Preç Zogaj | Një paradite, andej nga fundi i muajit tetor të vitit 1979, Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Dritëro Agolli, doli nga godina e Lidhjes në rrugën e Kavajës, u kthye djathtas dhe me të ecurën e tij të ngadalshme mori rrugën diagonale drejt Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës. Unë e ndoqa duke mbajtur distancën e adhurimit, që më mbronte nga të papriturat e afërsisë apo kontaktit, siç mund të ishte fjala vjen një paraqitje e keqe. E dija se po shkonte në Ministrinë e Arsimit për mua, apo edhe për mua, dhe ja ku bëheshin dy arsyet për të mos iu qepur si rrodhe.
E kam kujtuar shumë herë më vonë atë udhëtim me këmbë të Dritëro Agollit nga Lidhja e Shkrimtarëve te Ministria e Arsimit dhe Kulturës, udhëtim gjithnjë e më i shkurtër nëse numëroja metrat që ndanin ndërtesat e dy institucioneve, por i gjatë dhe i veshur prej meje në çdo hap me mendime dhe evokime, që e bënin gati të pagjasë si të kishte qenë një vegim.
Dritëro Agolli, njëri prej dy tre poetëve të mi më të dashur, nga i cili dija përmendësh me dhjetëra poezi dhe poemat e tij “Baballarët”, “Devoll, Devoll”, “Poemë për babanë dhe për vete”; Dritëro Agolli, autori i romanit të mrekullueshëm “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, që na kishte mësuar talljen dhe ironinë e hollë në moshën delikate që ndan adoleshencën me rininë, në një periudhë të errët për humorin në përgjithësi; Dritëro Agolli, përkthyes i poezive simfonike-elegjiake të Eduard Bagrickit, Dritëro Agolli, një personazh i aktualitetit që mbartte pamjen e poetit të kohërave të shkuara dhe kohërave të ardhshme, shartuar me atë që mund të ishte aura e një biri shqiptar të muzave… Kaq i adhuruar dhe i nderuar prej meje, ai megjithatë kishte shkuar në Ministri, kishte folur me zëvendësministrin e Arsimit, Lili Zhamo, për problemin tim e ndoshta edhe të ndonjë letrari tjetër si puna ime, të cilin biografia e pengonte të shkonte në shkollë të lartë.
Dritëro Agolli nuk më njihte dhe besoj nuk kishte lexuar asgjë prej meje. Emrin tim ia kishte dhënë Llazar Siliqi, i cili ishte përpjekur për mua fisnikërisht dy vite me radhë në Komitetin e Partisë së Lezhës dhe në Ministrinë e Arsimit, pastaj kishte shtyrë Dritëro Agollin të çonte në fund punën e nisur prej tij. Falë emrit që kishte, Dritëro Agolli e institucionalizoi si një të drejtë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve rekomandimin e talenteve të reja që pengoheshin nga biografia apo mesatarja e notave të shkonin në shkollë të lartë, rekomandime që në shumicën e rasteve, ndoshta në të gjitha rastet, merreshin parasysh. Kam njohur personalisht shumë letrarë të rinj që kanë shkuar në shkollë të lartë me rekomandimin e Lidhjes. Jo të gjithë janë bërë shkrimtarë, studiues apo gazetarë të njohur. Ka plot që e kanë lënë të shkruarit me kalimin e viteve, por janë bërë mësues të mirë, lexues dhe kulturëdashës. E vërteta është se institucioni i rekomandimit që ngriti Dritëro Agolli ishte një lloj antipodi i kritereve biografike të kohës. Ishte edhe një mundësi për të ndihmuar djem dhe vajza të reja, pa i hyrë analizës a ishin vërtetë të talentuar, a premtonin vërtetë të sillnin vlera të reja në letrat shqipe. Institucioni “Agolli” i rekomandimeve bashkonte vizionin me zemërbardhësinë.
