• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E enjte, 30 Tetor 2025
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Kulturë

Martin Camaj dy përmbledhjet e para i botoi në Kosovë

Vepra e Martin Camajt është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45-vjeçar ka disa shkallë zhvillimi.

03/08/2025
| Kulturë, Rajon
Martin Camaj

Martin Camaj


Më 21 korrik të vitit 1925 në Temal të Dukagjinit, lindi Martin Camaj. Njësoj si Fishta dhe Harapi, Martin Camaj është një prej shkrimtarëve të censuruar gjatë regjimit totalitar.

Ndonëse u edukua në Kolegjin Saverian, Camaj ndoqi një rrugëtim të pavarur nga feja. Martin Camaj është autori më i shquar postmodernist i letërsisë shqipe, studiues dhe gjuhëtar i njohur që gjithë jetën e kaloi në emigrim. Ai ka drejtuar katedrën e Albanologjisë në Mynih. Pas përfundimit të shkollimit në Kolegjin Saverian, punoi si mësues në fshatrat veriorë. Mospajtimi i bindjeve të tij politike me ideologjinë e regjimit totalitar të instaluar në Shqipëri, do ta shtrëngonin autorin postmodernist të letrave shqipe të shtegtonte larg atdheut. Fillimisht u përfshi në radhët e qëndrestarëve kundër partizanëve komunistë dhe për këtë arsye, qe i detyruar të jetonte në ilegalitet derisa mori arratinë drejt Jugosllavisë fqinje.

Në vitet 1949-1955 studioi për sllavistikë, romanistikë dhe albanologji në Beograd. Mandej, me ndihmën e ish-mësuesve italianë, u shpërngul në Romë, ku do të përmbyllte në vitin 1960 disertacionin mbi “Gjuhën e Gjon Buzukut”. Duke nisur nga viti 1961, punoi si pedagog i fushës së albanologjisë në universitetin e Munihut. Ndërsa, atashuar pranë këtij institucioni, shërbeu përgjatë vjetëve 1971-1990 në krye të katedrës së disiplinës së albanologjisë. Camaj ka lëvruar në poezi, në prozë dhe në punime shkencore mbi shqipen dhe dialektologjinë shqiptare. Vepra e tij letrare përfshin nëntë vëllime poetike, tri romane dhe një vëllim me novela.

“Nji fyell ndër male” (Prishtinë 1953), “Kanga e vërrinit” (Prishtinë 1954), “Djella” (Romë 1958), “Legjenda” (Romë 1964), “Lirika mes dy moteve” (Munih 1967) dhe “Drandja” (Munih 1981), janë disa nga titujt e krijimeve të tij. Në trajtë testamentare, u shpreh në fjalët e tij, drejtuar të gjithë shqiptarëve, e natyrisht kolegëve të tij, pak kohë përpara se t’i linte lamtumirën kësaj bote: “Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i juaji dhe ju jeni të mitë”. Ndërroi jetë më 12 mars të vitit 1992, në Munih.

SËMUNDJA

Në vitin 1956, duke parë shëndetin në rënie të profesorit dhe gjendjen e rënduar në Republikën Federale, vajti në Itali (të paktën qysh më 20 shtator të ’56-ës), ku e shoqja nga sëmundja detyrohet të heqë një veshkë. I ndihmuar nga Ernest Koliqi dhe profesorë të vjetër të kolegjit jezuit P. Luigi Rosa dhe P. Zef Valentini, asokohe drejtues i Institutit të Studimeve Shqiptare, si dhe kryetar i Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe pranë Universitetit të Romës, pasi i njihen studimet e kryera ne Universitetin e Beogradit, regjistrohet në vitin e tretë studimor në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë të atij universiteti.

Këtu studion letërsi latine, italiane, filologji romane e sllave, si dhe gjuhë e letërsi shqipe, ndërkohë pati rastin të ndjekë leksione nga Giuseppe Ungaretti dhe të njohë prej së afërmi poezinë e tij. Nën mentoratin e Koliqit, më 15 mars 1960, mbron me vlerësime maksimale pranë Universitetit te Romës, tezën e doktoraturës mbi Mesharin e Gjon Buzukut, e cila u botua po atë vit si botim i revistës “Shêjzat” (që e redaktonte tash tre vite dhe do ta bënte deri më 1971) nën titullin: “Il Mesale di Gjon Buzuku. Contributi linguistici allo studio della genesi”. Gjatë periudhës së studimeve Camaj iu përkushtua veçanërisht kërkimeve shkencore në terren në fshatrat e ngulimeve arbëreshe. Qysh më 1959 Koliqi i mundësoi të punojë si lektor pranë Universitetit në Romë, gjë që zgjati deri nga fundi i vitit 1960. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhen shqipe dhe dialektet, në veçanti në gjuhën e arbëreshëve të Italisë jugore. Në Romë ndjek rrethet letrare të këtij qyteti, ku njihet edhe me autorët emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë dhe sidomos me poetë baltikë. Ishin të gjithë anëtarë të një PEN-klubi me qendër në Londër.

