Gëzim Puka – “Se çdo vikamë fillon me heshtje dhe mbaron me heshtje, mbasandaj do të fillojë puna…” Kështu përfundon skica “Idhujt pa krena” e shkruar në vitet ’30 nga Migjeni. Një tekst letrar që edhe sot e gjithë ditën vetëshpallet si një paralajmërim i madh ndër shqiptarët. Them paralajmëron për të qenë në të njëjtën gjatësi vale me një aksiomë aristoteliane, kur shpallet ndryshueshmëria midis historisë dhe letërsisë. E para na tregon për atë që ka ngjarë, ndërsa e dyta, domethënë arti i fjalës, për atë që mund të ndodhë. Pikërisht këtu është edhe epërsia e “Idhujve pa krena” të Migjenit.
Nëse vërejmë “Fjalorin e gjuhës shqipe”, vikama është një britmë, një thirrje e fuqishme që buçet dhe ka nevojë që të jetë e dëgjuar. Thirrja e fuqishme shoqërore ka nevojë që të gjejë veshë për të prodhuar kuptim. Ka tridhjetë vjet që interpretimi për tekstin migjenian është stereotipizuar tek togfjalëshi “poet i mjerimit”, ndërsa katërdhjetë vjet më parë ishte edhe “poet i rinisë”, “i revolucionit”, “pararendës i komunizmit”, më parë akoma “shpirti sllav që flet shqip” etj.
Në kuptimin tim, ai është skicuesi i “Idhujve pa krena”. Ka një dëshmi të mikut të tij Teufik Gjyli, që na e rrëfen si i erdhi Migjenit ideja për këtë prozë të shkurtër. Ai pa disa hunj gardhi dhe iu drejtua shokut të tij: “Shiko si duken, si idhuj pa krena!”
Në fakt nga ata hunj ne vijuam të krijojmë idhuj edhe sot, rreth njëqind vjet më pas. Në ca hunj gardhi ne shpresuam për lirinë dhe shtetformimin tonë. Kjo kulturë totemike përvijoi çdo element të jetës sonë “demokratike”. Ndalesa në këta idhuj të rremë është tragjike. Ka ardhur tani koha e vikamës. Heshtja pandemike dhe postpandemike duhet të shoqërohet me fillimin e punëve të mira.
Idhujt pa krena – idhuj pa ide;
Idhujt pa krena – idhuj të marrosur;
Idhujt pa krena – nuk udhëheqin dhe nuk frymëzojnë askënd;
Idhujt pa krena – shëmti, mungesë e estetikës, mungesë e së bukurës.
Pse Migjeni adhurimin e tyre e lidh me ndalesën në kohë, e lidh me admirimin e së shkuarës dhe në fund e lidh me përtesën. Idhujt janë diktaturë. Përtesa është diktaturë. Liria ka simotër veç punën. Kjo antonimi e pjesshme, idhujtari dhe shëmti, jo rastësisht, të orienton drejt interpretimit të përtacisë. E bukura të magjeps, sepse është e frytshme.
Pse ky tekst letrar ndërfutet në kohën tonë dhe ka akoma çfarë t’i thotë asaj?!
Ka tridhjetë vjet që krijohen idhuj turmash për të vigjëluar këtë gardhin tonë me Evropën. Këta hunj gardhi qëndrojnë tashmë me palëvizshmërinë e tyre historike. Qëndrojnë stoikë dhe vrojtojnë mosfutjen tonë në bahçen evropiane të punuar aq bukur.
Vikama jonë filloi njëqind e ca vjet më parë, që me krijimin e këtij shteti. Ajo është një vikamë e gjatë dhe e lartë, shkon deri në kupë të qiellit. Duhet të zbardhë dita që kjo vikamë t’i shembë këta idhuj pa krena, këta të marrë e pa ide. Do shemben këta idhuj që nuk frymëzojnë më askënd, këta plangprishës të pandreqshëm.
Për sa kohë muret që ndanin botën kanë rënë, gardhet dhe hunjtë e tyre, që qëndrojnë akoma në këmbë, duken tashmë si rudiment i qëndresës së vesit tridhjetëvjeçar të legalizuar.
Erdhi koha e punës së virtytshme, koha e përpjekjes për qytetërim të vërtetë evropian në këtë hapësirën tonë shqiptare.
Iku koha e idhujve pa krena!
Idhujt pa krena
Migjeni
Një tufan i tmerrshëm i shembi idhujt. Disa i bani pluhun e disa i la pa krena.Tufani i tmerrshëm nuk fryni as nga një anë e horizontit, dhe as nga qiella, por duel nga zemra e dheut. Çdo gja që del nga zemra asht ose përkdhelse si andja më intime, ose e tmerrshme si tufani që shemb idhujt.
U tret pluhuni i idhujve q`u shembën krejt, dhe s’u mbet fara, e idhujt që mbeten pa krena qëndrojnë si dëshmorët e shëmtuem e një jetës së përndueme.
Idhuj pa krena! Shëmtim i natyrës! E njerëzit që jetojnë në mes tyne enden si të harlisun. Ata që kishin lindun para se t’u shembeshin idhujt dhe i pan me syt e vet në bukurinë e tyne ceremoniale, ata tash rënkojnë, psherëtijnë për kohën e idhujve të vjetër, dhe tue vdekun shpresojnë se këta idhuj do t’i shpëtojnë. E ata që lindin në kohën e idhujve pa krena s’dinë ka t’ia mbajnë. Duen t’adhurojnë, po ç’ka t’adhurojnë? Idhuj pa krena?…Duen të besojnë, por ç’ka të besojnë? Idhujt pa krena? Kush mund të adhurojë të shëmtuemen? Kush mund të besojë në një zot pa krye? Çdo gja që s’ka krye asht kufomë, e kufoma s’e ka vendin mes të gjallëve. Kufoma duhet varrosë. Përndryshe, e përlyemja me të ka për të qenë katastrofale. E katastrofa asht katastrofë! Zhduk kombe! (Kombi ynë me të vërtetë s’u zhduk. Por arsyeja asht vetëm se dhe kojshitë tonë t’afërm qenë pak a shumë të një fati si ne.)
Idhuj pa krena! Flitë e kohës, e cila gjithçka përpin, dhe fli të fatalitetit. Qëndrojnë ashtu të gjymtuem vetëm e vetëm pse s’duel njeriu i zoti të ndërtojë idhujt e ri. Por, herët a vonë, ai do të dali. Dhe idhujt e ri që do t’i ndërtojë ai, kanë për t’u adhurue nga turmat. Se landa e tyne ka për të qenë moral i kohës, model i tyne – njeriu i sotshëm. Idhujt pa krena! Në varrimin e tyne, kumonet kanë për të plasë së ramit, minaret kanë për ta thye kurrizin së faluni dhe zhrecve do t’u këputen telat e fytit së kënduemi. Dhe do të vijë heshtja. Se çdo vikamë fillon dhe mbaron me heshtje. Mbasandaj do të fillojë puna… ©Gazeta Liberale