• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E premte, 24 Mars 2023
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Kulturë

99 vjet nga lindja e kompozitorit Rexho Mulliqi

Rexho Mulliqi   i njohur në rini si Rexhep Mullaj u lind me 18 Mars te vitit 1923 ne Guci, shkollën fillore e kreu në vendlindje për të vazhduar Medresenë e Shkupit, deri në vitin 1941

18/03/2022
| Kulturë, Rajon

Hys Shkreli – Duket se koha po e bën gjithnjë e më të madh, nga se edhe sot, tri dekada pas vdekjes, disa  etnitete e rrethe kulturore, akoma debatojnë rreth faktit se kujt i takon.  Kompozitorin Rexho Mulliqi, për së gjalli e ndoqën, izoluan, burgosen , heshtën  e anatemuan . Pas vdekjes,  kombe e institucione ,  u përpoqën ta “përvetësojnë” e bëjnë pjesë të kulturës së tyre..

Rexho Mulliqi   i njohur në rini si Rexhep Mullaj u lind me 18 Mars te vitit 1923 ne Guci, shkollën fillore e kreu në vendlindje për të vazhduar Medresenë e Shkupit, deri në vitin 1941

Shumë herët i  la  imazhet idilike të vendlindjes dhe bukurive piktoreske  të Bjeshkëve të Nëmura  për të u shkolluar në Shkup. U regjistrua në Medresenë e Madhe të  këtij qyteti, e cila, ndonëse ishte menduar si shkollë fetare, u shëndrrua në vatër intelektualësh, patriotësh e disidentësh politik nga të gjitha viset shqiptare. Mulliqi shumë shpejtë ra në sy në këtë shkollë për talentin e tij, jo në muzike, por në pikturë. Në këtë shkollë  asokohe, pos shumë lëndëve tjera  mësohej edhe muzika, e pesë gjuhë të huaja. Megjithëkëtë, pak kush ka mund të parashikojë  që nga një medrese të dal një krijues i muzikës klasike. Aty, Mulliqi kishte arsimtar muzike një rus (Aleksander Zalijev),  i cili i pari  zbulojë talentin e djaloshit për muzikë dhe  i sugjeroi regjistrimin në Akademinë e Muzikës. E futi në korin e shkollës, dhe i propozoi violinën, instrument në të cilën Mulliqi do të dashurohet shpejtë. Mirëpo, kjo përkrahje e arsimtarit rus , një ditë do të i kushtoi Mulliqit. Do ti hakmerret  e bëhet njollë politike, e akuzë e mëvonshme.

Nga vitet e Shkupit, dashuri e Mulliqit do të bëhet violina. Më atë instrument, Mulliqi i ri, do të u bie ne sy edhe ushtarëve pushtues italian në vendlindje, ku ushtronte në një  depo të zbrazët pranë rezervuarit të ujësjellësit. Ushtarët italianë, një ditë rrethojnë vendin, mirëpo më të dëgjuar violinën, ulin armët dhe të befasuar më virtuozin e ri, e pagëzojnë atë “Paganini i vogël”…

Nga Shkupi ku qëndroi deri më 1941, Mulliqi transferohet në Shkollën Normale të  Prishtinës. Tri vjet më vonë , fillon studimet në Akademinë e Muzikës  në Beograd. Në këtë qytet, një ditë, të gjitha planet e ëndrrat e tij krijuese do të thyhen. Në vend të diplomës, do të  i dorëzohet fletë arresti, dhe  do të përfundoj në burg, si anti-titist e kundërshtar i sistemit . Në vitin 1948, Jugosllavia prishi marrëdhëniet më Bashkimin Sovjetik dhe Stalinin. Pushteti  filloi gjuetinë  kundër politikanëve e  intelektualëve opozitar.  Kjo atmosferë, do të shfrytëzohet për të akuzuar, etiketuar e dënuar shumë  njerëz të pafajshëm. Të gjithë kritikët e opozitarët e sistemit jugosllav u futen në një thes dhe në një burg të ngritur mbi një ujdhesë të izoluar në Detin Adriatik. Ishte ky  burgu më i errët e më famëkeq i ish Jugosllavisë, në Goli Otok. Aty gjendej edhe një numër i madh shqiptarësh tjerë të burgosur. Vet emri Goli Otok, apo  “Ishulli i  çveshur”, për ironi, sikur përkonte më qëllimin e pushtetit: zhveshjen nga dinjiteti, liritë personale e personaliteti i të burgosurve dhe “krijimi i njeriut të ri” sipas dizajnimit komunist të kohës. Mulliqi nuk u thye…

