• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E premte, 9 Maj 2025
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Kosovë

TRAZIRAT NË VERI – SKENAR I BEOGRADIT

Politika është mjeshtri e së mundshmes.

04/06/2023
| Kosovë, Opinione
PROFESOR XHELAL ZEJNELI

PROFESOR XHELAL ZEJNELI


Prof. Xhelal Zejneli – Në mitingun e mbajtur në Beograd më 26 maj 2023, kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiqi, midis tjerash deklaroi: “… Serbia nuk është vend i ambasadorëve… Kujt do t’i vëmë sanksione dhe kujt jo, kjo s’varet prej të huajve. Kjo varte nga ne…”.

Me fjalët: “Serbia nuk është vend i ambasadorëve”, ai aludonte për ambasadorët e vendeve të Pesëshit (Quint) – të ShBA-së, të Mbretërisë së Bashkuar, të Francës, të Gjermanisë dhe të Italisë. Lidhur me qëndrimin arrogant të tij, nga perëndimorët nuk pati kurrfarë reagimi.

Sipas Vuçiqit, Amerika dëshiron ta parandalojë formimin e botës multipolare. Sipas tij, sot e tutje nuk do të kemi botë njëpolare. Ai thotë: “Mund të kemi botë bipolare ose multipolare. Serbisë më tepër do t’i konvenonte një botë multipolare”.

Me këtë qëndrim, ai del haptas kundër ShBA-së dhe rolit udhëheqës të saj në planin global. Është për t’u habitur sesi Uashingtoni nuk reagon!

Më 16 mars 2023, në prag të takimit me Albin Kurtin në Ohër, Vuçiqi iu drejtua publikut në Serbi. Me këtë rast, midis tjerash deklaroi: “… asgjë nuk planifikoj të nënshkruaj…”. Marrëveshjen e Ohrit të datës 18 mars 2023, Vuçiqi nuk e nënshkroi. Për habi, Perëndimi heshti. Një marrëveshje e panënshkruar, s’ka sesi quhet marrëveshje.

Në vijim, ai deklaroi: “…fuqimisht t’i ruajmë vijat tona të kuqe, nga kjo nuk heq dorë”. Ai disa herë ka thënë se vija të kuqe për Beogradin janë: çfarëdo lloj njohjeje formale ose joformale të pavarësisë së Kosovës, si dhe anëtarësimi i saj në Kombet e Bashkuara”. Nga ky qëndrim i tij, del se midis Kosovës dhe Serbisë nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrfarë marrëveshjeje. Për habi, perëndimorët heshtin!

Më 28 maj 2023, në televizionin Pink të Beogradit, Vuçiqi deklaron: “Në Kosovë do të ndodhë diçka që deri më sot nuk e kemi parë”. Pikërisht atë ditë huliganët serbë në veri të Kosovës sulmuan pjesëtarët e KFOR-it. Ndaj kësaj deklarate të tij, perëndimorët nuk reaguan, të paktën publikisht jo.

*   *   *

            Serbët e Kosovës thanë: “Duam asociacion, ndryshe do t’i lëmë institucionet”. Ata u tërhoqën edhe nga katër bashkitë e veriut.

            Qeveria e Kosovës, me pëlqimin e ShBA-së dhe të BE-së, në katër bashkitë e veriut  të Kosovës – në Mitrovicën veriore, në Zveçan, në Leposaviq dhe në Zubin Potok – organizoi zgjedhje të reja vendore të parakohshme. Serbët nuk morën pjesë. Domethënë, i bojkotuan zgjedhjet.

            Lënia e institucioneve të Kosovës dhe mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore të prillit u planifikua në Beograd. Me fjalë të tjera, pas skenarit të sipërthënë qëndronte Beogradi dhe Vuçiqi. Para këtij skenari destruktiv, perëndimorët i mbyllën sytë, pra heshtën.

