Ky libër bibliografik jep të dhëna të sakta të punimeve shkencore të botuara në revistat „Albanologjia“ dhe „Filologjia“, të cilat i boton Universiteti i Tetovës. Botimi i këtij libri paraqet një përpjekje të autorëve për të përmbledhur në një vend të gjithë aktivitetin shkencor, përkatësisht botimet shkencore të Universitetit të Tetovës në fushën e albanologjisë dhe të filologjisë për periudhën kohore 2007 – 2024.
Nëpërmjet këtij libri, autorët, prof. Berton Sulejmani dhe prof. Dëfrim Saliu, dëshirojnë që të dokumentojnë dhe të paraqesin të gjitha punimet shkencore të studiuesve, të cilët, punimet e tyre i kanë prezantuar ndër vite gjatë zhvillimit të punimeve të Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë dhe konferencës shkencore të Fakultetit Filologjik dhe më pas, të njëjtat, i kanë dërguar dhe janë botuar në revistat në fjalë.
Lexuesit mund të njihen me zhvillimet dhe botimet e punimeve shkencore nga fusha e albanologjisë dhe e filologjisë të botuara dhe të organizuara nga Universiteti i Tetovës, nga Fakulteti Filologjik si dhe impaktin e tyre në shkencat humane në Maqedoninë e Veriut, në rajon dhe me gjerë.
Përndryshe, që të dy revistat, tanimë, janë të indeksuara në shumë platforma ndërkombëtare, si: EBSCO, CEEOL, CROSSREF, ERIHPLUS, Google Scholar, IndexCopernicus International, ISI Impact Factor (IIF) = 0.0346, MLA International Bibliography.
Autorët e librit, B. Sulejmani dhe D. Saliu, janë të bindur se botimi i këtij libri bibliografik, në të cilin i kanë përfshirë titujt dhe autorët e të gjitha punimeve shkencore të cilat janë botuar në revistat „Albanologjia“ dhe „Filologjia“ do të jenë i një rëndësie të madhe për disa arsye, si: do të lehtësojë kërkimin, pra do ta bëjë më të lehtë punën për studiuesit që të gjejnë dhe të konsultojnë punime të ngjashme a të përafërta me kërkimin e tyre shkencor; do të rritë transparencën, pra do të ndihmojë për verifikimin e fakteve dhe të dhënave shkencore të paraqitura në punimet veç më të botuara; do të ndihmojë në shmangien e plagjiaturës, pra do të ndihmojë për identifikimin dhe njohjen e burimeve origjinale, duke reduktuar rrezikun e plagjiaturës; do të sigurojë bazë të të dhënave në mënyrë të sistemuar, pra krijimi e një bibliografie të punimeve shkencore për revistat në fjalë paraqet një arkivë të organizuar e cila mund të përdoret për referenca dhe për analiza të ardhshme bibliometrike.
Fakulteti Filologjik ndër vite ka botuar edhe këto revista, si: ,,Glosa” (1995) (kryeredaktor, Qemal Murati); ,,Cogito” (2007) (kryeredaktore: dr. Luljeta Isaku).
Këto revista, pra “Glosa” dhe “Cogito”, nuk botohen më, por autorët, në librin e tyre bibliografik, i kanë përfshirë edhe punimet e botuara në këto dy revista. Numri total i të gjitha punimeve të botuara në revistat: “Filologjia”, “Albanologjia”, “Glosa” dhe “Cogito”, është 1406.