Në Shkup u mbajt akademi mirënjohje kushtuar Kryetarit të parë të Lëvizjes Popullore të Kosovës Fazli Veliu “Daja”. Pjesëmarrësit në mbledhjen konsultative të LPK-së në Kollarë të Kërçovës më 23 dhe 24 prill, përkujtuan mbledhjen, lëvizjet për lirim dhe çlirim, vendimet e hartuara, veprimtarinë dhe rolin kyç i cili ka pasur jo vetëm Fazli Veliu, por të gjithë anëtarët tjerë gjatë tri dekadave të fundit për t’i vendosur themelet për themelimin e UÇK-së dhe epokën e re për popullin shqiptarë.
“Në shërbim të LPK – së ai vuri në dispozicion autoritetin e tij, përgatitjen profesionale të profesorit, dijen, moshën, vullnetin që kurrë nuk i mungoi, gjithë kohën e mundshme që kishte në dispozicion. Ai kishte një besim të patundur në fitore dhe në shokët me të cilët punoi ngushtë. Ishte dhe mbetet figurë përbashkuese rreth punës, luftës së armatosur, çlirimit kombëtar dje dhe sot dhe sot e gjithmonë rreth idesë së ribashkimit kombëtar.”, tha Emrush Xhemajli.
“Një nga arsyet e qëndrueshmërisë së LPK – së ka qenë mbajtja e mbledhjeve konsultative dhe të përgjithshme në periudha që i përshkruan statuti pavarësisht se rrethanat ishin të vështira për shkak të okupimit, kjo formë e punës ishte e nevojshme për rritjen e veprimtarisë dhe për unitetin e organizatës, kështu u veprua edhe në vitin 1993 në kohën kur po ndërtoheshin pa zhurmë mekanizmat ushtarake që më vonë u strukturuan dhe u emëruan UÇK”, theksoi Gafur Elshani.
“Pas një rikapitulimi 30 vjeçar të rrugëtimit politik kombëtarë të kësaj gjenerate që sollën ndryshime radikale në jetën politike, shoqërore dhe institucionale të shqiptarëve, do të duhej të krijohej një kulturë e dinjitetshme nderimi dhe respekti ndaj bartësve të këtyre ndryshimeve duke i skalitur ata thellë në memorien kombit. Vetëm në këtë mënyrë mund të shpaguhet detyrimi ynë moral dhe institucional ndaj veprimtarëve tanë kombëtarë”, deklaroi Skender Asani, drejtor i ITKSH-së. Mbledhja e parë konsultative e Kollarës para 30 viteve u drejtua nga Xhavit Haziri dhe Ali Ahmeti.
“Ne nuk do të ishim pa ju, ne jemi vazhdimësia juaj, e juaja bac dhe ne kemi kryer një obligim që Ju e filluat në mënyrën më programatike për të nderuar vazhdimësinë e Kadri Zekës, Jusuf Gërvallës. Fazli Veliu ka qenë ai shpirti i zhuritur se si ne të mos jepemi, por të vazhdojmë deri në përpjekjet e fundit dhe tanimë është koha, është historia ajo që do të na vlerësojë të gjithë atë veprimtari të përbashkët të lëvizjes shqiptare në ish – Jugosllavinë.” U shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
“Ju që e ndërtuat Kalanë e madhe, Këshillin e madh të Lëvizjes, gur pas guri që LPK të jetë gjithë kombëtare, shqiptare me ndikimin që e ka jo vetëm në hapësirën e Kosovës, por me ndikim deri në Montenegro, Çamëri me ndikim Lindje- Perëndim, me karakterin po ashtu ndërkombëtar, që arriti të mësojë edhe të frymëzojë edhe popujt të tjerë ballkanas dhe botëror se si bëhet revolucioni dhe si bëhet lufta për liri.” tha Fazli Veliu, kryetar i LPK-së.