit 2014, kushtuar jetës dhe veprimtarisë kombëtare të Mehmet Pashë Derallës, në shenjë të shënimit të përvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Gjatë shkëmbimit të korrespondencës mësojmë se familja e Ervin Pilkut, me rezervë merr raportimet e disa historianëve të sotëm lidhur me një pjesë të jetës së Mehmet Pashë Derallës. Kjo ka të bëjë sidomos me disa fakte që po shtrembërohen ose u jepet një dimension dramatik.
Lëvaret një pakënaqësi për mospërfilljen e trashëgimtarëve të Halim Derallës nga ana e pushtetit, në lidhje me restaurimin e shtëpisë së tij në Tetovë, e cila po kthehet në një Muze dedikuar të atit Mehmet Pashë Derallës, duke mos shfaqur të qartë faktin që kjo shtëpi ishte rezidencë e Halim Bej Derallës, por jo edhe shtëpi e dikurshme e Mehmet Pashë Derallës.
Ervin Pilku, duke kujtuar fjalët e gjyshes, thotë: “Në fillim të vitit 1878, si gjeneral i ri i Perandorisë, Mehmet Pashë Deralla shërbente si komandant i garnizonit të Stambollit. Me kërkesën e të atit, Hasan Pasha, u kthye në Prizren, në qershor të po atij viti për të marrë, përkohësisht, prej të atit, detyrën e drejtuesit të garnizonit të Prizrenit. Ky garnizon, në atë kohë drejtohej nga Hasan Pashë Deralla. Pasi që Hasan Pashë Deralla ishte delegat i Tetovës në Lidhjen e Prizrenit, i besoi të birit detyrën e mbrojtjes së delegatëve nga të gjitha viset shqiptare dhe sigurimin e punimeve të Lidhjes”.
Më pas, Mehmet Pasha u kthye të shërbente përsëri në Oborrin Mbretëror të Sulltan Abdylhamidit II, si komandant i garnizonit të Stambollit. Në vitin 1904 transferohet në Bagdad, si komandant i garnizonit perandorak. Në vitin 1908 jep dorëheqje nga detyra e pashait dhe kthehet në Selanik. Nuk pranon ftesën e xhonturqve për t’u veshur përsëri pasha, por i bashkëngjitet luftës për pavarësi. Vite më pas, zgjidhet Ministër i Luftës në Qeverinë e Ismail Qemalit, pas shpalljes së pavarësisë, më 28 Nëntor të vitit 1912. Pas dorëheqjes së Qeverisë së Vlorës, më 1914 vazhdon luftën kundër pushtimit serb, bashkë me të birin, Halimin”.
ROBËR TË USHTARËVE SERBO-BULLGARË
Në fillim të vitit 1915, Mehmet Pashë Deralla dhe Halim bej Deralla u zunë robër nga ushtarët serbo-bullgarë. Arsyet e arrestimit dhe të burgosjes kishin lidhje me kundërshtimin e armatosur të tyre ndaj forcave serbe dhe bullgare në Kryengritjen e parë dhe të dytë të Dibrës.
Në shtator të 1913-s, Mehmet pasha dërgoi Halimin dhe Mynipin nga Vlora për në Tetovë, për të ndihmuar veprimtarinë e bashkatdhetarëve në Kryengritjen e shtatorit të vitit 1913, që u quajt ndryshe Kryengritja e Parë e Dibrës. Në fillim të vitit 1914, Mehmet Pasha u kthye në rrethinën e Tetovës dhe jetonte si kaçak, duke u endur së bashku me të birin maleve të Sharrit. Ata të dy kapen në fillim të vitit 1915 nga forcat serbo-bullgare dhe dërgohen në burg, në kështjellën e Karllovës në Bullgari, ku dhe dënohen me vdekje.
Më vonë, sipas rrëfimeve të gjyshes së Ervinit, Emine Deralla, një nga oficerët serbë e kishte njohur Halim beun në burg, kështu që kishte mundësuar arratisjen. Në atë kohë, Mynipi, vëllai më i vogël i Halimit, ishte në Itali për kurim nga tuberkulozi, ku, mjerisht, përfundon jetën. Gjatë arratisjes nga burgu, Mehmet Pasha dhe Halim beu kanë qëndruar gjithë natën të zhytur në ujë deri në gjoks, për t’iu shmangur rojeve. Më pas kthehen në Tetovë, ku Mehmet Pasha pas disa vitesh (1918), ndërron jetë”.
