Me himnin e Bashkimit Evropian në sfond, ai u ngjit në skenë, fitues – si askush në këtë shekull për të dytën herë radhazi në Francë – nën moton “Të gjithë bashkë. Faleminderit!”.
Këto ishin fjalët e para të presidentit të sapozgjedhur francez, Emmanuel Macron, por vëmendja, ishte vetëm për nga një drejtim: Franca më e pavarur, Evropa më e fortë.
“Pas pesë vjetësh të ndryshimeve shumë të vështira, shumica mes nesh, zgjodhi të më besojë mua edhe për pesë vitet e ardhshme”.
Macron vijoi duke pranuar se është i vetëdijshëm që shumë njerëz votuan për të jo sa për idealet e përbashkëta, por për të bllokuar të djathtën ekstreme. Ndaj një falënderim, shkoi edhe për ata.
Ai po ashtu pranoi edhe abstenimin më të madh që prej vitit 1969 në Francë.
“Heshtja e atyre që nuk votuan duhet dëgjuar dhe ne duhet t’i përgjigjemi atyre” deklaroi Macron përpara mbështetësve. “Dua që të dinë se e kuptoj detyrën që vjen me këtë privilegj”.
Lufta në Ukrainë sipas tij, është aty për t’i kujtuar francezëve se ata duhet të bëjnë zgjedhjet e tyre.
Një zgjedhje, të cilën mbi 58% e tyre e bënë në raundin e dytë të votimeve, duke votuar Macronin për kreun e Elysee-së.
Por sot, ai nuk është president i mbështetëse të tij, por i gjithë Francës, në fjalët e 44-vjeçarit.
Një mesazh mbi ndasitë dhe bashkimin e vendit, nuk mund të mungonte në fjalimin e fitores.
“Duhet të jemi të kujdesshëm dhe respektues, sepse vendi ynë është i mbushur me ndasi. Por, askush nuk do të lihet mënjanë. Së bashku, duhet të punojnë për bashkimin. Vetëm kështu mund ta bëjmë më të bukur jetën në Francë”.
Teksa mesazhin e fundit, e pati për të ardhmen, e cila sipas tij, nuk do të jetë e lehtë.
“Vitet e ardhshme nuk do të jenë të lehta, por do të jenë pa diskutim historike dhe kështu, do ta shkruajmë historinë për gjeneratat e ardhshme”, përmbylli Macron fjalimin, duke brohoritur së bashku me mbështetësit e tij, “Vive la France” (rroftë Franca), teksa Marsejeza luhej në sfond. Albanianpost.com