• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E enjte, 30 Mars 2023
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Opinione

Ai imazh që mua nuk më del nga mendja e që lidhet me Dritëroin …

10/02/2020
| Opinione

Diana Çuli | Ka gjithnjë një çast, një imazh, një tingull që lidhet me një njeri të caktuar e që nuk harrohet kurrë, edhe nëse kanë kaluar disa dekada. Ka gjithnjë një ndjesi pamundësie e pafuqie për të ndryshuar të kaluarën, për të thënë me vete përse nuk i thashë këtë dhe atë, por e kaluara ngrin në përmasat e saj të patundshme dhe nuk mund të rikthehet për t’u koregjuar.

Ai imazh që mua nuk më del nga mendja e që lidhet me Dritëroin, është shikimi i tij. Tani mund të them me mendjen time Dritëroi, madje dhe mund ta shkruaj kështu, por atëhere ishte e pamundur, për shkak të moshës dhe për shkak të një peshe që ai kishte mbi ne.

Emërtimi i tij si Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve na i lehtësonte marrëdhënien formale me të, sepse atij, poetit, shkrimtarit që na kishte tronditur mendimet tona mbi poezinë dhe letërsinë në përgjithësi, ishte shumë më e natyrshme t’i drejtoheshim me fjalën Kryetar, se sa me shoku Dritëro.  Sepse, ai ishte një kryetar, siç janë në përgjithësi njerëzit të lindur për të qenë në krye të një grupi, për të prirë, për të orientuar mendimet, për t’i ndjekur.

T’i rikthehemi shikimit. Kujtimet e mija të viteve ’70-’80, kur isha redaktore në gazetën Drita e më pas redaktore përgjegjëse në Les lettres Albanaises, nuk e di pse lidhen gjithnjë e më shumë me sytë e tij të menduar, të thelluar në një mendim, herë herë të trishtë. Ne ishim katër pesë të rinj që punonim në organet e shtypit dhe është e kuptueshme që ndiqnim me vëmendje të shtuar “të mëdhenjtë” e letërsisë se si flisnin, si vepronin, si na shikonin…nëse na shikonin…Hamendeshim se si e shihnin ata botën, jetën që jetonim, njerëzit përreth. Dhe, megjithëse Kryetari ynë shquhej për humor e batuta, veçanërisht kur kishte ndonjë rast feste e ne mund ta takonim nga afër e ta dëgjonim të fliste lirshëm, sytë e tij, jo rrallë, sepse na ngjanin të pikëlluar. Mos ndoshta, vrisnim ne mendjen, ai di gjëra të rënda që ne nuk i dimë? Po çfarë mund të ndodhë? Çfarë është duke ndodhur? Dhe ajri që qarkullonte mes nesh dukej si prej gome, fryma që merrnim vështirësohej.

Çdo gjë mund të ndodhte nga çasti në çast asokohe dhe çdokush mund të zhdukej papritmas nga qarkullimi. Por, megjithatë, ai shikim i tiji, që thellohej dhe na përfshinte të gjithëve në sallën e mbledhjeve, na dukej sikur na thoshte se ai ishte atje dhe se gjërat, sido që të vinte puna, do të përpiqej të gjente mënyrën e t’i zbuste sa më shumë.

Më kujtohet një rreng i padrejtë që dy-tre prej nesh i bëmë një kolegut dhe shokut tonë për ta ngacmuar, sepse na lodhte – ose na sfidonte – me përkushtimin e tij ndaj “idealit”. Sajuam një ftesë, sikur i vinte atij nga ambasada italiane, ku ftohej të merrte pjesë në një darkë e më pas në një takim në Romë. E daktilografuam mirë e mirë italisht, e futëm në zarf, nuk e di se si një shok tjetër gjeti një lloj vule që nuk kuptohej mirë se ç’ishte, shkruam sipër adresën dhe ia vendosëm kolegut në sirtarin e tryezës së tij. Me Italinë atë kohë nuk kishte asnjë marrëdhënie, përveç amabasadës që dukej gjithnjë e mbyllur; ishte vend imperialist, armik i përhershëm. Një ftesë personale prej ambasadës ishte rrezik i madh për këdo. Po ne menduam vetëm ta vinim pak në lojë kolegun, që e donim, por donim edhe të vdisnim gazit kur ta shihnim si do trembej kur të hapte sirtarin e më pas zarfin. Pastaj të uleshim sëbashku me të, duke qeshur me të madhe. Mirëpo shoku ynë u zemërua me ne dhe na raportoi te Kryetari. Ne e morëm vesh dhe pritëm disa ditë në ankth që Kryetari, bashkë me drejtues të tjerë, të na thërrisnin në zyrë. Kushedi si do shkonin punët, dikush mund ta quante dhe provokim të rëndë, dikush tjetër do të pyeste për lidhje tonat me të huajt, një tjetër përse na kishte shkuar kjo gjë në mendje.

