• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E diel, 26 Mars 2023
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Shqipëri

Rebelimi ’90 – Topalli: Shkodranët donin të rrëzonin bustin e Stalinit

Për herë të parë një dëshmi e plotë çfarë ndodhi më 14 janar 1990, një vit para se të niste lëvizja e madhe për liri e demokraci, që çoi në përmbysjen e sistemit komunist. Rrëfimi i politikanes pse historia dhe studiuesit deri tani e kanë anashkaluar këtë ngjarje historike, si akt politik që paralajmëroi rrëzimin e diktaturës

15/01/2020
| Shqipëri

As politika dhe as studiuesit e historisë datën 14 janar 1990 nuk e kanë shënuar gjëkundi si akt i parë politik kundër diktaturës – kur disa të rinj, në mes të të ftohtit, mbështetur nga qytetarët e malësorët shkodranë derdhur nga rrugët e lagjeve e përtej, rrethuan bustin e Stalinit. Për ta rrëzuar, si shenjë, regjimin! Por të rinjtë që guxuan në mbrëmjen e 14 janarit, u arrestuan, u torturuan nga format më çnjerëzore prej regjimit, që po përjetonte grahmat e fundit. Shkodra çdo vit e përkujton, i bën homazh kësaj ngjarjeje, por a mjafton kjo për të kuptuar pse nga ky qytet lindi ky gjest i parë politik kundër diktaturës, që paralajmëroi lëvizjen e madhe për liri e demokraci, vetëm pas një viti?!

Ish-kryetarja e Kuvendit, deputetja e PD-së, Jozefina Topalli, në faqen e saj në “Facebook”, në datë 14 janar, shkruan emrat e të rinjve që kryen aktin kundër bustit të Stalinit dhe mesazhin përkujtimor “Mos kini frikë!” Ata janë: Rin Monjaka (nuk jeton më), Flamur Elbasani, Sokol Drrasati, Gjergj Livadhi, Kastriot e Apollon Haxhi, Huana Kraja, Ded Kasneci, Ndoc Liqejza, Kolec Hublina, Gjovalin Ralba, Viktor Martini, Tef Curani, Nikolin Thana, Tonin Dema, Nikolin Margjini, Bac Bilali, Keti Koçi, Ylli Gërshana, Klaudio Daka, Aldo Perizi, dy vëllezërit Alibali, Omari, Guciaj, Lekë Kurti, Gjovalin Zefi etj.

“Ishte dita më e pabesueshme në jetën e qytetit (jo vetëm), pas gati gjysmë shekulli diktaturë të kryhej një akti i tillë. Ishte hera e parë që qytetarë e malësorë dolën në sheshin e qytetit kundër regjimit. Qyteti i shpalli luftë sistemit. Vendosën ta fillonin me rrëzimin e bustit të Stalinit! Ishte frikë e terror… Atë ditë Shkodra sfidoi diktaturën. Atë ditë filluam të shpresonim. Shkodra ishte e para. Mesazhi i saj për të gjithë ishte: Mos kini frikë!”

Topalli është e vetmja ndër politikanët që artikulon mendimin absolut se ngjarja e 14 janar 1990 në Shkodër të ketë një status historik, si akt i parë i lëvizjes kundër regjimit komunist.

Nga ana tjetër, është një dëshmitare historike e gjithë kësaj kujtese, duke dhënë kontributin e saj në media me plotësimin e ngjarjes, me ruajtjen e memories mbi të rinjtë idealistë që guxuan të kundërshtonin, si dhe duke na lënë legjitimitetin e borxhit që duhet të kenë historianët, studiuesit, qytetarët dhe vetë politikanët në raport me të vërtetën. E sidomos të kësaj historie që parapriu kundër frikës dhe terrorit komunist.

Me dëshirën për ta pasur të plotë panoramën, çfarë ndodhi në rrëzimin e bustit të Stalinit në Shkodër, për shkak se shumë pak flitet ose pothuaj anashkalohet, ndërkohë që mund të konsiderohet gjesti i parë, fillesa e lëvizjes për demokracinë – një rebelizëm që paralajmëroi?