            Pasuan të ashtuquajturat protesta të serbëve në veri. Këto s’ishin protesta. Ishin trazira violente, të dhunshme në krye të të cilave qëndronin huliganët, banditët, kriminelët dhe ekstremistët serbo-rusë. Gjatë këtyre trazirave u lënduan dhe u plagosën pjesëtarë të policisë së Kosovës, pjesëtarë të KFOR-it si dhe gazetarë të Kosovës dhe të Shqipërisë. U dogjën dhe u dëmtuan edhe disa vetura të policisë kosovare dhe të gazetarëve shqiptarë. Para sulmeve barbare të hordhive të sipërthëna, perëndimorët heshtën apo reaguan me gjysmë zëri.

Falangat e Vuçiqit, të ndihmuara nga mercenarët rusë, lënduan dhe plagosën 30 pjesëtarë të KFOR-it. Prej tyre, 19 pjesëtarë të kontingjentit hungarez, ndërsa 11 sish, të kontingjentit italian. Edhe para kësaj drame tragjike, perëndimorët heshtën, apo reaguan me gjysmë zëri! E tmerrshme.

            Përkundër sulmeve barbare ndaj trupave të KFOR-it, liderët perëndimorë rendën të takohen me Vuçiqin – organizuesin kryesor të skenarëve makabër. Në vend që ta izolonin, ata e pranuan!

            Në ndërtesën e bashkisë së Zveçanit, ish-bashkiaku serbo-çetnik e kishte varur fotografinë e Vladimir Putinit. Perëndimorët u hoqën sikur s’panë gjë!

            Në ndërtesat e katër bashkive të veriut, krye-bashkiakët çetnikë të Vuçiqit i kishin varur flamujt e Serbisë, ndërkaq flamujt e Republikës së Kosovës nuk dukeshin kund. Vallë, kështu qeveriset pushteti vendor?! Perëndimorët, askund të reagojnë!

            Në pikëpamje formale juridike, krye-bashkiakët e veriut ishin dhe janë pjesë e sistemit politik dhe juridik të Republikës së Kosovës. Megjithëkëtë, ata vepronin si pushtet paralel ose më saktë si dorë e zgjatur e Beogradit dhe e Vuçiqit.

            Uashingtoni, Berlini, Parisi dhe Londra e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe sovranitetin e saj – në kufijtë ekzistues. Si të tillë, pavarësinë e saj e kanë njohur 116 shtete të botës.

            Sistemi politik dhe juridik i Kosovës së pavarur, demokratike dhe sovrane është ndërtuar në saje të pakos së Ahtisarit (Martti Oiva Kalevi Ahtisaari, i lindur në Vyborg të Rusisë më 1937; ish-kryetar i Finlandës, laureat i çmimit “Nobel” për paqe).

Atëbotë, s’filtej dot për kurrfarë asociacioni. Trashëgues të shtetësisë dhe mbartës të shtetësisë në Kosovë janë shqiptarët. Minoritet ndërkaq, i gëzojnë të gjitha të drejtat, të parashikuara me kushtetutë dhe me ligje.

            Ideja për formimin e asociacionit lindi më vonë me ngulmimin e Moskës, të Sergej Lavrovit dhe të birit politik të tij – Putinit.

Nuk duhet harruar se që nga vendosja e pushtetit paralel, serbët kanë dëbuar nga veriu i Kosovës 12.000 shqiptarë.

Përse asociacion, kur 3-4 për qind e serbëve të Kosovës i gëzojnë të gjitha të drejtat, si asnjë minoritet në BE:

– Serbishtja është gjuhë zyrtare në tërë territorin e Kosovës;

– Bashkitë në të cilat janë shumicë, qeverisen prej tyre;

– Në Kuvendin e Kosovës, kanë të garantuar numër të caktuar deputetësh;

– Në organin ekzekutiv të Kosovës, kanë të garantuar dikaster ministror;

– E kanë të garantuar shkollimin në gjuhën amtare, që nga arsimi fillor deri në atë universitar;

– Kanë të drejtë t’i kultivojnë dhe t’i afirmojnë vlerat kulturore si dhe traditat e veta;

– Sipas ligjeve të Kosovës, kanë të drejtë ta përdorin edhe flamurin e vet;

– Kanë të drejtë të ushtrojnë veprimtari ekonomike, etj.

