Xhevahir Spahiu është poet i sprovave të mëdha. Krijoi dhe imponoi individualitetin e tij në një kohë kur un-i ishte i rrezikshëm. Nuk bëri lëshime me fjalën për të lehtësuar fatin vetjak.
I nderuar akad. Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë,
E nderuar znj. Meri Kumbe, Zëvendësministre e Kulturës,
I nderuar akad. Ali Aliu, e nderuar znj. Vasilika Hysi, Nënkryetare e Kuvendit,
Zonja dhe zotërinj pjesëmarrës, akademikë, profesorë, studiues, kolegë,
I nderuar akademik Xhevahir Spahiu, i dashur dashur poet dhe mik,
Le ta fillojmë këtë takim shkencor e miqësor me urimin tonë, urimin e gjithë të pranishmëve, dhe të të papranishmëve gjithashtu, që e duan dhe e çmojnë me mend dhe me zemër poezinë e Xhevahir Spahiut, ngado që shijohet fjala poetike në gjuhën shqipe: Edhe 100!
Ne që jemi këtu jemi të paktët. Ata që do të donin të ishin sot bashkë me ne në këtë urim e dimë më siguri se janë shumë më tepër.
Në përpjekjen time për të thënë diçka jashtë përftimit vetjak për poetin dhe akademikun Xhevahir Spahiu – aq sa mund të thuhet në një fjalë të shkurtër hapjeje – mendimi i parë që më erdhi në mendje ishte të këshillohesha me atë që ne e konsiderojmë si libri zyrtar i protokollit të përurimit të vlerave intelektuale dhe qytetare: Fjalorin Enciklopedik Shqiptar. Dhjetë radhët që gjeta aty, dhjetë radhë asnjanëse, më lanë të zhgënjyer. Mendova se mund të më ngushëllonte Fjalori Enciklopedik i Kosovës, duke qenë se Rilindja qe shpëtimtare e librit të tij të kthyer në karton Zgjimi i thellësive. Por dhe aty thuajse asgjë. Jetëshkrimin më vlerësues për Xhevahir Spahiun e gjeta në Poetry International Archive të Roterdamit, shkruar nga Roel Schuyt. Për të qenë më i besueshëm, po paraqes ç’përmban ky zë, shkruar në vitin 2001, me rastin e pjesëmarrjes së akademikut tonë në Festivalin vjetor të poezisë. Fillon kështu: Pas shumë e shumë mundimesh e kufizimesh në një shoqëri totalitare poeti mendon me përulësi e vetëqortim se nuk ia ka dalë ta realizojë misionin e vet: u ka shumë borxhe të gjallëve e të vdekurve. Por një gjë e di mirë: tani është koha që shoqëria të shlyejë detyrimet ndaj atij vetë. Në këtë portret simptomatik të Poetry International of Roterdam vlerësohet veçmas poezia Fjala, për zhgënjimet e autorit për lirinë e vonuar, lirinë që atij nuk i vlen më; vëllimi Zgjimi i thellësive, që cilësohet klithmë tronditëse e poetit të inatosur; motivet mitologjike të ringjalljes e të përtej-jetës; vjersha Nata e shiut të tmerrshëm, që metaforikisht shenjon natën e brendshme të poetit; për të mbërritur tek poezia kushtuar kometës Halley dhe vjersha Përmbysje, në të cilat autori e sheh veten krejt të braktisur, madje edhe nga vetë Universi. Një poet pesimist deri në vuajtje, që u shfaq në letërsinë shqipe në një periudhë që e quante veten epokë dhe optimizmin mënyrë jetese. Zëri shoqërohet me poezinë Udhëtimet e mia.
Xhevahir Spahiu është poet i sprovave të mëdha. Krijoi dhe imponoi individualitetin e tij në një kohë kur un-i ishte i rrezikshëm. Nuk bëri lëshime me fjalën për të lehtësuar fatin vetjak. Priti goditjet e fatit pa iu ankuar askujt, duke i shtuar dukurisë së prometeizmit në letërsinë shqipe, për të cilën flasin studiuesit, përmasë të re. Duroi indiferencën dhe komplotin e heshtjes, duroi sprapjen dhe burgun e fjalës. Protestoi kundër lirisë së gënjeshtërt dhe iu përgjigj me një cikël poezish egërsisë kriminale të vitit 1997, kur shkrimtarët dhe akademikët thirrën me dhimbje: Goditën Lorkën e Shqipërisë! Qendroi vertikalisht në të gjitha kohërat. Akademiku Ante Popovski kishte të drejtë kur shkruante: Me Xhevahir Spahiun edhe vetë poezia europiane fiton në origjinalitet dhe modernizëm. Nuk gjej një mënyrë të shprehuri më domethënëse se ajo e Alexandre Zotos, i cili e ndau më vete poezinë e tij në të pesë antologjitë e letërsisë shqipe botuar në gjuhën frënge: Një zë i shkëlqyeshëm në poezinë bashkëkohore, Xhevahir Spahiu i është kushtuar tërësisht vjershërisë së tij ende të trysnuar nga ndjesia e fajit dhe pesha rënduese e një vendi nën zgjedhë (Grande voix de la poésie contemporaine, Xhevahir Spahiu se consacre aujourd’hui tout entier à son œuvre encore hantée par la culpabilité et le poids d’un pays sous le joug).