Në krahun e të rinjve antikonformistë
Poetët dhe shkrimtarët e gjeneratës të viteve tetëdhjetë, të cilës i përkas dhe unë, debutuan dhe filluan të bëjnë emër në letërsi në një periudhë të veçantë që mund të quhet “periudha e antenës së ngritur në mjegull”, ku shumë syresh rrekeshin të hynin në kontakt me kulturën dhe letërsinë moderne botërore nëpërmjet librave që hynin në Shqipëri, stacioneve radiotelevizive italiane, e tjerë. Në rravgimin dhe përpjekjen e tyre për të sjellë një frymë të re lirie në poezi, poetët e rinj të kësaj gjenerate, por besoj edhe piktorët, skulptorët dhe artistët e skenës, kishin një aleat, një mbrojtës apo mecenat. Ky ishte Dritëro Agolli. Tingëllon paradoksale! Kryetari i Lidhjes, që formalisht kishte për detyrë të promovonte dhe ruante parimet zyrtare të metodës krijuese, është në një varkë me të rinjtë antikonformistë që ëndërrojnë të thyejnë korniza, kufizime, dogma! Por kështu është e vërteta.
Dritëroi na e jepte fjalën në të gjitha konferencat e shkrimtarëve të rinj e jo të rinj dhe madje dukej sikur e priste me kënaqësi momentin kur mbaronin fjalimet e paracaktuara dhe u vinte radha diskutimeve pa protokoll ku të rinjtë kërkonin fjalën. Dritëroi u bënte jehonë dhe madje i zhvillonte më tej kritikat tona kundër redaktorëve sektarë e të pakulturuar që kishin zënë myk në redaksitë botuese dhe ekzistonin për t’i marrë frymën poezisë së re antikonformiste. Në një konferencë në Tiranë ai stigmatizoi një redaktor që përbri vargut “Berat, qytet i bardhë, i gurtë”, të një poezie për Beratin, kishte vënë shënimin: “Të mos harrohet se ka dy njolla në biografi”. “Edhe qytetin na e nxjerrin me biografi të keqe”, u tall Dritëroi.
Në vigjilje të ndryshimeve të mëdha demokratike, ndërsa në shtypin e Lidhjes dhe në gazetën “Zëri i rinisë” po botoheshin poezi dhe tregime të një dykuptimësie apo alegorie gjithnjë e më të hapur kundër izolimit e shtypjes dhe në qarqet letrare artistike kishin filluar të zienin diskutimet e debatet për hapjen e vendit, Dritëro Agollin e mendonim gjithmonë si mbështetësin tonë të madh. Me këtë mendje shkuam në konferencën kombëtare të letrarëve e artistëve të rinj në Korçë pak ditë pas arratisjes së Ismail Kadaresë në vjeshtën e vitit 1990. Pesëqind pjesëmarrës, letrarë, poetë, prozatorë, piktorë, skulptorë, muzikantë, lexues, një sallë e dehur nga një pritje që s’kuptohej mirë çfarë ishte, kishte dëgjuar fjalimet antikonformiste të Teodor Kekos e Besnik Mustafajt.
Sekretari i Komitetit Qendror të Partisë Foto Çami ishte në presidium, por pa atë hijen e rëndë të partiakëve të lartë të regjimit. Për çfarë po flisnim? Nuk kishte vlerë asnjë kritikë, në qoftë se nuk përmendnim emrin e Kadaresë. Do të ishte turp nëse gjithë ajo konferencë mbyllej pa e zënë në gojë emrin e tij. Të flisnim për gjithçka tjetër, të bënim kritika të forta për gjendjen, të duartrokisnim, të fishkëllenim, të talleshim, të kapeshim dorë për dorë, të përqafoheshim dhe putheshim me mikeshat tona në hollet e sallës ku mbahej konferenca, të bënim edhe skandale si të rinj që ishim, vetëm emrin Kadare të mos e zinim në gojë, vetëm emrin e tij ta bënim të paqenë – kaq kërkonin politikanët e lartë nga fidanishtja e letërsisë dhe artit. Nuk u duhej më shumë, nuk u duhej asnjë deklaratë distancuese dhe denoncuese kundër shkrimtarit, që mund të konsiderohej e porositur. U duhej heshtja shpërfillëse e brezit të ri ndaj ikanakut plangprishës. Vendosëm të kundërtën.
