Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Vullnet Ahmeti i shoqëruar edhe nga kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, prorektorë, dekanë fakultetesh, profesorë dhe student ka vendosur sot kurora lulesh mbi varrin e Erdan Ramadanit – studentit të Fakultetit Filozofik I UT-së i cili humbi jetën tragjikisht në ujërat e lumit Vardar.
Rektori i UT-së ka theksuar se po përjetojnë dhimbje të madhe sikurse familja Ramadani për humbjen e jetës së djalit të tyre, Erdan Ramadanit, studentit tonë shembullor.
Ai po ashtu ka deklaruar se Erdanin do ta kujtojnë përgjithmonë për edukatën, përkushtimin për arsim, altruizmin për të mirën e përgjithshme dhe angazhimin e tij në aktivitete dhe veprimtarinë arsimore-shkencore të Universitetit të Tetovës.
Trupi i pajetë i Erdan Ramadanit u gjet dje, gjashtë ditë pas aksidentit. Ekipet e ndërhyrjes dhe vullnetarët e lokalizuan trupin e tij, brenda ujërave të lumit Vardar në kilometrin e tretë nga vendi i aksidentit, përkatësisht në afërsi të kazermës së Tetovës.