Ai është një autor i letërsisë shqipe, i më të lirës krijimtari të shkruar ndonjëherë në periudhën e diktaturës komuniste. Lindi në Korçë më 15 dhjetor të vitit 1925 dhe u largua nga jeta më 22 tetor të vitit 1993 në Tiranë, ende pa e parë të botuar veprën e tij.
E nisi krijimtarinë nga fillimet e viteve ’50, në Shqipërinë e diktaturës, aty në zgrip të ndonjë pushkatimi apo varjeje në litar, sikur ngjau me Vilson Blloshmin, Trifon Xhagjikën apo Havzi Nelën. Zotërues i mbi pesë gjuhëve, por edhe i një kulture të gjerë e diturive të rralla, Robert Prifti shkruante në vende të fshehta transkripte me lupë, në gjuhën italiane nën dy pseudonime “Robert Elin” e “Trevor Elin”.
Prej manuskripteve të ngjizura imët, letërsia e Robert Priftit, do të bëhej e njohur pasi të mërgonte në mënyrë klandestine, për t’u botuar së pari në gjuhët që ishte shkruar, shumica në italisht. Vite më pas, një pjesë e veprave nisën të përktheheshin nga i biri Edgar Prifti në gjuhën shqipe. Në Itali janë bërë objekt studimi, por në Tiranë të paktë janë ata që e kanë drejtuar vëmendjen nga letërsia e Robert Priftit…
Por ora e kujtesës troket sërish….Djali i Robertit, Edgar Prifti, ish basketbollisti i Partizanit në vitet ’80, lojtari inteligjent i skuadrës që vlerësohej dhe kërkohej edhe nga trajnerët e huaj, fanella numër 4, që sot mban titullin “Mjeshtër i Madh” -rrëfen në një intervistë ekskluzivisht për Report Tv, odisenë e një krijuesi të rrallë të letërsisë shqipe. Edgari zgjedh të flas përtej të qenit biri i Robert Priftit, ku na jep mundësinë të njihemi me një degëzim të ri të historishkrimit të letërsisë shqipe; kolanën e rrallë me 8 vepra, që shënohet me romanet, “Shenjtori i dhunës”, “Dielli i të vdekurve”, “Syri i Polifemit”, etj, me veprat filozofike, me poezitë, por edhe me të tjera dorëshkrime në pritje të botimeve të reja.
Në intervistën me Edgar Priftin, ne kemi hedhur vetëm hapin e parë të njohjes së një letërsie të shkruar underground, në kushtet e mungesës totale të lirisë së fjalës; ku ai na tregon sesi u shkrua për diktaturën, të parë në lupën e të atit të tij, Robert Priftit.
/ Shqiptarja.com / Tradita. org /