Mr. Sc. Alketa Gashi-Fazliu | Paramendojmë dy ushtri gati për luftë. Ushtria e parë është e madhe, e ngritur prej kohësh, e armatosur fort mirë, e di ku i ka aleatët, e në krye e ka komandantin.
Ushtria e dytë është e vogël, e sapo krijuar, e armatosur pak, ka shumë aleatë por u kërkon atyre që në emër të saj të marrin vendimet që nuk i merr dot vetë. E kaq nuk është boll. Kjo ushtri është e vogël, pa armë, e dhjetëra komandantët e saj grinden me njëri-tjetrin.
Kanë 100 ditë që luftojnë por jo armikun. Luftojnë njëri-tjetrin për njëmijë ofiqet e dhjetë mijë zyrat që do të marrin kur të fitojnë luftën. Ndërsa ushtria e madhe me veç një komandant në krye e një aleat të madh nga pas përmirëson çdo ditë pozitat dhe fiton betejë pas beteje, ushtria e vogël me dhjetë-dymbëdhjetë komandantët e vet, nuk dëgjon çfarë i thotë aleati i saj i madh. Ajo shmang përballjen dhe vazhdon të humbë luftën.
Të dashur miq, nuk duhet shumë mund për të kuptuar kush janë këta komandantë e cilat janë këto ushtri. Ushtria e parë është Serbia. Ajo po fiton.
Ushtria e dytë është Kosova. Ajo po humb.
Kosova nuk ka komandë sepse nuk gjen askënd që ta drejtojë. Nuk ka rëndësi sa video – mesazhe dhe statuse hedhim në Facebook që të sqarojmë popullin kush e ka fajin. Apo se po bëjmë çdo ditë progres drejt marrëveshjes. A thua se synimi i shenjtë është si do t’i ndajmë presidentët e ministritë. Jo. Kosova është jashtë kontrollit sepse të gjithë duan ta kontrollojnë. Kosova nuk ka shtet sepse lufta brenda saj bëhet për pushtet. Kosovën nuk ka kush e drejton pasi drejtuesit e saj duan ta kontrollojnë.
E në këtë luftë e pa lavdi, ku partitë ftojnë diplomatët në Prishtinë tu japin drejtim, e ku vetë s’po dinë ku po shkojnë, Ne kemi bërë tashmë gabimin e madh.
Kosova nuk gjeti kthjelltësinë të dëgjojë aleatin e saj të madh që është shprehur shkurt e shqip: politika e Kosovës nuk është puna jonë! Puna jonë është paqja afatgjatë në rajon e kjo paqe duhet arritur tani. Qeverinë ta bëni vetë! Pa ndërhyrje të jashtme! Nuk ka shpëtim për Kosovën me qeveri pa ardhmëri, të fshehura pas ndërmjetësimit të diplomatëve! Mos u fshihni pas të huajve për atë që nuk arrini ta bëni vetë! Kur të dilni në përballjen historike, e ajo po vjen shpejt, përgjegjësinë nuk do ta mbajnë diplomatët! Do ta keni ju!
Ushtria jonë, që është Kosova, vendi ynë, nuk e meriton disfatën. Ajo nuk mund të shkojë në betejë me ministra që luftojnë njëri-tjetrin. Ata që janë përgjegjës për atë që po ndodh sot do jenë përgjegjës për humbjen më të madhe të territorit dhe sovranitetit që do ti ndodhë këtij vendi.
E në këtë pikë shumëkush thotë – Kosovën do ta shpëtojnë Fuqitë e Mëdha. Jo. As fuqitë e Mëdha as lajkat ndaj tyre, as fshehja pas tyre. Përballë kemi Serbinë, dhe ajo nuk do shkojë askund. Gjithmonë do ta kemi përballë. Gjithmonë duke u përpjekur të përfitojë nga hasmëritë mes shqiptarësh.
