Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” vazhdon me aktivitetet e saj në rajonin e Pollogut, për implementimin e projektit “Bëhu mjek duke i dëgjuar mjekët, shëro pacientë duke mos i infektuar të tjerët”.
Sot, përfaqësuesit e kësaj shoqate realizuan takim pune me kryetarin e Komunës së Bërvenicës, z. Enver Pajaziti, ku mes tjerash u diskutua për situatën e përgjithshme me pandeminë Covid -19 në këtë komunë, me theks të veçantë u bisedua për përgatitjet që bëhen për fillimin e procesit edukativ — arsimor në Komunën e Bërvenicës.
“Situata në territorin e komunës sonë është stabile përderisa kemi rënie drastike të numrit të të infektuarve. Që me shpalljen e pandemisë edhe në vendin tonë, Komuna e Bërvenicës i ka marrë të gjitha masat që e parandalojnë përhapjen e virusit korona, i kemi zbatuar protokollet e qeverisë, përkatësisht të Ministrisë së Shëndetësisë. Me këtë rast i falënderoj banorët e komunës sonë që i kanë respektuar masat anti-covid dhe në këtë mënyrë kanë kontribuar që ta kemi nën kontroll gjendjen e përgjithshme shëndetësore” – tha kryetari i Komunës së Bërvenicës, Enver Pajaziti.
Ai, po ashtu tha se në komunën që e drejton, nga Covid -19 ka pasur vetëm një viktimë, ndërsa të infektuarit nga virusi korona janë shëruar.
Ndërsa përfaqësuesit e Shoqatës “Tradita”, Selam Sulejmani, Hamit Hajrullai dhe Miftar Emini, e falënderuan z.Enver Pajaziti që e ka mirëpritur realizimin e projektit për sensibilizimin dhe informimin e nxënësve për respektimin e masave kundër virusit korona edhe në Komunën e Bërvenicës.
“Qëllimi i projektit është që ta sensibilizojmë dhe ta informojmë drejtë opinionin publik, në veçanti nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, me pandeminë Covid-19, masat që duhet të ndërmerren, si: mbajtja e maskave, përdorimi i dezinfektuesve dhe respektimi i distancës. Ekipi i shoqatës sonë angazhohet në radhë të parë përmes Ueb faqes zyrtare www.tradita.org, që t’i informojmë qytetarët dhe nxënësit e rajonit të Pollogut me ecurinë e pandemisë, me vendimet e autoriteteve kompetente, se si do të realizohet viti i ri shkollor 2020/2021, si dhe studimet e fundit që kryhen për zbulimin e vaksinës”- tha Selam Sulejmani nga Shoqata “Tradita”.
Në përmbyllje të takimit, kryetarit, z. Enver Pajaziti nga Shoqata “Tradita” iu dorëzuan një sasi e konsiderueshme e materialeve promovuese (anti —Covid-19), të cilat do të ekspozohen në shkollat qendrore dhe periferike të komunës së Bërvenicës.
Projekti i lartpërmendur implementohet në rajonin e Pollogut, përkatësisht në Komunën e Tetovës, Komunën e Tearcës, Komunën e Bërvenicës, kurse i njëjti financohet nga Sekretariati i përgjithshëm i Qeverisë së RMV-së.