“Mehmet pashë Deralla ka shërbyer te Sulltan Abdylhamiti II. Ai shërbeu dy herë si komandant i garnizonit të Stambollit. Ishte një ndër gjeneralët e Oborrit dhe drejtonte një pjesë të trupës mbrojtëse të Pallatit Mbretëror në Top-Kapi. Dokumentet për këtë janë në arkivat e Stambollit. Ish-historiani shqiptar, Zija Shkodra, ka gjetur emrin e tij në fillim të viteve 1870, derisa ishte në Stamboll, me shumë urdhra të lëshuar për gardën, një pjesë e së cilës drejtohej nga Mehmet Deralla. Këtu është fjala për vitet 1877-1878”, thotë Ervin Pilku.
“Mehmet Pasha nuk kishte fëmijë me gruan e dytë. Gruaja e tretë ishte nga Shkupi dhe atë e rrëmbeu para se të hynte në haremin e Sulltan Abdylhamitit II, kaloi në lagjen Fëndëkli të Stambollit dhe e mbajti atje tek një familje tetovare. Katër muaj më pas, Mehmet Pasha u martua me Eminen, gruan e tretë, por edhe prej saj nuk kishte fëmijë. Në fund të vitit 1904 transferohet për në Bagdad, ku mori me vete dhe gruan e tretë, Eminen. Ajo vdiq në Bagdad.
Mehmet Pasha u dërgua atje nga ana e Sulltanit, për të vënë sërish rendin, dhe nuk ishte i internuar siç thoshin disa autorë. Në Bagdad u martua më 1907 me gruan e katërt, Nadiden, e cila ishte vajza e madhe e Guvernatorit (çerkez) të Bagdadit. Fëmija e parë nga ajo martesë ishte Gajuri. Fundi i vitit 1908 shënon përfundimin e karrierës së tij ushtarake për Perandorinë Osmane. Kthehet në Selanik, me gruan Nadide.
HISTORIA SHEKULLORE E FAMILJES DERALLA
Gradën e gjeneralit të fituar më 1878 e dorëzoi, për shkak të zhgënjimit nga premtimet e xhonturqve më 1908, duke mbyllur kështu karrierën 30-vjeçare në shërbim të Perandorisë. Sipas fjalëve të Emine Derallës, pas shumë vitesh dhe peripecish jetësore, angazhimesh ushtarake, Mehmet Pashë Deralla ka ndërruar jetë në shtëpinë e tij të vjetër, në Tetovë”, kujton Ervini fjalët e gjyshes së tij.
“Shtëpia e vjetër e Mehmet Pashë Derallës në Tetovë, nuk ekziston më. Pjesa e tokave të Mehmet Pashës që i përkiste gruas së tij, Nadide, dhe fëmijëve nga kjo martesë (Gajurit, Hysenit, Nigjares dhe Haxheres), rreth 15 mijë metra katrorë, u shitën nga Hysen Deralla, në fund të viteve 1920 dhe fillim të viteve 1930. Në tokën ku ishte ajo shtëpi e vjetër, sot është ngritur një ndërtesë e lartë komerciale-banesore, në krahun e majtë të shtëpisë së Halim Beut (përballë rrugës).
Mamaja, kështu e thërrisnim gjyshen Emine, thoshte se shtëpia e Mehmet Pashës ishte e njohur si “Selamllëk” (konak), ngase aty priste mysafirët e vet, patriotë të shquar të kohës dhe njerëz të tjerë me influencë. Halim beu, djali më i madh i Mehmet Derallës, pas sëmundjes dhe vdekjes së Mynipit, vëllait më të vogël, kishte ndarë trojet e të atit që kishin në Tetovë, në 9 pjesë. Katër sosh për veten dhe tri për motrat nga martesa e parë e Mehmetit, dhe pesë për Nadiden (gruan e fundit), si dhe katër fëmijëve të vegjël.
Ndërsa shtëpia në Tetovë, që gjendet edhe sot në kompleksin e Spitalit, është ndërtuar nga Halim beu, në një të nëntën (1/9) pjesë të 30 mijë metrave katrorë pronë e tyre, që është dokumentuar në vitin 1922. Shtëpia e Halim Beut në Tetovë ishte thjesht ndërtesë banimi për Halimin dhe vajzat.
