Drita Halimi – Statovci | Antropologjia kulturore, përkatësisht etnologjia shqiptare përgjithësisht ka një rrugë të veçantë zhvillimi. Ajo nuk kishte dhe nuk trashëgoi ndonjë studim nga lashtësia, ndonjë libër ose ndonjë artikull, madje nuk pat as kuadro të profilit përkatës. Është e njohur se albanologjia, një fushë e shkencës që merret me studimin e historisë së shqiptarëve, të gjuhës shqipe dhe të letërsisë e të kulturës shqiptare në përgjithësi, prandaj edhe të Etnologjisë shqiptare në veçanti „edhe pse me rezultate të mira, nuk ka ndonjë traditë të pasur, dmth., trashëgimi i studimeve më të mira në fushë të shkencave albanolgjike, nuk është i madh“.[1] Megjithatë, antropologjia kulturore, si do të duhej parë këtë shkencë në kuptimin më të gjërë, e këtyre trojeve pati individë të interesuar dhe entuziastë, të cilët dëshironin të punonin në hulumtimin, në grumbullimin, në njohjen dhe në prezantimin e kulturës dhe të trashëgimisë së vendit e të kombit të vetë. Në të kaluarën jo shumë të largët, ne kemi mundur të komunikojmë me etnologjinë, ndryshe antropologjinë kulturore siç përdoret gjerësisht në botën shkencore, vetëm në shkallë hulumtimi dhe drejtpërdrejtë me popullatën e gjerë, me njerëz të rëndomtë, por jo edhe me dijetarë, me shkencëtarë, për arsye të thjeshtë se mungonin kuadrot-profesionistë dhe mungonin studimet e botimet respektive nga kjo fushë shkencore. Pak a shumë ky ishte fati i shqiptarëve, përkatësisht i shkencës dhe i institucioneve antropologjike thuaja se në çdo hapësirë të vet etnike. Ishim të vonshëm në këtë dije më humanen ndërmjet shkencave shoqërore-humaniste.
Sot kemi një gjeografishtrirje etnologjike dhe antropologjike që tregon se në kulturën shqiptare kemi rezultate shumë të mira, të krahasueshme me antropologjinë kudo në botë. Në Republikën e Maqedonisë befasia më e këndshme mbëshifet në realitetin se përkundër fare pak institucioneve që përkujdesen për koordinim dhe udhëheqje institucionale të zhvillimit të shkencës së antropologjisë kulturore, rezultatet janë të dukshme, të manifestueshme dhe janë për t´u lavdëruar. Për këtë hapësirë është inkurajues fakti i përfshirjes së fushave të ndryshme jetësore e kulturore shqiptare mbrenda vet antropologjisë kulturore, qoftë kjo në formë hulumtimi, në formë studimi, të ekspozimit, ose të botimit të faktologjisë etnologjike natyrash të ndryshme. Përkundër mungesës së profesionistëve antropologë, gëzon fakti se për kulturën shqiptare në Maqedoni ka botime monografike, fjala vjen për folklorin shqiptar, për arketipe në folkloristikën shqiptare, për doke e zakone familjare, për rite kalendarike, për të drejtën e pashkruar, ose dokesore e të ngjashme. Ndodhë që studimet e karakterit monografik, për tematika ose për venbanime e krahinëza të vogla etnografike, ku shtrohen konstelacione të ndryshme shoqërore, të përfshihen çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët dhe kulturën shqiptare në Maqedoni, siç ndodhë psh., me veshjet popullore shqiptare. Për më tepër, veshjet shqiptare mbrenda kufinjëve të Republikës së Maqedonisë ndodhë të prezantohen në ndonjë katalog, ndonjë përmbledhje prezantuese e botime të ngjashme. Monografitë e shumta historiko-gjeografike për vendbanbime e krahina të caktuara etnografike shqiptare në hapësirën e Maqedonisë, të viteve më të hershme, ose tani të kohës së re, janë kontribut më vete ku përfshihet edhe etnologjia, përkatësisht antropologjia kulturore e këtyre viseve. Në vazhdën e rezultateve të këtilla domosdo duhet përfshirë edhe punën e arritur në simpoziumet e ndryshme, si fjala vjen në Simpoziumin e vitit 1991 për shqiptarët e Maqedonisë, ose simpoziumin Dibra dhe Etnokultura e saj, të mbajtur më 1993, Seminari i rregullt ndërkombëtar i Albanologjisë, që filloi traditën më 2007 e ndonjë tjetër. Natyrisht, kontributin e vet me paraqitje e performanca karekteresh të caktuara, kanë dhënë edhe shoqatat e ansamblet kulturore e artistike, folklorike e të tjera. Të gjitha këto përpjekje kanë dhënë rezultatet e veta, por edhe kanë nxitë që të punohet edhe më shumë dhe në mënyrë më të organizuar institucionale. Arritjet e këtilla me bazë shkencore, përshkruese, shumë herë fragmentare, ose edhe laike, gjithnjë do të jenë inspirim dhe do të na vejnë në lëvizje për punë më të ndërtuar në fushën e gjërë të antropologjisë kulturore.
Dihet se etnologë, ose antropologë kulturor që jetojnë e veprojnë në këto troje, madje edhe folkloristë janë me numër të vogël. Por, po të shikohen temat që shtrohen e shkoqiten në botime të ndryshme, me ose pa pretendime teorike, që prekin madje edhe antikitetin, përfitohet përshtypja se këtu ka shumë profesionistë, dhe, kjo është për t´u lavdëruar. Lypset shtuar se aparatura tekniko-shkencore e botimeve të ndryshme në këtë fushë përmban fotografi të njerëzve e të objekteve të ndryshme, të artefakteve të llojllojshme të natyrës materiale, pastaj ofron harta të ndryshme, skica, vizatime, statistika e tabela të shumta dhe se këto elemente kanë ilustruar bindshëm për çështje të caktuara antropologjike.
