Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” – Tetovë, më 10 qershor 2022, në Teqenë “Harabati Baba” –Tetovë e organizoi Edicionin IX me radhë të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”. Kjo veprimtari kulturore u realizua në përkujtim të 144-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (10 qershor 1878 – 10 qershor 2022).
Në shënimin e kësaj ngjarjeje me rëndësi historike, morën pjesë veprimtarë të kulturës, adhurues të artit poetik, të artit figurativ, punonjës të arsimit dhe hulumtues shkencorë.
Kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, Mr. Selam Sulejmani, në fjalën e tij të hapjes së manifestimit u shpreh se bashkë me anëtarët e Shoqatës, angazhohen që agjendën dhe funksionimin e këtij asociacioni ta bazojnë në rregulla, në profesionalizëm si dhe në funksion të afirmimit të kulturës shqiptare. Ai po ashtu shtoi se falë këtyre përcaktimeve, shumë prej nesh u bashkuam rreth manifestimit “Lidhja na bashkon”.
“Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” e organizon Edicionin IX me radhë të këtij manifestimi duke qenë më se të bindur se kjo veprimtari letrare-artistike kontribuon në zhvillimin kulturor në hapësirat tona dhe më gjerë. Ky projekt, sa kulturor e artistik, po aq edhe arsimor e shkencor, përmes madhështisë së artit dhe vlerave kulturore kombëtare, përkatësisht universale, që në vigjilje të tij synonte të kontribuojë në emancipimin e shoqërisë, në çlirimin e qenies njerëzore nga monotonia e përditshme, nga klishetë dhe nga varfëria e ideve. Sipas studiuesve të njohur, emancipimi përmes kulturës nuk përbën më imponim të një modeli të vetëm dhe përjashtues, por respektimin e dallimeve dhe të veçantive kulturore të njëri-tjetrit si dhe afirmimin e krijimtarisë me vlera të mirëfillta. Duke u bazuar në këto koncepte universale, me kontributin e anëtarëve të shoqatës sonë dhe të opinionit të gjerë, jemi të bindur se kemi arritur që manifestimin “Lidhja na bashkon” ta shndërrojmë në ngjarje kulturore të rëndësishme të qytetit rrëzë Sharrit. Shkrimtari i njohur italian, Dario Fo, laureat i çmimit “Nobel” në fushën e letërsisë, thoshte se nuk mund të kulturohemi pa e njohur mirë historinë tonë. Me kulturë nuk duhet të nënkuptojmë vetëm argëtimin skenik. Bota e qytetëruar te kultura sheh pasurinë e saj kombëtare si dhe të kaluarën dhe të ardhmen e brezave. Është detyrë jona që kulturën shqiptare ta kultivojmë dhe ta trashëgojmë, duke studiuar në radhë të parë lashtësinë e saj, rëndësinë historike si dhe vlerat që përbëjnë identitetin tonë. Popujt që kanë arritur t’u mbijetojnë shekujve, e kanë realizuar këtë proces duke prodhuar vlera autentike, që i udhëheqin si yjet përgjatë historisë”- deklaroi Mr. Selam Sulejmani.
Duke iu referuar 10 qershorit, njërës prej datave më të rëndësishme të historisë sonë gjithëkombëtare, kryetari i Shoqatës “Tradita” shtoi se sot e shënojmë bashkërisht 144-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, lëvizjes së parë shqiptare të organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake, që prej kohës së lavdishme të heroit tonë kombëtar – Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Në përmbyllje të fjalës së tij, ai theksoi se “Lidhja na bashkon” na ka bashkuar për gati një dekadë për ta përkujtuar veprimtarinë e rilindësve tanë, e cila është bërë pjesë e pandashme e kujtesës sonë historike, duke u bërë edhe vlerë e trashëgimisë sonë kombëtare apo e sistemit tonë të vlerave. Ata janë modeli më i mirë i edukimit kombëtar ndër breza, i artikulimit të mendimit politik, shoqëror e filozofik, të shtypit patriotik dhe të letërsisë artistike.
Manifestimin e lartpërmendur e përshëndeti edhe përfaqësuesi i Teqesë “Harabati Baba” – Tetovë, z. Arben Sulejmani. Ai e vlerësoi lart organizimin e manifestimit i cili kontribuon në zhvillimin e kulturës shqiptare dhe në bashkëpunimin ndërmjet krijuesve – për ta mbajtur gjallë fjalën poetike dhe frymën e saj.