Katër ditë që ngjisnim shkallët e përdredhura të Lidhjes me këtë ankth në zemër. Që kryqëzonim pa folur shikimet tona të trembura. Që na rëndonin ndjenjat e fajit për mendjelehtësinë e pafalshme. Ditën e pestë një tjetër koleg, por anëtar i kryesisë, erdhi e na pëshpëriti: “U diskutua në mbledhje puna e asaj proçkës suaj. Nja dy vetë dhe u zemëruan me ju, por Dritëroi qeshi dhe tha: -Të rinj janë, duan dhe të lozin. – E pastaj e grisi ftesën dhe ankesën.”

Ky është një episod shumë i vogël në morinë e episodeve të atyre viteve në Lidhje, por ai ndodhi që në fillim të viteve të punës dhe befas krijoi tek unë dhe tek shokët e shoqet e mija, tek “grupi”, siç e quanim  njeri tjetrin, një frymë të veçantë ndaj Kryetarit tonë.

Rreth tetë-nëntë vjet më vonë, në vitin 1984, unë dorëzova në shtëpinë botuese Naim Frashëri dorëshkrimin e romanit tim Dreri i trotuareve. Redaksia e romanit nuk pranoi ta botonte, por nuk bëri zhurmë. Redaktorët e futën në sirtar, dikush prej tyre tha edhe se “unë dorëzoj çelësat po e botuam”, por, sidoqoftë asgjë nuk shkoi më larg se kaq. Unë i isha mirënjohëse heshtjes së tyre. Në vitin 1988, kur kohët kishin ndryshuar sapak, i kërkova përsëri redaksisë rishikimin e tij, kushedi, ndoshta e botonin. Ata, disi më të çliruar, kërkuan gjithsesi që Lidhja të jepte një mendim. Ngurrimi kryesor ishte se personazhi qendror ishte një de-hero, pra, sipas këtij opinioni libri kishte deheroizim. Më kujtohet pritja ime e gjatë dhe sytë e mi të ngulur te dera e Kryetarit, ku nuk dija në kishte ngritur komision apo po e lexonte vetë. Dhe, një ditë mora vesh se kishte dërguar fjalinë “libri nuk ka probleme” tek redaksia e romanit. Ose i ka marrë në telefon. Ose i ka takuar dhe ua ka thënë gojarisht. As këtë nuk e di, por di se nga redaksia më telefonuan dhe më thanë se mendimi nga Lidhja ishte pozitiv. Që atëhere Dreri mori jetë dhe unë mora guximin të vazhdoja. Sot mund të duket thjesht «një mendim », por atëkohë ky mendim kishte peshë të madhe jetike.

Atëkohë kishte shumë rëndësi ndjesia e humanizmit që e shihnim të shpalosej tek ai përherë, në shumë raste, tepër më të ndërlikuara e të vështira, një humanizëm që tejkalonte rregullat e egra të kohës. Ai humanizëm që përshkonte qënien e tij dhe që përshkon fund e krye veprën e tij letrare./Gazeta Liberale


Publikimi i mëparshëm

Belina Budini vlerësohet me Çmimin “At Zef Pllumi” në Publicistikë

Publikimi i radhës

Sot përkujtohet Musine Kokalari – shkrimtarja e parë shqiptare

Publikimi i radhës

Sot përkujtohet Musine Kokalari - shkrimtarja e parë shqiptare

Emetimi

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin VII të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:38

MANIFESTIMI LETRAR ''SHTIGJE POETIKE'' – EDICIONI II

00:01:13

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2022 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2022 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!