*   *   *

Kosova është shtet demokratik dhe synon integrimin në organizmat euroatlantikë. Kjo paraqet përparësi për të gjithë qytetarët e saj, përfshi edhe pakicën serbe.

*   *   *

Trazirat në Kosovë që shpërthyen më 26 maj të vitit në vazhdim, u organizuan në Beograd dhe në Moskë. Në krye të këtij skenari qëndronte kryetari Serbisë – Aleksandar Vuçiqi, i mbështetur fuqimisht nga Sergej Lavrovi dhe nga Vladimir Putini. Kremlini është i interesuar të ketë në Ballkan, jo trazira, por luftë, luftë si ajo në Ukrainë.

Serbët e Kosovës janë të instrumentalizuar nga Beogradi dhe nga Vuçiqi, i cili është peng, edhe i Kremlinit edhe i Kishës Ortodokse – fashiste – Serbe.

Ka që pyesin: Kush duhet të mbajë përgjegjësi për ngjarjet e ditëve të fundit në veri të Kosovës?! Kjo të përkujton rrëfimin mbi ujkun dhe qengjin. Qengjit që ndodhej poshtë tij, ujku i thoshte: Mos ma turbullo ujin.

I dobësuar në Serbi, Vuçiqit i nevojiten skenarë të këtillë. Si Sllobodan Millosheviqi dikur, ai luan në letrën nacionaliste dhe ndjek politikë populiste.

Sikundër shihet nga sa më sipër, në një anë e kemi:

– Qeverinë e Kosovës e cila synon të ruajë rendin dhe ligjshmërinë, kurse në anën tjetër kemi

– Beogradin, Vuçiqin, politikën destruktive, hegjemoniste, ekspansioniste, luftënxitëse, pushtuese, retrograde, anakronike, klerofashiste, çetnike, serbomadhe; në këtë anë bëjnë pjesë edhe

– Moska, Lavrovi dhe Putini.

Në këtë mes, kush është fajtor, kush duhet të mbajë përgjegjësi, kush duhet të ndëshkohet?!

Nuk zgjidhet “problemi” duke e ledhatuar Serbinë, duke e përkëdhelur atë, duke investuar në të miliarda euro dhe dollarë. Që nga fillimi i viteve ’90 të qindvjeçarit XX deri më sot, Serbia ndjek politikë ekspansioniste dhe destabilizuese. Ajo ka ngecur në kohën e “Naçertanies” (1844) së Ilija Garashaninit (1812-1874). Politika e Vuçiqit, e bazuar në ideologjinë serbomadhe dhe në atë që sot e quajnë Bota serbe, prodhon dhe shkakton kriza, jo vetëm në Kosovë por në mbarë rajonin – në Mal të Zi, në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Kroaci, pa lënë mënjanë edhe Maqedoninë.

Përbrenda kemi një Serbi të udhëhequr nga një politikë tiranike, diktatoriale, autoritare, autokratike, despotike, totalitare, radikale. Kemi një Serbi ku grupet etnike, përfshi edhe shqiptarët e Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) i janë nënshtruar një gjenocidi të heshtur. Kemi një Serbi jodemokratike me akademikë dhe me shkrimtarë, të cilët sot e gjithë ditën jetojnë me ëndrrat romantike të shekullit XIX.

Për trazirat e bandave kriminale serbo-ruse në veri të Kosovës, Uashingtoni dhe Parisi rendën t’i bien në qafë palës kosovare, ndonëse e dinë fort mirë se kush është agresori dhe kush  viktima.

