Nxënësit e shkollave të mesme të sportit nga Tetova dhe Gostivari i vizituan ambientet e Fakultetit të Kulturës Fizike në Universitetin e Tetovës. Ky takim kishte për qëllim afirmimin dhe avancimin e tyre në aspektin profesional dhe sportiv, me profesorët e këtij fakulteti që treguan gatishmëri për t’u ndihmuar si në teori edhe në praktikë përmes temave të ndryshme, me ilustrime e shembuj konkretë nga përvoja e tyre.
Duke u nisur nga fakti se ushqimi është ndër elementet kryesore për të qenë një sportist i suksesshëm, Prof. Dr. Hyjnor, Kica mbajti ligjëratë me temën “Të ushqyerit në sport”. “Sportistët e rinj të cilët janë të angazhuar profesionalisht në sport, duhet t’i kushtojnë rëndësi të madhe mënyrës së të ushqyerit, sepse ajo nuk ndikon vetëm në arritjen e rezultateve sportive, por edhe në rritjen dhe zhvillimin e duhur të tyre. Një dietë e papërshtatshme mund të shkaktojë pamjaftueshmëri të materieve energjike që u duhet sportistëve të rinj gjatë stërvitjes ose lojës dhe kjo mangësi mund të shkaktojë sëmundje apo lodhje. Kur një sportist i ri merr sasitë e nevojshme të materieve ushqyese në trup, atëherë ai mund t’i shmangë lëndimet e caktuara” tha mes tjerash në ligjëratën e tij Prof. Dr. Hyjnor Kica.
Në këtë ligjëratë u diskutua edhe për mënyrën e të ushqyerit para, gjatë dhe pas stërvitjes dhe si sportistët t’u shmangen gabimeve në dietë, sepse rezultati sportiv sa varet nga përgatitja fizike po aq varet nga mënyra e drejtë e të ushqyerit. Ushqimi i duhur është i domosdoshëm për sportistët e rinj, sepse ata akoma i nënshtrohen procesit të rritjes.
Ky takim u mbyll me mesazhin se, sporti përveç rezultateve, mundëson një jetë të shëndetshme dhe të lumtur për brezat e rinj.