Xhelal Zejneli | Ali Podrimja (1942-2012) konsiderohet përfaqësues më tipik i poezisë së sotme shqiptare. Është poet me emër në shkallë kombëtare. Në poezitë e tij përdori një sistem të konsoliduar figurash stilistike, sidomos simbolin dhe metaforën.
Lindi dhe u rrit në Gjakovë. Studioi gjuhën dhe letërsinë në Universitetin e Prishtinës. Shpirtërisht dhe në aspektin intelektual u formua në vitet ’50. Poezinë e parë e botoi në vitin 1957 në revistën “Jeta e Re”. Ishin vite kur shqiptarët në Kosovë përjetonin terrorin e egër të pushtuesve serbë. Ishte koha e aksionit famëkeq të grumbullimit të armëve nga regjimi pushtues serb. Ishte koha e shpërnguljeve dramatike të shqiptarëve. Shpërngulja e dhunshme e shqiptarëve për në Turqi kishte përmasa tragjike. Është i njohur elaborati i akademikut serb Vaso Çubrilloviq (1897-1990), “Iseljavanje Arnauta” (“Dëbimi i shqiptarëve”), i lexuar më 7 mars 1937 në Klubin kulturor serb në Beograd. Në këtë kohë u shpërngulën për në Turqi rreth 300.000 shqiptarë. Poeti u rrit dhe u poq në rrethana të tilla. E tërë Kosova si dhe viset e tjera shqiptare nën Jugosllavinë e serbomadhit Aleksandër Rankoviq (1909-1983), ishte nën thundrën e shërbimit sekret jugosllav UDB (Uprava državne bezbednosti – Drejtoria e Sigurisë së Shtetit).
Në poemthin lirik “Hija e tokës” (1960) poeti nisi t’i rezistojë dhe t’i kundërvihet pushtuesit serb, duke i stigmatizuar tërthorazi kolonizatorët serbomëdhenj.
Qaj rrafshi im i dashur, qaj!
Diellin tënd verbuar e kanë tytat
E vatrat shkrimbur deri më një…
Në vitin 1961 botoi përmbledhjen e parë me vargje elegjiake “Thirrje”. Vijnë përmbledhjet “Shamijat e përshëndetjeve” (1963), “Dhimbë e bukur” (1967), “Sampo” (1969), “Torzo” (1971) etj. deri në veprën e tij mjeshtërore “Lum, lumi” (1982) që shënoi një kthesë në poezinë bashkëkohore shqipe në Kosovë.
Në vitet ’80 dhe ’90 Podrimja do të vazhdojë të botojë vepra poetike si “Zari”, “Buzëqeshje në kafaz” etj. deri te dy librat në prozë: “Burgu i hapur” (1998) dhe “Harakiri” (1999).
“Hija e tokës” – poemthi është i ndarë në katër pjesë dhe përmban 35 këngë. Poezitë e këtij poemthi përmbajnë revoltë ndaj të keqes. Poeti është i frymëzuar nga e kaluara epike dhe dramatike e Kosovës. Poeti shpalon të kaluarën nëpër shekuj, projekton të nesërmen e ëndërruar. Imagjinata e poetit, soditjen poetike, rrëfimin poetik e shtrin në lashtësinë mitologjike dhe antike të fisit të vet, duke vendosur në sfondin poetik bëma, epoka, personalitete të fisit, duke i mbështjellë në petkun simbolik dhe metaforik.
Terrorit të egër ndaj Kosovës së pambrojtur, poeti i del para me lashtësinë antike të fisit të vet, me qëndresën dhe gjakun e derdhur ndër shekuj, duke klithur:
“Kosova është gjaku im që nuk falet!”
Në vijim, poeti lëshon kushtrimin:
“Zgjohu Kosovë! Zgjohu nëna ime e dashur, balli dhe emri im i shkelur, zgjohu! A po e ndien vajin tim!”
Në krye të poemthit, poeti vuri emrat e bijve të Gjakovës, dëshmorë të lirisë së së kombit e të Kosovës: Bajram Currin, Asim Vokshin, Ganimete Tërbeshin, Emin Durakun, Mustafa Bakinë. Poeti i beson të nesërmes së ëndërruar.
Në shprehjen poetike poeti solli gjuhën ezopike në letërsi, duke ia hapur rrugën njëherazi lirikës patriotike, të artikuluar me gjuhë të figurshme, me simbole, metafora, paralelizma dhe parabola poetike krahasuese. Nëpërmjet gjuhës së figurshme poeti shpreh revoltën dhe idealin kolektiv. Njëherazi mbrohet edhe nga censura zyrtare.
Ëndrra e shqiptarëve për të qenë të lirë dhe për t’u bashkuar si komb, ishte shqetësim kolektiv.
Poezitë e vëllimit “Torzo” të botuar dhjetë vjet më vonë, qëndrojnë në shkallë më të lartë.
Pasojnë ciklet poetike Guri, Kulla, Cungu, Poema e heshtjes, Kali i Trojës, Dëftore, Pylli etj. Edhe te vargjet intime, madje te vargjet në vëllimin “Lum, lumi” që janë vargje të dhimbjes dhe të pikëllimit për vdekjen e të birit, Lumit, shqetësimi krijues për Kosovën është në sfond, prapavijë e përhershme.
