Drejtori i programit artistik nga komuna e Tetovës, Jeton Pustina, flet për risitë dhe veçoritë e Verës Kulturore Tetovare 2021.
Risitë e Verës Kulturore Tetovare 2021?
Kjo “Verë Kulturore” dallon nga të tjerat vetëm në mënyrën e organizimit për arsye të protokolleve dhe rregullave për Covidin të vendosura nga organet kompetente. Sigurisht edhe ne si staf organizativ nuk e kemi pas aspak të lehte këtë vit për arsye se edhe ne nuk ishim të sigurt si do shkonin punët me situatat e krijuara dhe a do të kemi të drejtë të planifikojmë aktivitetet. Në përgjithësi, sa i përket programit artistik edhe kjo verë do të jetë e ngjashme si verat e kaluara por përparësi do të kenë aktivitetet që do të organizohen në ambiente të mbyllura, shumica e tyre në Qendrën për kulturë. Deri tani vetëm për to kemi pas të drejtë të planifikojmë por me protokollet e reja të sjellura nga qeveria, në muajin korrik do të planifikojmë edhe aktivitete në ambiente të hapura, kryesisht në Qendrën e qytetit.
Si është interesimi i qytetarëve për këtë event?
Çdoherë aktivitetet tona kanë qenë të vizituara maksimalisht nga qytetarët e Tetovës dhe jo vetëm. Edhe këtë vit vërehet e njëjta, mirëpo, të jemi të sinqertë tek njerëzit ende ekziston droja nga ky virus, dhe me të drejtë. Protokollet na kanë lejuar vetëm 30% kapacitet përdorimi të sallës, tani kemi të drejtë deri 50%. Mendoj se situatat e reja na kanë sjellë telashe jo vetëm neve të kulturës por të gjithëve, mirëpo, ne duhet të shohim përpara dhe dalë-ngadalë ti kthehemi normalitetit dhe obligimeve ditore. Do veprojmë me kujdes dhe duke i respektuar të gjitha rregullat.
Deri tani sa evente të tilla kulturore keni arritur të realizoni, dhe cili prej tyre ka qenë si më i rëndësishmi/vlerësuari?
“Verën Kulturore” e filluam me një koncert online me nxënësit e qytetit të cilët kanë fituar çmime në gara të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare të përgatitur nga profesoresha Teuta Halimi Selmani. Vazhduam me një koncert të orkestrës harkore të Filarmonisë së Kosovës të dirigjuar nga Agona Çupi. Aktivitetet e radhës ishin ekspozitat e nxënësve të Gjimnazit “7 marsi”, drejtimi artistik dhe ekspozita nga Shoqata kroato- maqedone. Mandej, manifestimi kulturor ” Lidhja na bashkon” nga shoqata TRADITA. Një mbrëmje fantastike na dhuruan edhe studentët e Fakultetit të Arteve, drejtimi muzikor pranë Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” duke interpretuar vepra të kompozitorëve botëror Haydn, Mozart, Bartok. Mbrëmë me koncertin e saj shkëlqeu edhe violinistja tetovare Hana Abdullahu e cila mahniti të gjithë spektatorët në sallë. Të gjithë këta aktivitete kanë qenë në nivelin e duhur dhe nuk do të mund të veçoja asnjërën.
Përse është i rëndësishëm organizimi i Verës Kulturore Tetovare? Çka e veçon?
Unë mendoj se një qytet pa aktivitete kulturore por edhe pa ato sportive nuk mund të quhet qytet. Kështu që, edhe “Vera Kulturore” është një festival që ka shumë rëndësi për Tetovën duke sjell freski dhe ushqim shpirtëror për artdashësit dhe rininë e qytetit. Veçoria kryesore e “Verës Kulturore” është se ajo i përmban të gjitha gjinitë artistike, muzikën me të gjitha zhanret, teatrin, filmin, aktivitetet për fëmije, ekspozitat, promovimet e librave por nuk mungojnë edhe elementet sportive.
Sa jeni të kënaqur nga pritshmëritë e rezultateve të këtij aktiviteti kulturor?
Unë personalisht jam shumë i kënaqur me rrjedhën e deritashme të Verës por mbi të gjitha jam edhe më i kënaqur me faktin se i kthehemi normalitetit dhe se në të ardhmen do ta kemi edhe më lehtë të planifikojmë dhe realizojmë aktivitete edhe më të mëdha siç i kemi pasur ne qendrën e qytetit vite me rradhë. Bonzo.info