STUDIMET

Në dhjetorin e 1960-ës vendoset në Munih të Gjermanisë me një bursë dhjetëmujore të akorduar prej fondacionit gjerman DAAD (Shërbimi Gjerman për Shkëmbimin Akademik) për të cilën hyn dorëzanë me rekomandimin e vet etnologu dhe folkloristi Alois Schmaus, që drejtonte atëkohë Seminarin e Sllavistikës pranë Univ. Ludëig-Maximilian. Camaj përzgjedh si vend studimi Seminarin e Gjuhësisë me synimin që të përvetësojë metodat e studimit gjuhësor historiko-krahasues. Për përfundimin me sukses të kësaj ndërmarrjeje Camaj mbështetet për disa vjet me radhë nga fondacioni i DFG-së (Shoqata e Kërkimit Shkencor Gjerman), i cili i akordon një bursë kërkimore për të mbrojtur gradën e habilitacionit. Këtë gradë e fiton më dt. 21 janar 1965 me venia legendi (leje mësimdhënieje në universitet) në albanologji duke fituar në të njëjtën kohë edhe të drejtën për të qenë Privatdozent, përvojë që e kishte ushtruar si lektor vullnetar për realizimin e programit universitar duke dhënë kurse hyrëse të gjuhës shqipes qysh prej semestrit të dimrit në vitin akademik 1961/’62.

E shoqja, Nina, e cila jepte gjuhë ruse në “Bocconi” të Milanos si asistente në vitin akademik 1961- 62 shkon pranë Martinit më 1962 ku ajo do të punojë për pak vite pranë “Munchen American Elementary School” si mësuese dhe bibliotekare. Në vitin 1964 Nina hyn në Urdhrin e Tretë Françeskan duke marrë emrin Motër Elizabeta. Ndarja përfundimtare me Martinin ndodh në vitin 1968, dhe mbas kësaj date Nina kthehet në Milano ku do të jetojë deri në nëntor të vitit 1987. Prej 1965 deri në 1971 qenë vitet vendimtare për konsolidimin e vatrës albanologjike duke e vështruar si fushë komplekse të kërkimit shkencor. Më 1969 martohet me Erikën, me të cilën nuk do kishte fëmijë. Më 16 korrik 1971 merr emërimin si profesor joordinar në albanologji, ndërsa më 14 shtator 1978 emërohet ordinar me marrëdhënie punësimi të përhershëm. Më 30 shtator 1990 lirohet nga detyra si profesor i merituar. Jetoi në Lenggries, vend që i kujtonte trojet ku kishte lindur. Ndërroi jetë më 12 mars të vitit 1992 në Munih.

TRASHËGIMIA

Martin Camaj bën pjesë tek të paktët shkrimtarë shkencëtarë të letërsisë shqipe dhe qëndron në krye të krijuesve, që i zgjodhi me vetëdije parimet e veta estetike dhe nuk shkoi rastësisht tek ato zgjedhje. Gjithë jeta e tij shkoi në kërkim të rrënjëve të të parëve. Për këtë arsye, gjithë letërsia e Camajt është e mbushur me njerëz tradicionalë dhe studiuesit kanë material të bollshëm për t’u marrë gjatë me të. Kontakti me kulturat e ndryshme perëndimore, njohja e poezisë moderne të poetëve më të njohur botërorë, pasi Camaj ishte njohës i shumë gjuhëve të huaja, ndikuan në formimin e tij kulturor, ndërsa vepra e tij, qoftë në prozë apo në poezi mbështetet tërësisht në gjuhën shqipe dhe si përmbajtje i ka rrënjët në kulturën shqiptare, sidomos në mitin e trashëguar. Në të njëjtën kohë Camaj është edhe një ndër albanologët më të shquar, kryesisht me punimet e tij mbi gjuhën shqipe, historinë dhe të sotmen e saj.