Megjithatë, për kohën e re e për epokën globalizuese, sikur shfaqet nevoja për një koordinim koheziv dhe më të shprehur institucional. Antropologjia-kërkimi dhe studimi i vazhdueshëm dhe institucional sikur janë bërë domosdoshmëri e kohës. Rrugët moderne, përkatësisht rrugët e reja të mënyrës së jetesës shlyejnë shumë elemente të traditës dhe inkorporojnë me sukses elementet moderne kulturore të fushave të ndryshme. Ndodhë që duke hulumtuar ndonjë fushë të caktuar të traditës, nga kultura materiale, shpirtërore, ose ndonjë fushë tjetër, të na parakalojnë periudhat historike të zhvillimit kulturor, prandaj na imponohet krahasimi, analiza e thellë dhe konkluzionet e drejta shkencore. Të gjitha këto kërkojnë dhe imponojnë ngritjen e institucionalizimit të çështjes kulturë dhe trashëgimi kulturore, duke ngritur kuadro të profilit të antropologut, si dhe duke krijuar strukturë institucionesh gjegjëse antropologjike. Universiteti i Shkupit, Universiteti Shtetëror i Tetovës, Univeresiteti i EJL, por edhe universitetet tjera në Maqedoni, natyrisht se ushtrojnë misionin e vet pedagogjik dhe shkencor dhe me begatimin e programeve të veta shkencore-mësimore sigurisht se do të bëjnë edhe më shumë për dijen shkencore antropologjike, dhe për studimin e për shkëputjen nga harresa të një trashëgimie të pasur, në një fushe të gjërë që e njohim si kulturë, si traditë, si trashëgimi dhe si pasuri kulturore. Instituti i folklorit „Marko Cepenkov“ dhe Instituti „Pjetër Bogdani“ në Shkup nuk duhet të mbeten të vetmet që mirren me punë antropologjike. Qendrat tjera urbane, poashtu presin institucione natyrash të ngjashme, sepse këto mbajnë aktive dhe gjithnjë sensibilizojnë vëmendjen për çështje e tematika kulturore e trashëgimore. Për fushen e gjerë të antropologjisë janë të preferueshme edhe institucionet muzeore, institucionet turistike e të karakterit tjetër, të cilat drejtpërdrejtë ose tërthorazi ndihmojnë zhvillimet në dijen antropologjike përgjithësisht. Shqiptarët në Maqedoni kanë ruajtur për mrekulli kulturën dhe traditat e veta, duke jetuar me dhe përkrah kulturës e traditave fqinjësore. Si e formuar dhe stabile, kultura sdhqiptare erdhi e ruajtur mirë edhe në kohën e sotme. Pra, kultura shqiptare u zhvillua jo e izoluar, por gjithnjë në raporte e marëdhënie farefisnore, fqinjësore e gjërësisht shoqërore. Jetesa dhe tradita e tillë lë gjurmët në kohë, por edhe mban kohën në vete, prandaj këto duhet të hulumtohen, të studiohen, të prezantohen, të përballen, të dialogohen e të vendosen në raporte të drejta kohore e shoqërore. Globalizimin e kemi këtu, jeton e vepron sëbashku me ne, duke mos kursyer asgjë para vete, por edhe duke krijuar dukuri e shfaqje të reja, diskurset e të cilave lypset përcjellur me kujdes. Trashëgimia kulturore është pasuri e një vendi dhe njëherit identitet kulturor, etnik e kombëtar. Trashëgimia kulturore ka vlerat e veçanta për vendet, etnitë dhe kombet përkatëse, por shfaqet e rëndësishme edhe për integrimet evropiane përgjithësisht. Vlerat trashëgimore nuk duhet të neglizhohen në asnjë rast. Para studiuesëve dhe intelektualëve përgjithësisht, shtrohet detyrë dhe obligim që ta njohim dhe ta kuptojmë drejt trashëgiminë tonë kulturore, poashtu ta konsumojnë drejt dhe ta mbështesin e promovojmë drejt në ecjet domethënëse të shoqërisë e të kohës së sotme.
Natyrisht se këtu mund të shtrohen e të shkoqiten aspekte të ndryshme të zhvillimit të etnologjisë, të folklorit e të antropologjisë kulturore përgjithësisht në Maqedoni, por kjo kumtesë mëton të ravizojë vetëm disa rezultate, probleme dhe detyra të antropologjisë kulturore që i imponohen kulturës shqiptare, që kërkojnë punë të organizuar dhe institucionale nga institucionet e Republikës së Maqedonisë e të ngjashme. Dikush mund të bëj pyetje pse në këtë kumtesë nuk ka referenca e konkretizime me autorë, me tematika të caktuara, me botime e me veprimtari natyrash të tjera konkrete. Jam e vetëdijshme për problematika të këtilla, por kësaj radhe ishte qëllimi të shtrohet një përgjithësim i mundshëm në këtë fushë studimore dhe nxitja për punë më konkrete. Të shpresojmë se tubimet e ardhshme do të na befasojnë me rezultate të reja.
[1] I. Ajeti, Gjendja e Studimeve albanologjike, Rezultatet dhe detyrat, në: Çështje të studimeve albanologjike, Vëll. I, IAP, Prishtinë 1987, f. 15.