Para shtatë vitesh ndërroi jetë Prof. Dr. Fadil Sulejmani, themelues dhe Rektor i parë i Universitetit të Tetovës. Prof. Dr. Fadil Sulejmani u lind më 5 dhjetor të vitit 1940 në katundin Bozovcë të Malësisë së Sharrit të Tetovës. Arsimin fillor e kreu në vendlindje dhe në qytetin e Tetovës, kurse Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren dhe Fakultetin Filozofik, drejtimi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë. Studimet pasuniversitare për magjistraturë i kreu në Beograd dhe doktoroi në Prishtinë për shkencat filologjike.
Ka punuar fillimisht si arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe në katundin Obiliq afër Prishtinës dhe 2 vjet si profesor i gjuhës latine në Gjimnazin e Mitrovicës. Në vitin 1971, filloi si pedagog i rregullt në degën gjuhë dhe letërsi shqipe, të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku punoi deri në vitin 1994. Në vitin 1994-95 u avancua në cilësinë e profesorit ordinar për shkenca filologjike, po në këtë universitet. Formimi i tij akademik do të vijojë me 2 vjet specializim në Gjermani si bursist i Fondacionit Aleksandër fon Humbold në Bon dhe 1 vit në Itali, gjë që i ka mundësuar edhe njohjen e gjuhëve përkatëse, të cilat do t’i shfrytëzojë edhe më vonë në hulumtimet e tij.
Në vitin 1994, bashkë me intelektualë të tjerë, e themeloi Universitetin e Tetovës dhe e drejtoi atë deri në vitin 2003, periudhë kur fillon edhe zyrtarizimi i tij.
Profesor Fadil Sulejmani është autor i mbi 10 librave dhe mbi 200 artikujve të publikuar në revista shkencore e periodike.
Më 17 dhjetor 2012, me rastin e 18 vjetorit të themelimit, Universiteti Shtetërori Tetovës, themeluesit dhe Rektorit të parë, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit i ndau titullin Doctor Honoris Causa.