Prania e Dritëro Agollit në Presidium na e lehtësoi vendimin. Unë rimora telegrafikisht një pjesë të problematikave që kishin cekur folësit para meje për të vazhduar siç ishim marrë vesh me fjalinë “dhe ndodh pastaj që shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare largohet…”. Nuk e dëgjova më tej zërin tim. Pesëqind djem dhe vajza shpërthyen si vullkan në brohoritje e duartrokitje të zjarrta. Nuk kishte ndodhur kurrë të përmendej në një kontekst justifikues një arrati dhe salla të brohoriste për të arratisurin përballë numrit dy të Partisë së Punës, që kishte ulur kokën mbi një letër atje në Presidium. Ishte një skenë e paimagjinueshme.
U dha pushim pas fjalës sime, dolëm jashtë me ngut, u bëmë bashkë gjithë “banda”, ndezëm cigare dhe filluam të thithnim me nxitim. Nuk flisnim, s’kishin çfarë të thoshim, bomba “Kadare” kishte plasur më shumë se sa e kishim menduar. Dhe ishim të shqetësuar. Donim të dinim si e kishte pritur Dritëroi, a mos e kishim zhgënjyer, duke qenë se na jepte dorën gjithnjë, por mund t’i kishim marrë dhe krahun, siç thotë fjala. E pamë diku më tej. Po pinte duhan rrethuar nga disa shkrimtarë korçarë. Njëri prej tyre, Guri Miçinoti, më thirri me emër. “Ja kështu janë këto punë, këta të rinjtë i shohin ndryshe disa gjëra. Edhe ne, kur ishim të rinj, donim të ishim rebelë në çdo gjë”, – tha Dritëroi me një të folur melodioze, duke thithur cigaren e duke parë larg nga Morava.
Në seancën vijuese Foto Çami replikoi në fjalën e tij me diskutimet e Besnikut, Teodorit dhe timin, por pa ashpërsinë e vjetër. Kohërat po ndryshonin. Nuk e dinim atëherë sa dhe kur, siç e kemi ditur pasi ndryshimi kishte ndodhur. Por qëndrimi i Dritëro Agollit kishte ndikuar si amortizues ndaj reagimeve të tipit të vjetër. Ajo ditë korçare do të mbyllej me një të papritur të paharrueshme. Pas darkës, në një aneks të hollit të hotelit, Dritëroi filloi të recitonte vargje dhe poezi popullore që dinte përmendësh. I habiti të pranishmit sa shumë dinte. Edhe unë dija përmendësh poezi popullore lirike, kisha mbrojtur temën e diplomës me një temë për lirikën e dashurisë në folklor, shokët e mi më mbanin si kampion në këtë fushë, besoj se e befasova edhe Dritëroin me vargjet që recitova. Por ai ishte i pakonkurrueshëm në këtë pikë. Sidoqoftë, pa qenë nevoja ta thoshim, lidhjet tona u pasuruan me një fill të fortë që ishte filli i vetëdijes artistike të shprehur në folklorin e pasur dhe shumë fin të trevave shqiptare.