Ndër studimet kryesore mund të përmenden: Meshari i Gjon Buzukut, Romë 1960; Tekst mësimor i gjuhës shqipe, Wiesbaden 1969; E folmja shqipe në provincën e Avelinos, Firence 1971; Gramatika shqipe, Wiesbaden 1984; si dhe antologjinë Këngë shqiptare, Dusseldorf 1974. Ndonëse ai jetoi larg lexuesit të tij natyral dhe i munguan efektet e recepsionit, prapëseprapë letërsia e Camajt e përmban mjaft të gjallë bashkëbisedimin me lexuesin e tij shqiptar. Siç është shprehur edhe vetë, ai ka qenë i dashuruar me gjuhën shqipe dhe i shfrytëzoi në maksimum mundësitë e saj shprehëse. Martin Camaj, vdiq pa shkelur më në atdheun e tij, nuk la fëmijë, por la pas një vepër të pasur dhe me shumë vlerë për kulturën dhe letërsinë shqiptare. Trupi i tij tretet në tokën njerkë të Gjermanisë jugore dhe sipër kokës së varrit të tij rëndon një shkëmb i verdhë, sjellë prej viseve ku kishte jetuar brez mbas brezi familja e Camajve në Temal, në bregun e djathtë të Drinit, këtij lumi që i rri Shqipërisë dhe Shqiptarisë si një shtyllë kurrizore prej uji.

VEPRA

Vepra e Martin Camajt është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45-vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhanër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza. Martin Camaj e nisi veprimtarinë e tij poetike me dy përmbledhjet e para që i botoi ne Kosovë: “Një fyell ndër male” dhe “Kanga e vërrinit”.

Vëllimi i tij i parë me varg klasik “Nji fyell ndër male”, Prishtinë 1953, dhe “Kânga e vërrinit”, Prishtinë 1954, u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroj shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t’u kthyer. Këto u ndoqën nga “Djella”, Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re. Përmbledhja e poezive “Legjenda”, Romë 1964 dhe “Lirika mes dy moteve”, Munich 1967, kishte disa poezi nga “Kânga e vërrinit”, që u ribotuan në “Poezi” 1953-1967, Munich 1981. Vargu i pjekur i Camajt reflekton ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Giuseppe Ungaretti. Karakteret metaforike dhe simbolike të gjuhës së tij rriten me kohën, siç ndodh edhe me rangun e temave poetike të tij. Një përzgjedhje e poezive të tij e përkthyer në Anglisht nga Leonard Fox në vëllimet “Selected Poetry”, Neë York 1990 (Poezi të zgjedhura), dhe “Palimpsest”, Munich & Neë York 1991. GJUHA SHQIPE Kërkimet akademike të Martin Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore.

Veprimtaria e tij letrare në harkun 45-vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhanër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza. Vëllimi i tij i parë me varg klasik “Nji fyell ndër male”, Prishtinë 1953 (Një fyell ndër male), dhe “Kânga e vërrinit”, Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroj shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t’u kthyer. Këto u ndoqën nga “Djella”, Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re.

Përmbledhja e poezive “Legjenda”, Romë 1964 dhe “Lirika mes dy moteve”, Munich 1967, kishte disa poezi nga “Kânga e vërrinit”, që u ribotuan në “Poezi” 1953-1967, Munich 1981. Vargu i pjekur i Camajt reflekton ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Giuseppe Ungaretti (1888-1970). Karakteret metaforike dhe simbolike të gjuhës së tij rriten me kohën, siç ndodh edhe me rangun e temave poetike të tij. Një përzgjedhje e poezive të tij e përkthyer në Anglisht nga Leonard Fox në vëllimet “Selected Poetry”, Neë York 1990 (Poezi të zgjedhura), dhe “Palimpsest” dhe “Tingujt e pramë”.

POEZI NGA MARTIN CAMAJ

GJAKMARRJA

Vetmia ka thithë erën e bjeshkës

dhe fije bari as fletë nuk lot.

Të mnershëm janë korbat e zez

në pushim mbi qarrat e vjetër

maje mali në vapë.

Mendja e njeriut nën hije sheston

udhë gjaku

e sosjen e pagjës në mal e vrrî.

******

MES SHËNGJERGJAVE

Nëpër palcin e eshtnave ndij

frymën e vdekjes.

Për rreth digjet ajri

e shikimi tret në udhën e pa skaj.

Më dhimben vetëm syt:

do të shohin dhambët e amshimit

tue u mbyllë përpara.

******

NJI POETI TË SOTËM

Rruga jote â e mirë:

Parkat janë fytyrat ma të shëmtueme

të miteve klasike. Ti nuk shkrove për to,

por për rrasa guri e ballë njerzorë

me rrudha shum e për dashuninë.

Vargjet tua janë për t’i lexue në heshtje

e jo para mikrofonit

si të çetës së poetëve tjerë,

zemra

ndonëse nën shtatë lëkura

akull,

akull

ndonëse nën shtatë lëkura.

