Loer Kume – Djepet. Po kërkoj një fjalë që të antagonizojë me varret. Kush është fjala e kundërt me varret? Djepet ndoshta?
Më ngacmoi për këtë shkrim bombardimi i filmave kinemashpërthyes të serisë së Marvel dhe DC. Koha jonë është plot me heronj fiksionalë. Ushqehemi çdo ditë me heronj dhe idenë e heroizmit. Ky ushqim vjen nga televizioni kryesisht. Heronjtë e kohës sonë. Pikërisht televizioni farkëton idealet e reja. Nocioni i heronjve të kohës sonë është kryesisht amerikanizim, ritëm i shpejtë, nuk kemi kohë, duhet të fitojmë më çdo kusht. i forti, mbinjeriu, gjithçkabërësit.
Sigurisht, në qendër është njeriu, gjithçka bëhet për njerëzit, tokën, por ama krejtësisht nga jashtë. Nga figura dhe krijesa thellësisht të jashtme. Njerëz që vijnë nga lashtësia, nga vende pa kohë, nga hapësira, entitete të larta, të jashtënjerëzishme, që vijnë për të mbrojtur njerëzit.
Sigurisht, sipas kohëve ku jetojmë u vishen tipare njerëzore këtyre superheronjve, mbikrijesave; Superman shfaqet biseksual, ndërsa në filmin e fundit Eternals, kemi një eternal që është ngulur ne tokë dhe është gay, madje ka krijuar familje duke adoptuar një djalë të vogël. Në zhvillimet e kohës sonë, gjithë kozmogonia dhe ngjarjet e këtyre filmave me superheronj, shpjegohet me detaje, në mënyrë shkencore, interpretohet me gjuhë tokësore, zbulohen mënyrat, arsyet, qëllimet, dhe e tëra kjo na bën ne t’u afrohemi më shumë këtyre heronjve, të atashohemi me ta, të identifikohemi e frymëzohemi.
Për hir të së vërtetës fshehur në detaje, kemi një Batman të regjizorit Nolan, një Batman perpleks, rropullar, të shumëngjyrshëm, të errët, njerëzor, një Batman shumë njerëzor, aspak bardh e zi, dhe që na servir një moral të fortë njerëzor edhe pse duke luajtur me kufinjtë. Dhe në vazhdën e këtij Batman, kemi Batmanin që likuidon Superman, duke na dhënë gjurmën e parë të kësaj esencës që po kërkoj. Njerëzores. Batmani është njeriu që nuk ka nevojë për superfuqi, sepse si e thotë vetë, superfuqia e tij janë paratë. Por përtej këtij apeksi, Batman fitimtar mbi Superman, deklini dhe justifikimi i kohëve tona vjen shpejt, një film më pas, Batman kërkon ndihmën e mbinjerëzve, gjysëmperëndive, dhe alienit Superman, për të mposhtur kërcënime të huaja, aliene, të jashtme, ku toka kërcënohet, dhe njerëzit e papërfillshëm nuk dinë të mbrohen.
Koha jonë prodhon kërcënime të jashtënjerëzishme, dhe zgjidhje të jashtënjerëzishme. Në vitet ’60 – ‘70, heronj ishin ata mitologjikët, Enea, Akili, Uliksi, El Cid, që edhe i vdekur majë kalit, fiton beteja. Heronj ishin njerëzit, që me përpjekjet e tyre arrinin të ndryshonin botën, ose të shpëtonin vendin, ose të fitonin princeshën, a femrën e tyre. Heronj ishin aventurierët, artistët, pionierët eksploratorë, sportistët fenomenalë. Në kohët parafrenetike, hero ishte njeriu, e bëmat ishin njerëzore. Dhe ti dilje nga kinemaja apo nga një film në shtëpi, me idenë se mund të pushtosh botën. Role models ishin humanë, dhe në saje të tipareve më gjeniale humane, arrinin qëllimet e tyre. Kjo histori nisi që rreth 400 vjet para erës sonë, kur tre tragjikët e mëdhenj të klasicizmit antik, simbolizuan në shkallë zbritëse drejt realizmit, tre llojet e heronjve tragjikë. Eskili, i pari dhe më i madhi, kishte qendër të krijimeve të tij heronjtë e perëndishëm, hyjnorët; Sofokliu, i dyti për nga mosha, gjysmënjerëzit, gjysmëperënditë, dhe Euripidi ishte dramaturgu i madh që mori në qendër të veprave të tij njerëzit, ata me tipare më njerëzore, dhe drama nuk zhvillohej më me entitete hyjnore e në terrene qiellore, por në tokë, në baltë e në hekur.
Euripidi është tipi që na prezantoi me njeriun, e na mësoi që drama është midis nesh e brenda nesh.
Ndërsa në kohët tona, dramën po e krijojmë, shpikim, delegojmë, sajojmë, qëllimisht mbase, jashtë nesh. Eternals ishte filmi i fundit i projektit të superheronjve, që sugjeronte një univers të krijuar nga demiurgët, ku njeriu nuk luan asnjë rol veçse është në mëshirën e lojrave hyjnore.
Sigurisht, dikush do përmendë Iron Man apo Captain America, si ekzemprarët më të mirë të njeriut, dhe që luftën e fiton njeriu. Por, sërish, jemi në nivel Sofokliu. Sërish me njerëz, që më e pakta, duhet të kenë superfuqi Paranë. Por, siç e dimë të tërë, paraja është ndoshta, superfuqia më e vështirë nga të tëra.
Kështu, qëllimi i këtij shkrimi është të sjellë në vëmendjen tuaj se në kohën tonë të rrëmujshme dhe frenetike, edhe heronjtë janë pjellë e fantazisë së dehur me nivele të larta adrenaline dhe nuk na japin asnjë role model ku ne, njerëzit e thjeshtë të mbështetemi, frymëzohemi, punojmë e ndërtojmë, si dikur ne, djemtë e lagjes së moshës sime punonim të ndërtoheshim sipas imazhit të Ken Shiro, apo Bruce Lee. Në kohën frenetike dhe të rrëmujshme që po jetojmë, heronjtë e sugjeruar janë të paprekshëm, të paarritshëm, e si pasojë ti mund të arrish ngjitjen e tyre vetëm në lojëra elektronike inteligjente, duke u mbyllur në dhomën e errët apo në sallën e lojrave me një pult në dorë, pa ditur ende si djersitesh e ftohesh duke luajtur me shokët.
Në kohën tonë, role models janë të paarritshëm, duke prodhuar njerëz të shtresës së mesme pa pretendime, të projektuar të tillë që në gjenezën e adoleshencës. Në kohën tonë djepet mëkohen jo me qumështin e zanave të Bjeshkëve, jo me këngët e Mujit që e ngriti shkëmbin, e Halilit që rrëmbeu vashën, por me tingujt e nënave që shohin reels në instagram e koreografi tik-toku.
Dhe prapë, prapë, jetojmë në një kohë të bukur. Diku ka ende njerëz si ne, që kishim idhuj e modelë krijesa humanoide si Jack London i njëmijë aventurave, e Rambo i dëmtuar, një njeri pitbull që nuk dorëzohet kurrë. Gazeta Liberale