• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E diel, 2 Prill 2023
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Kulturë

Mbi romanin “Vera pa kthim”

Përtej një realiteti përjashtimisht politik.

16/06/2022
| Kulturë, Rajon

Josif Papagjoni – Jam tejet i vonuar për të thënë një fjalë për romanin e njohur të Besnik Mustafajt “Vera pa kthim”. Por fjala, kur mbi gjuhë vjen vetiu, s’mund të reshtet, as të ngulfatet. Dhe ka një shkak. Një arsye. Një “pse”? Dhe “pse”-ja ime për ta hedhur në letër këtë fjalë ishte dëshira për të diskutuar e thënë diçka ndryshe nga sa është përzgjedhur prej vlerësimeve të dhëna në të mbramen e librit si dhe disa njerëzve të mençur të letrave prej Francës (ku dhe është përkthyer e botuar romani).

“Vera pa kthim, – thuhet aty, – e para prozë onirike në letërsinë shqipe, është një roman për dashurinë e pamundur dhe për besnikërinë e panevojshme, atë lloj besnikërie që shkatërron njeriun, i vret atij njëherësh ëndrrat dhe jetën, duke lënë pas një rrënojë tmerruese, zhgënjimin”.

Nuk mund ta bëj përjashtimisht të padiskutueshëm faktin nëse është e para prozë onirike në letërsinë shqipe apo jo, por, me patjetër, është një prozë ndryshe nga simotrat e saj të mëparshme. Dhe të thuash “ndryshe”, ke thënë mjaft: një lëvdatë që do peshuar mirë.

Një prozë ndryshe jo thjesht për nga struktura romanore, e barabitur në trajtën e një ëndrre; jo thjesht rrëfimi, si në ag zgjimi, kur ëndrra nis e shthuret e vetja të duket mes të besueshmes dhe të pabesueshmes. Qysh në kryeherë, një sy i sprovuar me letërsinë e kësaj tipologjie, e kupton se diçka përtej të njëmendës zhdrivillohet në hullitë e subjektit të romanit. Paçka se rrëfimi ndjek parimin e besnikërisë dhe peripecisë së njëmendtë (si në jetë dhe si e vërtetë), poshtë kësaj ure ti ndjen vërshimin e ujërave të turbullta të një “dyshimi”, të diçkaje “tjetërfarë”, që nis e nënkuptohet në fillim si përfytyrim i thjeshtë, pastaj si ëndërrim, më tutje si hipnozë, për t’u riparë si ankth, si jerm, si gjendje e dyzuar. Ndoshta si një çartje, si një halucinacion. Flitet për një çift të dashuruarish që bëjnë muajin e mjaltit në plazhin e Durrësit: nata e parë, netët e tjera, shtatzënia, ndarja…

Pasuri ngjarjesh s’ka. Shumë a pak, janë si ato që i ngjasin çdo çifti teksa pinë ambrosirën e tyre erotike diku në një buzëdet. Ka veçse përjetim, një dialog si të shthurur, të turbullt, pa kuptime të qarta, që kërcen pupthi sa andej-këndej. Teksa shfleton paksa, e kupton sakaq se aty na paska një “rreng”. Shkrimtari po na “gënjen”. Ka krijuar një tjetër botë, e tjetër lloji, një fantom jete, një dytës… E kuptojmë këtë “hile” që bëma, pra, nuk është e atypëratyshme. Është e ndërmjetësuar. Dhe nis të nuhatësh që shkrimtari e shfrytëzon rrëfimin e “ftohtë” alla kafkian për të besuar tek diçka që s’besohet, duke i futur në “garë” semantike si ndjenjën, ashtu dhe arsyen, njëherazi. Dhe kjo, për të pranuar si një pakt komunikimi me lexuesin karakterin e dyfishtë të informacionit narrativ që vjen nga vepra. Pra, ambiguitetin e gjendjes së personazhit, Sanës, në përjetimet e ndërmjetme që ajo sjell nga dashuria e saj e parë dhe e vetme me Gorin, të cilit nuk e dimë se çfarë i ka ngjarë: ka vdekur (dikur më parë), është vrarë, është burgosur, është larguar diku, ka humbur, ka faruar veten a ç’tjetër më? Mos vallë është thjesht një hije, një fantazmë?! Një kujtim?! Një rikujtim?!

