Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” më 10 qershor 2023, në Universitetin e Tetovës e mbajti Edicionin X të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”.
Ky manifestim rrugëtimin e tij kulturor e artistik, arsimor e shkencor e nisi jo më pak se para një dekade. Gjatë këtij rrugëtimi u shënuan ngjarje dhe data historike të rëndësishme. U realizuan veprimtari të veçanta, u mbajtën konferenca dhe simpoziume shkencore, tryeza dhe debate të ndryshme, u shënuan përvjetorë poetësh dhe shkrimtarësh të shquar, u përuruan libra dhe revista – për të arritur në këtë vit jubilar të shënimit të dhjetëvjetorit të tij.
Organizatorët e kësaj ngjarjeje theksuan se organizimi dhe realizimi i veprimtarive kulturore e artistike është pjesë e pandarë e programeve vjetore të Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”.
Kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, Mr. Selam Sulejmani tha në hapjen solemne se veprimtaritë e kësaj natyre nuk janë thjesht organizime sa për ta shënuar një ngjarje të radhës. Me fjalë të tjera, për ta pasuruar jetën intelektuale dhe kulturore të shoqërisë, shoqata e lartpërmendur vazhdimisht është përpjekur të gjejë forma dhe mënyra të reja të veprimit kulturor dhe artistik.
“Gjatë 10 viteve të manifestimit, pjesëmarrësit e ftuar e kanë prezantuar punën hulumtuese si dhe krijimtarinë e tyre kërkimore-shkencore. Ata kanë referuar dhe kanë shtjelluar tema që ndërlidhen me zhvillimet letrare, me arsimin dhe shkencën, me rëndësinë e trashëgimisë sonë kulturore si dhe me proceset historike nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar në këto anë. Në programet e punës të “Traditës” janë përfshirë dhe janë trajtuar një mori temash me karakter shkencor dhe janë shtjelluar çështje dhe ngjarje historike relevante, si pjesë e sistemit tonë të vlerave. Njëherazi është debatuar edhe për dukuritë dhe për problemet me të cilat është ballafaquar dhe po përballet arti dhe kultura shqiptare. Kultura dhe shoqëria janë dy fenomene dhe dy koncepte të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën dhe që nuk mund të ekzistojnë pa njëra- tjetrën. Nuk ka shoqëri njerëzore që nuk ka kulturë , ashtu siç nuk ka kulturë pa shoqëri”, u shpreh Selam Sulejmani.
Në programin e këtij manifestimi kulturor, Prof. Xhelal Zejneli e paraqiti referatin qendror me temë: “Shqipja dhe shqiptarët në studimet e studiuesve të huaj”. Ai deklaroi se historia dhe gjuha e shqiptarëve, një terra incognita për Evropën shkencore të periudhës së Rilindjes evropiane, u bë relativisht vonë objekt i një interesimi të gjallë dhe hetimi shkencor, për arsye se Shqipëria ende nuk ishte një shtet i pavarur ose autonom, e rrjedhimisht, historia dhe kultura e saj u pa vetëm në kuadrin e një entiteti më të gjerë politik, të Perandorisë Osmane.
“Lidhur me prejardhjen e gjuhës shqipe, në literaturën shkencore relevante kanë mbizotëruar pesë hipoteza:
– Teza ilire e mbështetur: nga historiani suedez, Hans Tunman (Hans Erick Thunmann, 1746-1778) më 1774; nga ushtaraku, diplomati dhe studiuesi anglez Uiljam Martin Lik (William Martin Leake, 1777-1860) më 1811; nga diplomati gjerman, Johan Georg fon Han (Johann Georges von Hahn, 1811-1869) më 1854; nga gjuhëtari slloven Franc Miklosiç (Franz Miklosich, 1813-1891) më 1861; nga gjuhëtari gjerman, indoevropianist, albanolog me emër Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900) më 1882; nga gjuhëtari danez Holger Pedersen, 1867-1953) më 1894; nga gjuhëtari polak, indoevropianist, albanolog Vaclav Çimohovski (Waclaw Cimochowski, Kursk, Rusi, 1912- Gdynia, Poloni, 1982) më 1973; nga gjuhëtari gjerman, ilirolog Hans Krahe (Hans Krahe, 1898-1965) etj.