Është një ditë që asnjë nga ata që banojnë në rrethin e Shkodrës nuk mund ta harrojnë, bashkë me ata që e kanë përjetuar, sepse ishte e paimagjinueshme të vinte një ditë që ne të nisnim diskutimin për të rrëzuar bustin e Stalinit.

Kujtoj se kam qenë në shtëpi, sapo më kishte lindur vajza, kur im shoq vjen nga jashtë dhe nis të më flasë për këto “diskutime”. Kam qëndruar një moment, se m’u duk sikur po thoshte gjënë më të pabesueshme që mund të ndodhte, por nuk e besoja.

Në fakt, kam parë sheshin në qendër të qytetit të Shkodrës, ku kishin ardhur qytetarë, malësorë nga të gjitha lagjet dhe përtej qytetit të mbledhur përpara bustit të Stalinit. Ishte si një frymë e përhapur, gati magjike në qytet. Vetëm aty ka ndodh.

Dhe kjo ndodhi saktësisht më 14 janar 1990?

Në fillim njerëzit dolën më 9 janar, përsëri më 11 janar, kur dolën më shumë. Më pas ngjarje u bë 14 janari. Aty kam parë se kur guxon, mund të arrish çdo gjë. Jo më kot thonë se e para nga të gjitha virtytet është kuraja! Brenda kësaj kuraje hyn gjenialiteti dhe fuqia që duket gati e paimagjinueshme ndoshta pak ditë përpara, pak orë përpara dhe pastaj kthehen në realitete e bën histori. Dhe kjo ishte dita kur në Shkodër i kishin shpallur luftë Stalinit, kur guxoi për t’ju përgjigjur sistemit më çnjerëzor që ekzistonte. Është një ditë që njerëzit kanë, në lëvizjen e tyre, mesazhin për t’i thënë çdo shqiptari: Mos ki frikë!

Qëndrojmë pak tek kronologjia e ngjarjes. Ju përmendët datat 9, 11 dhe finalen 14. Pse tri data? Çfarë ka ndodhur në këto ditë? Ka pasur zbrazje, mosguxim…?

Po të kthehesh në kohë, kujtohet jo frikë, por ishte terror. Sistemi e kishte marrë vesh se çfarë pritej. Çdo shtëpi, çdo lagje e qytetit e përtej ishte përhapur kjo gjë, sistemi dinte shumë më shumë për këtë gjë, nga secili se ç’mund të dinte në shtëpinë e tij.

Mendimi se do të bëhej diçka, se mund të mblidheshim dhe për herë të parë po guxohej të thuhej: Do rrëzojmë Stalinin! Pra, do të rrëzohej një filozofi, një sistem që kishte keqtrajtuar një popull të tërë për gjysmë shekulli, gjë që s’ishte guxuar të flitej më parë.

Dhe fakti është se ndodhi. Qysh ditën e parë, më 9 janar, më pas më 11, dhe më shumë në datën 14 janar. Ai sistem ishte i çmendur. I kishin marrë të gjitha masat: sampistë, sigurim, polici nga e gjithë Shqipëria ishin instaluar në Shkodër. Ishte përhapur një frymë terrori, që s’ka penë që ta shkruaj.

Sigurisht mund të vështrohet sot si shenjë politike paraprijëse, që paralajmëroi lëvizjen e pas një viti. Çfarë e nxiti ngritjen e këtij grupi? Si u bënë bashkë këta të rinj, koshienca që kishin për aktin politik?

Mos harroni se qyteti i Shkodrës kurrë nuk u pajtua me sistemin. Është një nga qytetet që ka sakrifikuar ndjeshëm në shekuj, por gjatë këtyre 50 viteve sigurisht që kishte numrin më të madh të të përndjekurve, të të burgosurve, të të vrarëve etj., etj. Është një qytet që ka pasur një raport shumë interesant me të vërtetën dhe disa vlera, dhe në mënyrë të veçantë me lirinë.

Kishte ardhur momenti që gota derdhet… unë besoj duhet të ndodhte, e lehtë ta thuash, por duhej të guxonte dikush. Askush nuk mund të reagonte më, më natyrshëm, më fort sesa një qytet që në fakt në mënyrën e tij nuk ishte pajtuar kurrë me sistemin.