Suspansa që krijohet kësilloji e mban ndezur magmën e romanit dhe ti bie dakord me stilin e të shkruarit duke pritur që në fund, në formë befasie, shkrimtari të zbulojë “pse”-në e gjithë sjelljes, ëndrrës, çartjes, jermit, përjetimit, halucinacionit a ç’tjetër më të Sanës. Atëherë mund të thuhet se së jashtmi romani procedon në mënyrën onirike të rrëfimit, por së brendshmi është tjetërfarë. Ndoshta është një prozë jermi, me nënshtresë tragjike të nënkuptuar. Mënyrë mitologjizimi e një historie, ku e pabesueshmja bëhet e besueshme; rrëfehet si e besueshme. Rrëfyesi dhe e rrëfyera shpështillen me njëra-tjetrën gjithpo brenda përjetimit të Sanës. Dhe të dyja së toku, marrin formën e një halucinacioni.

Por le të rikthehemi te vlerësimi në formë sinteze mbi kapakun e librit, për të diskutuar diçka me të. Po, dashuria e Sanës me Gorin është vërtet një dashuri e pamundur, sikurse përcaktohet. Sepse është fund e krye tragjike, e dhimbshme, aq sa humbja e virgjërisë vashërore (!?) nga dhunimi egërshan. Por ajo, dashuria, ka një tempull sublim, një kishë, ku gjëmon një kambanë, deri në apoteozën e të parës dhe të fundit dashuri: kambana e besnikërisë. Ndaj kjo besnikëri, për mua, s’është aspak e “panevojshme”, që vetëm e “shkatërron njeriun”, sikurse thuhet në vlerësimin shoqërues të mesazhit të romanit. Përkundrazi, ajo, besnikëria, është e krahasuar me të pamundurën, me mitin, me vetë legjendën. Kaq e jashtëzakonshme është. Kaq unikale. E vetmja. E patjetërsueshmja. Mbajtsja e frymës, e jetës vetë. Është ëndrra e bukur në zhgjëndrrën e keqe. Malli i pashuar i Sanës është dashuria kurrënjëherë e pashlyeshme (ndaj Gorit), diç më e madhe dhe e pazakontë madje se ajo e Penelopës për Uliksin mbetur detrave dhe joshur prej dashurive të grave të tjera. Kjo poemë për dashurinë e munguar është pikërisht malli i pashuar, harmonjës, i femrës ndaj mashkullit, i gruas ndaj burrit, i barkut që kërkon frytin e shumëdëshiruar prej një burri, të Vetmit dhe të Askujt tjetri. Vetëm dashuritë e mëdha janë të pazëvendësueshme. Vetëm ato prodhojnë monogamitë gjer në fundjetë dhe përtejjetë. Sepse janë të vetëmjaftueshme.

