• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E mërkurë, 22 Mars 2023
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Opinione

Pse dhimbja i bashkon gjithmonë shqiptarët?

Pa mëdyshje mund të thonim, se nuk ka as një popull, që përngjason më shumë me tragjedinë se sa jeta e tyre. Një komb, që është lindur për të jetuar si i tillë, e në të njëjtën kohë, si askush tjetër: të mësojë aq pak prej saj.

06/10/2022
| Opinione, Rajon

Reldar Dedaj – Nëse dikush do na pyesë, një ditë prej ditësh, se cilit komb i përkasim; nuk do ta kishim aq të pamundur për t’i dhënë një përgjigje. Nëse nuk do ta ndjenim veten aq të mërzitur, sa ç’janë shqiptarët, në të gjithë rrjedhën e tyre të historisë. Vargjet e këngës spartane: “Ne jemi ç’ka ti ishe, ne do të jemi ç’ka ti je”, me thjeshtësinë e tyre, janë përmbledhja e himnit që i këndohet çdo mëmëdheu.

Me siguri, më shumë se gëzimi, ajo që na bashkon është dhimbja. Disave kjo u ndodh në fëmijëri, të tjerëve në një moshë të madhe, madje në pleqërinë e thellë. Si gjithë shqetësimet e mëdha, ajo hyn trazueshëm në çdo moshë.

Me pahir jemi të zgjedhur të mbajmë mbi supe një të kaluar të përbashkët; sakrifica, vuajtje, pezme, ndoshta dhe më tepër se të gjitha gëzimet e mbledhura së bashku.

Na kanë zgjedhur ta kujtojmë veten veçse për hidhërime, gjëma të shumta, që na kanë rrokullisur nëpër vite deri në ditët e sotme.

Ndoshta, kjo ka ndodhur, për një arsye tëthjeshtë; shqiptarët në të gjithë historinë e tyre të vetëdijësimit, me zellin më të madh, i kanë kushtuar krejt energjinë e tyre dhimbjes. Nuk ka popull që është dhënë me mish e më shpirt pas elegjisë se sa shqiptarët. Madje as grekërit e lashtë nuk e kanë bërë një gjë të tillë edhe pse tragjeditë më të mëdha mbajnë firmën e tyre. Krejt ndryshe nga fqinjët tanë, tek ne, historia është hepuar disi.

Do të na vinte për hosh të freskoheshim nën hijen e diturisë hipokrite të folklorit. Të ndaleshim diku, ndanë damarit të tij, për të freskuar pak kokën nga rropullisja shekullore e një dyfytyrësie të lashtë. Më pas, të kapnim pore për pore e të shkoqisnim ngadalë anaforën e këngës së Gjergj Elez Alisë apo Vajin e Ajkunës, a ndër të tjera me siguri, vajtojcat e morteve tona.

Pikërisht për këtë, për faktin se pa dyfytyrësinë në të treguarit, nuk do të arrinim të ndërtonim ngadalë një ndërgjegje historike dhe artistike, e cila pas disa hapash nisi ngritjen, ngjalljen e popullit tonë-“hero”. Dhe pikërisht kjo, krijoi heroin e vet: Gjergj Elez Alinë, Skëndërbeun dhe Mic Sokolin!

Megjithatë, kombet fatmirësisht ekzistojnë. Secili kristalizon një mullar gabimesh që i quan vlera, të cilët i kultivon, i drejton, i kombinon dhe në fund; iu jep rrugë e vlefshmëri.

Nga trualli i këtyre gabimeve, qytetari në kohëra, ka ndërtuar individualitetin dhe krenarinë e vetëkuptueshme. Por edhe manipulimin. Sepse ato peshojnë në mënyrë të pandërgjegjshme mbi individin. Pikërisht për këtë, vetë shenjtët, a heronjt kanë një karakter kombëtar. Figurat kombëtare janë krejt të ndryshme nga ato të kombeve të tjera. Ato kanë një veçori të identifikueshme, gjë që na lejon t’iu përcaktojmë një origjinë.

