Ismajl Syla
1.
Librin e autorit Peter Pomerantsev “Asgjë s’është e re dhe çdo gjë është e mundur” (Aventurë sureale në zemër të Rusisë së re) e lexova në fillim të vitit 2021, në kohën kur pandemia e covid-19 ende ishte aktive. Autori me origjinë nga Ukraina, pjellë e martesës së përzier, me baba britanik, në librin e tij shpërfaqte anën e frikshme të Rusisë së Putinit. Edhe kur del nga leximi i këtij libri, ende ke në mendje përshtypje, shembuj dhe realitetin e rrezikshëm në të cilin funksionon shoqëria ruse nën aparatin shtetit autokratik.
Ndërkaq librin “Përplasja e madhe ( Si po e lufton Rusia Kosovën dhe Ballkanin) të ish – ministrit të Jashtëm të Kosovës, historianit dhe profesorit të shkencave politike, Enver Hoxhaj, sapo e përfundova, në kohën kur lufta e Rusisë kundër Ukrainës, pas 10 ditësh, më 24 qershor mbush katër muaj. Derisa libri i gazetarit me origjinë hibride ende të mban nën ethe të natyrës së egër të Rusisë së Putinit, libri i Hoxhajt e sensibilizon edhe më shumë vetëdijën për rrezikun rus që kërcënon Kosovën në rajonin tonë, aktualisht me peshë periferike, por me tendencë për eskalim .
2.
Libri “Përplasja e madhe” është tekst i ndërtuar mbi fjali teza, një ese e zgjeruar ku prapa gjuhës së diskursit publicistik qëndron një literaturë e tërë pa ngarkesë fusnotash. Autori kombinon me sens mase historinë diplomatike, ngjarjet kryesore ku involvimi rus është aktiv, përvojën personale si kryesues i diplomacisë së re të Kosovës në vitet e themelimit dhe forcimit të bazave të shtetit të Kosovës.
3.
Libri “Përplasja e madhe” vë në pah natyrën e funksionimit të politikës së Rusisë, e cila edhe kur bazën ekonomoke materiale e ka të dobët, fuqinë diplomatike e përdor maksimalisht, si fuqi ushtarake dhe anëtare e Këshilit të Sigurimit të OKB -së me të drejtë të vetos. Autori vë në spikamë tërë sabotimet, bllokimet dhe luftën e hapur të Moskës kundër Kosovës, që nga bllokimi për anëtarsim në OKB, bllokimi për pranim në UNECO, detyrimi i një sërë shtetesh për çnjohje të pavarësisë së Kosovës, deri te koordinimi në baza ditore me politikën e Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.
4.
Autori vë në pah natyrën autoritare të shtetit rus, vendosmërinë e tij për t’u përballur dhe për ta luftuar botën e demokracisë liberale, si modelin më të suksesshëm dhe më human në nivel global, të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dallimi i këtyre modelve pasqyrohet edhe në raport me Kosovën. Ajo që për Kosovën është liri, demokraci, paqe, pavarësi, për Rusinë është shtetdështim, kaos, dhunë etj. Mjafton të përcillen fjalimet e ambasadorëve rusë në KS të OKB-së, për të parë se edhe grimcat më vogla të ndodhive në Kosovë përpiqen t’i shndërrojnë në fakte kundër Kosovës, gjoja si shtet i rrejshëm, islamik- fundamentalist etj.
Të kujtojmë me këtë rast replikën (që mungon në libër) midis ministrit Hoxhaj dhe ambasadorit rus të ndjerë, Vitalij Çurkin, në margjina të OKB -së ku ai me arrogancë i thotë kryediplomatit të Kosovës se nuk ka të drejtë të mbajë konferencë shtypi në hapësirë të ndërtesës së OKB-së. Ndërrkaq, ministri Hoxhsj i përgjigjet aty për aty, se Kosova ëdhtë fakt që ekziston dhe atë askush nuk mund ta zhbëjë.
5.
