Prof. Dr. Zeqirja Idrizi | Aqif Mehmed Pasha (Deralla), ishte nga vezirët eminentë të Perandorisë Osmane. Rrjedh nga një familje e shquar tetovare, e cila është një familje e vjetër dhe e njohur në Shqipëri. Stërgjyshi i tij Rexhep Pasha kishte prejardhje lumjane, i cili një kohë shërbeu si vali në Selanik. U vra në frontin e Iranit, në kohën e Sulltan Ahmed Hanit. Edhe babai, Rexhep Pasha-zade Velijudin Hilmi beu në ndërkohë u vra në More . Familja e tij ka afërsi me familjen e Begollajve të Pejës.
Aqif Mehmed Pasha lindi në kasabanë e Tetovës në vitin 1238/1822. Pas vdekjes së babait, shkoi te mixha i vet Ali Hifzi Pasha,(i cili ishte Pasha i Pashallëkut të Shkupit Z.I). Aty u edukua dhe u shkollua. Pas kryengritjeve që u paraqitën në Shqipëri në fund të kohës së Sulltan Mahmud Hanit II, mixhallarët e tij Abdurrahmanin, Hifziun dhe Hasanin, me gjithë familje i detyruan të shpërngulen nga aty (nga Tetova dhe Shkupi) dhe për disa vite i vendosën në vende të ndryshme të Anadollit. Mirëpo, disa vjet pas ardhjes së Sulltan Abdulmexhidit në fron, i solli në Stamboll. Në vitin 1265/1848 , me kënaqësi të madhe, me titullin haxhegjan, e emëruan sekretar në kabinetin ministror. Pastaj, qe shpërblyer me gradën vezir i tretë dhe me një pjesë xhevahiri (guri çmueshëm).
Më pastaj, në luftën e Malit të Zi, bashkë me serdar Ekrem Omer Pashën, tregoi trimëri dhe aftësi të jashtëzakonshme. Kështu, aftësia dhe talenti i tij i jashtëzakonshëm shkencor, nga njëra anë dhe ai politik, nga ana tjetër, tërhoqën vëmendjen dhe kujdesin e Reshid Pashës. Në vitin 1269/1852 përsëri me gradën mirmiran, emërohet mytesarif në vilajetin e Shkupit, e pastaj bejler bei Rumelisë. Në vitin 1275/1858 , me gradën e vezirit emërohet vali i Bosnjës. Që nga kjo kohë shërbeu si vali në disa vijalete: në vilajetin e Danubit , Edrenesë, Bagdadit, Konjës, Vanit, Xhezair Bahri Sefidit , nganjëherë; në vilajetin e Prizrenit dhe Janinës, nga dy herë; në vilajetin e Selanikut dhe Bosnjës, nga tri herë. Në kohën e Sulltan Abdulaziz Hanit hyri në kabinetin ministror për çështje të drejtësisë. Ndërkaq, në kohën e sulltanatit të Abdulhamidit dy herë u zgjodh kryetar në Këshillin e Lartë shtetëror. Në vitet e fundit të jetës, duke qenë nënpunës në vilajetin e Xhezair Bahri Sefidit, kërkoi të lirohet nga obligimet dhe detyrat. Një kohë pas kthyerjes në Stamboll, më 13.11.1893, në moshën 73 vjeçare vdiq. U varros në oborrin e tyrbes (mauzoleut) së Fatih Sulltan Mehmed Hanit. Aqif Mehmed Pasha ishte njëkohësisht i shkëlqyeshëm edhe për letërsi orientale. Ashtu siç kishte aftësi të jashtëzakonshme për të thurur poezi dhe për të shkruar shkrime të ndryshme në të tri gjuhët orientale (turke, arabe, persiane), dinte të flasë bukur gjuhën amtare (gjuhën shqipe) dhe gjuhën greke, po ashtu kishte aftësi të shkruajë edhe në gjuhën frënge. Ishte personalitet që shquhej për sjellje të mirë e moral, për fisnikëri e bujari, për drejtësi e trimëri, e njëkohësisht kishte afinitet për letërsi. Nga djali i tij i madh, Salih Rashid beu , i cili, po ashtu, ishte nga letrarët e talentuar të kohës dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Shtetit, ka informacione se ai (Aqif Mehmed Pasha), ka lënë disa vepra të ruajtura që kanë të bëjnë me letërsi.