Të gjithë dijetarët e gjuhësisë shqiptare, në krye me Eqrem Çabejin (1908-1980) mbrojnë tezën e prejardhjes ilire të gjuhës shqipe, prejardhjen ilire të shqiptarëve dhe autoktoninë e shqiptarëve në të gjitha hapësirat në Gadishullin Ballkanik.
– Teza trake e mbështetur nga filologu gjerman Karl Pauli (Carl Pauli, 1839-1901) më 1891; nga filologu e orientalisti çek-austriak Vilhelm Tomashek (Wilhelm Tomaschek, 1841-1901) më 1893; nga filologu gjerman, indoevropianisti Herman Hirt (Hermann Hirt, 1865-1936) më 1898; nga gjuhëtari ruso-gjerman Maks Fasmer (Max Julius Friedrich Vasmer, 1886-1962) më 1898; nga gjuhëtari gjerman Gustav Vajgand (Gustaw Weigand, 1860-1930) më 1927; nga gjuhëtari austriak-çek Julius Pokorni (Julius Pokorny, 1887-1970) më 1938; nga gjuhëtari kroat, ballkanolog e albanolog Henrik Bariq, (1888-1957) më 1954; nga historiani gjerman Gotfrid Shram (Gottfried Schramm, 1929-2017) më 1957 dhe 1994.
– Teza iliro-trake e mbështetur nga Norbert Jokl (Norbert Jokl) më 1911; nga Paul Kreçmer (Paul Kretschmer) më 1925; nga linguisti italian Vitore Pisani (Vittore Pisani, 1889-1990) më 1940; nga filologu e ballkanologu serb Milan Budimir (1891-1975) më 1950; nga gjuhëtari gjerman, indoevropianist, keltolog, sllavist, u mor edhe me shqipen, mik i shqiptarëve Rolf Këderiç (Rolf Kdderitzsch, 1941-2020) më 1988.
– Teza dako-mizike e mbështetur nga gjuhëtari bullgar Vladimir Georgiev (1908-1986) më 1960.
– Teza për zhvillimin e pavarur (autonom) të shqipes e mbështetur nga indogjermanisti gjerman Valter Porcig (Walter Porzig, 1895-1961) më 1964, “Das Albanische und die Vergleichende Indogermanisch Sprachwissenschaft”; nga linguisti amerikan Erik Pret Hemp (Eric Pratt Hamp, 1920-2019) më 1966; nga gjuhëtarja ruse, albanologe Agnia Vasiljevna Desnickaja (1912-1992) më 1987. Sipas studiuesve shqiptarë, Desnickaja i përmbahej mendimit për prejardhjen ilire të shqipes” – theksoi ndër të tjera profesor Xhelal Zejneli.
Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, në çdo përvjetor të Lidhjes së Prizrenit, e ndan Çmimin kombëtar ,,Ali Vishko”. Ky çmim u jepet personaliteteve, shoqatave dhe institucioneve të ndryshme, për kontribut të jashtëzakonshëm dhe arritje të një rëndësie të veçantë në lëmin e arsimit, shkencës, historisë dhe kulturës shqiptare. Komisioni i “Traditës”, i kryesuar nga Prof. Dr. Ejup Ajdini, vendosi që për vitin 2023, Çmimi kombëtar “Ali Vishko” t’i jepet ish-rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ametit.
