• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E mërkurë, 22 Mars 2023
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Kulturë

Kur poetët e ngrenë shpirtin deri në qiell…

Letërkëmbimi virtual i shkrimtarëve Rudolf Marku dhe Natasha Lako.

11/05/2020
| Kulturë, Shqipëri

Nga Natasha Lako –  I gjatë ky falenderim, por i domosdoshëm.

Më duket se erdhi momenti i një falenderimi përmbledhës për bashkëudhëtarin Vullnet Elbasani, që i propozoi i pari Rudolf Markut, të ftonte çdo ditë një autor shqiptar, të paraqiste 10 nga librat e një pëlqimi personal.

Fatmirësisht u gjenda edhe unë në këtë vorbull, prej së cilës sigurisht merr vesh se krijimtaria ka një kuptim.

Nuk di në këtë rast, ta quaj një ditë falenderimi, të ngjashme me atë të festës amerikane por prapë se prapë pa gjetur se përse egziston letërsia, për ata që e ofrojnë, apo ata që e marrin si të gjithë ushqimet për të uriturit.

Dhe ja ky falenderim vjen pothuaj pas njëqind vjetësh kur në vitin 1929, me rastin e 25 vjetorit të përkujtimit të një shkolle vajzash pranë kishës katolike, në një skenë të përbashkët, Fishta bashkoi në një pjesë teatrale, zanat e mitologjisë greke me zanat e bjeshkëve të tij, pa asnjë mallkim rrufeshë, në ato festat “party” nga të cilat jemi privuar sot.

Në rastin e Rudolf Markut, unë di, sesi ndërhynë në botën tonë të totalitarizmit, copëza të letërsisë anglosaksone, të cilat ishin si një çelës i artë.

Madje edhe tani që po shkruaj, pas atij izolimi të madh, por të përkohshëm, çuditem që kam në bibliotekën time një botim të plotë të esesë së Eliotit për Danten, të botuar që në vitin 1940. Për mua, si dhe shumë të tjerë, ideja e BE ka rrjedhur para atyre kohëve, që kur Shekspiri shumë prej personazheve të tij i vuri të veprojnë në qytetet shtete ku po lulëzonte Rilindja Europiane.

Shqiptarët u gjendën së bashku që kur De Rada gjeti Naimin Frashërin, Kristoforidhi gjeti Vaso Pashën, Filip Shiroka gjeti Çajupin, Asdreni gjeti Lasgushin, Konica gjeti Fan Nolin, në të gjithë metropolet e botës, për të përmendur këtu edhe princeshën Elena Gjika, ose Sevastinë që gjeti Kristo Dakon, me të cilin u lidh njësoj si në ndonje film gjatë një udhëtimi me trenin Orjent Ekspres, që e çonte drejt Stambollit, pas studimeve në një kolegj amerikan.

Fatkeqësisht shkrimtarët e sotëm shqiptarë e gjejnë rrallë veten njeri prane tjetrin, po me atë përkushtim dhe model të lidhjes së Eliotit me Ezra Paund, ose të Paskos me Llazarin, – jo atë që u ngrit nga varri. Kjo nuk përjashton skena të ngrohta dhe humane, të ngjashme me ato të Ungaretit, i cili nuk do t’i kishte lëshuar poezitë e tij nga dora, po të mos ia kishte rrëmbyer një miku i vet për botim. Dhe me thënë të drejtën ti je nga të rrallët në miqësitë e tua Rudolf, ku veçohet ajo me Preçin. Edhe kjo është një miqësi si e rrathëve të lisit, që mosha dhe pjekuria i zgjeron tek të tjerët.

Dhe me duket sikur pothuajse kemi lindur njeri pas tjetrit, me të izoluar edhe nga vetvetja, pas miqësive të artistëve skandalozë të artit francez, njësoj si të bitnikëve amerikanë, jehona e të cilëve ndihmon edhe sot gjithë shkrimtarët e boëes dhe përkthimet e sotme.

