Ermir Nika | Teksa grishem të rindërtoj Dritëro Agollin që kam njohur, profili i tij artistik dhe njerëzor, ashtu si pakuptuar, fjalë pas fjalë, i përshkruar në gjuhën e përbashkët të stërgjyshërve, sendërtohet jo vetëm falë kujtesës, por edhe prej asaj që në thelb përbën krijimtarinë e tij. Duke shkruar e renditur një pas një përjetimet, pasi i je dhënë tërësisht përhumbjes, vëren se portreti që bart tashmë në duar, ka tejkaluar parafytyrimin fillestar dhe pak nga pak ka marrë përmasat e vendit tënd! Jo thjesht si tërësi gjeografike apo koordinatë etnokulturore, por e shtrirë në një hapësirë të pamatë ku përsillen frymët dhe hijet e së tashmes dhe njëherazi të së shkuarës, galeri imazhesh dhe personazhe që kanë gjalluar rrjedhës së historisë, apo janë ngjizur si simbiozë e artit me penën e rënë nëpër gishtat e lodhur, tek gërvin mbi bojë e kartë.
Ashtu sikundër na qëllon të ndalemi e të njihemi me muret, statujat dhe qeramikat e një qyteti antik, edhe në bashkëkohësi kupton se nuk është koha që ndikon në tjetërsimin e përgjithshëm të jetës dhe individëve brenda saj, përkundrazi; njerëzit, sendet, dhe objektet frymore e jofrymore të këtij planeti nuk kanë destin ndryshimin. Është thjesht optika dhe ndërgjegja humane që tjetërsohet brenda vetes dhe tinëz elementi që ndikon për të kundruar botën nga kënde të ndryshme. Jashtë këtij perceptimi, jeta dhe dukuritë brenda saj na shfaqen ashtu sikundër kanë qenë që në ngjizjen e njeriut, me të njëjtat dilema, të njëjtat aspirata dhe parafytyrime dhe një cikël jetësor mbase nuk e përmbyll dot faqen e fundit të së vërtetës. Ndoshta një rastësi e stisur, apo një verdikt jo i rastit, ndikoi që Dritëroin të mund ta njihja pikërisht në këtë periudhë të jetës, teksa pas një rrugëtimi të gjatë, i ulur në një cep të botës, rishkruante epilogun e vetvetes.
Tashmë komunikimin me Dritëroin e vijoj nëpërmjet veprës së tij. Jetojmë në të njëjtin apartament. Unë gjatë orëve të pasditës, më së shumti kohën e ndaj në studion time dhe ai qëndron përkundruall meje, në një prej rafteve të bibliotekës. Nuk është e thënë që vdekja të prekë, a përdhosë, këtë marrëdhënie që i zhbën normat e jetës dhe nocionin kohë. Tani gjendem i ulur teksa shkruaj e flas për të, e në këtë rrëfim nuk do të doja kurrsesi të qëndroja në ritregimin e shumë bisedave, gjesteve apo ambientit fizik ku përmblidheshim.
Apo të qëmtoj të shtjelloj për ditë e netë, detaje dhe çaste që i përkasin asaj që tkurret brenda një tjetër realiteti, rënduar në avujt e alkoolit apo hirin e cigareve që ndizeshin e shuheshin një pas një dhe ndonjë psherëtime të pavënë re nëpër retë e turbullta të nikotinës, pasi ai ashtu si çdo krijesë e bashkësisë së tij të shkrimtarëve, nuk denjoi të mbetej në suazën e një njeriu të zakonshëm, por thjesht e me vullnet të plotë, t’i përkushtohej thjeshtësisë dhe origjinalitetit të çdo njeriu të çfarëdoshëm që kish njohur.
Këtë ide në kokën time e përforconin bisedat e shumta me të, ku përgjatë dialogëve tanë, në atë ç’ka unë arrita të shihja përballë tij, përtej kuintave të konkretes, kishte të bënte me një hapësirë që avitej për të tejkaluar çastin kur gjendeshim në praninë e njëri tjetrit. Bisedat me të tirreshin në natyrshmëri, jashtë çdo lloj kontraktimi të mundshëm dhe ashtu vetvetiu prekte kumtin e një sinqeriteti të pakushtëzuar nga asnjë lloj kompleksi apo pendese, pasi për të letërsia ish kthyer në besim dhe koha e kish vënë herë pas here përpara sfidash dhe provash nga më të paimagjinuarat dhe përsëri, ai e kish fituar betejën me veten, me të përkohëshmen dhe nuk e mundonte aspak ajo e nesërme të cilën ai nuk do të mund ta jetonte kurrë dhe që nuk do të mund të ishte dot pjesë përbërëse e një komuniteti virtual!
Ndodhte që mbrëmjet të zbrisnin tatëpjetë teksa në fjaloseshim mbi temat e parapëlqyera dhe unë isha tjetri që fjalitë më së shumti i ndërtoja në formë pyetësore dhe se kisha fare pak gjëra për t’i rrëfyer për veten. Ndërsa e kundërta ndodhte me të. Ai tregonte dhe nuk denjonte në asnjë moment të sundohej nga emocionet, ndërsa befas silueta e tij më shndërrohej në protretin e rrëgjuar të Uliksit në përmbyllje të fatit të paracaktuar të tij përreth tokës. Dhe ishte përsëri fjala e artikuluar prej tij që më merrte e më kthente rishtaz në realitetin ku bënim pjesë, grisur nga tingëllimi i qelqte i një gote të zbrazur dhe prej kordave të zëri të tij që pakujtuar të degdiste larg, tepër larg në përfytyrimin për tokat e pluguara, për vërshimin e çmendur të lumenjve pas dimrave të egër, për vajzat e shndërruara në nimfa përgjatë viteve, për brengën e bujkut pas stuhive që kanë rrahur dheun, dertet e bariut të shkrirë në timbre polifonish dhe hardallosjen e bagëtive nëpër lugina. Ndoshta për një planet të sunduar gjithmonë e më pak nga natyra e shprishur njerëzore.