Kjo nuk është shtëpia e Mehmet Pashës, ku priteshin krerët e Lëvizjes kombëtare për luftë kundër turqve. Shtëpia e Halim Beut ka historikun e saj të veçantë, si nga stili arkitektural, ashtu dhe nga rëndësia historike, që flet për kohën kur Halim Beu ishte si deputet i Tetovës në parlamentin e Beogradit. Në atë shtëpi, Halim beu ka pritur dhe Ahmet Zogun, para kthimit të tij në Shqipëri, në vitin 1925.
Me vendosjen e monarkisë në Shqipëri në vitin 1928, Halim bej Deralla, me gruan e tij Kadrije, vajzat Enise, Emine dhe Meleqe (Melush), e mbyllën shtëpinë dhe lëvizën për në Tiranë. Kjo dyndje ndodhi shkaku i tre përpjekjeve të pasuksesshme për atentat ndaj Halimit, për çka edhe vjen ftesa nga Mbreti Zog për Halim beun dhe familjen e tij, për t’u vendosur në Tiranë. Pas një kohe, Halim beu vdiq në Tiranë, në vitin 1932”, përshkruan Ervin Pilku një pjesë delikate të jetës së kësaj familjeje.
“Dy vajzat e mëdha të Halimit, Enise me dy fëmijët, Ruzhdiun dhe Gencin, si dhe Emineja me bashkëshortin, Adem Pilkun, me dy fëmijët, Nexhatin dhe Nazanen, u kthyen në Tetovë, në fund të vitit 1941. Adem Pilku, bashkëshorti i Emine Derallës, u transferua nga Tirana në Tetovë, i emëruar si sekretar i Prefekturës së Tetovës në fund të vitit 1941, gjatë administrimit të Shqipërisë etnike nga Qeveria e Tiranës.
Kur gjyshja Emine arriti në Tetovë, gjermanët e kishin kthyer shtëpinë në qendër komande. Pastaj liruan dhe mobiluan atë, duke ia kthyer gjyshes. Ajo jetoi aty bashkë me motrën Enisen, bashkëshortin Ademin dhe fëmijët e tyre deri në prill të vitit 1944, kur të gjithë për herë të dytë u dyndën për në Tiranë, ku edhe mbetën gjatë periudhës së komunizmit. Gjyshi Adem Pilku u dënua nga regjimi komunist me disa vite burg.
Gjyshja dhe familja vuajtën shumë pas burgosjes së gjyshit, pasi që nuk kishin të ardhura për ekzistencë dhe as mbështetje tjetër familjare. Ndërsa i biri i Mehmet Pashës nga martesa e fundit, Gajur Deralla, pas dënimit me burg në ish-Jugosllavi, emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Hysen Deralla u martua në Shqipëri, por edhe ai u dënua nga regjimi dhe bëri disa vjet burg”, shpreh shqetësimet e tij, Ervin Pilku, për gjithë këto vuajtje të të parëve të familjes Deralla.
Këto të dhëna për jetën dhe ecejaket dramatike të anëtarëve të familjes së madhe të Derallajve ndër vite, me rrënjë e trung tetovar, duke filluar nga Hasan Pashë Deralla, pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit (1878), pastaj të birit të tij, Mehmet Pashë Deralla, i cili arriti kulmin e karrierës ushtarake-politike në Qeverinë e përkohshme të Ismail Qemalit (1912), duke u zgjedhur ministër i parë i Luftës, të bijve të tij Halimi, Hyseni, Gajuri, e bijave që lënë shumë pasardhës, u ruajtën në sirtarin e mbamendjes së Emine Derallës-Pilku, mbesës së Mehmet Pashë Derallës, e cila me mjeshtërinë e rrëfimeve tërheqëse të gjyshes për nipërit, nguliti të gjitha këto në memorien e Ervin Pilkut, i cili këto ngjarje, fakte, emra dhe data i plotësoi pas konsultave me babanë e tij, Nexhat Pilkun, diplomat (tashmë i ndjerë), sikundër edhe me vajzën e tezes së tij, Suzana Verzivolli.
Përgëzime në Ditën e Flamurit.