Në librin “Përplasja e madhe” autori gjen shenja identiteti midis përpjekjeve të Putnit për ta korrigjuar rënien e Bashkimit Sovjetik dhe për ta kthyer shkëlqimin e Rusisë perandorake nga njëra anë, dhe përpjekjen që Beogradi ta merr rolin e ndikimit në ish Jugosllavinë titiste, për t’i mbrojtur interesat e komunitetit serb kudo që jeton. Këtë ambicie të Serbisë autori e analizon mirë në dritë të luftës në Ukrainë. Nëse Putini dështon turpshëm në Ukrainë, synimet e Beogradit zbehen për të destabilizuar Bosnjën, Kosovën dhe Malin e Zi.
6.
Një analizë e ndjeshme u bëhet edhe marrëdhënieve midis Rusisë dhe Kinës, si dy vende që luftojnë dhe kundërshtojnë politikën globale amerikane. Luhatjet e politikës kineze evidentohen me saktësi. Kina di të mbyllë njërin sy, di të bëhet e verbër, por edhe t’i hapë të dy sytë dhe të krijojë barriera për shtetin e Kosovës.
7.
Në libër kapitull interesant është edhe shfaqja e pandemisë dhe “altruizmi shëndetësor” ruso-kinez. Autori vë në pah egoizmin e kombeve të fuqishme evropiane, që nga njëra anë treguan aftësi sepse secili prej tyre shpiku dhe prodhoi shumë shpejt vaksinën autentike, si rezultat i arritjeve të mëdha të shkrencës dhe teknologjisë, por që reaguan me vonesë ndaj popujve të varfër. Ndaj këtij mosreagimi efikas, politika ruse dhe ajo kineze e ndjekin parimin e relacionit midis ujit dhe terrenit. Aty ku uji nuk ka kanal, rrugën e gjen vetiu, duke mbushur çdo hspësirë.
8.
Lufta hibride, spiunazhi, kundërspiunazhi (specializimi i Putinit për të likuiduar armiqtë e Rusisë) financimi i partive politike, propaganda për fillimin e rënies së botës atlanticiste, demonizimi i sistemit të demokracisë liberale dhe shumë tema tjera janë paraqitur dhe ilustruar bindshëm në librin “Përplasja e madhe”.
Këtu do të hynte edhe raporti i eurodeputetit rus Kosaçev, që shërbeu si pikënisje për raportin famëkeq të eurodeputetit zviceran Dick Martty që etiketon krerët e UÇK-së për trafikim organesh njerëzore. E ndikimi i “fuqisë së mprehtë” (përmes financimit në kulturë, organizata fetare, parti politike në Ballkan , Evropë etj) u pa së fundi edhe në zgjedhjet presidenciale të Francës, ku u vërtetua që ekstremistja Marie Lë Pen kishte marrë kredi nga një bankë ruse.
9.
Një trajtim të veçantë në libër zë edhe procesi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Autori tregon rreziqet për vonesën e arritjes së kësaj marrëveshjeje, për implikimet e politkës serbo- ruse. Në këtë relacion do të ishte interesant vlera semantike e fjalës “krizë” sipas mendësisë kineze. Kriza si rrezik dhe mundësi.
10.
Meqë shkrimin e nisa me titujt e dy librave për Rusinë, do ta mbyll me dy përshtypje mbresëlënëse që do të më mbeten gjatë në mendje. Sa herë shoh protestues rusë në Moskë kundër luftës në Ukrainë, kur i arrestojnë më kujtohet burgu i Moskës dhe qelia famëkeqe nr 38 e përshkruar nga Peter Pomerantsev. Ndërsa nga libri i autorit Enver Hoxhaj do të më mbetet gjatë në mendje përgjegja ironike e ministrit të jashtëm ukrainas, Pavlo Klinkin, për mosnjohjen e Kosovës nga Ukraina. “A nuk po i lexon lajmet?”, me nënkuptimin që Putini po bënte analogji midis Kosovës së pavarur dhe Krimesë së pushtuar, pas vitit 2014. E lëre më kur autori si ministër viziton shtete ose takon diplomatë në të cilët Rusia influencon çdo ditë dhe me narracionin e saj e demonizon Kosovën duke e shpërfytyruar në mënyrë katastrofike.