Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës, Amra Azizi dhe Besjana Izairi, nga programi studimor i Drejtësisë dhe Blerian Selmani dhe Rijad Bejtulla, nga programi i Kriminalistikës, ishin pjesë e trajnimit pesëditor të organizuar nga OSBE-ja, me temë: “Angazhimi dhe fuqizimi i të rinjve për të luftuar radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm”, që u mbajt prej 16-20 tetor 2023.
Në këtë trajnim morën pjesë studentë nga pesë universitetet shtetërore të vendit tonë. Studentët tanë ndoqën paraqitjet e Kilian Vahli, shef i Misionit të OSBE-së në Shkup, Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme, Nikola Dujovski, dekan i Fakultetit për Siguri në Shkup, Prof. Dr. Igor Nikolovski, rektor i Universitetit “Shën Klimenti i Ohrit” në Manastir, Mark Dikson, udhëheqës i Njësisë për zhvillim të policisë, Misioni i OSBE-së në Shkup. Në kuadër trajnimit ata realizuan edhe disa vizita studimore në disa institucione të vendit.
Në ditën e tretë të trajnimit ndoqën nga afër simulimin e tërmetit, ushtrime të organizuara nga Kryqi i Kuq në Shkup. Gjatë këtij trajnimi gjithashtu kanë ndjekur ligjërata nga disa të ftuar, si: Naumçe Mojsovksi, drejtor i Agjencisë për Rini dhe Sport, Gjorgi Tasec, këshilltar special për rini dhe politikat për të rinj i Kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, edhe nga dy trajnerët Jasmina Todorovska – Miteva dhe Sedat Ajdari.
Pjesëmarrja e studentëve në trajnime të kësaj natyre mundëson përfitimin e njohurive të reja për çështje që kanë të bëjnë me sigurinë e vendit tonë dhe jo vetëm, sikurse i përgatit ata për t’u përballur me elementë të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Zyra për informim