Pas përfundimit të burgut, në vitin 1953,  Rexho Mullqi do ta lidhë ardhmërinë e tij më Kosovën; Së pari me Prizrenin, ku punoi si pedagog,  pastaj më Prishtinën (1956) ku do të bëhet përgjegjës i Programit Muzikor të Radio Prishtinës, të vetmit radiostacion  më program në gjuhën shqipe në Kosovë.  Aty  themeloi Korin Radio Prishtinës, dhe së bashku më Lorenc Antonin i vunë themelet institucionale traditës popullore dhe  muzikës artistike në Kosovë. Edhe pse tani në liri, etiketa e zezë – ish i burgosur politik, do të i rri e kërcënohet mbi kokë edhe për shumë vite. Megjithëkëtë, jeta  në Prishtinë do ta aktivizojë shpirtin e tij krijues. Më Kosovën, do ta lidhë jo vetëm muzika por edhe  gjëra tjera…

Mulliqi, kishte një fjali, si totem motivues: “Muzika ishte dashuria ime e parë dhe e fundit”, thoshte ai. Mirëpo në jetën e tij është një përjashtim nga kjo thënie. Ishte një kohë kur Rexho Mulliqi  kishte edhe një dashuri të dytë – pos muzikës… Duke punuar  në Prishtinë, ai  afrohet më një këngëtare të re  e të bukur, e cila përmblidhte  në unin e sajë tërë atë qe një krijues muzikor mund ta këtë ëndërr  frymëzuese: Bukurinë,  sharmin e zërin. Ajo këngëtare quhej Nexhmije Pagarusha, dhe asokohe punonte në fonotekën e Radio Prishtinës. Dashuria  midis Mulliqit e Nexhmijës u rritë në martesë. Nga ajo martesë lindi i vetmi djalë, Leonardi, kurse nga ajo dashuri , lindi kënga e famshme “Baresha”.

Sot,  mund të supozojmë se inspirimi krijues për  “Bareshën” , mbështetej në dy burime:  Zërin brilant  të Nexhmije Pagarushës, dhe natyrën magjepse të vendlindjes së  kompozitorit . Ai ishte lindë e rritur pranë Bjeshkëve të Nemura , midis  peizazheve kolorite, ku baresha është frymëzim e simbol i bukurisë femërore. Baresha , mbase  ishte një Nexhmije e ëndërruar dikur moti,  larg në rininë e jetën pastorale të lënë në vendlindje. Ndonëse martesa e Mulliqit më Nexhmijën një ditë përfundoi , ata mbetën në lidhje të pafund nëpërmjet këngës së përbashkët  “Baresha”.  Kjo këngë, ka një strukturë të pasur dhe komplekse për zhanrin të cilit i përket. Duket se kompozitori duke krijuar atë, kishte në mend një projekt më të madh. Në të vërtetë, elemente e sentenca  muzikore të “Bareshës” hasen edhe në dy simfonitë e Mulliqit. Më vonë, ai bëri edhe një variant orkestrale të “Bareshës” dhe  kështu, ky kompozimi u bë kriter i standardeve për komponimin e këngëve në frymën e melosit popullor, për krijuesit tjerë.