Reflektim dhe distancim “Ala Neruda” nga diktatura
Kur me një bërthamë gazetarësh e studentësh po përgatisnim, nga fundi i dhjetorit të vitit 1990, numrin e parë të gazetës “Rilindja demokratike”, vendosëm të kërkonim e botonim disa përshëndetje nga figura publike si Ismail Kadare, Rexhep Qosja dhe Dritëro Agolli. Patëm debate në zyrën-redaksi; për ta botuar apo jo përshëndetjen e Agollit. Një anëtar i Komisionit Nismëtar të PD-së të krijuar pak ditë më parë, tha se ai nuk e kishte përshëndetur lëvizjen studentore. Unë nuk e kisha vënë re këtë hollësi. Në përgjithësi nuk bija dakord me kritikat e serta dhe sulmet e kohëve të fundit në adresë të Agollit, sikur ky kishte qenë dhe ishte dogmatik, shërbëtor i regjimit, e të tjera. Ai kishte qenë dhe ishte një shkrimtar i madh dhe një Kryetar liberal i Lidhjes së Shkrimtarëve. Përveçse kishte ndihmuar për t’u regjistruar në shkollë të lartë sa e sa letrarë të rinj, që pengoheshin nga kriteret politike të “biografisë së keqe”, Ai, me autoritetin e tij, kishte mbështetur e rritur rëndësinë e gjithë poetëve dhe artistëve të talentuar në provinca. Shumë prej tyre i kishte ndihmuar të transferoheshin me punë në Tiranë. Ai na kishte dhënë hapësirë dhe mbrojtje në të gjitha konferencat letrare ku kishim kërkuar të thyenim klishe dhe tabu. Unë nuk mund t’i harroja këto dhe kisha bindjen se pavarësisht se në cilën parti do të qëndronte, ai do të mbetej kurdoherë një humanist. Ndaj nuk mund të pranoja që përshëndetja e tij të mos botohej. Nëse kishte qenë kundër Lëvizjes, gjë që unë nuk e dija atëherë, (më vonë do të mësoja se në plenumin e Komitetit Qendror në datën 11 dhjetor kishte mbështetur me forcë dhe pa asnjë ekuivok vendosjen e pluralizmit), me përshëndetjen që na kishte dërguar, kishte kapërcyer mbi paragjykimet e tij dhe ishte dëshmuar si një njeri i lirë.
Ne, forca e re, nuk mund të gjykonim me standardet e vjetra, nuk mund të ishim më pak të hapur se vetë Agolli. Në fund të fundit, në diktaturë, asnjë njeri, sado i mirë të jetë, nuk mund t’i ndihmojë të gjithë të privuarit nga të drejtat. Për të gjykuar për këtë njeri, arsyeja e shëndoshë na thotë t’i numërojmë të mirat që ka bërë dhe jo çfarë nuk ka mundur të bëjë. Çdo gjykim tjetër është të rehabilitosh diktaturën, sikur nuk është ajo fajtorja e persekutimit të njerëzve. Me çerekun e këtyre argumenteve unë mbrojta botimin e përshëndetjes së Agollit që në numrin e parë të “RD”-së. Pala kundërshtare “fitoi” mosbotimin e fotos së shkrimtarit. Ky ishte “kompromisi”. Teksti po, fotoja jo. Blendi Fevziu do të shkruante më vonë se kur do ta shihte Dritëro Agollin duke u përballur me nostalgjikët e komunizmit në Kongresin e transformimit të Partisë së Punës në Parti Socialiste në qershor të atij viti, do t’i vinte shumë keq që në numrin e parë të RD-së fotoja e Dritëro Agollit nuk ishte botuar përbri përshëndetjes së tij, njëlloj si fotot e Kadaresë dhe Qoses.
