Abdulla Mehmeti – Sot, më 27 nëntor 2020, mbushen gjashtë vjet nga shuarja e parakohshme e prof. dr. Rahim Imerit, ligjërues në Departamentin e Gjeografisë të Universitetit të Tetovës. Rahim Imeri u lind më 12 dhjetor 1945, në Rakovec të Tetovës.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa Shkollën normale “Zef Lush Marku” dhe Akademinë Pedagogjike, Dega e Artit Figurativ në Shkup. Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, Dega e Gjeografisë, e kreu në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1973.
Studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Zagrebit, ku mori gradën shkencore magjistër i shkencave të gjeografisë, në vitin 1981, ndërsa gradën doktor i shkencave të gjeografisë e mori në vitin 2004, në Universitetin e Tiranës. Nga viti 1973-2004 ka qenë profesor i lëndës së gjeografisë në Gjimnazin e Tetovës, ku në vitin 1994 nga Këshilli Pedagogjik i Ministrisë së Arsimit të Republikës së Maqedonisë u nderua me titullin “Pedagog i dalluar”. Prej vitit akademik 1995/96, ka ligjëruar në Departamentin e Gjeografisë të Universitetit të Tetovës.
Në vitin 2004 u zgjodh pedagog në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe mori thirrjen akademike Docent në Departamentin e Gjeografisë, ku emërohet edhe shef i këtij departamenti.
Në vitin 2008 merr thirrjen akademike profesor Inordinar, thirrje qe ka vazhduar ta ketë deri në vitin 2011 kur edhe u pensionua. Ka botuar një varg punime shkencore në revistat: “Jehona” në Shkup, “Studime gjeografike” në Tiranë dhe “Acta Lingua Geographica” në Shkup.
Ka botuar tekstet universitare: Bazat e turizmit dhe rajonet turistike – 2005, Fillet e Gjeografisë – 2006 dhe dy monografi shkencore: Resurset dhe zhvillimi i turizmit në Maqedoninë Perëndimore – më 2006 dhe Pellgu i lumit Shkumbin (bashkautor) – më 2006. Ka ndërruar jetë më 27 nëntor 2014, në Tetovë.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për profesorin Rahim Imeri!