Vitet e Prishtinës,  do të jenë periudha më e frytshme në jetën artistike të Rexho Mulliqit. Ai u shndërrua në  institucion, që vuri themelet e  muzikës artistike në Kosovë , posaçërisht të simfonisë, si gjini e rëndësishme e këtij arti. E ndiej veten i hendikepuar, që nuk i takoj profesionalisht kësaj fushe për të u thelluar në vlerësimin e  veprave të Mulliqit. Mirëpo, duke studiuar jetë ecjen e tij, më lehtë kuptohet e përjetohet muzika që ai  krijoi dhe anasjelltas: Duke dëgjuar veprat e tij, ne sot lexojmë jetën e kompozitorit. Rexho Mulliqi është autor i simfonisë së parë shqiptare të krijuar në Kosovë dhe pionier i muzikës kamertale në  këtë ambient. Ai është edhe i pari shqiptar që shkroi muzikë filmi në Kosovë.  Më përjashtim të operas,  Mulliqi krijoi në të gjitha gjinitë, nga muzika kamertale  e deri tek këngët për fëmijë. Ndër veprat tjera  të njohura të tij janë , Simfonia nr. 1 (1955), Simfonia e Dytë Kosovare, Fantazia simfonike, “Akuarelet e Prizrenit”, “Legjenda për violine dhe piano”, pastaj  kantatat  “Vdekja e heroit”, “Poema për ata”, “Baresha”, kompozimet vokale për kor “Vjeshta” I dhe II, “Kosova”, “Suita e vogel” etj.

Në opusin e tij të pasur artistik, veçohen veprat orkestrale, nga të cilat kurorë e punës së tij është Simfonia e Dyte Kosovare. Ajo është një biografi e Kosovës dhe poetit. Fillon më një shpërthim jete –  në tinguj, si një frymë lindje e  nevojë për hapësirë e energji, dhe pastaj qetësohet më piano, flaut e instrumente të lehta qe sikur pikturojnë   natyrën shqiptare të fëmijërisë  së autorit , apo edhe Dardaninë antike, para një shkundjeje që sikur paralajmëron furtunat historike nëpër të cilat kaloi ky vend. Në pjesën e dytë, ashtu si edhe jeta e kompozitorit dhe ambientit ku jetoi, ky motiv përshkrues piktural ngritët në një dialog dramatik më orkestrën e plotë, zhvilluar në etapat qe secila në vete përbën një rrëfim të veçantë muzikor, ndonëse kompakte në tërësinë e veprës. Është një vepër antologjike çfarë nuk ka ekzistuar më herët si gjini në Kosovë. Elemente nga kjo simfoni, janë shfrytëzuar nga autori edhe në muzikën për filmin “Uka i Bjeshkëve të Nemura”, i cili ishte i pari koproduksion i shtëpisë së dikurshme filmike “Kosovafilmi”.

Mulliqi shkroi edhe muzikën për  baletin  “Nita” dhe “Legjenda mbi ngadhënjimin”, si dhe për shfaqjet teatrore: “Besa”,” Erveheja”,”Nita”, “Fosilet”,”Dundo Maroje”etj. Të gjitha këto, vepra janë realizuar në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës (ish Krahinor). Përpunoi dhe harmonizoi mbi 150 këngë te ndryshme popullore shqipe. Muzika e tij, u jetësua edhe në ekranin filmik e televiziv.  Ishte i pari kompozitor shqiptar nga Kosova që kompozoi muzikë për film. Filloi me filmin “Kapiten Lleshi” në vitin 1960, ku përdorë motivet e këngës së njohur “Po vijnë krushqit”, mirëpo në një ritëm paksa komercial. Ky film i  produksionit  jugosllav me aktorë kombësish të ndryshme,  kishte  për subjekt  luftën antifashiste shqiptare, dhe konfliktin midis komunistëve dhe ballistëve. Filmi është shfaqur gati në tërë botën, dhe një kohë,  ishte  hit në vendet e Ballkanit e deri në Kinë. Ne film paraqitën disa aktorë shqiptarë, kurse një rrol kryesor e luan Abdurrahman Shala. Motivi “Po vijnë krushqit”, që në film fatkeqësisht këndohet ne gjuhën serbokroate, është përkthyer e kënduar ne disa gjuhë të huaja, madje edhe në gjuhën kineze (mandarin). Duke mos ditur se si ka arritur kjo këngë në  film, viteve të fundit, në media digjitale, disa të rinjë shqiptarë kanë zhvilluar debate kritike duke besuar se  “serbët,  e kanë vjedhur këtë këngë shqiptare për filmin e tyre”. E vërteta është se kjo këngë shqipe ka hyrë aty nga Rexho Mulliqi, emri i të cilit qëndron më autorët tjerë të filmit. Sot, ky detal duket i parëndësishëm, mirëpo në vitët e gjashtëdhjeta ishte pjesë e afirmimit të folklorit tonë.  Mulliqi, shkroi muzikën edhe per filmat: ” Uka i Bjeshkëve të Nemura”,  ” Era e Lisi”, “Qerim hesapesh”, si dhe për një numër  filmash dokumentar.

