Teatri Shqiptar i Shkupit nisi të ndërtohet në vitin 2013. Punët ndërtimore përfunduan vitin e kaluar por ende nuk është hapur zyrtarisht. Për të nisur me punë ishte e nevojshme një leje nga Ministra e Transportit dhe Lidhjeve, e që sa ishte Ministër Goran Sugareski nuk e dha. Me të ardhur në detyrë ministri i ri Bllagoj Boçvarski, si duket përfundimisht do të hapen dyert e teatrit për publikun. Ndonëse para disa ditëve Boçvarski nuk e kishte idenë që Teatri Shqiptar po pret lejen e tij për të nisur me punë, TV21 ka mësuar se ministri tani më në formë elektronike e ka nënshkruar lejen e shumëpritur.
“Duhet të shohim se për çfarë projekti bëhet fjalë. Po thoni se është objekt i ndërtuar dhe nuk ka leje? Po është objekt i ndërtuar pret të nisë me punë por nga Ministria e Transportit nuk ka leje. Sigurisht nuk ka ende leje për punë, do ta shikoj lëndën dhe do të ju informojmë. Nëse keni pyetje drejtohuni lirisht te MTL dhe do të ju përgjigjemi me shkrim që sot, se deri ku është procedura për këtë object”, deklaroi Bllagoj Boçvarski – Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.
Ndërkaq drejtori i Teatrit Shqiptar të Shkupit Adem Karaga thotë se po presin vendimin me shkrim dhe të nisin me përgatitje për hapje, pa potencuar se kur pritet të bëhet kjo.
“Komisioni për kontrollin teknik i formuar nga Ministria e Transportit kreu kontrollin të enjten dhe tani jemi në pritje të vendimit me shkrim për leje për përdorim të objektit. Sapo të marrim vendimin dhe të bëjmë përgatitjet e duhura, do të organizojmë ceremoninë e hapjes së teatrit dhe të vazhdojmë me punë konform protokolleve në rrethanat e pandemisë”, theksoi Adem Karaga – Drejtor i Teatrit Shqiptar – Shkup.
Përndryshe TV21 së fundmi ka raportuar për problemet që janë shfaqur në objektin e ri të teatrit, siç janë çatia që pikon ujë kur ka reshje. Ish-ushtruesi i detyrës drejtor, Ylber Murtezi pat thënë se uji rrjedh pranë instalimit të rrymës dhe se paraqet rrezik të madh. Që nga fillimi i ndërtimit të godinës së teatrit janë shpenzuar mbi 10 milion euro.
Rikonstruimi i Teatrit Shqiptar në Shkup ka nisur në vitin 2013, kur me teatrin udhëhiqte drejtori Adem Karaga. Pjesa ndërtimore përfundoi në tetor të vitit 2019.