Rudolf, ti duhet të merrje përsipër gjithë kalorsinë Europiane, të vrapoje në fushat e Blake dhe të Donne, të kaloje përditë atje nga ka nisur Agneas Corpus Act, mbi paprekshmërinë e personit dhe vetë ndërgjegjësimin për faj, që të ishe kaq dashamirës dhe vlerësues për autorët shqiptarë, të cilët sigurisht nuk mund të kufizohen në një listë sa gishtërinjtë e dorës, qoftë edhe kaq rastësisht.

Unë të falenderoj sepse e di, që jetoj në një vend, që njeri do t’i bjerë fyellit dhe tjetri zurnazë, do të shfaqen edhe autorë që bëjnë sikur nuk e njohin njeri tjetrin edhe kur udhëtojnë në një autobuz, gjë që nuk e bën asnjë autor i botës, veçanërisht kur e gjen kolegun jashtë vendit të tij. Dhe këtu le te kujtojme Parisin e sallonit të Gertrud Stein me shkrimtarët amerikanë. Dhe kjo ndodhte sepse personaliteti i tyre nuk ishte i shtypur, para botës komerciale qoftë të shtëpive botuese, aq sa edhe zanat e festave europiane të rrënjëve ballkanike, nuk ishin aq te shtypura sa sot.

Dhe mua më vjen mirë, që në një atmosferë, kur piktorët nuk do të shfaqen më në botimet letrare, si në kohën që ne kemi filluar ta shajmë shpesh,- kur edhe periudha e miqësisë së Spases si autor të romanit Pse, me autorët e brezit më të vjetër, lidhur me vitet 30, duket si e perënduar, – ti gjen vend të afrosh me njera tjetrën, tre autore të sotme të letërsisë shqipe, që zenë vend në përzgjedhjen tënde delikate.

Mik i gjithë letërsisë botërore! Ne e dimë mirë se çdo të thotë të lindësh në një vend, ku të imponohet vetëm një gjykim dhe një shije, ajo e atij që të qëndron mbi kokë, si njeriu më i pagabueshëm i njerëzimit, pavaresisht se vetë kjo tregon përçudnimin e kjo ia kalon tmerrit të çdo poshtërimi, sepse ka të bëjë me privimin e cilësisë më të lartë të lirisë. Kjo nuk ka lidhje as me shpjegimin e rëndomtë që i bëjnë shoqërisë që kemi kapërcyer, të cilës ndonjëherë i japin meritën e dëshirës për krijimin e njeriut si në punishtet e skuptorëve. Por dhuna për të zhvoshkur mendjen, pikërisht si frikë nga liria e brendshme njerëzore, të cilën stoikët e ngritën në ekstrem, është ekstremi i ekstremeve. Dhe ja, ti ke fatin të vështrosh në shëtitjen, qoftë dhe pandemike, lumin Thames, pa asnjë kompleks për kulturën me të cilën lëvrohet toka shqiptare. Unë të falenderoj Rudolf Marku, që kësaj here, rreshtove njeri pas tjetrit ca miq, që kanë kapërcyer dhe vazhdojnë të kapërcejnë kalvarin shqiptar, pak të mërzitur që u ka rënë fati të përpiqen të hyjnë në një bashkësi problematike, prej të cilës britanikëve ju mbush mendja të dalin. Por bota letrare është tjetër…

Sepse secili prej njerëzve të letrave e di, se veprat e mira lindin prej veprave të mira. Të jam mirënjohëse, që ke gjetur në këtë listë modeste shoqërore, njerëz me një vokacion pak a shumë të përbashkët për letërsinë dhe njëkohësisht, për fat, kaq të ndryshëm nga njeri tjetri, në këtë “party” të vogël të facebook, të ftuar si në një festim ditëlindjeje të ndaluar.