Rexhep Mulliqi  ishte njeri  i qetë e modest,  më një kulturë  evropiane për kohën e tij. Një shpirt lirik, në një kohë të zymtë. I kishte ndodhur qe të fitojë edhe shpërblime ndërkombëtare dhe këtë informatë të mos e ndaj as më miqtë më të afërt.. Një vullkan i qetë –  plot energji artistike.  Tradicional në komponim, por në hap e në komunikim më kohët e rrjedhat kulturore. Dukej apolitik ne jetën publike, por ishte  thellë i shqetësuar për ngjarjet qe e rrethonin. Ishte i heshtur, por plot ide e inovacione krijuese. Mulliqi nuk  fliste shumë për të kaluarën e tij as biografinë e tij. Një kohë, edhe disa individë shqiptarë, nga smira ose për arsye tjera,  ja mohuan përkatësinë etnike shqiptare. Kur gjatë një vizite në Tiranë e kishin pyetur  se çfarë kombësie i takon,  ai ishte  përgjigjur shkurt : “Pyeteni muzikën time”.  Heshtja e tij, fliste gati sa edhe muzika qe kompononte. Ai nuk e zgjodhi heshtjen, por ajo ju imponua. Ishte i vetëdijshëm që hapi dhe fjala e tij kontrolloheshin  nga pushteti. Heshtja e tij ishte protestë. Kompozitori Akil Koci e quajti  “kompozitor i harruar”. Ndonjëherë, i vetmuar shoqërohej më një gotë. Por, kur gota e tradhtonte, atëherë nga goja e tij dilte e vërteta, siç kane thënë latinët. E kur Rexho fliste, të tjerët iknin, sepse fjala e tij shigjetë , godiste aty ku të tjerët s’ guxonin. Për shkak të së kaluarës se tij politike, flitej së ishte radhitur në listën e personave nën mbikëqyrje të përhershme nga shërbimi sekret. Njerëzit nga ajo listë, para çdo vizite të Titos  ose ndonjë partiaku të lartë jugosllav në Kosovë,  izoloheshin ose arrestoheshin. Pushteti i frikohej fjalës se Rexhës .

Muzika e tij, hyri në Evropë, atëherë kur ne  ishim larg sajë. Kompozimet e tij u kënduan ose ekzekutuan, nga Austria deri në  Angli, në kohën kur të tjerët fare pak dinin për ne. Dy këngët e tija më të njohura, për kor, janë  “Vjeshta” dhe “Vendi im”. “Vjeshta”, në vitin e 1966 ka fituar shpërblimin e parë ne Festivalin Ndërkombëtar Artistik në Langolen të Anglisë.

Për të i qetësuar  pushtetarët e kohës, të cilët  mbanin nën llupë punën e tij, Mulliqi aty këtu shkroi edhe ndonjë këngë ose kantatë  në tema që u imponoheshin krijueseve nga regjimi. Mirëpo, ky fakt nuk ia zbeh as ulë vlerën  kompozitorit as thesarit muzikor qe la pas.

Jeta e Rexho Mulliqit nuk ishte e qetë as e thjeshtë. Ai dukej sikur bënte jetë bohemi, mirëpo në shpirtin e tij, zieshin kohët e ngjarjet që kishte shkelur e jetuar. Nga fëmijëria barte një plagë të thellë . Ishte gati foshnje,  kur në derë të shtëpisë së lindjes, i kishin vrarë të atin. Fqinjët joshqiptarë, i kishin thëne “…babanë ta vranë shqiptarët”,  kurse pushteti kishte sulmuar shtëpinë më pretekst se aty fshiheshin kaçakët shqiptarë. Dy detale që nuk qëndrojnë së bashku. Rexhoja u rritë, jetoj e vdiq më këtë enigmë në zemër.