Kalvari i një figure të madhe dhe komplekse si Agolli gjatë viteve të tranzicionit demokratik postkomunist është një dukuri për t’u studiuar e analizuar në rrafshin letrar, politik, antropologjik. Nëse do të mund të shkruaja për këtë temë, do të evokoja patjetër një bisedë me të në Ankara gjatë një vizite të Presidentit të Republikës, Rexhep Meidani, atje. Në hollin e hotelit ai më pohoi se nuk kishte shkruar asgjë pa e ndjerë, apo për t’ia hedhur regjimit, siç ishte dhe vazhdon të jetë në modë në rrëfimet e disa shkrimtarëve kur flasin për poezi apo vepra të shkruara prej tyre gjatë diktaturës kushtuar partisë, Enverit, apo komunizmit. Dritëroi të jepte përshtypjen, madje e pohonte edhe me fjalë të kursyera se qëndronte përballë kësaj pjese të politizuar të veprës së vet si i vetëgjykuar, pa poza dhe bujë. Atë mbrëmje folëm ndër të tjera për librin autobiografik, “Po ju them se kush jam” të poetit nobelist kilian, Pablo Neruda. Në këtë libër Neruda ka shpjeguar morfologjinë e adhurimit të tij në distancë ndaj Bashkimit Sovjetik dhe Stalinit, si udhëheqës dhe strateg që kishte thyer Hitlerin. Që nga Kili i tij ai i kishte kushtuar Stalinit një poezi dhe nuk kishte qenë i vetmi poet dhe intelektual me bindje të majta që kishte besuar në utopinë komuniste. Shumica e poetëve latinë në Europë dhe në Amerikën e Jugut këtë utopi kishin ndjekur e lëvduar. Në librin e tij, Neruda përshkruan përballjen dhe zhgënjimin me regjimin stalinist dhe me të ashtuquajturin socializëm real të Lindjes, pasi e viziton vetë Bashkimin Sovjetik dhe pasi mëson për purgat, krimet, kampet e internimit atje e të tjera, pra për një realitet të kundërt me idealet e tij humane.
Është një ndarje me ëndrrën dhe utopinë që jepet në libër me vërtetësi tronditëse, me dhimbje. Unë e kisha lexuar atë libër dhe kisha gjetur një analogji, një fill përbashkues mes distancimit të Nerudës nga komunizmi sovjetik dhe distancimit të Agollit nga diktatura komuniste në Shqipëri, pavarësisht se në rrethana të ndryshme. Filli përbashkues ishte vërtetësia, sinqeriteti, thellësia gjithashtu, pra një gjë që nuk mund të jetë kurrë një shpallje e çastit, por një proces i gjatë dhe dramatik, pse jo. Nëpër këtë rrugë ka kaluar edhe evoluimi drejt poezisë shpirtërore dhe metafizike i nobelistit tjetër ispanoamerikan, i meksikanit Oktavio Paz, që e kishte nisur si një poet i angazhuar i manifesteve majtiste. Talenti dhe humanizmi e gjejnë rrugën dhe destinacionin e artit. Nuk është rastësi që Dritëro Agolli shkroi kaq shumë libra me poezi të reja në demokraci, megjithëse ishte rreth të gjashtëdhjetave kur ra diktatura. Ai ristartoi në erën e lirisë dhe duke trashëguar tiparet më të mira të poezisë së tij lirike, shkroi akoma më bukur, dhe ngriti në lartësi të reja veprën e tij.
Gjithnjë kam pasur e kam një imazh të patjetërsueshëm për poetin. Ky imazh është ruajtur nga kontakti mes thelbit tim dhe asaj që mund të ishte thelbi i tyre. Fatos Arapin, për shembull, e kam menduar tek kalon nëpër kohë duke qarë. Dritëro Agollin, qëkurse i kam lexuar poezitë e para, e kam menduar duke u ngritur nga errësira si pemë ose si shpend për t’u bërë pastaj njeri dhe anasjelltas, në një metapsikozë ciklike. Po të mos e kisha takuar kurrë, do të ruaja për të këtë imazh përtej regjimeve dhe kohëve. Por kam pasur fatin ta njoh dhe ta shoqëroj imazhin për të si poet me të qenët e tij zemërbardhë si njeri. Në të gjitha episodet që unë kam për të treguar e kujtuar rreth tij, kështu me del: njeri me zemër të bardhë. Është e njëjta gjë në fakt: Dritëro Agolli është shembulli që ilustron të vërtetën e vjetër, se jo çdo njeri zemërbardhë është poet, por nuk mund të ketë poet të madh pa zemër të madhe.
Marrë nga libri “ Ky është Dritëroi im”, që sapo ka dalë në qarkullim, një përmbledhje kujtimesh e esesh nga poetë dhe miq të Dritëro Agollit.
| Gazeta Liberale |