Ernest Marku – “Pritja” e Rudolf Markut asht nji imitim letrar i imazhit fotografik. Kontakti i parë i vërtetë me Botën, na vjen nëpërmjet shikimit. Ajo që ka parë ai fëmijë i vogël, imazhi i parë që e ka goditë ma fort, do të na shoqërojë gjithë jetën; dhe këtë autori, jo vetëm që e di mjaft mirë, por edhe arrin ta transmetojë mjeshtërisht te lexuesi. Pritja nuk asht pasojë e nji premtimi, përkundrazi, ajo asht peng e fotos që e magjepsi, asht liri që zgjedh të prangoset. Ai imazh asht nji kurth, ndonëse një kurth i ambël; ajo që ka pritur, tash pret prej teje.
Qyteti i tij i lindjes, personazhit-narrator, si kujtime fëminie, i vjen nëpërmjet figurave të gjysmë të çmendurve; dikush fliste me Hënën, dikush tjetër vallëzonte me Erën, ndonjë tjetër andrronte të shkonte në Diell, të tjerë pijetarë e ngrohnin ambjentin me lëkundjet e tyre; por asnji kujtim pa figurë, asnjë ide e pamaterializueme. Askush nuk e meriton të bahet pjesë e Nostalgjisë së tij nëse nuk asht, ose tepër i bukur, ose tepër i shëmtuem, ose gjysmë i çmendun, i ç’ekuilibruem, i panatyrshëm, i deformuem nga pija, andrra, dashuria apo mosbindja. Pushteti ka pamjen e nji spiuni të shpifun, të nji polici debil dhe të pagdhendun, pamjen e një vrime çelësi, të pëshpëritjeve mbas krahëve, të syve ziliqarë; por kurrë pamjen e tij burimore.
Kapitulli i dytë, e kthen Botën në nji fshat të vogël, ku rasti asht mbreti i saj dhe e ardhmja, pasojë e zgjedhjeve tona. Këtu narracioni kalon në vetë të tretë. Personazhet janë në kërkim të s’andrruemes dhe nuk duan t’ia dinë fare se ç’ndodh tjetër në Botë, nuk u intereson politika, as idetë sociale, biles nuk janë as kureshtarë. Ata lëvizin pranë rrezikut, si akrobatët në tel, veçse me sy mbyllun. Ata nuk shohin Botën, por Dashurinë. Mirëpo… nëse ata e refuzojnë realitetin, asht realiteti ai që i godet ata. Ai shfaqet herë si nji patrullë policie, herë si nji shpi e braktisun, herë si gjak i pamarrun, herë si nji bombardim ajror dhe herë si një tel i ndryshkun që të shtrëngon duert.
Asht kapitulli i parë, ai që e ban të pashmanshëm kapitullin e tretë; fatalitetit nuk i shmangesh dot. Buletini i luftës ban fjalë për pula, për uri, për grepa, për dhelpra, për zjarr bubulak dhe për një palë dylbi, si trofe i falun nga nji ushtri e kapitullueme. Pikërisht në nji amalgamë të tillë përjetimesh po ngjizet e ardhmja, të cilën, personazhet e Markut, as e kuptojnë, as ia kanë frikën, ndonëse ajo u ka xanë pritë. Nuk ka rrugë të mesme, kush ka pula asht ballist, kurse barktharët janë e ardhmja; joshja prej aromës së mishit të pulës së pjekur, asht “e vetmja forcë lëvizëse që e çon shoqërinë përpara”. E ardhmja asht e zymtë, por autori i len personazhet të verbër.
Realiteti nuk vonon të godasë; nji gja e tillë paralajmërohet qysh në fund të kapitullit të parë, të kthen në kohë dhe të ushqen me nji shpresë të rreme në fund të kapitullit të tretë; për me shpërthye në kapitullin e pestë me gjithë egërsinë tij, ashtu siç u paralajmërue plot sarkazëm në kapitullin e katërt. Ajo që asht njerëzore dhe që vlerësohet nga bashkëvuajtësit, kthehet si akuzë në duart e pushtetarëve të rij, të pangopun dhe të paskrupullt në babëzinë e tyne. Ata nuk e durojnë dot dlirësinë, humanizmin e integritetin; ata njohin vetëm nji gja: të drejtën e pakufishme të fituesit. Ata nuk e kuptojnë dot faljen, pse e dinë se nuk do ta fitojnë kurrë qetësinë e shpirtit. Si të tillë, nuk i kuptojnë dhe nuk i durojnë dot françeskanët; i vrasin ata dhe ky krim, u hap atyne horizontet për krime të reja: tashmë ata mund të bajnë gjithshka.
Pikërisht ajo rrethanë që të shpëton herën e parë, të kthehet në argument për me të fundosë pas arrestimit të dytë, si pasojë e ndryshimit të konjukturës politike. Nëse e mira fundoset thellë e më thellë, e keqja nuk njeh kufij në paturpësinë e saj. Idhulli i paskrupullt e xhelat, që të ndihmoi të rrjeshtoheshe sa ma nalt në hirearkinë e lukunisë së ujqve të babëzitun; kur i rrëshket kamba, kthehet në objekt sulmi e baltosjeje edhe prej teje; dhe pse jo, edhe me fakte që të fajësonë ty dhe ku vetë ai të ishte ba krah dikur. Autori na jep vetëm nji shpresë në këtë pyll të errët të së keqes: Njani prej vrasësve, e rigjen natyrën e vet njerëzore, pikërisht te kodet zakonore të të parëve të tij; ndonëse kjo gja e fundos edhe atë.