Emrat e atyre të rinjve sigurisht që ishin protagonistët e parë. Ata ishin të vetëdijshëm se po shkonin drejt plumbit, drejt burgut, drejt torturave apo drejt formave të tjera të dhunshme të sistemit. Megjithatë, ata vendosën dhe bënë atë akt që të gjithë sot e dimë. Pra, le të kthehemi edhe një herë: nga të gjitha virtytet, i pari nga të gjitha mbetet kuraja! Dhe kuraja nuk është mungesa e frikës. Vetëm budallai nuk ka frikë, por është mbizotërimi mbi frikën. Fuqia për të tentuar, për të ndryshuar gjërat. Ajo ishte një kthesë e jashtëzakonshme. Prandaj, them se ishte një mesazh që i thoshte çdo shqiptari, kudo që jetonte: Mos ki frikë! Çdonjëri prej tyre mund të bënte lëvizjen e tij. Dhe kjo ngjarje është një vit përpara se të ndodhte lëvizja studentore dhe krijimi i Partisë Demokratike, që ishte forca e parë opozitare kundër atij sistemi. Kjo është interesante.

Siç e thamë në fillim, kjo datë ngjarjeje nuk është marrë në konsideratë nga studiues e historianë. Pse është kaluar?

 Do të kisha dashur shumë që studiuesit dhe historianët të shkruanin për të. Ta shkruajnë si ngjarje, si një faqe historie që tundi sistemin, filloi të kthjellonte mendjen e lavazhuar për 50 vite të shqiptarëve dhe që pastaj u dha mundësi të gjitha lëvizjeve të tjera që ndodhën pas një viti. Pra, ishte një vit përpara. Natyrisht nuk më ka ardhur asnjëherë mirë, por nuk e kam ngritur ndonjëherë si çështje, pse historianët nuk bënë një analizë të kësaj ngjarje, pse edhe media nuk i jep atë peshë dhe mision që në fakt ka kjo ngjarje?!

Shumë pak sjell në mend, por duhej të ishte data 9 janar 1990, kur jam ndodhur në sheshin afër bustit të Stalinit; mbaj mend disa djem me xhaketë doku gri, të zezë që kishin rrethuar bustin dhe njerëzit shikonin. Të rinjtë dukeshin sikur po i mbante dikush peng aty, nuk lëviznin, por që ndihej terrori. Por mbetem te data 14 janar dita e shënuar. Çfarë kujtoni?

Shkodranët atë ditë po derdheshin nga të gjitha lagjet e qytetit. Po vinin në qendër nga të gjitha drejtimet. Kishte një ankth, terror. Po megjithatë, njerëzit dolën në mes të sheshit dhe ishin shumë. Por ata që guxuan e shkuan dhe bënë gjestin ishin këta emra, ata e organizuan, që u sakrifikuan, u futën në burg që më pas i kushtoi edhe me shkatërrimin e jetës; siç ndodhi me disa prej tyre. Kujtoj se aty afër unë kam pasur shtëpinë. Kur në atë natë të tmerrshme hynte policia për t’i arrestuar. Kujtoj natën kur erdhën forcat policore dhe arrestuan komshiun që kisha ngjitur, pesë metra nga dritarja e shtëpisë sime. Kujtoj net pa gjumë nga frika që ishte krijuar në të gjithë qytetin: kë do ndiqnin, kë do të arrestonin, kë do torturonin…! Ndonjëri prej tyre sot nuk jeton, Rin Monajka. Mund të them se aq ishte modeli i idealistit saqë të gjithë e donin dhe për të cilin nuk kam dëgjuar kurrë të flitet për ndonjë një defekt: ai ishte Rin Monajka. Po bashkë me të ishin dhe djem e vajza të reja, të cilët kishin një kurajë që ishte për t’u admiruar.

Kam pasur tri shoqe të miat, njëra prej tyre kishte një fëmijë të vogël dhe e çonte në krah para bustit të Stalinit, duke ngritur dy gishtat, në shenjë të lirisë. Të tria guxuan. Më pas ato kanë qenë nën presion, në hetuesi.

Si ishin ditët në Shkodër pas ngjarjes?

