Ndoshta ishte rastësi që “Lajmëtarja e Vdekjeve” shenjoi emrin e tij në kujtesën e lexuesit shqiptar të viteve ’90 e paskëtaj; ndoshta ishte një parathënie fatale e fatit. Por Teodor Keko e fitoi sfidën e tij me jetën dhe vdekjen! Jetoi shkurtër, por diti të jetojë plotazi e shndritshëm, dhe të lerë gjurmë që vazhdojnë të mbesin unike në letërsinë shqipe.
Bohemi i papërsëritshëm, Dori siç e thërrisnin miqtë e shumtë, e jetoi shkurt Golgotën e tij, por siç thotë shkrimtari Bardhyl Londo, Dori ishte nga ata njerëz që i ndjente thellë gozhdët e ngulura mbi kyçet dhe muskujt e tij. Megjithatë ai ishte i bukur dhe unik në kryqëzimin e tij. Personazhi i spikatur i jëtës publike shqiptare, sa edhe i letërsisë dhe publicistikës së tij, Teodor Keko mbetet sot një autor ende i pavlerësuar për vendin që ze në letërsinë bashkëkohore shqipe.
Në harkun e viteve që kanë kaluar, studiuesi Ilir Yzeiri vlerëson se “Teodor Keko mund të vështrohet tani si fenomeni unikal i letërisë shqiptare që zotëron kapërcyellin e viteve ‘90. Ai nisi të shkruajë në mesin e viteve ‘80, por u bë i njohur sidomos pas viteve ‘90. Nga viti 1990 e deri sa vdiq, më 2002, pra përreth dymbëdhjetë vjet, ai regjistroi, tregoi dhe analizoi një nga periudhat më të vështira e më komplekse të historisë së Shqipërisë. Nga kjo pikëpamje ai është i vetmi dhe ndoshta i fundit shkrimtar ekzistencialist shqiptar që nga rreth dymbëdhjetë temat qendrore të ekzistencializmit kishte më për zemër temën e vdekjes.
Të gjithë ata që e kanë njohur, e mbajnë mend si bohemin e fundit, si njeriun e lirë që nuk besonte në asnjë skrupull shoqëror, që kishte si kult vetëm dashurinë, dashuri që ai e manifestonte jo duke u përgjëruar me fjalë, por duke u shkatërruar nëpër labirintet e ankthit ekzistencial në një vend që sapo kishte dalë nga diktatura dhe jetonte dehjen në liri me shturje, me shpërqëndrim e me shkatërrim total. Sipas një studiuesi të ekzistencializmit, te kjo rrymë letrare thotë ai, ne ndeshim dymbëdhjetë tema. (E. PoMounier, 1905-1950,”Introduction aux existentialismes”, éd. Gallimard 1962).
Nëse i vështron ato, do të vëresh se edhe krijimtaria e Kekos i përmban thuajse të gjitha. E para, është kushtëzimi i qenies njerëzore. Qenia njerëzore nuk është një gjë e nevojshme. Pra, secili nga ne edhe mund të mos ishte. Ne jemi këtu dhe pikë. Ne duket sikur jemi tepër. Pothuajse në të gjithë krijimtarinë e Kekos shfaqet kotësia e jetës, asgjëja dhe hiçi i unit. Mjaft të shohësh poezinë e tij dhe do të vëresh se njeriu aty është një aksident, madje vetë ai shpesh ndihet i tepërt dhe pa asnjë kuptim në këtë botë. Ja si parodizon ai qenien dhe veten e tij në këtë poezi të shkruar në vitin 1993.
VETVETES
Nga jeta ime shtegtuan zogjtë
dhe njerëzimi e humbi seksin.
Tani unë flas për ç’do të lindë
pa parë turmat që po vdesin.
O miku im, oportunizëm,
ma hëngre kokën, ma bëre gropën!
Kujt t’i ankohem? Kë të mallkoj?
Më mirë po ik, të plehroj botën!