Roza nuk asht e pregaditun për nji botë të tillë, po nuk asht as e gatshme me braktisë Martinin. Ajo asht gjermane, por tashma, nuk e lidh asgja me Gjermaninë. Nuk përfitoi ndonji gja kur kombi i saj ish në Zenit, kurse tani po bahej gati që të vuante Nadirin, në vendin ma të papërshtatshëm në Botë. Ka vetëm nji moment dobësie, që ka lidhje me Fatin dhe me zgjedhjen e saj, si për të na dëshmue se nuk ishte dashuria ndjenja ma e fuqishme, që e bante të paaftë për të braktisur të dashurin në fatkeqësinë e tij. Nuk asht vuejtja ajo që i ban njerëzit egoistë, euforia dhe pasunia po. Ajo sillet rrugëve të këtij qyteti shqiptar, ku e solli fati dhe dashuria e saj, duke përthithun gjithë aromën e luleve të rrugëve dhe të oborreve, ban shtatë kilometra vajtje e po aq në kthim, vetëm për me ndie shijen e hidhun të kripës së detit; këshillon fshatarët me të cilët bashkëndan jetën e qytezës, që të mos e mbajnë pulën e gjallë me kokë poshtë, pasi edhe ajo merr frymë si ne e vuan; dhe… pret. Pret të shohë dëgjuesit e heshtun, që i binden për pak kohë; por sa hedhin disa hapa të shpejtë, e kapin sërish pulën e sapoblerë përkambësh dhe me kokë poshtë, ashtu siç e kanë kapë gjithnji, brez mbas brezi… Pret atë ditë të vetme të vitit, që i lejohet të takojë Martinin në Burg. Pret e nuk ankohet. Të këqijtë, nuk e meritojnë të shohin lotët e saj. Ajo asht e fortë, ajo asht Zana mbrojtëse e fëmijëve. Vetëm kur takon njerëz, vetëm kur gjen nji sup që strehon nji shpirt njeriu, vetëm atëhere ajo ngashërehet, lahet në lot…
Ndodh nji përdhunim. Më saktë, dy. Dy përdhunime, nji lindje e padëshirueme dhe nji adoptim. Më në fund Roza ka nji krijesë për t’u kujdesë, nji bashkudhëtare në vuajtje, por edhe nji krah drejt përjetësisë. Edhe pse aludimet e mia si lexues, për përqasje me personazhe të jetës reale që diç më thonë në kujtesë, dhe që më flasin për të kundërtën; nuk e di pse kam nji ndjesi që autori apo personazhi historik i letrarizuar, e kanë shpikur atë përdhunimin e dytë, si një tentativë për të shpëtuar njerëzoren, si një mjet të fundit për të mos u çmendur krejtësisht, si një element etik për të mos u pështirosur plotësisht nga e vërteta e jeta… Adoptimi, trashaluqja e befotrofit, njeriu i pushtetshëm që i trembet skandalit, por që nuk asht pendue dhe që nuk do t’ia dijë për fëmijën e tij; janë të vetmet truke që i shërbejnë arsyes për me gjetë shtegun, shpirtit për mos me humbë lidhjen me të bukurën dhe për me gjetë forcë e me vazhdue.
Autori-personazh dhe Roza, janë lidhur pazgjishmërisht me njani-tjetrin; nga njëra anë me imazhin e parë të bukur të Botës dhe nga ana tjetër me Pritjen, pritjen që pret të shpërblehet me përjetësinë nëpërmjet letërsisë. Shkambijtë e naltë që rrethojnë nga tri anë atë ishullin kroat, nuk janë tjetër veçse vasha që duen me vazhdue me pritë përjetësisht. Roza ndalet te varri i Shubertit dhe vendos lule, si për me dashtë me vendosë lidhjen e vonueme me Gjermaninë e saj; tashma asht Martini ai që e pret në Botën Tjetër, po ajo nuk asht gati të shkojë… Diç e mundon… Takimi me Papën e ndihmon për me kuptue superioritetin e atij që fal, por as kjo nuk i mjafton… Vjen rrotull Botës po nuk e sheh atë, vështrimi i saj mrekullohet vetëm nga Dashuria. Ajo nuk ka ma kohë dhe vetëm kjo e trishton; nuk ka brenga për zgjedhjet e saj, nuk ndjehet e pendueme… Vetëm, nuk asht gati me ikë.
Dhe për kët roman të mrekullueshëm të Rudolf Markut, nuk u tha asnji fjalë në panairin e sivjetshëm të librit. Jo vetëm kaq, po “Pritjen” mund ta gjeje vetëm nën banak. Nuk e di, nuk dua të di… Me shijen e kësaj perle letrare në shpirt e në mendje, nuk analizoj dot. Gazeta Liberale