“Gramophone”, revista lidere në botën e muzikës klasike, ka radhitur albumin e sopranosh shqiptare në vend të parë në top-listën javore. Ky vlerësim është një konfirmim i vlerave artistike të albumit të saj “Anima Rara”, i cili prej se u lansua mori vëmendjen e kritikëve të muzikës klasike.
Por jo vetëm kaq. Revista me traditë gati 100-vjeçare që botohet në Londër, s’është e vetmja që i jep vlerësimin maksimal të parit album të Jahos, për të cilin ka bashkëpunuar me orkestrën me bazë në Valencia të Spanjës “Orquestra de la Comunitat Valenciana”, njëherësh orkestra rezidente e shtëpisë operistike “Palau de les Arts Reina Sofia” dhe me dirigjentin italian, Andrea Battistoni. Revista gjermane “Oper!”, të shtunën, e ka shpallur album të muajit.
“Anima Rara” përfshin vepra të kompozitorëve të ndryshëm, në mesin e tyre edhe ata italianë, si Pietro Mascagni e Ruggero Leoncavallo, Giuseppe Verdi dhe Giacomo Puccini. Për realizimin e albumit “Anima Rara”, sopranoja ka bashkëpunuar me kompaninë e njohur londineze të muzikës operistike, “Opera Rara”. Më herët Jaho kishte bashkëpunuar me këtë kompani edhe për incizimin e “Le Villi” të Giacomo Puccini dhe “Zazà” të Ruggero Leoncavallos. Sopranoja, po ashtu, ka incizime të “La traviata”, “Il Trittico”, “Les Contes d’Hoffmann” dhe “Madama Butterfly”, të qasshme në CD.
“Anima…” me 14 vepra doli në shitje më 25 shtator të këtij viti. Jaho në të eksploron muzikën e mjeshtëruar nga Rosina Storchio, njëra nga sopranot më lirike dhe shprehëse e periudhës “verismo”.
Në top-listën e “Gramophone”, ndiqet nga albumi “Rutter: Anthems & Gloria” nga bendi më i vjetër dhe më i njohur i frymorëve, “Black Dyke Band” dhe dirigjenti Nicholas John Childs nga Walesi. Vendi i tretë në “Top-20” i takon albumit “Dussek: Messe Solemnelle” nga orkestra me bazë në Cambridge, “The Academy of Ancient Music” themeluar më 1973 dhe dirigjenti Richard Egarr.
“Shumë e lumtur të jem në vendin e parë në listën zyrtare të muzikës klasike të ‘Gramaphone’”, ka shkruar sopranoja të dielën në postimin e saj në “Facebook”, ku ka ndarë me miqtë e saj këtë lajm. Lajmin e ka bërë të ditur pa kaluar 24 orë prej se revista e njohur ndërkombëtare “Oper!” e zgjodhi “Anima Rara”, album të këtij muaji. Në kritikën e shkruar nga Christoph Vratz, përmes së cilës “Oper!” ka dhënë lajmin, është shkruar se programi është përzgjedhur me kujdes dhe në të njëjtën kohë është i bazuar në sukseset e mëhershme të Jahos në skenë. Koha.net