Nga Rudolf Marku – E dashura Natasha,

Isha i zënë, duke lexuar një akt fisnikërie të Mevlan Shanaj-t për Robert Ndrenikën, dhe isha i pangopur në adhurimin e fjalëve dhe ndjesive kaq dashamirëse të tij për kolegun e vet të ekranit, sa të mos mendoja për gjë tjetër… Ndjesia e bukur e mirësisë të jep një dehje të esëllt si vetë poezia…Nuk e dija se po më priste një e papritur tjetër, eseja jote- e rrallë në letërsine shqipe, për solidaritetin dhe mos-solidaritetin e shkrimtarëve tanë…Ka aq shumë dritë letra jote, aq mirësi dhe kulturë, sa ç’i ka hije letërsisë dhe poezisë së vërtetë, gjithë atyre emrave të mëdhenj të kulturës shqiptare dhe botërore, që me të drejtë i përmend ti në letër… Jam thellësisht i prekur, sepse shkrimtarin shqiptar, por në përgjithësi edhe Njeriun shqiptar, e prek mirësia dhe fjala e mirë si një çudi, aq të mesuar jemi me të keqen.

Gëzim Basha këto dite promovoi një cikël leximesh dhe komentesh poetike- dhe brenda dy-tre javëve mbi 10, 000 vetë e ndoqën këtë Antologji sonore Poetike. Interesi dhe vlerëimi për Poezinë dhe letërsinë nuk na qenka një Fiction, një iluzion. Ajo që ka munguar dhe mungon është fisnikëria që shkapërcen xhelozitë provinciale dhe delirante. Është dhe ajo ligësi e mjergullt që këmbëngul se askujt sot nuk i intereson libri, se autorët shqiptarë askush nuk i lexon, se letërsia i përket veç së kaluarës…

Ne të gjithë ndodhemi nën trysninë e cinizmit mohues dhe të rrokupujës së predikimeve të cekëta materialiste antishpirtërore bërë me arrogancë prej ca profetnve të rreme…Vdekja e poezisë? Letra jote me jep kurajo të them: Një imagjinatë varrezash e njerëzve të vdekur! Poezia jashtë mode në kohërat moderne? Një përcaktim rrobaqepësish të modave të pantallonave…

Poetet – njerëz te fantaksur?

Poeti e ngre kokën deri në qiell, që të shohë pafundësinë, ndërsa akademikët dhe kritikët – dijetarë përpiqen ta fusin qiellin brenda kokave të veta, dhe kokat e tyre pëlcasin, na thotë G.k.Chesterton i mençur. Dhe po ky G.K. Chesterton na kujton përmes letrës tënde, se Poezia është firma e vetme autentike e qenies njerëzore…

Eseja jote u kujton krijuesve shqiptarë se, nëse poezinë dhe krijimtarinë nuk do ta vleresojnë vetë krijuesit, si mund të presësh vlerësim nga ata që Salvadore Kuazimodo i quante Armiqtë natyralë të Poezisë?

Letra meriton t’i përkasë teksteve të letërsisë- është një udhëzim shpirtnor se si mund të krijohet me dinjitet, se si mund të promovohet letërsia e vërtetë dhe Poezia e vërtetë, se si mund të shkapërcehet provincializmi inferior ndaj çdo gjëje që shkëlqen e që mban emra me tingëllim të zhurmshëm, për t’iu kthyer vlerave të vërteta, këtyre hirusheve të braktisura prej kritikës dhe studjuesve akademikë me tituj si pupla indogjenesh të dikurshëm.

Të falenderoj me përultësi për çdo fjalë tënden! /Gazeta Liberale /

 


Publikimi i mëparshëm

ITSHKSH: Të mbrohen gjurmët e Nënës Terezë

Publikimi i radhës

Mbi përkthimin e një kryevepre të letërsisë botërore

Publikimi i radhës

Mbi përkthimin e një kryevepre të letërsisë botërore

Emetimi

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin VII të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:38

MANIFESTIMI LETRAR ''SHTIGJE POETIKE'' – EDICIONI II

00:01:13

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2022 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2022 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!