Prof. Xhelal Zejneli – Kuvendi i Lezhës apo Lidhja Shqiptare e vitit 1444 nënkupton bashkimin e parë politiko-ushtarak mbarëshqiptar, i njohur në historinë e Shqipërisë. U krijua me vendimin e Kuvendit që u mbajt në qytetin e Lezhës më 2 mars 1444. Kuvendi u thirr me nismën e Gjergj Kastriotit (1405-1468). Në Kuvendin e Lezhës morën pjesë princa të shquar shqiptarë. Midis tyre ishin Gjergj Arianiti, Andrea Topia, Nikollë Pal Dukagjini, Teodor Muzaka i Riu dhe pjesëtarë të tjerë të kësaj familjeje, Lekë Zaharia, Lekë Dushmani, Gjergj Stres Balsha, Pjetër Spani si dhe përfaqësues të malësive shqiptare. Në Kuvend mori pjesë edhe sundimtari i Malit të Zi Stefan Cernojeviqi.
Kuvendi i Lezhës njihet në histori edhe si Besëlidhja e Lezhës.
Lidhja e Lezhës u krijua me vullnetin e sundimtarëve të vendit, të cilët, duke nxjerrë mësim nga përvoja e së kaluarës, përpara rrezikut që u kërcënohej nga pushtimi osman, lanë mënjanë divergjencat dhe vendosën bashkimin e forcave politiko-ushtarake dhe ekonomike të vendit.
Për këtë qëllim, Lidhja e Lezhës mori masa për krijimin e një ushtrie të përbashkët dhe të një arke lufte, si organe të veta.
Lidhja e Lezhës e shpalli Gjergj Kastriotin kryetar të saj, me titullin “kapedan i përgjithshëm” dhe komandant epror të ushtrisë.
Ushtria do të përbëhej prej reparteve të rekrutuara në zotërimet e çdo anëtari të Lidhjes së Lezhës të cilët do të mbanin komandën e këtyre reparteve dhe do të jepnin një kontribut në të holla për mbajtjen e ushtrisë.
Si në arkën e luftës, ashtu edhe në ushtri, principata e Kastriotëve e jepte kontributin më të madh. Në Lidhje e Lezhës, secili prej pjesëmarrësve e ruante autonominë politike të vet.
Gjergj Kastrioti si kryetar i Lidhjes, nuk kishte të drejtë të ndërhynte në zotërimet e sundimtarëve të tjerë. Megjithëkëtë, caktimi i një udhëheqësi politik dhe ushtarak unik ishte një hap i rëndësishëm që ndihmonte për kapërcimin e përçarjeve feudale.
Mjetet e bashkuara të Lidhjes së Lezhës si dhe komanda unike krijuan kushte më të mira për organizimin e mbrojtjes së vendit. Konsolidimi i Lidhjes së Lezhës, falë edhe mbështetjes së fuqishme të popullit, i dha Gjergj Kastriotit, si udhëheqës i saj, mundësinë që t’u bënte ballë me sukses situatave të vështira të një lufte të gjatë, e cila, nganjëherë u zhvillua në dy fronte, kundër osmanëve dhe kundër Venedikut, si dhe në kushtet e shkëputjes së disa anëtarëve prej Lidhjes së Lezhës.
* * *
Pjesëmarrësit e Kuvendit të Lezhës
Andrea Topia është i familjes së Topiajve. Topiajt ishin një prej familjeve më të fuqishme feudale shqiptare në mesjetë. Në gjysmën e dytë të shekullit XIV dhe në fillim të shekullit XV krijuan në Shqipërinë e mesme principatë të pavarur.
Gjergj Arianiti (? – rreth viti 1463) është një prej figurave historike kryesore të shekullit XV, pjesëmarrës dhe udhëheqës në luftën kundër pushtimit osman. Fushë e veprimtarive luftarake ishin zotërimet e tij në viset malore të Shqipërisë qendrore dhe juglindore dhe zonat gjatë luginës së lumit Shkumbin. Prej viti 1444 u lidh me luftën e udhëhequr nga Gjergj Kastrioti dhe mori pjesë në Kuvendin e Lezhës dhe në të gjitha betejat e para kundër osmanëve, deri në vitin 1450. Ndonëse aleat i Gjergj Kastriotit dhe u bë vjehërr i tij, Gjergj Arianiti e konsideronte veten si zot të pavarur. Pasardhësit e tij ikën në mërgim ku vijuan të luajnë një rol politik në oborret perëndimore.
Gjergj Stres Balsha vjen nga familja e Balshajve. Është një familje feudale e Shqipërisë së veriut. Në vitet 1360-1421 kjo familje sundoi në principatën e Shkodrës. Pinjollët e fundit të Balshajve në mesin e shekullit XV njihen si zotërues feudalë në Shqipërinë e mesme bregdetare dhe si bashkëluftëtarë të Gjergj Kastriotit.
Lekë Dushmani ishte pinjoll i familjes feudale të Dushmanëve. Zotërimet e kësaj familjeje shtriheshin në Pultin e Vogël të krahinës së Shllakut. Lekë Dushmani mori pjesë në Kuvendin e Lezhës (1444) dhe qëndroi për një kohë të caktuar si anëtar i Lidhjes Shqiptare që u themelua atje. U largua prej Lidhjes kur ajo në vitet 1447-1448 hyri në luftë kundër Venedikut.