Mua pikërisht kjo ide sublime, mëshirmadhe, e tretur në këtë histori drithëruese dashurie të Vetme, të Pazëvendësueshme dhe të Pavdekshme më ka rrëmbyer në faqet e romanit sa të dhimbshëm, aq edhe të ashpër të Besnik Mustafajt. Dhe ky tempull besnikërie nuk është vetëm tapia e femrave shqiptare, ose e malave të Ballkanit, që ka gatuar aq mite e legjenda për të. Kjo dashuri jo vetëm që se shkatërron njeriun, sikundër nënvizohet, por ia selit ëndrrën (sepse vetëm ëndrra i ka mbetur); nuk sjell zhgënjimin, sadoqë e mbush shpirtin me dhimbje, tmerr dhe bosh të frikshëm, sadoqë e kthen jetën në një rrënojë tmerruese. Jo. Ajo është gjithashtu aq numinoze, e barabartë me dhimbjen kozmike, prandaj dhe e jashtëzakonshme. Vetëm në prehrin e tragjikes këto dashuri mund të maten veçse me dëshpërimin e skajtë dhe rrënojat e tyre tmerruese. Por, në këtë rast, nuk përftojmë aspak shenjën minus, përkundrazi është shenja plus ajo që na e madhëron shpirtin, na trondit dhe na përlind katarsën e dobishme nëpërmjet tmerrit dhe mëshirës. Dhimbjen për fatin e njeriut. Fatalitetin e qenies. Kjo është bërthama, prej nga romani përthith energjinë e vet psikike. Sana nuk është vetëm “vajza pa vajzëri”, as plaka “pa moshë të mbrame”; është edhe vajza, edhe plaka, me të vetmen dashuri, të madhe, të pamort e të vetëmjaftueshme, sidoqë fatale. Sepse dashuria e saj është dhe do të mbetet një realitet sa i vdekur, aq edhe i gjallë; i kthyer në ëndërr, në kujtim, në dhimbje, në një “Ah!” të madh e të pambarimtë. Ja që vetëm të këtillat janë ato, dashuritë e mëdha. Dashuritë e tërëjetës. Prandaj Sana, paçka se e ka humbur “kohën për të qenë femër”, ka fituar kohën për të qenë njeri. Pasion. Ideal. Mit. Dashuria e saj ishte e pamundur jo nga ajo vetë, as nga i dashuri i saj, por nga fataliteti. Dhe fataliteti gjakun e ngrohtë e kthen në ftohtësinë e trupit të gjarprit, dhimbjen e virgjinitetit dhe ekstazën e saj e shndërron në një ritual, frymën e nxehtë të burrit pranë gushës dhe djersën e epshit të tij mbi trupin e bardhëllemë të femrës e katandis në gjumë, palëvizshmëri, heshtje. E mumifikon.

E njëjta logjikë vlerësimi haset edhe në komplimentet e mëdha që i bëhen romanit nga kritiku francez Maksim Romen në “La Merseillese”, kur thuhet: “Një roman i shkëlqyer, metaforë e një populli që u lidh pas një iluzioni dhe që shpreh absurditetin e të jetuarit për një iluzion”. Ky vlerësim mua më duket një keqkuptim i romanit ose, së paku, pjesërisht i vërtetë, pasi vepra është përnjëmend shumëkuptimore (polisemantike). Është e vërtetë nëse e konvertojmë simbolikisht historinë komuniste diktatoriale të shqiptarëve në besimin tek një utopi dhe në besnikërinë e marrëzishme ndaj saj, çka e shkapërcen vetë përmbajtjen e simbolit në një absurd të pastër. Por mbetem i mendjes se asociacioni nuk është mirëfilli ky. Është përtej një realiteti ngushtësisht shqiptar, qoftë edhe ai i utopisë dhe i iluzionit komunist. Është universal. Pra, romani s’ka pse të mbetet në kornizat aksiologjike të asaj se “çfarë mbetet nga entuziazmi i një populli të lumtur: zhgënjimi”, sikurse shprehet Zhoze Alen Fralon te “Le Monde”. As nuk duhet futur ideja e shkëlqimit të stilit të autorit “ndërmjet politikës dhe fantazisë” (Sonia Zoran te “Le nouveau quotidian”). Edhe këtu, gjithpo vepron arsyeja e konvertimit me pahir të bulbit fatalist, i qasjes universale, të vetë qenies njerëzore, posaçërisht të dashurive të pamundura, tragjike e rrënuese, në një kontekst politik ashiqare të hapur, sikurse ishte periudha e iluzionit, vetëmashtrimit dhe euforisë komuniste shqiptare. Natyrisht, edhe kjo është. Veçse jo kryesorja, ama! Është një tangente, që mendja e lexuesit mund ta heqë dhe kurrëfarë dëmi s’i bën shumëfytyrshmërisë kuptimore të romanit, që me të drejtë nga Fransua Nurisien te gazeta “Le Figaro” çmohet si “roman tronditës”. Metafora mbi besimin dhe besnikërinë e panevojshme ndaj një doktrine a një mënyre jetese, sipas mendimit tim, në roman është thuajse eterike, e brishtë; me zor qëndron në këmbë.

