Më 12 tetor të vitit 1879 u themelua në Stamboll “Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip”, e cila u bë gur themeli për botimin e teksteve shqip, si përpjekja më e parë për ta çuar gjuhën e librin shqip kudo ku kishte shqiptarë.
“Shoqëria e të shtypurit shkronjavet shqip” nën kryesinë e Sami bej Frashërit dhe me pjesëmarrjen e Abdyl bej Frashëri, Mehmet Ali bej Berati (Vrioni), Ferid pashë Vlora, Pashko Vasa etj., u krijua me qëllim që të përpilonte një alfabet kombëtar dhe të bënte çmos për hapjen e shkollave shqipe dhe botimin e librave shqip.
Shoqëria e Stambollit zgjodhi një palë shkronja dhe shtypi kanonizmën (rregulloren) e saj, si dhe një abetare, të shtypur në shtypshkronjën e A. Zelicit, në Stamboll, më 1879.
Nisma solli një sërë bashkëpunimesh midis veprimtarëve shqiptarë në Shqipëri e Diasporë dhe u bë shkak për lindjen e përpjekjeve të tjera për krijimin e alfabetit shqip, botimin e gazetave shqip, krijimin e shoqërive kulturore etj.
PROKLAMATA E KANONIZMËS (1879)
“Gjithë sa kombe janë të ndrituarë dhe të qytetëruarë janë ndrituarë dhe qytetëruarë prej skronjas ndë gjuhët të veta. Edhe çdo komb që nuk ka shkruar gjuhën e vet, edhe s’ka shkronja ndë gjuhët të vet është ndë t’errëtë dhe barbar. Edhe shqiptarët tue mos shkruarë gjuhën e tyre dhe tu me mos pasur shkronja ndë gjuhët të tyre, kështu gjenden edhe pa ndihma e shpresa këtu e tri mijë vjet përpara (sa që mund të njihet historia) që të ndriçoheshin dhe të qytetëroheshinë me gjuhët të fëqinjët e të huajët u dëftue e kotë, edhe trimëria e të miratë, që kanë duart tona në prej shokësh, që dukemi shkruarë në fund secili me dorët të vet. Edhe nuk e kena, as duamë, ndonjë prej ma tepër se shokët e tjerë, që kanë me u ba pas nesh, por i lutemi Zotit të jetesë, te vejë mbarë shoqëria jone, Shoqëria e të shtypurit shkronja shqyp” (Kanonizmë e shoqërisë të shtypuri shkronja shqip, Konstandinopojë, Ndë shkronjështypëtoret të A. Zelicit, 1879, ff. 1-2).