 Tmerr. I arrestuan që të gjithë. Filluan torturat. Disa u çuan në spitalin e çmendurisë. Janë përdorur të gjitha metodat nga më të tmerrshmet. Nuk kam jetuar në ‘45-ën, por besoj ishte krejt si në atë kohë. Ju tregova më lart se një prej tyre ishte komshiu im, të cilin e arrestuan atë mbrëmje, por të nesërmen bashkëshortja e tij, kur doli të blinte diçka në dyqan, e nxorën jashtë, duke i thënë se nuk mund të blinte asgjë, pasi i kishin arrestuar burrin, se ishte gjykuar nga pushteti. Kujtoj dinjitetin e saj. Nuk mund të përshkruhet dhimbja e saj, që burrin po ia torturonin… dhe nuk i jepnin as racionin që i takonte! Ky është një rast i përjetuar vetë, por qyteti moralisht të jep të gjithë mbështetjen. Kjo e tremb më shumë pushtetin.

Nuk të tremb më kurrë arrestimi, torturimi i një njeriu, nëse ti ke gjithë opinionin publik kundër, por kërkon prapë. Pra, ishte gjesti që u dha kthesën të gjitha ngjarjeve.

E prekëm dhe pak lart se kjo ngjarje në raport me politikën dhe historinë dha shenjën, simbolin si paralajmërim i lëvizjes më të madhe. Ju jeni ndoshta ndër të vetmet që e artikuloni këtë datë si të shënuar dhe e përkujtoni bashkë me qytetin tuaj. Po historia apo politika, çfarë borxhi ka ndaj kësaj ngjarjeje të parealizuar deri tani?

Besoj se gjithë Shqipëria u ka borxh atyre që guxuan më 14 janar 1990. Natyrisht të gjithë i kemi borxh së vërtetës dhe ky është raporti më kompleks dhe më i ndërlikuar, por që në fakt nuk i ikën dot, kushdo që kërkon t’i shmanget. Ndaj, në këtë kuptim, ata e kanë bërë historinë dhe tashmë është një datë historike. Uroj që historianët të bëjnë detyrën e tyre, se nuk është detyrë e politikanëve për të shkruar historinë. Nëse ata sot nuk dëshirojnë ta shkruajnë, sigurisht që ajo do të shkruhet, por ndoshta mendojnë se të paktën një moment, një gjë simbolike në mes të qytetit do të ishte një borxh i shlyer dhe mesazh për të gjithë. Është domethënëse që në vend të bustit të Stalinit në Shkodër kanë vënë Luigj Gurakuqin, nënshkruesin e aktit të pavarësisë, por mendoj se një bust a një vepër përkujtimore, diçka e tillë, duhet ta bëjnë shkodranët, së pari, për t’ua kujtuar edhe të tjerëve se historia nuk mund të falsifikohet. Unë jam e ndërgjegjshme se nuk kemi arritur që historinë ta shkruajmë ashtu siç është, ndonëse kanë kaluar vite e vite, por unë besoj se arkivat aty janë, faktet aty janë dhe të vërtetat sado të pazbuluara të jenë, në çfarëdo dimensioni, sigurisht që një ditë do të dalin, por ndoshta duhet filluar me një bust, edhe pse vonë. Duhet filluar me një shenjë.

Po vetë Shkodra, si e trajton këtë ngjarje sot?

Unë falënderoj shoqatën që organizon çdo herë përkujtimoren. Çdo vit e ka kujtuar këtë ngjarje, është përulur, i ka bërë homazh aktit të tyre, që për mua është heroik. Të kthehesh në kohë 24 vite përpara dhe të mendosh që ata djem e vajza të reja, që bënë një akt që askush nuk mund ta besonte – ata kanë gjithë të drejtën për të qenë krenarë për emrin e mbiemrin e tyre dhe për veprën që kanë bërë./Standard.al


Publikimi i mëparshëm

Teqeja Harabati – Baba, monument kulturor dhe historik me vlera të jashtëzakonshme

Publikimi i radhës

Vjosa Osmani: Reçaku – dëshmi e gjenocidit serb para syve të botës

Publikimi i radhës

Vjosa Osmani: Reçaku - dëshmi e gjenocidit serb para syve të botës

Emetimi

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin VII të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:38

MANIFESTIMI LETRAR ''SHTIGJE POETIKE'' – EDICIONI II

00:01:13

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2022 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2022 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!