Përcaktimi më i saktë, tejet lakonik, më është dukur ai i Andre Klavel te “L’evenement du Jeudi” kur shkruan: “Duke mpleksur fantastiken ala Buxati me mitet greke dhe legjendat ballkanike, ky roman na jep historinë e një Penelope shqiptare”. Por duhet shtuar, në favor të romanit “Verë pa kthim”, se Penelopa e tij, Sana, e pret Uliksin e vet, Gorin, jo vetëm në jetë e në një shtrat ende të ngrohtë, por edhe në përtejjetë e në prehrin e ftohtë të vdekjes. Prandaj s’ka happy-end. Ka një rokapjekth, ku nga kinse “lirikja” dhe “romantikja” bihet pingulthi mbi dramatiken, tragjiken dhe të tmerrshmen. Kësodore, “epilogu” për mua është një shtesë parazitare që e rikthen rrëfimin e tipologjisë mitologjizuese në një akses rëndomtësie, si ato klishetë e vdekura të qëmotit, kinse për t’i falur subjektit “vërtetësinë” e një realiteti të prekshëm fizikisht: të mundshëm, të provuar, të kuadratuar në një rrethanë historike të përcaktuar qartë. Jo. Unë them, i nderuari Besnik, se ky s’është veçse një haraç lënë padashje stilemave të dikurshme. Rrëfimi i romanit tuaj shkon përtej një kësilloji realiteti të “mundshëm”. Është i pamundur, sepse është një halucinacion, një përfytyrim, një ëndërrim me sy hapur etj. Është i paprekshëm fizikisht, sepse është onirik, trill, fiksion. Është i paprovuar, sepse është mit. Është i pakuadratuar në një rrethanë aksh historike a politike, sepse është një çartje me shëmbëllime jermi. Në mirëkuptim të autorit, meqenëse gjykoj se romani ka për ta tejkaluar harresën dhe konsumin e përditësisë, jam i mendjes që e pangjashmja mos të bëhet lehtësisht e ngjashme (siç është), e padefinuara mos të bëhet thjeshtësisht e kufizuar (në kohë dhe hapësirë), e shumëkuptimshmja mos të bëhet menjëherë e njëkuptimshme dhe tejet e identifikuar (vdekja e Gorit në kampin e Mathauzenit). Mbase, s’do të ishte i nevojshëm ky fund kështu, me një epilog aq të gjatë; parabola e gjithkundshme dhe e gjithhershme e dashurive fatale, që shpien në situata jermi, le të migrojë e lirë, në hapësirat ku trilli, imagjinata dhe fantazia nuk vriten dot si zogjtë, nga “çiftet” e gjahtarëve symprehtë të subjekteve që ngrihen mbi realitete historikisht të identifikueshme. Jo! Flatrat e parabolave që e ngrenë rrëfimin mbi kohërat janë më grishëse për fantazinë tonë. Nuk e di sa Ju, krijuesi i këtij romani të bukur “Vera pa kthim”, do të ishit afër mendjes sime?!…

Botuar, më 11/06/2010 – Gazeta Standard


Publikimi i mëparshëm

KOSOVA NË NATO DHE NË BE – JO KONFLIKT I NGRIRË

Publikimi i radhës

Universiteti i Tetovës dhe Agjencia për promovimin e sipërmarrjes e Republikës së Maqedonisë së Veriut nënshkruan memorandum bashkëpunimi

Publikimi i radhës

Universiteti i Tetovës dhe Agjencia për promovimin e sipërmarrjes e Republikës së Maqedonisë së Veriut nënshkruan memorandum bashkëpunimi

Emetimi

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin VII të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:38

MANIFESTIMI LETRAR ''SHTIGJE POETIKE'' – EDICIONI II

00:01:13

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2022 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2022 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!