Jeta e tij ishte gati si muzika që krijoi; E pasur më ngjarje, më ndonjë dashuri,  por edhe me drama të stuhishme. Mulliqi vdiq në Prishtinë në vitin 1982. Ishte ai vit i turbullt për shqiptarët e Kosovës, ndaj shumë adhurues e miq të tij, munguan në nderimin e fundit para varrit, për shkaqe objektive ose pengesa të natyrës politike. Nuk dimë  saktësisht ku dëshironte ta ketë varrin. Hyri në dheun e vendlindjes, më një ceremoni modeste, duke na e lënë terë pasurinë artistike qe kishte krijuar, si trashëgim dhe obligim. Në varrim, nuk u dëgjua asnjë tingull i tij.

.    Ata që e harruan për se gjalli, e refuzuan edhe pas vdekjes. Në vendlindjen e tij në Guci, u shpreh ideja që një rrugë të emërohet më emrin e tij, mirëpo kjo  u refuzua. Kundërshtarët  kishim po atë arsyetim i cili ishte akuzë kundër kompozitorit 60 vjet më parë: Ishte kundërshtar i  sistemit etj. U refuzua po ashtu  edhe vendosja e bustit të kompozitorit në një vend publik afër shtëpisë së lindjes. Duket se prapa këtyre kundërshtimeve, qëndronte  një inat i  disa fosileve të sistemit të kaluar, të cilët, nuk ja falen Rexhës faktin pse u identifikua – shqiptar. Më vonë një bust “enigmatike” e kompozitorit u vendosë mbi varrin e tij , mirëpo ajo u çoroditë më mbishkrimin cirilike, i cili fare pak përdoret në këtë mjedis më shumicë shqiptare.

Pas vdekjes së Mulliqit, posaçërisht gjatë luftës, në Kosovë filluan të zhduken dëshmitë e punës së tij. Në Prishtinë u zhdukë  busti  origjinale e kompozitorit, punuar nga i ndjeri Agim Cafëderbasha, pronë e Shoqatës së Kompozitorëve . Nuk dihet nëse kjo është  busta e vendosur mbi varrin në Guci, ose jo.  Familjarët dhe  gruaja e tij e parë, Lubica, kishin deklaruar se, busta që po vendosnin ishte punuar nga miqtë e Rexho Mulliqit në Kosovë. (!)

Dikush u përpoq të fshijë  gjurmët krijuese të  Mulliqi lënë në Kosovë . Janë zhdukur të gjitha partiturat origjinale të kompozitorit në Prishtinë. Disa akuzojnë të bijën, e disa thonë se ato gjenden në Vjenë e Berlin. Janë djegur madje edhe disa kopje të  partiturave, që gjendeshin në ndërtesën e ish Radiotelevizionit të Prishtinës, tash RTK. Ky fakt, po ashtu ngritë dilema e pyetje të reja, pasi që e bija e tij, ishte përgjegjëse e Pruksionit  muzikor të RTP-së në prag , dhe gjatë luftës në Kosovë. Pas dëbimit të punëtorëve shqiptarë nga Radio Prishtina, në vitin 1990, ajo  mori timonin e drejtimit të Produksionit Muzikor të këtij institucioni, ndaj ka pasur të gjitha kompetencat dhe obligimin moral e familjar për të i siguruar ato nga “zhdukja”.

Muzeu Kombëtar i Kosovës, nuk besojmë të ketë ndonjë dokument apo gjësend të ruajtur nga kompozitori më i madh i shtetit të ri. Në vend të investimit për gjetjen e partiturave, apo konservimin e ndonjë shenje personale të  kompozitorit, ky muze shpenzoi para do vitesh mbi 10.000 euro, për të bërë një video-klip të këngës “Baresha”. Realizmi ishte nën nivelin e këngës, ndaj  këngëtarja Pagarusha e ndaloi atë . Nuk kishim dëgjuar më parë qe muzeu të bej klipe muzikore. Pas gjashtë dekadash, Tirana arrijti të siguroi partiturat e Çesk Zadesë nga muzika e filmit “Skenderbeu” te humbura në Moskë në vitin 1952. Një shembull për  mësim…

Disa individë e institucione, si Filarmonia e Kosovës, i shprehen respektin e tyre Mulliqit, aq sa kishin mundësi. Në solemnitetin e shpalljes së pavarësisë, u ekzekutua  premierë, Simfonia e tij e Parë . Kompozitorit  ju nda, pas vdekjes, edhe shpërblimi “Niket Dardani”.