Sprova më e madhe e Xhevahir Spahiut është se nuk heshti, kur i kërkuan heshtjen dhe nuk e braktisi poezinë, kur shumica e lanë për vokacione të tjera.
Xhevahir Spahiu është fitues i dhjetëra çmimeve, nderimeve dhe mirënjohjeve letrare, por unë do të përmend vetëm tre prej tyre: çmimin special të konkursit ndërkombëtar Les muses d’Or (Paris 1993); çmimin letrar ndërkombëtar Diploma de Excelenta fituar në festivalin europian të poezisë në Rumani (Arges 2003); dhe Urdhërin e Pavarësisë të Republikës së Kosovës, për meritat e tij qytetare gjatë viteve 1990.
Ne që jemi rritur me poezinë e Xhevahir Spahiut, sa herë diskutojmë për udhën historike të saj, e kemi të pashmangshme të mos ndalojmë tek poezia Jetë, e cila me gjasë paracaktoi të gjitha ndërlikimet dhe pësimet e mëvonshme të tij. Kjo poezi u botua për herë të parë në vitin 1972, në numrin e dhjetorit të revistës letrare Nëntori. Për më shumë se dy dekada ishte e ndaluar. Më vonë edhe vetë autori pati një sjellje të shkujdesur ndaj saj. Kështu ndodh gjithnjë kur autorit ia vdesin brenda vetes privilegjin e autorësisë. Poezia Jetë ishte kritikuar për ndikime dekadente nga filozofia ekzistencialiste e Sartrit në raportin politik të kreut të shtetit ideokratik. Nëse poezia nuk u botua më, kjo kritikë u ribotua tri herë, në tri kohë të ndryshme, në të tri rastet me redaktime të vogla, por me ngjyresa të qarta (një ditë pas fjalimit, në të përditshmen e partisë, Zëri i popullit; në E. Hoxha, Raporte e fjalime 1974-1975 dhe në Veprën e plotë). Redaktimet gjejnë shpjegim me momentin e botimit: rasti model për ndëshkim a për pak tolerancë ishte gjetur. Nëse duhej lënë ndonjë shenjë e vogël zbutjeje në komunikimin me botën, apo duhej paralajmëruar e kundërta, mjaftonte të prekej një fjalë.
Për paradoks, daktiloshkrimi që ruhet në AQSH nuk është i njëjtë me asnjërin nga redaktimet. U qortua për dy vargjet refren: Jam ai që s’kam qenë / Do jem ai që nuk jam; duke i pandehur si perifrazime të njërës prej premisave të filozofisë së Sartrit për raportet mes qenies dhe mosqenies, apo qenies dhe hiçit, ndonëse në të vërtetë distihu ishte thjesht një perifrazë poetike në invers e asaj që quhet autobiografia më e shkurtër në historinë e Njerëzimit: Unë jam ai që kam qenë, që jam e që do të jem, siç thuhet në Testamentin e Vjetër në gojën e Perëndisë-At. Duke ju kërkuar ndjesë për kohën që do t’ju marr dhe duke shpresuar të kem mirëkuptimin e aktores së njohur Ema Andrea për këtë kuturisje timen në lexim poetik, më lejoni ta lexoj këtë vjershë për ju thjesht për kujtesë historike.
Jetë
Jam ai që s’kam qenë,
Do jem ai që nuk jam.
Pemë po të isha, të mbija ndanë lumit,
Të gjelbëronin shpresat, të binin fletët e trishtimit
Mbi degët e përkulura të thinjej dëbora, të ulërinte era,
Netëve një ëndërr:
të vinte pranvera.
Do t’i grishja zogjtë, të vinin tek unë të ngrinin fole,
Të cicëronin, të lodronin një çast pas shtegtimit;
Mbi mua papritur të vërshonin ujërat,
Trungun dallgët të ma rrihnin.
Zogjtë të iknin në liri, të iknin,
Fëmijët të kacavireshin
Gjethet t’i këpusnin për herbariume.
Mbi gjoksin tim, ku mbështetet arusha
Djem, mbështetni shpatullat e vajzave të bukura.
Jam ai që s’kam qenë,
Do jem ai që nuk jam.
Le të vijnë druvarët, trungun le ta presin,
Nën tokë, për ringjallje, rrënjët le të mbesin.
Mbi drurin tim le të mbijë gjithçka, por jo arkivole.
Mbi krye të kem qiellin me mall
Nën këmbë as hije,
Mbi tryezat e sajuara prej eshtrave të mia
Mbështesni bërrylat
Bini në mendime.
Jam ai që s’kam qenë
Do të jem ai që nuk jam. / www.akad.gov.al /