Sot, Qeveria Teknike e RMV-së, në mbledhjen e saj të tretë solli vendim që lokaliteti “Lumi i Thellë”, që shtrihet në masivin malor të Korabit të propozohet në listën preliminare të UNESKOS për tu shpallur Zonë e Mbrojtur. Kështu ka bërë të ditur, Dr. Sc. Hisen Xhemaili – ministër për Përmirësimin e Klimës Investuese për Ndërmarrjet Vendore. Ai po ashtu, në publikimin e tij në facebook i ka përshkruar karakteristikat kryesore të këtij lokaliteti që janë pyjet e pishave të cilat ndodhen në një sipërfaqe të thellë të pjesës më atraktive të Parkut Kombëtar të Mavrovës. Sipas tij, lokaliteti “ Lumi i Thellë” karakterizohet me një prezencë të madhe të florës endemike në mesin e tyre edhe “Zambaku Shqiptar” (Lilium Albanicum), dhe gjendet në Zonën e Mbrojtur të Parkut Kombëtar të Mavrovës – vend në të cilin lejohen vetëm studime hulumtuese shkencore. “Lumi i Thellë është vazhdim i Ujëvarës së Korabit, monumentit natyror, më mbresëlënës në Maqedoninë e Veriut,me 130 metrat e tij, ndërkaq Ujëvara e Korabit është më e larta në Ballkan. Karakteristike është se ujëvara mund të shihet qartë nga largësi vetëm në pranverë dhe në fillimin e verës kurse gjatë dimrit është e ngrirë. Rruga më e mirë për në ujëvarë është ajo që të çon përmes kanionit të lumit. Ajo mund të arrihet edhe nga bregu i majtë i lumit nëpër fshatrat Nistrovë dhe Zinkë, ose nga ana e djathtë nga Bibaj, nën maja e Kabashit. Rrugët janë të mbuluara me gungë, dhe ka disa kalime të pasigurta të lumenjve”, ka theksuar ministri Xhemaili.