Karakteristika e dytë e krijimtarisë së ekzistencialistëve është angazhimi i qenies. Ekzistencializmi nuk është filozofia e qetësisë, përkundrazi, ajo e nxit njeriun që ta bëjë jetën e tij gati si një ferr, me përpjekje e mundime, duke kapërcyer shpeshherë gjendjen aktuale dhe duke e përqeshur atë. Askush më mirë sesa Dori nuk e ka shfaqur këtë tipar të ekzistencializmit. Një temë e preferuar e ekzistencialistëve është brishtësia e njeriut. Unë jam i ekspozuar gjithmonë, thonë ata, drejt humbjes, drejt shkatërrimit, sepse nëse ekzistoj, nëse jam gjallë, kjo ndodh për shkak të mundimeve që bëj. Që këtej buron ndjenja e ankthit të cilën ai e jep të plotë në një prej poezive të shkruara në vitet ‘90 – ‘91 me titull “Shqipëria dhjetor ‘90 – janar ‘91”. Aty, mes të tjerash, thotë:
Po shkon një njeri i rrënuar në rrugë,
Vdekjen lyp dhe ik kuturu.
S’vret dot veten; S’ka gjak në vena,
Zemër në gjoks e në kafkë tru.
Temë tjetër e ekzistencializmit është edhe tjetërsimi. Njeriu që humb, tjetërsohet, ai nuk e zotëron më veten. Një temë tjetër është vetmia dhe sekreti. Çdo qenie njerëzore ndjen nevojën që të jetë vetëm dhe i papenetrueshëm nga të tjerët, për të kaluar pastaj te hiçi, te asgjëja. Ekzistencialistët ateistë këmbëngulin në idenë se njeriu është qenie e hiçit. Ndërsa tema e shndërrimit vetjak zotëron gjithashtu një pjesë të madhe të veprës së tyre. Ata thonë se njeriu nuk duhet ta jetojë jetën nga dita në ditë me shqetësimin e fatit të tij si qenie e vdekshme, jo, ai duhet të çojë një jetë tërësisht vetjake. Deviza e tij nuk është “unë jam”, deviza e tij është “unë jam mbi atë që jetoj”. Pastaj vjen përsëri tema e angazhimit ku njeriu duhet të zgjedhë në raport me veten dhe me të tjerët, si dhe tema e njeriut në raport me tjetrin. Njeriu sheh që në jetë nuk është vetëm. Ka dhe njerëz të tjerë me të cilët ai duhet të jetojë. Qenia njerëzore, shkruante Hajdeger, është një unë + të tjerët. Jeta, gjithashtu sipas tyre, duhet të jetë e ekspozuar përballë të tjerëve. Njeriu duhet të veprojë, të guxojë, të jetojë jetën, ta gëzojë atë gjithmonë nën vështrimin e pashmangshëm të të tjerëve. Dhe në fund tema e vdekjes, ose nguti për të shkuar drejt vdekjes. Askush tjetër më shumë se Teodor Keko nuk e ka shfaqur këtë ankth ekzistencialist. Në fakt, Teodor Keko nuk kishte frikë nga vdekja. Studiuesit e ekzistencializmit, por edhe ata të fenomenologjisë thonë se shkrimtarët ekzistencialistë nuk kanë frikë vdekjen dhe nuk jetojnë me të, ata kanë ankthin e jetës. Ata janë njerëzit më të shqetësuar, më të paqetë, më të pasigurtë dhe më të brishtë gjithashtu sepse janë nën ndikimin e ankthit mbytës të ekzistencës ose të jetës. Ndaj edhe Teodor Keko në poezinë e tij merret dhe gati e pranon si një gjë krejtësisht normale vdekjen. E pranon atë si pjesë të jetës. Ai tregon për të më thjeshtësinë dhe me naivitetin e një fëmijë. Qysh në vitin 1994 ai shkruante në poezinë “Pa kthyer kokën”:
Do iki! Borxhe më kujt s’i kam.
Të lehtë në trup e kam ndërgjegjen.
Dhe që mos kthehem më kurrë pas
do marr me vete vetëm vdekjen.
Ndoshta do ketë për mua globi
një pëllëmbë vend me paqe, jetë,
një pëllëmbë vend ku nuk është hobi
mos lesh njeri të jetë i qetë.