Poetika e vargut të Podrimjes, e çliruar nga konvencionet tradicionale, shquhet për gjuhën ekspresive dhe figurative të pasur. Poetikë që kërkon pandërprerë mundësi të reja për të artikuluar emocionet, imagjinatën dhe filozofinë jetësore. Shtylla të korpusit figurativ në këto poezi janë: guri, kull, pylli, cungu, muri, ura … Poetika e tij është e ngjeshur me dramacitet historik, burimor. Nëpërmjet kësaj arrihet unifikimi ndërmjet individit dhe kolektivit, vetëdijes individuale dhe asaj kolektive. Nëpërmjet simbolikës së tillë mitike dhe antike të fisit, poeti arrin vlera universale të përgjithësimit artistik.
Me ciklin “Pylli” poeti udhëton nëpër botën e kombit. Pylli është shkelur, është kafshuar nga dhëmbi i egërsirës. Përtej pyllit është lumi që shuan etjen e truallit, e tokës etnike, stërgjyshore. Për të ecur i lirë nëpër pyll duhet të të prijë ylli (ideali). Poezia “Dëftore” është një tjetër perspektivë ligjërimi. Ardhja dhe ikja e pushtuesve gjatë shekujve shprehet me një gjuhë realiste. Kanë ardhur pushtues mbretër, sulltanë, krajla. Poeti kurrë s’e humb shpresën për të nesërmen e ëndërruar, shpresën e lirisë. Një brez i ri, një frymë e re zgjon gjakun e arbrit dhe të Kosovës, njësoj si te rilindësit.
“Poema e heshtjes” – Në vargjet e këtij vëllimi, përmes një gjuhe të figurshme, hasim heshtjen e bëmave, historinë e pashkruar të popullit shqiptar. Por, poeti na zbulon se heshtja jonë nuk është e shurdhët. Ajo gjallëron si dhimbje, si një plagë e gjallë që i beson shërimit. Nuk është heshtje ngase mbi të është guri, është kulla.
“Lum, lumi” – në ciklin e poezive të këtij vëllimi kemi dhimbjen e poetit për sëmundjen e pashërueshme të të birit. Njëherazi poeti na flet artistikisht edhe për qëndresën e fisit, për frëngjinë e kullës nga ku mbrohet dheu i të parëve. Në poezinë “Dhoma e vdekjes” kemi grimca të legjendave që flasin për luftën e fisit ndër shekuj kundër të keqes. Poezitë e këtij vëllimi janë lirikë e pikëllimit, me prirje elegjiake. Poeti e paraqet botën e brendshme të vet pa një tendosje shpirtërore të madhe. Po këtë stil thurjeje vargjesh e hasim edhe në lirikën politike të poetit. Tematika dhe frymëzimi poetik i krijimeve letrare të Podrimjes vendosen në sfondin e tërësisë lirike me tematikë patriotike, sfond ky që shtrihet në tërë veprimtarinë e tij. Rrugën krijuese të Podrimjes e kanë ndjekur shumë poetë të rinj.
Lirikat me tematikë politike, sidomos ato të viteve ’90 të Podrimjes degëzohen brenda tre reflektimeve: refleksi i nxitur nga pushtuesi i tokës kosovare; refleksi i nxitur nga “hipokrizinë e Evropës”; dhe refleksi i nxitur nga pjesa e keqe e popullit të poetit.
Përballë hordhisë pushtuese poeti vë kalanë mbrojtëse, të veshur simbolikisht, si guri, kulla, muri, Rozafa. Këto përbëjnë trupin e kështjellës shpirtërore të kombit me rrënjë dhe prejardhje të lashtë në këtë truall dhe në këto hapësira. Këto lirika poeti i krijon i frymëzuar nga ngjarjet e ditës. Në asnjë çast nuk bie në banalitet, në atdhetarizëm të rremë dhe folklorizëm shterp.
Poetin e shqetëson indiferenca dhe dyfytyrësia e Evropës ndaj çështjes shqiptare dhe fatit të popullit shqiptar. Ai shprehet kundër vendimeve të padrejta të kancelarive evropiane lidhur me lirinë dhe pavarësinë e popullit shqiptar. Ai u bën thirrje shqiptarëve që vetë t’i dalin zot çështjes së tyre.
Në kuadër të kësaj lirike politike, poeti fshikullon edhe sjelljen e atyre shqiptarëve që janë indiferentë ndaj dramës që e përjeton Kosova. Stigmatizon ata shqiptarë të cilët, duke u vënë në shërbim të pushtuesit, e pengojnë këtë luftë.
Prirjet për grindje dhe përçarje, për vënie kufijsh rajonalë, krahinorë, fisnorë dhe fetarë janë veprime që i shkaktojnë dhimbje poetit.
Vargu i Podrimjes arrin kulmet në krijimtarinë letrare shqiptare aktuale.
rrugën e vet poetike, Podrimja e filloi i frymëzuar nga e kaluara e kombit dhe e Kosovës. Poeti arriti që zërin e unit folës ta bashkojë me atë të unit kolektiv. Vëllimi “Torzo” është vlerësuar si kulmi artistik i Podrimjes. Këtu uni lirik tërhiqet, intimizohet, zhvishet nga patosi i unit kolektiv dhe personalizohet. Rrethi tematik është në valët e lirikës patriotike. Tani uni gërshetohet me përjetimet intime nga përditshmëria e poetit. Në fazën e tretë të krijimtarisë, ku bëjnë pjesë ciklet poetike “Mbi lumin”, mesazhi i poetit shqiptohet në mënyrë të prerë, të drejtpërdrejtë dhe artikulohet nëpërmjet shkallëzimit të ironisë, duke arritur në ndonjë rast edhe në sarkazëm e anatemë.