Gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare, sot mbush 84 vjet. Personalitete nga arti, kultura, përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe jo vetëm e kanë uruar Kadarenë në ditëlindjen e tij. Disa prej tyre, 28 janarin (ditëlindjen e Kadaresë) e konsiderojnë datë të shënuar për mbarë kombin shqiptar.
Për lexuesit e veprës së Kadaresë dhe të portalit tonë, e risjellim edhe njëherë atmosferën e shënimit në Tetovë, të tetëdhjetë – vjetorit të lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare.
28.01.2016 – Shoqata për Kulturë dhe Art ,,Tradita” nga Tetova, me një orë letrare e shënoi tetëdhjetë vjetorin e lindjes së gjeniut të letërsisë shqipe, Ismail Kadare. Në këtë manifestim letrar morën pjesë intelektualë nga qyteti i Tetovës, profesorë dhe studentë nga Universiteti i Tetovës, përfaqësues të Sektorit për Kulturë nga Komuna e Tetovës, përfaqësues të shoqatave, shkrimtarë, poetë dhe mysafirë të tjerë.
Shoqata për Kulturë dhe Art ,,Tradita” nga Tetova, në mesin e shumë aktiviteteve kulturore dhe ngjarjeve historike për kombin tonë, që ka shënuar, kësaj radhe në qytetin universitar e shënoi ditëlindjen e shkrimtarit Ismail Kadare, që e ka ngritur në piedestal letërsinë shqiptare, tha në fjalën e tij kryetari i kësaj shoqate, Selam Sulejmani. ”Kam nderin e veçantë që në emër të Shoqatës për kulturë dhe art ,,Tradita” nga Tetova, t’Ju uroj mirëseardhje në aktivitetin tonë, që e organizojmë me rastin e 80-vjetorit të lindjes së gjeniut të letërsisë shqiptare, Ismail Kadare. Që nga themelimi i shoqatës sonë, në vitin 2012, në 100 vjetorin e Shtetit Shqiptar, jemi angazhuar që të përkujtojmë ngjarje historike, personalitete të shquara të kombit tonë, si shënimin e përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit, Akademinë përkujtimore për Fan Nolin, Luigj Gurakuqin dhe Faik Konicën, Konferencën shkencore për veprimtarinë arsimore dhe shkencore të profesor Ali Vishkos, Konferencën shkencorë për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe Çështjen kombëtare sot, ndërkaq, sonte, të gjithë së bashku bëhemi pjesë e dhjetëra aktiviteteve kulturore e artistike që shënohen në mbarë hapësirën shqiptare, në nderim të ditëlindjes së shkrimtarit më të njohur ndërkombëtarisht, të krijuesit që e ngriti në piedestal letërsinë shqipe, e krijoi hartën e një kulture të tërë me përmasa universale. E festojmë ditëlindjen e shkrimtarit, sikurse thotë Teodor Laço, ,,Ismail Kadare dhe Nënë Tereza, janë lavditë që populli ynë i ka dhuruar botës”, tha Selam Sulejmani.
Sipas tij, Ismail Kadare nga personalitete të njohura botërore është cilësuar si shkrimtari më i madh shqiptar i epokës që ne e jetojmë. “Shkrimet e tij lidhen me historinë e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar dhe sjellin elemente të reja për lirinë, dinjitetin dhe të drejtat e njeriut në përgjithësi. Studiuesit e veprës së tij kanë theksuar se, Kadareja gjendet në kapërcyell të të dy botëve, dhe nga kjo rrethanë e jashtëzakonshme vepra e tij krijon akorde të fuqishme dhe të goditura, sikurse me të drejtë është vlerësuar si një mendimtar i madh në esetë e tij, dhe një qytetar me ndjeshmëri shumë të madhe përgjegjshmërie ndaj vlerave të kombit që e përfaqëson. Të flasësh për Kadarenë, sigurisht ndjehesh jo në lartësinë e duhur për të shprehur mendimin për veprën e jashtëzakonshme që ka krijuar ai, por ndjehesh kryelartë dhe krenar që jeton në shekullin e tij. Le t’i urojmë ditëlindjen gjeniut tonë kombëtar, sikurse besojmë se me rreth 1500 botimet e tij, të përkthyera në rreth 50 gjuhë të botës, Kadare, pas shumë e shumë çmimeve prestigjioze ndërkombëtare këtë vit do ta fitojë edhe çmimin që e meriton prej kohësh, çmimin Nobel për Letërsi, shtoi më tej kryetari i Shoqatës për Kulturë dhe Art ,,Tradita”, Selam Sulejmani.
Profesori Xhelal Zejneli, vlerësoi se për veprat e Kadaresë recensione janë botuar në revistat letrare më prestigjioze të metropoleve të botës, sikundër që edhe intervistave të tij u është dhënë dritë në gazetat dhe në revistat më me renome të rruzullit. “Që në fillim të krijimtarisë së tij, e quajtën ambasador të kulturës shqiptare në botë. Princi i kombit në letërsi ka botuar rreth pesëdhjetë vepra letrare dhe është përkthyer në dyzet e pesë gjuhë të botës, përfshi dhe gjuhën baske, ndërsa ka 1000 botime në botë. Është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe laureat i shumë çmimeve kombëtare. Më 1996 u pranua anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me çmime prestigjioze për letërsi, si: më 1992 Prix Mondial Cino Del Duca; më 2005 Man Booker Internacional Prize, në Britani; më 2009 Premio Principe de Asturias de las Letras, Spanjë; më 2015 Jerusalem Prize, Izrael që do t’i dorëzohet në hapjen e Panairit Ndërkombëtar të Librit në Jerusalem në shkurt 2016. Më 1 janar 2016 presidenti i Francës, ia dha urdhrin Komandant i “Legjionit të Nderit”. Ka qenë kandidat i çmimit Nobel për shumë vite me radhë, sikundër është dhe sivjet, i propozuar nga ASHSH” – tha profesori i Gjimnazit të Tetovës, Xhelal Zejneli.