Në emër të komisionit për ndarjen e çmimit të lartpërmendur, profesor Ejup Ajdini deklaroi se karriera profesionale e Prof. Dr. Vullnet Ametit është e larmishme. Fillimisht ka punuar si pedagog i kulturës fizike në disa shkolla fillore dhe të mesme të Tetovës, kurse nga viti 2003 u angazhua në Universitetin e Tetovës si asistent në lëndën e Sporteve të Mundjes, kurse në vitin 2004, me zyrtarizimin e Universitetit të Tetovës, u zgjodh në thirrjen mësimore asistent i rregullt në lëndën e Sporteve të Mundjes.
“Në vitin 2008, e fitoi mandatin e popullit si deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, detyrë që e ushtroi për tre vjet. Me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Maqedonisë në vitin 2011 dhe më pas iu përkushtua përsëri punës së pedagogut në Universitetin Shtetëror të Tetovës, fillimisht duke u rizgjedhur këtë vit në thirrjen mësimore-shkencore Docent në lëmin e kulturës fizike, kurse më 27 dhjetor 2012 u rizgjodh edhe në thirrjen mësimore-shkencore Profesor inordinar në lëmin e kulturës fizike. Kurse në thirrjen mësimore-shkencore Profesor ordinar u avancua në korrik të vitit 2013 në Universitetin e Tiranës. Ndërkohë, ka ushtruar edhe disa pozita kyçe në USHT, duke qenë fillimisht senator i këtij universiteti dhe më pas edhe prorektor për shkencë, kurse , me vendim të Senatit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, të datës 28.06.2012, u emërua ushtrues detyre Rektor i Universitetit Shtetëror të Tetovës. Duke iu referuar të kaluarës së tij profesionale-shkencore, vërehet se një kohë të gjatë ia ka kushtuar pikërisht Universitetit tonë dhe është i lidhur ngushtë emocionalisht dhe shpirtërisht me të” – nënvijëzoi Prof. Dr. Ejup Ajdini.
Ai po ashtu shtoi se Prof. Dr. Vullnet Ameti ka qenë pjesëmarrës gjatë gjithë periudhave të zhvillimit të Universitetit, duke filluar nga themelimi, njohja nga ana e shtetit dhe sot, në ditët kur Universiteti ynë tashmë ka marrë konturat e një universiteti modern, cilësor dhe premtues.
“Kulminacionin e kontributit arsimor dhe kombëtar e arriti me rastin e emërimit Rektor të Universitetit Shtetëror të Tetovës, duke bërë së bashku me bashkëpunëtorët një revolucion akademik gjatë periudhës që udhëhoqi me Universitetin e Tetovës. Për një periudhë shumë të shkurtër kohore, u hapën objektet e reja universitare në qytetin e Kumanovës dhe në Tetovë, gjithashtu u hapën vende të reja pune, vazhdimisht janë stimuluar studentët më të mirë, duke marrë bursë të plotë studimore nga universiteti. Falë punës së palodhshme të Prof. Dr. Vullnet Ametit, sot UT është shndërruar në adresën kryesore të arsimit të lartë në gjuhën shqipe, sot ky institucion ka një bashkëpunim të shkëlqyer me shumë universitete prestigjioze në mbarë botën, duke filluar nga SHBA-të, Gjermania, Anglia, Finlanda, Turqia, vendi dhe rajoni” – tha Prof. Dr. Ejup Ajdini.
Pjesa artistike e manifestimit u begatua me performimin me kitarë dhe violinë të studentëve të talentuar Olti dhe Oreli Esati. Bukuri të veçantë i dha evenimentit bardi popullor Nuhi Musa, i cili performoi me çifteli motive nga melosi ynë popullor. Realizimi i këtij manifestimi u mbështet financiarisht nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në qytetin rrëzë Sharrit – në Tetovë, “Lidhja na Bashkon” ka shërbyer ndër vite edhe si një forum intelektualësh që i dedikohet kryesisht arsimit, shkencës, artit dhe kulturës, por edhe ngjarjeve me rëndësi për historinë tonë, duke u bërë kësisoj urë komunikimi midis studiueseve, shkrimtarëve, poetëve dhe artistëve të njohur.