Fati jonë, me sa duket, është ai i të mbështjellit në skoriet e krijimit popullor, por jo vetëm atij edhe i letërsisë së rafinuar, koreografisë, kinematografisë dhe muzikës. E si mund ta tregojmë forcën tonë ndryshe, veçse duke jetuar në mjedisin e kalbësirave të tyre. Por, sot, ekziston një zallahi, që për qytetarin e ditur ngjan krejt me diçka të njohur. Vaje, histori trimash, rrëmbime grash, shkrepje pushkësh, mort, gjakmarrje, kuvende burrash, dasma, varre etj. Me një fjalë, pas çdo hallke jete, në çdo çelje, kemi një kundërshti të tipit, lindje-vdekje, dasëm-mort, i lirë – i mbyllur.

Me siguri, ndokush mund të mendojë se ky është çmimi i madh i tragjedisë së vjetër. E për më tepër, që i shkon shumë për shtat shqiptarëve. Pa mëdyshje mund të thonim, se nuk ka as një popull, që përngjason më shumë me tragjedinë se sa jeta e tyre. Një komb, që është lindur për të jetuar si i tillë, e në të njëjtën kohë, si askush tjetër: të mësojë aq pak prej saj.

Akrepat e orës në të kundërt, po bjerrin kohën historike, por ende jo mërzitjen. Atë mërzitje patologjike që po na shoqëron si hije trupi në çdo rrugëtim. Bubullimat, më në fund, po fillojnë të shfaqen nën qiellin e rrokshëm nga ne. Neurozat po ndjeknin njëra-tjetrën. Që dukej se po na shkrepeshin mbi kokë, si një ortek nga Alpet e Shqipërisë.

Prej kohësh, diku në kthinat e shtëpive, në odat e kullave kur shkonim me pushime verës, apo në ndonjë lokal mes miqsh të vjetër, që krejt rastësisht, pa pritur dhe pa kujtuar, lindin ca pjesëza historie që të mbërthejnë fort e ta qarkojnë trupin me vargonj joshës e njëkohësisht epik, besojmë se cilitdo nga ne, i është dhënë rasti për të dëgjuar kësi soj historizash; me trima, prita natën, kaçakëmalesh, rrëmbime nusesh, dhe vaje mortesh. Çuditërisht, ne shqiptarët, jemi rritur me dumen e tyre.

Sa bukuri është sot kur dëgjon për gjëra tëngjashme, njeriu, hap e mbyll sytë, nis e kupton se koha psikike s’ka kurrëfarë lidhje me kohën fizike, kjo e dyta ikën e s’le gjurmë fare tek ai, ndërsa e para, sado ecin vitet, të krijon përshtypjen se ngjarja ndodhi në çast.

Kjo se prish aspak rendin e gjërave, siç ujëgërryen dhe i jep formë dalëngadalë shkëmbit, ashtu edhe dhimbja ka lënë shenjnën e forcës sësaj në shpirtin e kombit.

Hyjnia e shqiptarëve nuk është lumturia dhe as shija. Kjo e fundit ndoshta mund të jetë e francezëve. Megjithatë tek ne, nuk gjendet as njëra as tjetra. Ndoshta për shqiptarët e shenjtë ka qenë dhe vazhdon të mbetët; e përjetshmja. Pak a shumë, të lënit emër pas. Shqiptarët e kanë jetuar jetën jo për veten, por për të tjerët. E ku ka më mirë për ta kuptuar këtë sesa në malet e Shqipërisë. Aty ku realiteti qysh prej kohërash të largëta vazhdon e kallëzohet ende si legjendë.

Kur një kulturë gremiset në dekadencën e vet? Atëherë kur kultura e një kombi e mbyt pa u ndrojtur motivimin e individit. Rrallë ekzistojnë kombe si i joni që investojnë vazhdimisht, krejtësisht pa u lëkundur, në një ide të tillë. Me t’u zgjuar ankthi patologjik, qytetari i thjeshtë ka rënë kokë e këmbë në grahmat e pesimizmit dhe ndoshta në shkatërrimin personal të vetes. Shqiptarët do ta meritonin përbuzjen, nëse nuk do ta ndjenin mërzitjen patologjike që i ka shoqëruar kahmotshëm në për të gjithë rrjedhën e tyre historike. E megjithatë ata nuk kanë pasur as mendimin dhe as kurajon për ta luftuar një gjendje të tillë.

