• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E premte, 24 Mars 2023
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Kosovë

Mbi Lidhjen e Dytë Shqiptare të Prizrenit / Dokumente dhe fakte

Një prej detyrave më të rëndësishme Lidhjes së Dytë Shqiptare është deklarata e popullit të Kosovës dhe të Dibrës, për të jetuar me vëllezërit e vetë.

06/08/2020
| Kosovë, Opinione

Prof. Dr. Haqif Mulliqi – Nga fundi i vitit 1942 dhe me fillim në vitin 1943, Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe (FO) nisi që me seriozitet ta shqyrtonte edhe çështjen e Ballkanit, e ne këtë kuadër edhe atë shqiptare. Në këtë periudhë, FO-ja, përpos se po merrej me shqyrtimin e materialeve të arkivosura dhe atyre që po arrinin nga terrenet nga misionarët që i kishte shpërndarë nëpër tërë Ballkanin, materiale këto që po ekzaminoheshin nga ekspertët më të shquar britanik, ajo ngjeshure shqyrtonte dhe analizonte edhe materiale nga proveniencat e ndryshme, për çështje të ndryshme, të hapura, ndër të cilat, mbase, çështja shqiptare ishte më delikatja. Kështu, kjo ministri, në mënyrë intensive, është marrë edhe me studimin e vizioneve, koncepteve dhe pikëpamjeve të shqiptarëve lidhur me heshtjet e të shkuarës por edhe të të ardhmes së Shqipërisë, dhe Kosovës, gjë që mund të konsiderohet edhe si një përpjekje mbase që qeveria e këtij vendi të madh dhe me influenca ndërkombëtare ta kristalizojë një qëndrim të qartë ky vend dhe diplomacia e saj lidhur me çështjen e cila vazhdon të jetë më të ndjeshmet edhe sot e kësaj dite.

Mbi Lidhjen e Dytë Shqiptare të Prizrenit

Një pjesë tjetër e dosjes EKSTRAKTE NGA KOSOVA është ajo që merret më shtruar edhe më një ngjarje të fillimvitit të dyzetekatërtës, pra me Mbledhjen e Përgjithshme të LIDHJES SË DYTË TË PRIZRENIT e cila u organizuar më 17 janar të atij viti të ngjarjeve dhe të kthesave të mëdha historike në gjithë botën.
Këtu, pas një përshkrimi interesant që i bëhet kësaj ngjarjeje, që është vazhdimësi e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1987, e që ruan po atë aspiratë, thuhet në këtë pjesë të dosjes, në vazhdim do të sjellim një si raport mjaft të qartë dhe të ngjeshur mbi rrjedhat e këtij kuvendimi të fillimvitit të ’44-tës.
Kështu, në fillim të këtij dokumenti, raportuesi i Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe bënë të njohur faktin se këtë kuvend e hapi me një fjalim të gjatë dhe të ngjeshur dhe plot emocion MUSA SHEHU, kryetari i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit, ndërsa fjalimin inaugurues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit e mbajti Kolë Margjini.

Raportuesi thotë se në vazhdim, për gjithë çfarë ka bërë Komiteti Qendror i Lidhjes që nga 15 janari i vitit 1943 e deri në ditën e mbajtjes së këtij kuvendi, para delegatëve të pranishëm raportoi SULEJMAN ALIU përndryshe Sekretar i Komitetit Qendror të lidhjes.

Më pas, me vazhdimin e punës së këtij kuvendi, sipas dokumentit i cili i referohej burimit të vetë pjesëmarrës në punimet e tija, thuhet se, njëra prej figurave të shquara dhe më me ndikim ndër shqiptarët në këtë periudhë, BEDRI PEJANI “BABUSHI”, në mënyrë unanime, u zgjodh kryetar i Lidhjes, ndërsa BEDRI GJINAJ sekretar.
Këtu raportuesi sjell një pjesë të fjalimit të një personaliteti shumë të shquar dhe me influencë ndër shqiptarët e kohës, Tahir Zajmi, një pjesë të cilit fjalim po e sjellim më poshtë, në vazhdim:

TAHIR ZAJMI: Zotëri kryetar dhe delegatë, sikur e dimë të gjithë, para katër muajsh u themelua Lidhje e Dytë e Prizrenit. Njëra prej detyrave më të rëndësishme të saj, do të thotë, deklarata e popullit të Kosovës dhe të Dibrës, për të jetuar me vëllezërit tjerë, ka filluar të realizohet; në anën tjetër, në aspektin ushtarak ende duhet realizuar shumë gjëra. Në këtë mbledhje ne duhet të diskutojmë dhe të shqyrtojmë çështje të rëndësishme, sikurse janë statuti dhe programi i aktiviteteve të Komitetit Qendror. Unë propozoj që në diskutim të marrin pjesë edhe dëgjuesit, gjegjësisht të pranishmit, sepse mendimi tyre mund të jetë i vlershëm, falë gjykimit të shëndoshë dhe përvojës në çështje të tilla.”