Për rëndësinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe për rolin e saj historik, para pjesëmarrësve e paraqiti referatin tematik historiani i njohur Prof. Dr. Nebi Dervishi. Sipas tij, 10 qershori i vitit 1878 përbën një nga momentet kulmore e kthesë në historinë e lëvizjes kombëtare çlirimtare shqiptare, ku mbarë populli ynë u hodh në rrugën e guximshme për të flakur zgjedhën e huaj dhe për të siguruar të drejtën e tij themelore për liri e tokë, për drejtësi e përparim.
“Lidhja shqiptare e Prizrenit ishte organizatë e parë politike dhe ushtarake mbarë-shqiptare me frymëzim patriotik, e themeluar në Prizren më 10 qershor 1878, në kushtet e sundimit osman dhe të Krizës Lindore të viteve ‘70 të shek. XIX. Ajo mori përsipër të zgjidhte detyra themelore që e shqetësonin në atë kohë opinionin shqiptar, ta afirmonte në arenën ndërkombëtare kombin shqiptar, si subjekt i të drejtave kombëtare, të kundërshtonte copëtimin e trojeve etnike shqiptare, të vendosur në Kongresin e Berlinit në favor të monarkive fqinje ballkanike dhe të realizonte bashkimin e mbarë trojeve tona” – theksoi Prof. Dr. Nebi Dervishi.
Në vijim, historiani Nebi Dervishi vuri në dukje se Lidhja e Prizrenit, me veprimtarinë e saj të shumanshme, provoi botërisht jo vetëm ekzistencën e kombit shqiptar, që në atë kohë e patën mohuar, por edhe se si ai ishte liridashës, përparimdashës dhe i vendosur për të mbrojtur të drejtat e tij dhe për ta krijuar shtetin kombëtar. Në saje të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, çështja shqiptare hyri në arenën e diplomacisë ndërkombëtare si një nga çështjet e mprehta të Ballkanit që kërkonte zgjidhje.
Sipas Statutit të Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, në çdo përvjetor të Lidhjes së Prizrenit, pra më 10 qershor të çdo viti kalendarik ndahet edhe Çmimi kombëtar “Ali Vishko”.
Profesor Xhelal Zejneli – kryetar i Komisionit për ndarjen e Çmimit kombëtar “Ali Vishko” e paraqiti vlerësimin dhe arsyetimin e komisionit që përfaqëson ai.
“Ky çmim për vitin 2022, për kontribut të veçantë në zhvillimin e kulturës, në kultivimin e traditave atdhetare, të gjuhës e të historisë, si dhe përkushtimin në arritjen e aspiratave kombëtare, iu nda Teqesë Harabati Baba – Tetovë”- bëri të ditur kryetari i komisionit të sipërthënë.
Lidhur me studimin e tanimë të ndjerit Prof. Dr. Ali Vishko për teqenë bektashiane Harabati Baba, foli Xhelal Zejneli, i cili midis tjerash theksoi: “Profesor Vishko konstaton se Teqeja Harabati Baba ka qenë seli e njohur islamike e sektit bektashian për viset perëndimore ballkanike dhe qendër gjyshate. Brenda disa shekujve ajo shkolloi dhe përgatit klerikë islamë bektashianë dhe intelektualë të penës, jo vetëm për popullatën e Pashallëkut të Tetovës, por edhe më gjerë, ku dominonin shqiptarët. Shumica dërrmuese që kanë shërbyer, që kanë vepruar dhe që kanë krijuar në këtë teqe ishin nga mjediset shqiptare dhe me prejardhje, përkatësisht me identitet etnik shqiptar. Kjo teqe, prej gjysmës së parë të shekullit XVI deri në ditët tona, ka luajtur rol të veçantë historik, ndaj ka rëndësi historike, sidomos për historinë e popullit shqiptar të kësaj ane, e më gjerë”.
Në Edicionin IX të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon” u realizua edhe një program i pasur letrar-artistik, me ç’rast u deklamuan poezi të rilindësve tanë dhe u interpretuan pika muzikore.
Kjo ngjarje me karakter historik, letrar dhe artistik që u shënua nga Shoqata “Tradita” nga pjesëmarrësit u vlerësua si veprimtari e veçantë, për arsye se i referohet të kaluarës, pra historisë, ku intelektualët, studentët dhe studiuesit i shprehin lirshëm idetë, mendimet apo opinionet e tyre për afirmimin e sistemit të vlerave, kombëtare apo universale.
Për realizimin e këtyre synimeve duhet të angazhohemi të gjithë, qoftë si individë, qoftë si subjekte juridike. Manifestimi i këtij viti u zhvillua pak a shumë sipas asaj që shkruante dikur shkrimtari gjerman Gëte: “… të dëgjosh një këngë, të lexosh një poezi të mirë, të shikosh një pikturë të bukur dhe, po qe e mundur, të thuash ca fjalë të mençura”