Vuçiqi e ngre gatishmërinë luftarake të ushtrisë serbe në shkallën më të lartë dhe e sjell atë mu pranë kufijve të Kosovës. Ai e di mirë se ushtria serbe nuk mund ta kalojë kufirin e Kosovës për arsye se aty janë të sistemuara forcat paqeruajtëse të KFOR-it. Po atëherë, përse Vuçiqi demonstron dhe kanoset me forcë?! Me këtë dëshiron t’ia bëjë me dije Uashingtonit dhe Brukselit: “Po të mos jetë KFOR-i, unë hyjë në veri sakaq dhe s’ka se kush më ndal”. Në këtë mes, Beogradi e ka edhe mbështetjen e Putinit.

*   *   *

Përkundër rrethanave të tilla, BE-ja dhe Uashingtoni reagojnë me gjysmë zëri dhe e përsërisin klishenë: “Ulni tensionet dhe rikthehuni dialogut”.   

            Dialogu do të mundë të jetë i suksesshëm dhe efektiv vetëm kur të pushojë përkëdhelja e Serbisë dhe e Vuçiqit nga Uashingtoni, Parisi dhe Berlini.

            Për trazirat e ditëve të fundit në veri, Uashingtoni dhe Parisi fajësuan palën kosovare. Të njëjtën e bëri edhe Moska. Nga kjo rezulton se edhe ShBA-ja me BE-në edhe Moska, mbajnë anën e Serbisë. Çfarë paradoksi?! Aty ku është Moska, si mund të jenë edhe perëndimorët?! Kosova përçon interesin perëndimor në Ballkan, Serbia ndërkaq është përçuese e interesit rus në rajon.

*   *   *

            Amerika dhe fuqitë evropiane duan ta nxjerrin Serbinë nga zona ruse e ndikimit dhe nga sfera ruse e interesit. Por kjo ka një çmim, e ky çmim është formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Me fjalë të tjera, ShBA-ja Kosovën e ka me vete, tani synon ta bëjë për vete edhe Serbinë. Nxjerrja e Serbisë nga kthetrat e ariut rus do të kishte qenë një punë e mirë për rajonin, por çmimin për këtë nuk mund ta paguajë Kosova.

            Fuqitë e Mëdha të Perëndimit duhet ta dinë se nuk janë duke e mbështetur një Serbi demokratike, por një Serbi millosheviqiane. Madje një Serbi demokratike nuk ekziston. “Problemi” ka zgjidhje: të përjashtohet Serbia nga Këshilli i Evropës; të pezullohen në Serbi investimet perëndimore; t’i mbyllet Serbisë perspektiva e integrimit në BE; t’i mbyllen Vuçiqit dyert e kancelarive perëndimore. Në anën tjetër, Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës, në BE dhe në NATO.

*   *   *

            Politika është mjeshtri e së mundshmes. Ti mund të kesh të drejtë për diçka, por nëse s’ke forcë për ta realizuar të drejtën tënde, atëherë ti nuk do t’ia dalësh. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk duhet të ndërmarrë asnjë veprim pa pëlqimin e SHBA-as. S’ka Kosovë pa Amerikën!


Publikimi i mëparshëm

Më 2 qershor 1880 lindi Parashqevi Qiriazi

Publikimi i radhës

Në Qendrën për Kulturë të RMV-së në Stamboll u përmbyll me sukses performanca artistike “Sinestezia”

Publikimi i radhës

Në Qendrën për Kulturë të RMV-së në Stamboll u përmbyll me sukses performanca artistike “Sinestezia”

JuSm
KoBo
Emetimi

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

10. 6. 2023 | Në Tetovë u mbajt Edicioni X i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:59

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON"

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin VII të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:38

MANIFESTIMI LETRAR ''SHTIGJE POETIKE'' – EDICIONI II

00:01:13

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!
No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2024 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.