Tanimë mundet të shoh çdo gjë në një tjetër prizëm, ndaj më ndodh që për ngjarjet dhe njerëzit të kem një tjetër gjykim të mbrujtur jo thjesht nga nota emocionale apo mbresa të përkohshme. Jetoj një periudhë kur gjithçka i përngjan një filmi retrospektiv ku shiriti nis nga fundi për të mbërritur tek një pikënisje. Dhe kështu do të ndodhte nëse do të qëllonte të rrije pranë Dritëroit, pranë së cilit ngjante sikur shfletoje një libër ende të pabotuar të tij. Ai dukej se nuk kish aspak ndërmend t’i ngrinte flamurin e bardhë viteve apo vdekjes dhe gjithmonë fliste për librat që po shkruante dhe përjetimet që e mundonin në përditshmërinë.
Në vetëdijën e tij e kaluara regëtinte jo vetëm si kujtesë por njëherësh edhe si prologu i së nesërmes që rrekej të davaritëte errësirën e mbrëmjeve. Ka rrjedhur një kohë e papërcaktuar që prej largimit të tij, por si për ironinë e ligjësisë biologjike mbi të cilin funksionon cikli jetësor, hija e tij ravijëzohet ende udhëve dhe fryma ndihet se troket në çdo kërcitje dritareje dhe në luhatjen e dyerve prej erës. Dritëroi në rrugëtimin e tij njohu dhe përshkroi ëndrrën dhe zhgjëndrrën që endej kuturisur në gjithësinë që i përkiste njerëzores. Ndjesia e tij zhbënte rëndomësinë e së përditshmes dhe zëri i tij ndihet se shpërhapet në çdo rrugicë që sapo e ka braktisur rrezja e fundme e natës dhe çdo fije bari të pagëzuar prej agut. Ai ishte dhe ka mbetur aty, veçse askush nuk mundet më ta shquajë në trajtën e tij njerëzore. Tashmë ai rezonon përjetësinë.
Edhe në këto momente kur rrekem të rindërtoj me gërma e fraza njeriun dhe shkrimtarin Dritëro Agolli i mbetem besnik bindjes se unë e kam njohur Dritëro Agollin. Ndoshta ashtu siç mundet të përftohet një reaksion kimik, po ashtu mundet të kryqëzohen mes tyre, udhë dhe fate shkrimtarësh.
Unë e kam takuar atë jo spontanisht por nga dëshira dhe kërshëria për të folur dhe shkëmbyer mendime dhe ide mbi gjuhën e letërsinë , mbi historinë e shkruar e atë të treguar rreth këtij vendi, ndaj kam qëndruar me atë njeri gjatë, në orë të cilat nuk do të doja, edhe të mundja, t’i përllogarisja pasi njohja me të qëndron e ngrurtësuar në dy plane; së pari, kisha arritur ta njihja nëpërmjet asaj çka kisha lexuar në veprën e tij si edhe prej rrëfimeve të miqve dhe kolegëve më të afërt, me të cilët Dritëro Agolli kish ndarë momente e vite nga më kulmoret në jetën e tij. Së dyti, ndryshe nga sa davaritej klima rreth jetës dhe veprës së tij, Dritëroi kurrë nuk fliste për atë çka kish përjetuar në jetën e tij, në marrëdhënie me femrat, kolegët, të panjohurit, të pushtetshmit apo edhe më të vegjlit që gëlojnë gjithkund në çfarëdolloj shoqërie.
Prej të tjerëve pata mësuar rreth natyrës së tij, përpjekjeve për t’i paraprirë dhe pritur çdo sulm dhe duke shmangur objektivin ndaj shkrimtarëve dhe në veçanti atyre më të rinjve. Shkrimtarët që kishin përjetuar epokën e socrealizmit pohonin se në ato vite jetohej në një kohë kur paranoja e rrezikut nga humbja e gjithçkaje ndoshta edhe nga e drejta për të jetuar ishte e pranishme gjithkund dhe kur mbi të gjitha lipsej një përpjekje mbinjerëzore, për t’i bërë ballë mosekzistencës, prirjes për mosbindje dhe kurajos për të krijuar, jashtë koncepteve dhe frymës politike që ushtronte diktatura. Ishte thjesht një kohë kur pyjet ktheheshin në libra, e librat në karton, koha kur njeriu mbruhej në zbrazëti dhe thjesht nga një çartje e çastit mund të kthehej në asgjë.
Dhe si për sfidë të gjithëkësaj, në Shqipëri u shkruajt dhe u publikua letërsi, art dhe kulture, e cila krijoi këndin e saj krejtësisht origjinal në tërësinë e kulturës evropiane dhe asaj botërore. Falë njerëzve si Agolli, Shqipërisë iu njoh një e drejtë që gjuhës së këtij vendi iu mohua me shekuj dhe iu kufizua për dekada të tëra, deri kur ashtu si në një skenë të tejmbushur nga turmat, perdja një çast do të binte për të mos rimishëruar më, askund, asnjë barierrë. Dritëro Agolli mundi të jetonte njëherazi dy kohët e tij; kohën si njeri dhe atë si shkrimtar, e tanimë ka ndërmarrë udhën për t’iu dhënë tërësisht kohës së tretë, asaj që e pagëzon si një shenjt i Letërsisë Shqipe.
Gazeta Liberale