******

MOTIV I VJETËR NË KTHIM

Shtatë vasha u çuen peshë

kur ngjyra e korbit fluturoi

përmbi shtyllën e jetës:

sqepi i dukej i verdhë, gati i bardhë

mes pendlave të zeza.

Shtatë vasha u çuen peshë

e u turrën vrap me funda

në duer sa qethi mbas korbave

e vetëm me za i tretën si plafa të murmë

nën karmat e vendit tim.

Po s’erdhët ju, vasha,

kur të zbardhen pusat e ujit

në lumë përpara agimit,

ngurzohen edhe duert e foshnjave

në palare.

******

DRENI PLAK

Barijtë tradhtisht e lanë shkret bjeshkën

për ngrohësinë e vërrijeve.

Dirgjen shtigjeve tue folë me za të naltë

punë grash e qeshin

me ujin e prronit zhgrehshëm tue u derdhë,

prej pusi në pus.

Dreni plak çoi kryet prej dheut të djegun,

e vrejti gjethin e zverdhun. Mandej

shkoi e u kap me të bijtë për punë

drenushash.

I thyem e la edhe ai bjeshkën e ndoqi

gazin e prronit teposhtë, shigjetë zjarmi

mërgues për vendet e vuta e bar dimni

që kurr nuk ka me e prekë!

Kur e vranë, barijtë i hapën qepallat

e i panë ndër bebza

shum drej tue pi currila uji.

******

GRUEJA ME MËNGJI

Nësa ishte e re e me burrë

fëmija i thithën palcën e eshtnave:

tash i bien dhambët nji nga nji prej goje.

Pavëmendshëm në kalim

ia shtrydhin gjurmën e teshtijnë

të bijtë

për të mos i ndëgjojnë vajin.

Grueja s’e përdori mëngjinë

me ngrehë një kështjellë në det me hala peshku

dhe alga

e me ndejë e ndritun në shkamb ari,

pa të bijtë.

******

GJARPNI E GRUEJA

Ajo mbramë harroi trupin e vet zbuluet

e në mëngjes e gjeti pikturë të varun

në murin e gjanë dhetë pashë:

e kqyri dhe e kqyri e u zhduk.

Petkat e saj teren buzë detit

me këmishën e gjarpnit mbi gurë.

Shtërpia tha se vjen prap, ajo,

deri mbasdite.

Mbasdite vonë, gjarpni i rrejtun

doli prej nëngurit

e iu zgërdhesh vetmisë ndërsy,

veshi këmishën e vjetër e shkoi

me fjetë.

******

VRASJA E POETIT

Liria e fshehun ndër vargje

të poezisë

nuk ishte vetëm:

para tyne rrishin galuc roje

shpend mishngranës

me fytyrë njerëzore.

E ti ishe për ta nji bletë

tue u rropatë ka drita në qelq,

andej kufijve të botës

njerëzore.

******

SHKUSHULLIM

Kush iu kujtue territ që bie në luginë mbas

fikjes së yjve

para agimit?

Shkatrruesi i vetes, nji krip-bardhë

e gjeti se koha e mungët

mes dritave

i hyn në palcë gurit

dhe ashtit njerëzor.

Terrin mes dy dritave

s’e duron ylli që shkoqet,

as njeriu.

******

NJI STINË E HUMBUN

Verës sa nji mëngjes me vesë

nuk ia pau kush ballin simjet

me sy të përlotun të sjellun

kah mali.

Vjetit nuk i mungon asnji ditë

në kalendar e i dhimbet

e mbramja pikë e dyllit në djegie:

e sotmja ka ndijen e dridhjes

së fletëve të shqemes

para dhambëve të sutës.

******

MAL I RRËXUEM

Në orën gjashtë t’agimit

i qindronte aty shtërgatës.

Në mjesditë u shkoq pylli,

mollza e faqes, e ra në lumë.

Ra dielli e ndriti dhenë e ri,

rrajë të shkyeme, lisa të përçamë

e sosjen në vetëdijen time.

Banorët e malit përballë pyetën:

vend i brishtë, ku t’i fshehim sytë

në ballin tand pa lisa?

Burimi: Konica.al


Publikimi i mëparshëm

Serbia e Madhe – ideologjia dhe politika

Publikimi i radhës

Kosova lajm në BBC / Dua Lipa dhe Kosova kanë qenë të pandashme

Publikimi i radhës

Kosova lajm në BBC / Dua Lipa dhe Kosova kanë qenë të pandashme

JuSm
KoBo
Argjendi
Emetimi

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:59

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON"

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!
No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.