Gjithmonë na ka shqetësuar miti i krijuar mbi figurat kombëtare si faqe të bardha, të mbushura plot me ideale për atdheun, pa të meta, ku vetëm një motiv kishin në jetë: atë të Shqipërisë së lirë dhe të begatë.

Çfarë dokrrash me okë u mësojnë brezave në shkolla.

Në vend që t’u thuhej se shumë kohë më parë jeta lëvizte shumë ngadalë aq ngadalë sa cubi i maleve, trimi i Jutbinës, Skënderbeu, Mic Sokoli apo ndoshta edhe Lekë Dukagjini i Ben Blushit në një moshë rreth të dyzetave i kishin parë të gjitha. E panjohura nuk ekzistonte. E kishin provuar ndjesinë e të qenit dhëndër, prind, gjysh, krushk i parë, kishin parë lulet e kumbullës të çelnin, barin e pranverës të mbijë. Por jo vetëm kaq, mbi lëkurë kishte prekur ndjesia e vrasjes, gjëmës, ngujimi, frika, kishin dëgjuar këngët e trimave. Dhe në fund, në fund fare ishin dashuruar marrëzisht pas një roli të tillë.

Dhe tani, të gjendur në këtë pikë të jetës së tyre kishin menduar ta mbyllnin gjithçka me një emër të mirë. (Hej, si filani o burra) Kinse që të dorëzoheshin para gjakësit që t’i vrisnin, për të shpëtuar nga gjakmarrja djemtë e tyre. Por siç dihet në ato anë drejtësia pillte veçse një vrasje tjetër. E kështu me radhë. Në këtë ngjarje nuk ndihet aspak trimëria, ajo trimëri që përpara katastrofës që i kanosej duhej të kishte vluar si askurrë nga pasionet, ankthet, parandjenjat, pritshmëritë etj, etj, materie kjo e mrekullueshme për krijues të tillë. Por thellë, nën katakombet e kthjellës së tyre të ndërgjegjes rrinte strukur, si një bishë e tërbuar dëshira për të marrë një rol të madh, ndoshta rolin e fundit dhe më të vështirin në jetë; atë të vdekjes. Kishin dëgjuar nga rapsodë të ndryshëm që luanin me lahutë a çifteli, se të tillë vdekje kanë zgjedhur vetëm heronjtë e legjendave epike, që askush nuk e dinte se nga kishin lindur. E mes këtij ansambli, krejt ftohtë, në skenën e madhe të jetës ata kishin zgjedhur vetë, jo pa dëshirë,rolin e tyre.

Aty, tek ajo skenë, tek ai tabor i qarkuar me një fjongo të zezë, u bë e ditur, se jo e qara e drejtpërdrejtë e nënës, a motrës, por truku i saj, jo dhembja e thellë e shpirtit, por ajo e gdhendur artificialisht, pra vënia e kujës, futja në skenë e vajtojcave, mund të quhet pjella e parë e dyfytyrësisë, pak a shumë një gjendje primitive e artit, që në radhë të parë ishte në interes të të gjithëve.

Kështu që aty, tek shkrepja e armës në pritë, tek gropa e varrit lindi një nga ligjet universale të dhimbjes së shndërruar në art – distancimi nga jeta, nga pulsimi i gjakut, nga vetvetja, me një fjalë, heqja dorë nga një e vërtetë e pranguar, nga një liri e rrokshme, në emër të një burgosje mjaft të vështirë: kujtimit të përmotshëm. Liberale.al


Publikimi i mëparshëm

Ismail dhe Helena Kadare reagojnë për fituesen e Nobelit të Letërsisë

Publikimi i radhës

Universiteti i Tetovës dhe Byroja për zhvillim rajonal nënshkruan kontratë bashkëpunimi

Publikimi i radhës

Universiteti i Tetovës dhe Byroja për zhvillim rajonal nënshkruan kontratë bashkëpunimi

Emetimi

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin VII të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:38

MANIFESTIMI LETRAR ''SHTIGJE POETIKE'' – EDICIONI II

00:01:13

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2022 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2022 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!