Nga muaji shkurt, në Universitetin e Harvardit do të tregohen histori shqiptare suksesi në media, biznes, shkencë dhe shërbim publik.
Nisma është ndërmarrë nga Deni Hoxha student shqiptar në këtë universitet, i cili ndër të tjera themeloi edhe Shoqatën e Studentëve Shqiptarë në Harvard në 2017 dhe vazhdon të ndërgjegjësojë komunitetin e Harvard-it për çështjet shqiptare. Deni gjithashtu është edhe drejtues i organizatës “Team Albanians” ku promovon vlerat dhe turizmin shqiptar jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në botë. Në një intervistë për “Shekulli”-n, Deni zbulon ekskluzivisht shqiptarët e parë që do të pushtojnë universitetin prestigjioz, për të tejçuar anembanë botës, kudo ku ka shqiptarë historitë e tyre të suksesit.
-Deni, ju jeni themelues i Iniciativës Shqiptare për Lidership në Harvard, ndërsa vini këtë vit me një projekt të ri për të bashkuar shqiptarët në SHBA. Ku konsiston ky projekt?
Projekti filloi nga dëshira ime e madhe për të shpalosur histori suksesi shqiptare në Harvard për studentët shqiptarë si dhe për komunitetin duke përfshirë studentet jo shqiptar, profesorët, stafin e Harvard, si dhe komunitetin shqiptarë Boston. Mendova pse jo mos ta përdor platformën e Harvardit për të punuar qe të rris ndërgjegjësimin e shqiptarëve dhe për të njohur impaktin/ndikimin e shqiptarëve në fushat e tyre. Gjithashtu është një mënyrë për të frymëzuar studentë që mund të kenë një prejardhje ndryshe, që mund te jenë gjenerata e parë që shkojnë në universitet nga familja e tyre, pra të diplomuarit e parë ose studentë me prejardhje të pafavorizuar për të treguar se si këta lider shqiptarë kanë arritur aty ku janë, me shumë sfida gjatë rrugës, sigurisht. Projekti synon për të njohur kontributet e shqiptarëve të suksesshëm në fushat e tyre, duke i shpalosur ato në Harvard.
-Cilët janë emrat e përzgjedhur që do i transmetoni si histori suksesi, kujt fusha u përkasin?
Në fillim do të kemi Mario Dedivanoviq, që është një nga make-up artist më të suksesshëm në Amerikë. Pastaj do jetë Emina Çunmulaj, modele dhe filantrope që është shumë e angazhuar për çështjet shqiptare. Emina gjithashtu do të jetë edhe pjesë e javës së gruas në universitetin Harvard dhe ky event po bashkëorganizohet dhe nga Qendra e Studimeve Evropiane në Harvard. Ndërsa në fund do të kemi Gëzim Gashin, një shqiptar nga Kosova me një histori frymëzuese rreth arritjeve të tij nga refugjat në sipërmarrës dhe muzikant i suksesshëm në Amerikë dhe Suedi.
-Mendoni se do të ketë interes dhe përkrahje?
Po, që kur kam bërë njoftimin e parë shqiptarë dhe të huaj na kanë shkruar dhe kanë rezervuar bileta për evente të ndryshme. Deri tani, biletat për dy nga eventet janë “sold out” (por falas) ose të rezervuara komplet. Siç thashë dhe më parë, ka përkrahje edhe nga qendra të ndryshme në Harvard që është diçka e mirë sepse ndihmon me marketing dhe përhapjen e eventeve në universitet.
-Kur do të nisë projekti?
Projekti nis në muajin shkurt. Tani jemi duke vazhduar përgatitjet dhe jemi në kontakte dhe me personalitete të tjera që mund të ftojmë në Harvard në të ardhmen. Mirëpresim edhe të tjerë që mund të na shkruajnë në e-mail tonë: harvardalbanians@gmail.com.
-Kontributi dhe roli juaj në këtë nismë është i vetëm, apo po mbështetesh te njerëz të tjerë?
Unë jam themeluesi dhe drejtuesi i kësaj indicative, por kam edhe mbështetjen e studenteve të tjerë shqiptarë në Harvard të cilët janë pjesë e Shoqatës Studentore. Kjo është shumë e rëndësishme dhe do mundohem për institucionalizimin e iniciativës në mënyrë që të vazhdojë edhe kur ne të diplomohemi për vite me radhë.
-Cili ka qenë frymëzimi juaj për realizimin e këtij projekti?
Unë kam ikur nga Shqipëria në moshën 10-vjeçare dhe që atëherëë kam qenë shumë i interesuar dhe i angazhuar me komunitetin shqiptarë në Amerikë dhe me diasporën. Në shkollë të mesme kam krijuar organizatën “Team Albanians” që synon promovimin e kulturës, historisë dhe turizmit shqiptar në diasporë dhe më tej nëpërmjet evente dhe internetit. Kjo me ka ndihmuar për të qenë gjithmonë i angazhuar dhe i informuar. Konkretisht për këtë projekt, vura re që edhe në Harvard kishte një mungesë shoqata të tjera kulturore si ajo Latine ose Indiane në Harvard organizonin evente të ngjashme dhe mendova, “pse jo edhe ne?” Frymëzimi është i lidhur edhe me misionin dhe misioni siç fola edhe pak më parë është dyfish. Si fillim, në femërinë time mungonin historitë e suksesit shqiptar sidomos në Amerikë, dhe ky projekt ndihmon për t’i njohur dhe për t’i promovuar këto histori. Gjithashtu, shpresoj që shqiptarët dhe joshqiptarët të frymëzohen dhe të synojnë sa më lartë kur të dëgjojnë nga të ftuarit. Besoj në shprehjen se thjesht një histori e vetme e suksesit mund të frymëzoi shumë të tjerë për punë. Se dyti, shumë njerëz dhe sot edhe në Harvard nuk kanë dëgjuar ndonjëherë rreth Shqipërisë ose mund t’a njohin atë thjesht për lajme negative. Kjo është një mënyrë për të ndryshuar këtë, për të përfituar nga platforma e universitetit dhe ta shfrytëzoj për të treguar rreth Shqipërisë dhe shqiptarëve, si dhe për të krijuar më shumë lidhje midis Harvard e dhe shqiptarëve. Shekulli