Në suaza të takimeve të shumta që ka pasur me krerët e institucioneve shtetërore, drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës (AZGJ), Ylber Sela sot pati një takim pune me ministren e Kulturës të RMV-së, Irena Stefoska.
Me këtë rast ministrja Stefoska i dëshiroi mirëseardhje dhe shprehu kënaqësinë për këtë vizitë të dobishme, duke theksuar se kjo është një ndihmë e madhe për Ministrinë e Kulturës e cila për fat të keq ka trashëguar shumë probleme për sa i përket zbatimit të gjuhëve zyrtare, por që gradualisht duhet t’i tejkalojmë dhe t’i zgjidhim së bashku. Ajo shprehu disponim shumë pozitiv dhe u zotua se me sistematizimin e ri do të krijohet një njësi përkthimi e cila do të merret me përkthimin e dokumenteve dhe të akteve zyrtare të kësaj ministrie. Duke qenë edhe vetë filologe, theksoi ajo në vazhdim, unë u besoj gjuhëve, prandaj ne do të angazhohemi së bashku për ta përmirësuar gjendjen e përdorimit të gjuhëve, që përkthimet të bëhen në mënyrë profesionale dhe pa gabime.
Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela, duke ia uruar postin ministres Stefoska, theksoi se qëllimi i kësaj vizite është që ta ndihmojmë këtë institucion të rëndësishëm, i cili ka mbetur mbrapa në aspektin e zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve. Veçmas ai u ndal në aspektin e përkthimit dhe të lekturimit të formularëve dhe të akteve zyrtare, të cilat medoemos duhet të jenë në dy gjuhë. Për ta realizuar këtë në përputhje me ligjin përkatës, ai ofroi ndihmë dhe bashkëpunim konkret, qoftë me përkthim dhe lekturim të shkresave, qoftë duke u konsultuar me shërbimet tona.
Takimi u mbyll me konstatimin e përbashkët se të dy institucionet do të jenë në kontakt të vazhdueshëm për ta përmirësuar gjendjen e përdorimit të gjuhëve zyrtare, e cila deri tani nuk ka qenë e lakmueshme në këtë institucion.