Është e kotë që përballë Serbisë dhe zgjidhjes së konfliktit me të, Kosova të fshihet pas Francës, Gjermanisë, Amerikës apo Italisë. Asnjë servilizëm me Fuqitë e Mëdha nuk do ta shpëtojë Kosovën. Vendet e Kuintit nuk kanë as mandatin, as përgjegjësinë të ndërtojnë qeverinë, atë qeveri që do përballet me sfidën më të madhe që e pret Kosovën që nga shpallja e pavarësisë.
Kosova qeverinë do ta ngrejë vetë. Pa lobime nëpër kryeqytete perëndimore. Pa shpifje të vogla nëpër ambasada. Kosova duhet ta kryejë punën vetë. Të dalë në fushën e betejës, e të qëndrojë e bashkuar. Veç kaq. Kaq dhe vetëm kaq është detyra e vetme dhe e madhe që këtyre politikanëve të Kosovës u është caktuar nga aleati i saj i madh.
Ishte e vetmja porosi, porosia më e qartë më e rëndësishme, dhe politikanët tanë kanë bërë gjithçka ta shkelin. Udhëtuan kudo, nga Parisi në Bruksel, nga Berlini në Washington, dhe veç diçka kanë kryer – të kundërtën e porosisë së aleatit tonë strategjik. Nuk lobuan për Kosovën. Lobuan veç për vete.
Mjaft me mashtrimet dhe dyfytyrësinë. Dikur Kuniti quhej organizatë koloniale. Sot e quajnë shpëtim të Kosovës, ata që kanë shitur shtetin e Kosovës për të ndarë pushtetin. E kam thënë më parë e po e përsëris. Liria e Kosovës nuk është pronë e partive. Nuk ka qenë kurrë, e nuk duhet të grabitet në emër të asnjërës prej tyre.
Harrojeni se kriza e Kosovës është krizë globale dhe për të duhet të angazhohen Fuqitë e Mëdha. Kjo nuk është kriza reale. Kjo është kriza e fallcitetit të pushtetarëve të vegjël që fshihen pas Quintit se spo guxojnë të zgjidhin problemin e madh.
E kemi thënë më parë, e po e përsërisim. Kosovës nuk i duhet të humbë kohë. Kosova nuk ka kohë për të humbur. Ajo s’ka më kohë për të humbur, asnjë sekondë. Është koha për Kosovën ta marrë lirinë e saj.
Komandantët “legjendarë” të partive të Kosovës, bash kur duhet të zgjedhin udhëheqësinë që ti prijë përballë Serbisë janë shndërruar në do fëmijë cullakë që rendin pas ambasadorëve në Prishtinë duke u kërkuar ndihmë që ti shpëtojnë nga komplotet e njëri tjetrit. E rendin korridoreve të botës, duke kërkuar pushtetin aty ku nuk u takon. E shpresojnë se i huaji do ta mbrojë Kosovën nga të huajt.
Loja me Kosovën po i afrohet fundit. Ka ardhur koha që vet ne të mos luajmë. Ka ardhur koha që të ndalojmë ata që luajnë me Kosovën.
Një mënyrë ka – bashkim rreth një kauze. Nuk shkohet në betejë me ata që e provuan se synimin më të madh në jetë e kanë t’i marrin diç më shumë njëri-tjetrit. Kanë 100 ditë që na e provojnë çdo ditë se po synojnë veç këtë.
Jo. Nuk është loja me një fitues të vetëm fati që e pret Kosovën. Nëse këtu luajmë kush do ta marrë pushtetin, lojën e fiton Serbia.
Nuk ka më lojë. Nuk ka më fitues partish e parti fituese. Kosova do një qeveri të fortë uniteti. Të gjithë duhet të jenë pas saj. E unitetin e Kosovës nuk mund ta përfaqësojnë më në betejë ata që për njëqind ditë na shndërruan në humbës.
Ka ardhur koha që Kosova të fitojë! E ajo fiton veç e bashkuar.