Lekë Zaharia (? – 1445) ishte bashkëluftëtar i Gjergj Kastriotit, pjesëmarrës në Kuvendin e Lezhës dhe anëtar i Lidhjes Shqiptare që doli nga ky Kuvend. U vra në vitin 1445 nga rivali i tij Nikollë Dukagjini. Duke qenë se nuk kishte trashëgimtar, pas vrasjes së tij u shtrua çështja e trashëgimisë së zotërimeve të tij dhe të qytetit të Dejës që ishte një qendër doganore e rëndësishme. Venediku, duke e bërë për vete nënën e të vrarit, u përgatit për ta vënë në dorë qytetin. Gjergj Kastrioti dërgoi pranë saj bashkëpunëtorin e vet të ngushtë dhe besnik, njërin prej komandantëve më të shquar të ushtrisë së tij, Vrana Kontin (1389-1458) për ta bindur që ta vinte Dejën në mbrojtje të Lidhjes Shqiptare të Lezhës. Pushtimi i qytetit nga Venediku dhe lajmet diskredituese që kishin përhapur ata se gjoja Gjergj Kastrioti kishte gisht në vrasjen e Lekë Zaharisë, u bënë shkak për shpërthimin e luftës që ndërmori Lidhja e Lezhës kundër sundimit të Venedikut mbi qytetet shqiptare.
Nikollë Pal Dukagjini vjen nga familja sunduese feudale e shekujve XIV-XV. Zotërimet e saj shtriheshin në Shqipërinë e veriut. Përfaqësues kryesorë të Dukagjinëve në shekullin XV ishin vëllezërit Nikollë dhe Pal Dukagjini dhe i biri i Palit – Lekë Dukagjini. Të dy vëllezërit morën pjesë në Kuvendin e Lezhës (1444). Në vitet 1447-1448, si anëtarë të Lidhjes së Lezhës, morën pjesë në luftën kundër Venedikut, të udhëhequr nga Gjergj Kastrioti. Përforcimi i pushtetit qendror të Gjergj Kastriotit i largoi Dukagjinët prej tij dhe i afroi ata, herë me Venedikun, më 1456 dhe herë me osmanët, më 1457. Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, Lekë Dukagjini u bë një prej figurave udhëheqëse të luftës kundër osmanëve. Me rënien e kështjellave të fundit në vitet 1478-1479, Nikollë dhe Lekë Dukagjini mërguan në Itali. Në vitin 1481, pas vdekjes së sulltan Mehmetit II (1430-1481) u kthyen në Shqipëri për ta vazhduar luftën, ndonëse pa rezultat.
Me emrin e Lekës ndërlidhet Kanuni i Lekë Dukagjinit në të cilin përmblidheshin normat juridike me të cilat rregulloheshin marrëdhëniet në shoqërinë malësore.
Pjetër Spani është pinjoll i familjes feudale të Spanëve. Jetoi në shekullin XV. Ishte zotërues i Pultit në Shqipërinë e veriut. Ishte bashkëkohës i Gjergj Kastriotit. Në fillim të shekullit XV pinjollë të kësaj familjeje ishin pronarë të mëdhenj në rrethin e Shkodrës, në shërbim të Venedikut. Pjetër Spani me katër bijtë e tij mori pjesë në Kuvendin e Lezhës dhe në Lidhjen Shqiptare të Lezhës (1444).
Teodor Muzaka i Riu vjen nga familja e Muzakëve. Është një familje feudale e Shqipërisë së jugut, e shekujve XIII-XV. Në vitin 1389 Teodori II Muzaka, me ushtrinë e vet, përkrah koalicionit të sundimtarëve shqiptarë dhe ballkanas, mori pjesë në Betejën e Kosovës (1389) dhe mbeti i vrarë atje. Gjin Muzaka mori pjesë në Lidhjen e Lezhës dhe qe një prej bashkëluftëtarëve të afërt të Gjergj Kastriotit. I biri i tij, Gjon Muzaka, luftën kundërosmane e vazhdoi edhe pas vdekjes së Gjergj Kastriotit. Pas rënies së kështjellave të fundit të Shqipërisë, Gjon Muzaka mërgoi në Napoli. Në vitin 1510 shkroi atje përkujtesën “Historia dhe gjenealogjia e shtëpisë së Muzakajve”, që paraqet burim të rëndësishëm për historinë e Shqipërisë.
Stefan Cërnojeviqi (Stefan Crnojević / Стефан Црнојевић, ? – 1465) vjen nga familja feudale e Cërnojeviqëve. Është familje me prejardhje shqiptare, më pas e sllavizuar. Zotërimet e saj shtriheshin në Zetë, në fillim midis Budvës dhe Tivarit, për t’u zgjeruar drejt lindjes. Në fillim të viteve ’40 të shekullit XV, në krye të Cërnojeviqëve në Zetë u përforcua pushteti i Stefan Cërnojeviqit, i cili ishte i martuar me të motrën e Skënderbeut, Marën. Duke u ndodhur para sulmeve osmane, ai u lidh me luftën e sundimtarëve shqiptarë, me Gjergj Kastriotin në krye dhe në vitin 1444 mori pjesë së Kuvendin e Lezhës. Këto lidhje vazhduan edhe në kohën e pasardhësit të tij Ivan Cërnojeviqit (Stefan Crnojević / Стефан Црнојевић 1442-1490) i cili ishte i martuar me njërën nga bijat e Gjergj Arianitit.