Për letërsinë e Ismail Kadaresë, profesori i katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Tetovës, Doc. dr. Salajdin Salihu tha se me punën e tij Kadare ka dëshmuar se gjuha shqipe është gjuhë kulture. “Kadareja është shkrimtar i madh falë gjenialitetit të tij. Kjo lavdi me përmasa bote duhet t’i mjaftojë një kombi të vogël më shumë se sa për ta nderuar shkrimtarin, ta nderojë vetveten, kulturën dhe gjuhën e tij. Madje duke t’ia falë shkrimtarit edhe veset që mund t’i ketë. Çuditërisht as kjo madhështi nuk mjafton. Kombi kërkon më shumë, asgjë nuk i mjafton dhe shpesh është mosmirënjohës. Por shkrimtari nuk ka shkop magjik. Ai është vetëm shkrimtar, që shpesh nevrikoset si Moisi, teksa sheh adhurimin e verbër ndaj një “viçi të artë”. Shkrimtari Kadare e do kombin e tij, sepse ai ka huazuar nga letërsia orale brumin e veprës së tij. Pastaj e ka përsosur, e ka plotësuar, e ka ndryshuar, i ka shtuar këtij brumi të tjera materiale e erëza. Edhe ka përmbysur. Madje ka përmbysur shumëçka. Varësisht si ja ka diktuar kokëkrisja prej shkrimtari. Ka sajuar kështu një botë të përfytyruar, të mundshme, transcendentale, simbolike, në mënyrën më të mirë të mundshme. Ka dëshmuar me veprën e tij se gjuha shqipe është gjuhë kulture, se ajo e ka aftësinë jo vetëm të sjellë në këtë gjuhë kryevepra botërore, por edhe të krijojë kryevepra origjinale të këtyre përmasave”, deklaroi profesori universitar, Doc.dr. Salajdin Salihu.
Në mënyrë të veçantë, për poezinë e shkrimtarit Kadare para pjesëmarrësve foli Mr.sc.Vjollcë Berisha, mësimdhënëse në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Universitetit të Tetovës. Ajo, mes tjerash tha: “I njohur në radhë të parë për prozën, Ismail Kadare ka shkruar e botuar disa përmbledhje me vjersha e poema. Madje, deri në botimin e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur më 1963, njohjen më të madhe në Shqipërinë e kohës e ka pasur si poet. Edhe udhëtimin e ngutshëm më taksi nga vendlindja për në kryeqytet, këtë udhëtim që u bë pjesë e thashethemnajës gjirokastrite, e bëri mu për shkak të librit të tij të parë poetik.Pavarësisht nga ky fakt dhe ndonëse shumë shkrimtarë e nisin krijimtarinë e tyre duke shkruar vjersha për të theksuar më pas pjekurinë artistike, Kadareja fillimet e tij në letërsi i ka pasur në prozë. Ai e shkroi një roman qëkur ishte në gjimnaz. Madje nga veprat e fundit eseistike e autobiografike del që kishte pasur gati edhe disa romane të tjera, të cilëve ua kishte përgatitur edhe kopertinat e afishet reklamuese. Disa prej tyre, si ,,Qyteti pa reklama” e ,,Mjegullat e Tiranës” tanimë janë pjesë e opusit të botuar. Sidoqoftë, hera e parë që e bëri gjimnazistin Kadare ta ndjejë kënaqësinë e të parit të emrit të vet mbi një koperinë libri qe pikërisht vëllimi me poezi ,,Frymëzime djaloshare” (1954). Vëllimet e tjera poetike që botoi qenë: ,,Ëndërrime” (1957), ,,Shekulli im” (1961), ,,Përse mendohen këto male” (1964), si dhe përmbledhje të zgjedhura poetike. Megjithë suksesin dhe njohjen e parë që ia dhuroi autorit, poezia mbeti gjithmonë nën hijen e prozës së tij të fuqishme, kah e cila janë kthyer të gjitha shikimet”, tha Mr. sc. Vjollcë Berisha.
Në këtë aktivitet letrar dedikuar 80 vjetorit të lindjes së Ismail Kadaresë u recituan edhe disa poezi të tij nga profesorët, si: Ejup Ajdini, Shaip Emërllahu, Zejnepe Alili-Rexhepi, Salajdin Salihu, Vjollcë Berisha, Xhumazije Rizvani dhe Esra Aqifi. Kjo orë letrare në nderim të përvjetorit të tetëdhjetë të Ismail Kadaresë, krijuesit të letërsisë moderne shqipe, u pasurua edhe me një program artistik, ku para të pranishmëve performoi artistja nga Tetova Elita Ziberi.