Sipas sajuesit të këtij dokumenti, mbledhja e 17 janarit të vitit 1944 e Lidhjes së Dytë të Prizrenit u ndërpre në orën 12 e 15 minuta, për të vazhduar të nesërmen, do të thotë më 18 janar në ndërtesën e shkollës “Bajram Curri” në këtë qytet. Në vazhdim të këtij kuvendimi, pas thirrjes së emrave të delegatëve pjesëmarrës në mbledhje, u lexua statuti i organizatë si dhe u zgjodh një nënkomitet i cili kishte për detyrë që ta modifikonte këtë statut në bazë të kushteve dhe rrethanave të kohës dhe të njëjtin ta prezantojë në mbledhjen e pasdites me qëllim të aprovimit të tij. Ky nënkomitet po përbehej nga: Bedri Pejani, Rexhë Meta, Sylejman Riza, Esad Berisha, Sokol Dobroshi, Tahir Zajmi, Nexhip Basha, Kolë Margjini dhe Adem Sabriu.

Kështu, pas drekës, thotë i njëjti dokument, statuti u shqyrtua deri në detaje dhe u aprovua me anë të paragrafit, ndërsa mbledhja vazhdoi të nesërmen në mëngjes. Në mbledhjen e 19 janarit, profesori i shquar Bedri Pejani, tashmë kryetari Komitetit do ta nxjerr propozimin që Komitetit Qendror duhej shtuar edhe një anëtar që të përmbushej numri statutor prej dymbëdhjetëve. Dhe, sipas Pejanit, anëtari i dymbëdhjetë, domosdoshmërish do të duhej të ishte nga Hoti, Ulqini, Triepshi dhe Gruda, propozim i cili nuk u diskutua por që u pranua menjëherë nga delegatë e kuvendit madje në mënyrë unanime.

Gjithashtu më 19 janar u zgjodh edhe një nënkomitet i cili kishte një detyrë që ta bënte aprovimin e këtyre anëtarëve, që në mbledhjen e ardhshme. Në përbërje të këtij komiteti u zgjodhën: Bedri Pejani, Musa Shehu, Nexhip Basha, Kolë Margjini, Musa Boletini Hasan Agë Zvezda si dhe Tahir Zajmi.

Bedri Pejani thotë se shqiptarët e kërkonin Sanxhakun, jo për shkak të ambicieve imperialiste.

Në mbledhjen në vazhdim, gjithnjë sipas këtij dokumenti, pra më 20 janar të vitit 1944 u bë prezantimi i listës së anëtarëve me sa vijon:

– Për prefekturën e Prizrenit: Musa Shehu dhe Kolë Margjini;
– Për prefekturën e Prishtinës: Sylejman Askiu dhe Mahmut Beg Pasha;
– Për prefekturën e Mitrovicës: Arsllan Boletini;
– Për prefekturën e Pejës: Bedri Pejani dhe Xhevat Begolli;
– Për prefekturën e Dibrës: Ekrem Jegeni dhe Adem Sabriu;
– Për prefekturën e Shkupit: Esat Berisha;
– Për prefekturën e Sienicës: Nexhip Basha;
– Për prefekturën e Maleve të Kosovës përfaqësues do të ishte Rexhë Meta, derisa nuk do të arrinte delegati i kësaj prefekture;
– Për prefekturën e Hotit, të Ulqinit, të Triepshi dhe të Grudës pritej një përfaqësues.
– Për prefekturën e Tetovës dhe të Gostivarit: Kadri Saliu;
– Për zonën neutrale të Sienicës: Nexhip Basha.