Para një viti, edhe vajza e tij e vetme, nga martesa e parë, Vesna, hodhi një gurë akuze. Ajo na kritikoi  pse po e “bëjmë” Mulliqin shqiptar, çfarë ai nuk ishte, shkroi ajo. S’ka dyshim së vajza  është e ndikuar nga e ëma ose rrethi i sajë nacionalist serb. Ajo vetë,  jetoi në Kosovë dhe ishte e privilegjuar pikërisht pse mbante mbiemrin Mulliqi, të cilin ajo preferon ta shkruaj “muliç”. Këndoi edhe në festivalin “Akordët e Kosovës”. Megjithëkëtë, për hir të Rexho Mulliqit, shqiptarët ja shtrinë dorën Vesnës, duke e ftuar ate në manifestimin përkujtues për të atin, në  Prishtinë. Ajo refuzoi ftesën..

Edhe pas tërë këtyre gjurmëve të thella lënë në kulturën tonë, disa akoma kontestojnë  origjinën dhe biografinë  artistike shqiptare të Rexho Mulliqit. Ata qe sot duan ta përvetësojnë  Mullqin, nuk treguan këtë interesim për së gjalli. Rexho Mulliqi më se paku u ekzekutua në Serbi. Veprat e tij u  ekzekutuan në Vjenë, Berlin, Amsterdam e disa qendra qytete tjera evropiane, por jo në Beograd, ku u shkollua e  burgosë. Simfonia e Dytë Kosovare , u ekzekutua madje edhe në Podgoricë, nga Orkestra Simfonike e Malit të Zi. Ishte ky  i vetmi ekzekutimi i gjallë premierë  i kësaj vepre, në këtë pjesë të Ballkanit. Kjo simfoni e shkruar në vitin 1972, ishte  publikuar më herët,   por vetëm si  incizim,  nga Orkestra Simfonike e Lubjanës. Polemika rreth Mulliqit na e kujton betejën midis serbeve e kroateve, për “përvetësimin” e një kompozitori tjetër te famshëm. Njërin nder kompozitoret me te mëdhenj te Ballkanit Josip Shtolcer (Sllavenski), serbet e quajnë serb, ndonëse ai, gjithnjë është deklaruar kroat dhe ka lindur ne Kroaci. Shtolcer është i pari kompozitor nga ky rajon qe ne muzikën e tij përdori folklori shqiptare. Qysh ne vitin 1936 ai publikoi ne Paris “Këngët shqiptare”.

Kujt i takon Rexho Mullqi? Ai sëpari i takon muzikës. Artit më të vjetër të botës. E muzika u takon të gjithëve. Pastaj i takon kulturës shqiptare. Por, u takon edhe të gjithë atyre qe e duan e respektojnë punën e tij. Ate nuk kemi nevojë ta bëjmë ne – shqiptar. E bëjnë veprat e tij. Aktori Bekim Fehmiu, për së gjalli gjithnjë u identifikua si shqiptar, mirëpo mungoi në filmat shqip. Rexho Mulliqi, e bëri të kundërtën: Nuk eksponoi  shumë nocionin e tij, mirëpo punoi, e krijoi – shqip.  Kritikë e kundërshtarë ,  ja  lëkunden emrin e eshtrat  disa herë, por, veprën e tij – jo. Ai mbetet kompozitori më i madh qe ka dhënë Kosova,  dhe  njëri ndër krijuesit më të mëdhenj të muzikës artistike  në botën shqiptare. Më Çeskë Zadenë ,i cili priu në këtë fushë, janë dy etërit e simfonisë shqiptare. KultPlus.com


Publikimi i mëparshëm

Në UT u promovua libri “Sovraniteti versus Integriteti” i diplomatit të njohur Arben Çejku

Publikimi i radhës

Prof. Dr. Hrvoje Juriç nga Universiteti i Zagrebit realizoi vizitë studimore në Universitetin e Tetovës

Publikimi i radhës

Prof. Dr. Hrvoje Juriç nga Universiteti i Zagrebit realizoi vizitë studimore në Universitetin e Tetovës

Emetimi

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin VII të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:38

MANIFESTIMI LETRAR ''SHTIGJE POETIKE'' – EDICIONI II

00:01:13

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2022 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2022 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!