Një zot e di në do kem fat,
por, sidoqoftë, do jetë më mirë.
Një zë më thotë “Mbathja me vrap!”,
dhe tjetri shton “Ik me dëshirë!”
Vepra dhe jeta e Teodor Kekos është një nga pasqyrat më elokuente të kapërcimit të jetës shqiptare nga diktatura në lirinë e shthurur dhe në zvetënim. Ndërsa raporti i tij me vdekjen është unikal në letërsinë shqiptare”, vlerëson Yzeiri.
Në botimin “In Memoriam” të UETPRESS, në dhjetëvjetorin e ndarjes nga jeta të Teodor Kekos, shkrimtari Agron Tufa çmon se Teodor Keko, e prodhoi Kohën e vet të pakufijshme, përmes një raft të çmuar me librat e tij në bibliotekën e Letërsisë bashkëkohore shqiptare. “Letërsia shqipe ende nuk është e vetëdijshme për vendin specifik e krejt simpatik të krijimtarisë së Dorit, dhe kjo, aspak për faktin se jeta e tij u ndërpre në kulmin e krijimtarisë së tij, kur ai qe pozicionuar tashmë, duke i zgjeruar parametrat hapësinore të letërsisë amtare me një cilësi të re, me një ndjeshmëri të re, më një ligjërim autentik e me një paradigmë stilistike origjinale, të papërsëritshme.
Teodor Keko zhvilloi një ligjërim artistik të kompletuar, veçanërisht në prozën e shkurtër e të gjatë, duke ngritur regjistrin e prozës shqipe në nivelet e saj tejet origjinale, nëpërmjet riprodhimit të skenave të dendura, të gjalla, përplot trishtim, sharm e dritë, gjersa ky ligjërim mbërrin kulmin e vet në librin e fundit të tij me tregime e novela “Hollësira fatale”, botuar pak kohë para vdekjes. Gjykuar nga truket narrative, situatave paradoksale e zgjidhjet ekcentrike, shumë krijime të Teodor Kekos janë shenjat e para të inagurimit të prozës postmoderniste shqipe, madje këtë karakter kanë dhe disa krijime të vona në poezinë e autorit, çka është krejt e vetvetishme për frymën e kohës. Më së shumti kjo ka lidhje me një mënyrë të perceptuari të erotizmit dhe sensualitetit të letërsisë së Kekos, duke na lënë modele origjinale në këtë zhanër”.
Sipas shkrimtarit dhe studiuesit Agron Tufa, Teodor Keko është sot një prej figurave të saj më origjinale të letërsisë bashkëkohore shqipe, vepra e të cilit le hapur një dialog të gjatë me gjithë gjerësinë e kontekstit të saj thellësisht njerëzor, por sidomos, artistik. Ky ligjërim është dhe përjetësia bujare që Teodor Keko i fali letërsisë shqipe.
Prapë na mungon, prape do të na mungojë – thotë shkrimtari Prec Zogaj, ndërsa qetazi beson se Teodor Keko do t’u mbetet brezave me veprën letrare që la, por edhe si personazh i një romani që do të shkruhet për të një ditë…
Ndjenjë e pathënë
nga Teodor Keko
Më mundon kjo ndjenjë e pathënë,
fjalët ti m’i ktheve në harrim,
në qiell është hëna, s’i them dot hënë
s’të flas dot për mjegullën në agim.
Më mundon kjo ndjenjë e pathënë,
në gjoks ti vër çdo fjalë në vend të saj.
Pastaj do të përkund në një djep-këngë,
me hënën flokëve si karficë e bardhë.
Dhe nëse rrugët për në zemër dot s’i gjen,
më thuaj të t’i zgjas gishtërinjtë e mi.
Mbi ta mbështete kokën,
dhe për një çast ti pendë do të kthehesh,
brenda meje do të vërtitesh, shpirt!
Më mundon kjo ndjenjë e pathënë,
kur ti je kaq pranë dhe kaq e thjeshtë,
u këput një gjethe nga një pemë,
e verdhë si harresa … ishte vjeshtë.
Gazeta Liberale