Lindi në Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Ndoqi shkollat françeskane në Troshan e Shkodër. Studioi teologji, filozofi e gjuhë të huaja në seminaret dhe institutet françeskane në Sutjekë, Livno, Kreshevo.
Më 1902 u emërua drejtor i shkollës françeskane në Shkodër ku vendosi shqipen si gjuhë mësimi.
Përfaqësoi shoqërinë “Bashkimi” më 1908 në Kongresin e Manastirit dhe u zgjodh kryetar i Komisionit të Alfabetit shqip.
Krijimtaria e Gjergj Fishtës është e shumëanëshme. Ndër botimet kryesore përmenden: “Vjersha t’përshpirtshme t’kthyem shtyp” (1906), “Mrizi i zanave” (1913, 1924, 1941), “Lahuta e Malcis” (1941) etj. Fishta u shfaq po aq i suksesshëm dhe i fuqishëm si prozator.
Për katër dekada shkroi dhe botoi shkrime me analiza e polemika të natyrës politike, kulturore, arsimore etj. Fishta zhvilloi sfidën e madhe të trajtimit dhe të çështjeve të estetikës, filozofisë së artit dhe sprovoi kritikën letrare. Është dekoruar me Urdhërin “Nderi i Kombit”.