Javën që vjen, në vendin tonë do të fillojë gjysmëvjetori i dytë në arsimin fillor dhe të mesëm.
Drejtuesit e arsimit, i kanë bërë parapërgatitjet e nevojshme që procesi edukativ – arsimor të fillojë dhe të zhvillohet pa pengesa. Edhe nga Komuna e Tetovës janë shprehur se janë gati për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë.
Përgjegjësi për Arsim në Komunën e Tetovës, Ahmed Qazimi, ka bërë të ditur se bashkë me drejtorët e shkollave të mesme kanë diskutuar dhe e kanë miratuar edhe planin për regjistrim për vitin 2020/2021.
“Të gatshëm për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë. Me drejtorët e shkollave të mesme diskutuam dhe miratuam propozim planin për regjistrim për vitin 2020/2021. Vazhdojmë me strategjinë e përforcimit të arsimit të mesëm profesional dhe pranimin e nxënësve super të shkëlqyeshëm në dy gjimnazet e qytetit”- ka theksuar, Ahmed Qazimi
Procesi edukativ – arsimor, përkatësisht gjysmëvjetori i dytë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, do të fillojë më 21 janar 2020.