Pas zgjedhjes të këtyre anëtarëve të rinj, kryetar u zgjodh profesori Bedri Pejani fjalimin e të cilit po e sjellim në vazhdim, me vërejtjen se fjalim është përkthyer nga gjuha angleze dhe se në aspektin dialektikor nuk përkon me të folurën e B. Pejanit në Kuvend:

BEDRI PEJANI: “Unë do t’u flas për një çështje shumë të rëndësishme dhe delikate për vendin tonë, çështjen e Sanxhakut. Sanxhaku është një korridor në mes të Serbisë dhe të Malit të Zi. Para luftës së vitit 1876-1877, ky korridor administrohej nga Vilajeti i Kosovës. Ky territor është i pasur me bagëti, dru dhe prodhime qumështi, ndërsa Kosova prodhon grurë dhe gjëra të ndryshme ushqimore, kështu që këto territore kompletonin ose plotësonin nevojat e njëri-tjetrit, duke qenë të lidhura komercialisht për një kohë të gjatë. Gjatë pushtimit osman, Sanxhaku ishte i banuar nga shqiptarët (që përbënin shumicën), kështu që ekziston një afërsi sentimentale me Kosovën.
Popullata e këtij territori përbëhet gjithashtu nga shqiptarët e sllavizuar dhe nga disa sllav të fesë islame (myslimane). Duke qenë të një feje si edhe shqiptarët, ata janë bashkuar dhe kanë bashkëpunuar gjatë luftës kundër serbëve dhe malazezëve deri më tash. Prandaj, arsye etnike, ekonomike dhe fetare kjo popullatë, e përbërë nga shqiptarët dhe boshnjakët, kërkon që t’i bashkohet Shqipërisë. Për këtë arsye ne, shqiptarët, e kemi për detyrë që t’i ndihmojmë që të na bashkohen.

Arsye tjetër për qëndrimin tonë ndaj tyre është se ky territor shtrihet në mes të Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, ku jeton një popull mik i cili kufizohet me kroatët të cilët kanë gjithashtu nju simpati për ne. Ndaj dhe, territori i Sanxhakut është i rëndësishëm për ne si një lidhje me popujt miq të Bosnjës, Hercegovinës dhe të Kroacisë.
Ne e kërkojmë Sanxhakun, jo nga ambiciet imperialiste, por për shkak të shumë arsyeve të lartpërmendura dhe, mbi të gjitha, për shkak të të drejtës së vetë popullit për të zgjedhur. Serbët dhe malazezët janë vetëm një minoritet në këtë territor dhe ne do t’ua japim atyre të gjitha të drejtat që u takojnë.

Populli shqiptar i këtyre ditëve është më i fuqishëm se gjatë luftërave ballkanike sepse ka përfituar përvojë dhe njohuri të mjaftueshme për të mbrojtur të drejtat e tija. Unë tash propozoj që të kërkojmë nga qeveria shqiptare aneksimin e këtij territori të pastër shqiptar, duke përshirë edhe tërë anën e Limit.

Është detyrë e qeverisë që të marr masa të duhura për një aneksim të tillë”, përfundon këtë pjesë të fjalimit të tij një prej figurave më të shquara dhe më emblematike shqiptare të shekullit 20 Bedri Pejani

Përfaqësuesi i Sanxhakut: Ky vend gjithmonë i ka takuar Kosovës.

Më pas, në vazhdim të kësaj dosjeje, raportuesi i Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe, pjesëmarrës në këtë kuvend, si të një natyre të veçantë, e shquan edhe fjalimin e Hasan Agë Zvezdës i cili p[pikërisht në kuvend vinte nga zona e Sanxhakut, të cilin fjalim po e sjellim në vazhdim të këtij artikulli.

HASAN AGË ZVEZDA:

“Zotëri kryetar dhe delegatë,
Gjatë këtyre katër ditëve të Kongresit unë nuk kisha guxim ta ngisja zërin sepse, duke ardhur nga zona neutrale, e ndieja veten si i huaj, por, pasi dëgjova fjalimin e kryetarit dhe të shumë anëtareve të tjerë, mora guximin që të flas dhe të shpreh aspiratat e vendit të cilin e përfaqësoj: Sanxhaku nuk ka qenë asnjë herë territor serb apo malazias. (Duartrokitje). Siç e vutë në pah Ju dhe si e dëshmon edhe historia, Sanxhaku gjithmonë ka qenë pjesë e pandashme e Kosovës. Ne, banorët e Sanxhakut, kemi luftuar gjithmonë kundër serbëve dhe malazezëve dhe, kështu, kemi treguar ku janë kufijtë tanë. Ne asnjë herë nuk e kemi toleruar Titon e as Mihajloviqin, bile edhe tash, kur ne po diskutojmë këtu, bijtë tanë e luftojnë armikun i cili na sulmoi para disa kohësh.
Ne, gjithashtu jemi ankuar edhe në Ju, meqenëse, deri më tash, nuk keni bërë aq sa duhej bërë për ne, mirëpo ne do ta harrojmë këtë dhe do të kërkojmë nga qeveria dhe nga Ju që të ndërmerrni masat e duhura për t’u bashkuar në një shtet të vetëm dhe që të zhduken të gjitha dyshimet që ekzistojnë mes nesh.
Ne e kemi luftuar armikun po aq sa edhe Ju, në mos më shumë se Ju, e, në anën tjetër, ne e kemi vënë re se nuk lejohet që ushqimi të kalojë lirisht nga Kosova në zonat tona.
Edhe prodhimet tjera po na ndalohen kështu që ne po vuajmë nga çmimet e larta më shumë se Ju. Këto janë tri pikat të cilat, në emër të popullit tim, unë po kërkoj që të rregullohen nga qeveria si dhe nga Ju të këtij Kongresi”, përfundoi fjalimin e tij Hasan Agë Zvezda, përfaqësuesi i Sanxhakut në Kuvendin e Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit.
Më pas, në dosjen e Ministrisë së Jashtme Britanike nga raportuesi i ngjarjes për nevojat e diplomacisë së Mbretërisë së Bashkuar, vihen në pah edhe vendimet e rëndësishme që u arritën në këtë Kuvend e të cilat ishin me sa vijon:

1. Komitetin Qendror i Lidhjes do të kërkojë nga qeveria në formë të shkruar që të trajtojë më seriozisht çështjen e Sanxhakut dhe ta zgjidh atë në favor të Shqipërisë.
2. Kërkohet që qeveria të marrë të gjitha masat për largimin e trupave bullgare nga Prespa, nga Shën Naumi si dhe nga tetë fshatrat e Kërçovës, që u pushtuan nga Bullgaria menjëherë pas kapitullimit të Italisë.
3. Kërkon nga qeveria që të ndërmarrë të gjitha masat në mënyrë që prefektura e Mitrovicës t’i bashkohet pjesës tjetër të Shqipërisë.
4. Edhe qeveria, edhe Komiteti qendror duhet përpjekur që të të konsolidohen pozitat tona në Plavë dhe Guci, duke forcuar administratën civile dhe ushtarake dhe duke ndërtuar depo të mëdha për armë, municion dhe ushqime. Elementi malazias duhet shpjer në Mal të Zi.
5. Qeveria duhet t’i regjistroi të gjitha armët dhe duhet të ndërtojë depo armësh, municioni dhe ushqimi në të gjitha pjesët e Kosovës si dhe rrethinat e çliruara të Shkodrës.
6. (a) Lidhja do të kërkojë nga qeveria që me nguti t’i ndërtojë këto rrugë të rëndësishme:

1. Tiepsh-Guci, 40 km
2. Radavc-Rozhajë, 12-15 km
3. Prizren-Tetovë 40 e më shumë km
4. Kolesian-Peshkopi, ?km

(b) Ndërmjet Kosovës dhe pjesëve tjera të Shqipërisë duhet konstruktuar apo edhe përmirësuar lidhjet telefonike.

(c) Duhet hapur më shumë shkolla fillore në të gjitha zonat e çliruara dhe në veçanti në prefekturën e Mitrovicës.

(D) Në bashkëpunim me qeverinë, Lidhja duhet të bëjë përpjekje për të eliminuar spekulimet në transportin e ushqimeve si dhe artikujve të tjerë të rëndësishëm.

(e) Të lejojë transport të lirë ndërmjet shtetit amë dhe të ashtuquajturave zona neutrale, të zonave që përbëjnë prefekturën e Mitrovicës dhe nënprefekturën e Kaçanikut.

Aleksandër Xhuvani: Gjergj Fishta, një prej frymëzuesve kryesor të patriotizmës shqiptare

Në pjesën D të kësaj dosjeje haset një artikull interesant i cili ka zënë vend këtu, në pjesën e dokumenteve tjera, e që është shkruar me rastin e përvjetorit të vdekjes të At Gjergj Fishtës, siç shkruhet në këtë dokument, njërit ndër poetët e fundit epik të Shqipërisë, ku potencohej fuqishëm se “shpiri i Fishtës, gjegjësisht ai i vëllazërimit dhe i bashkimit, do të ngadhënjente në Shqipëri, tashmë, më shumë se herëve tjera.”

Ideali i tij, shkruhet në këtë artikull, e që kishte qëllim të ushtronte një ndikim të madh tek inteligjencia dhe qytetaria shqiptare në këtë periudhë të kthesave të mëdha historike, pra ideali i Fishtës, Shqipëria etnike dhe e bashkuar, do të jetë ideal i çdo shqiptari që e do vendin e vetë dhe që është përcaktuar të punojë për vendin e tij.

“Këshilla e tij (e Fishtës-plot. i H.M.) për të mos luftuar njëri kundër tjetrit, për të respektuar dhe për të qenë mirëpritës, por për të mos i besuar të huajit tash më është urgjentisht më e nevojshme se më për”, shkruan ky artikull po ashtu i shkruar nga Masar Sopoti.

Në këtë dosje, britanikët sjellin edhe një aksent nga shkrimi “Ideali i Fishtës” i shkruar nga Aleksandër Xhuvani, gjithashtu në përvjetorin e vdekjes së epikut të shquar shqiptar Gjergj Fishta, të cilin, siç duket, ekspertët britanik e shihni si një prej frymëzuesve kryesor të patriotizmës shqiptare si dhe një kampion të idesë së krijimit të një shteti të vetëm të shqiptarëve, një shteti në të cilin do të jetonin shqiptarët etnik, në trojet e tyre etnike dhe historike.

Komentuesi i këtij artikulli të Xhuvanit në përvjetorin e Fishtës thotë se edhe ky shkrim tregon se sa të rëndësishme dhe frymëzuese ishin veprat dhe idetë e Fishtës për gjeneratat e ardhme shqiptare. “Ideali i Fishtës ishte ‘Atdheu nëpërmes Zotit”, do të shkruaj Xhuvani, duke shtuar se kësaj ideje Fishta i ngeli besnik gjatë tërë jetës së tij.
“Ai gjithmonë predikoi: UNITET, VËLLAZËRI dhe TOLERANCË, pra tri unitetet kanë nevojë aq shumë shqiptarët e sotëm”, shkruan Aleksandër Xhuvani.

Si u rikthye Shën Naumi nën administrimin e Shqipërisë?

Në këtë dokument bëhet një rikthim në kohë, në pjesën ku sillen citate dhe komente të shtypit Evropian mbi kryengritjen shqiptare kundër gjon-turqve ndërmjet viteve 1910-1911 me qëllim që administratës britanike dhe në veçanti diplomacisë së saj t’i përafrojë gjenezën e disa problemeve që u bartën për tre dekada e gjysmë si probleme që gjenerojnë konflikte në Ballkan.

Ndërsa, në artikullin F të kësaj dosjeje haset pyetja mjaft interesant e cila i preokupon shqiptarët e shumë brezave: I KUJT ËSHTË SHËN NAUMI?

Ja se çfarë shkruan gazeta bullgare La parole Bulgare (gazetë kjo që botohej në gjuhën frënge), nr. 822 e datës 18 dhjetor 1943 lidhur me Shën Naumin shkruan:

“Manastiri i Shën Naumit dhe kisha e Shën Klementit janë dy vende të shenjta për Bullgarinë. Këta të shenjtë e kanë përhapur kulturën bullgare kudo që kanë shkuar. Shën Naumi ishte nxënë s i vëllezërve Cirili dhe Metodi. Ai u dërgua në Maqedoninë Perëndimore nga car Borisi, ngase, ajo pjesë e Bullgarisë po bëhej çdo ditë e më e rëndësishme. Tashmë janë bërë mëse një mijë vjet që kur ai fanar drite qëndron atje si shenjë e kulturës bullgare në Maqedoninë Perëndimore. Sa herë që vendi ynë ndodhej nën shtypjen e huaj, ai manastir ishte gjithmonë një seli e sentimentit bullgar”.

Por, në dokument mund të gjendet edhe një analizë tjetër në lidhje me Shën Naumin e krijuar nga një grup ekspertësh britanik sidomos në lidhje me manastirin e kontestueshëm në cep të brigjeve të Liqenit të Ohrit.

“Pas ndarjes së Perandorisë romake në dy pjesë”, shkruajnë ekspertët britanik, Gadishulli Ballkanik mbeti nën administrimin e pjesës lindore, gjegjësisht të Perandorisë bizantine. Ndodhën shumë invazione, por në shekullin IV, aty u vendosën barbarët sllavë e më vonë edhe bullgarët të cilët u asimiluan shpejtë nga sllavët, bile, para se të kalonin vargmalet”, komentohet pak si me ironinë dhe sarkazmin e njohur britanike. “Një pjesë e maqedonasve, të cilët ishin të një familjeje me ilirët, me trakasit dhe me epirotët, u mbytën (vranë), ndërsa një pjesë tjetër u asimilua nga sllavët, ndërsa pjesa tjetër ruajti gjuhën e vjetër (tako-ilirishte ose shqiptare).

Cirili dhe Metodi ishin nga Selaniku, me prejardhje greke. I pari ishte në shërbim të perandorit Bizantin si bibliotekist, i dyti administrator në Azinë e Vogël.

Me qëllim të kundërvënies fesë katolike e cila po përhapej shpejt ndër sllavët e Moravisë dhe të Çekosllovakisë, perandori e dërgoi atje Cirilin. Ai e zbuloi alfabetin sllav dhe së bashku me vëllanë e tij, ndihmoi shumë në përhapjen e influencës së lindjes në këto provinca. Në mesin e nxënësve të tyre ishin Gorazdi, Angelari, dhe ata që e përmirësuan alfabetin cirilik: Lorenci, Klementi, Naumi, etj. Ata detyrohen ta braktisin Moravinë dhe Çekosllovakinë, për shkak të përhapjes së furishme të katolicizmit, dhe të shkojnë në Beograd. Më vonë Klementi për t’ u bërë pastaj peshkop i Dembrikës (Dibrës së sotme), me Ohrin si qendër. Naumi u tërhoq në bregun e Liqenit të Ohrit dhe themeloi manastirin i cili sot e mban emrin e tij e të cilin ai vetë e kishte quajtur Shën Arkangjeli. Nga viti 910, kur vdiq Naumi e deri më 1912 ky manastir është administruar nga priftërinjtë që vareshin nga Patrikana e Stambollit, përveç një kohe të shkurtër që zgjati katër vjet, nga viti 1870-1874, kur ai u administrua nga priftërinj maqedonas, të varur nga kisha bullgare, përsëri me seli në Stamboll.

Pas vitit 1912, ky manastir udhëhiqej nga shteti të cilin ia përcaktonin, edhe pse ky manastir ka qenë shkak për grindje në mes të shqiptarëve dhe të jugosllavëve. Në Konferencën e Londrës kjo çështje u zgjodh në favor të Shqipërisë, ndërsa me Protokollin e Firences, në Konferencën e Parisit, në Ligën e Kombeve dhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, përkundër të gjitha vendimeve ndërkombëtare, siç do të sqarohet më vonë, ky manastir, faktikisht, mbeti nën Jugosllavi. Pas ç’anëtarësimit Jugosllavisë ky manastir erdhi nën administrimin shqiptar.

(Autori është doktor i antropologjisë dhe profesor ordinar në Universitetin e Prishtinës)

Në vazhdimin e tretë do të lexoni:

– Si u mor vendimi që, me fillimin e Luftës së Dytë Botërore Shqipërisë t’i rikthehet Shën Naumi dhe nënprefektura e Prespës?

– Cilat ishin interesat e përbashkëta të shqiptarëve dhe të kroatëve gjatë luftës?

– Kush e thoshte se, historikisht, Kosova është shqiptare?

– Cili, sipas Lordi E. Fitzmaurice, ishte territori i Shqipërisë së vërtete?

– Çfarë shkruante Kristo Floqi mbi tezat e Cvijiqit mbi Kosovën si “Serbi e vjetër”?

– Kush e tha se Kosova ka qenë dhe është shqiptare?

gazetametro.net


Publikimi i mëparshëm

Zejtaria dhe tregtia në Preshevë

Publikimi i radhës

Disa njerëz kanë imunitet të natyrshëm ndaj Covid-19

Publikimi i radhës

Disa njerëz kanë imunitet të natyrshëm ndaj Covid-19

Emetimi

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin VII të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:38

MANIFESTIMI LETRAR ''SHTIGJE POETIKE'' – EDICIONI II

00:01:13

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2022 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2022 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!