Xhelal Zejneli | Pas poezisë epike dhe asaj lirike, kushtet e reja shoqërore kërkonin një formë të re të shprehjes artistike dhe kjo ishte poezia dramatike. Ajo e nisi rrugën e zhvillimit të saj në Athinë, para mesit të shekullit V para K. Ajo shënoi një nga majat më të larta të letërsisë klasike greke. Ashtu si poezia epike, edhe tragjedia, heronjtë i mori kryesisht nga mitologjia. Por, derisa e para i këndoi bëmat e heronjve legjendarë në luftë, tragjedia pasqyroi ndeshjet psikologjike dhe vuajtjet e tyre në një rrafsh njerëzor dhe të lidhur ngushtësisht me problemet politike, shoqërore, filozofike dhe etike të kohës. Poeti epik ngjarjet dhe heronjtë i vështronte nga lart si një soditës i paanshëm, kurse poeti tragjik bëhej një me shqetësimet dhe gëzimet e heronjve, duke shprehur qëndrimin e tij, herë përmes korit dhe herë përmes fjalëve të personazheve.
Dramaturgë të parë grekë ishin Tespi, Pratini dhe Korili të shekullit VI para K. Më i njohuri prej tyre ishte Frinku athinas. Në dramën e vet “Rënia e Miletit” flet për humbjen e grekëve të Azisë së Vogël në luftë me persët. Në tragjedinë “Fenikaset” flet për fitoren e Athinës kundër persëve në Salaminë.
Duke filluar nga shekulli V e këndej, qendër kryesore kulturore, artistike e filozofike për mbarë Greqinë u bë Athina. Këtu jetuan dhe krijuan dramaturgët e mëdhenj Eskili, Sofokliu, Euripidi, Aristofani; historianët Herodoti, Tuqididi, Ksenofoni; filozofët Sokrati, Platoni, Aristoteli, Epikuri; oratorët Isokrati, Demosteni etj.
Në periudhën e sundimit të Perikliut, burrë shteti athinas, qyteti u zbukurua me ndërtesa e monumente të arkitekturës greke. U ndërtua Partenoni, Propileu, Erehtioni që përbënin ansamblin e Akropolit. Këto ndërtesa u zbukuruan me skulpturat e Fidias, Mironit, Poliktetit, më vonë edhe të Praksitelit, Skopas etj. Historiani i lashtësisë Plutarku shkruan: “…u krijuan vepra të jashtëzakonshme nga madhështia, thjeshtësi dhe eleganca”.
ESKILI – lindi në Eleuzinë, fshat afër Athinës, rreth vitit 525 para K. Patriotizmi i popullit në një luftë për jetë a vdekje kundër persëve, u bë burim frymëzues për qytetin-shtet të Athinës. Për këto ngjarje flet edhe historiani i parë grek Herodoti, në veprën e tij “Historia”. Në këtë atmosferë entuziazmi jetoi dhe krijoi i pari tragjedian i madh i Greqisë, Eskili. Bashkë me dy vëllezërit e vet mori pjesë në luftën greko-perse. Luftoi në Salaminë në vitin 480 para K. dhe në Plate në vitin 479 para K. Lavdisë së tij si poet, Eskili ia shtoi edhe lavdinë e qytetarit të ndershëm dhe atdhetar. Vdiq më 456 par K. në Gela të Sicilisë. Në varrin e tij u shkrua epiteti: “Ky varr mban në gjirin e tij Eskilin athinas…Persiani që e njohu mund të dëshmojë për heroizmin e tij të lavdishëm.”
Veprat – Eskili ka shkruar rreth 80 apo 90 tragjedi. Janë ruajtur të plota: “Lutëset”, “Persët”, “Të shtatë kundër Tebës” dhe “Agamemnoni”, “Koeforet”, “Eumenidet” që janë pjesë përbërëse të trilogjisë “Orestia”.
Humbjen fatale të pjesës dërmuese të tragjedive antike e ka analizuar I. Kadare në studimin e tij “Eskili, Tiranë 1986.
Përveç tragjedisë “Persët”, të gjitha të tjerat i kanë marrë subjektet nga mitet dhe legjendat e lashta përmes të cilave Eskili shprehu shpirtin e kohës, përplasjet politike e shoqërore, virtytet dhe krimet, pasionet njerëzore, luftën në rrafshin filozofik midis obskurantizmit dhe iluminizmit.
“Lutëset” – në themel të veprës shtrohen dy probleme: ai i ndalimit të martesës brenda fisit dhe ai i dashurisë si ligj i ripërtëritjes së gjinisë njerëzore.
Tragjedia e dytë është “Të shtatë kundër Tebës”. Në të flitet për luftën për pushtet midis dy vëllezërve – Eteoklit dhe Polinikut të cilët ishin marrë vesh të qeverisnin Tebën me radhë. Një ditë Eteokli vendos të mos e ndajë pushtetin me vëllain. Atëherë ky u drejtohet gjashtë prijësve miq të tij dhe vetë i shtatë shkon t’i sulet vëllait, Etioklit. Në përleshje e sipër me njëri-tjetrin, vriten që të dy.
“Persët” është një nga veprat e hershme të Eskilit. Është e vetmja tragjedi nga ato që njihen, që e ka marrë subjektin, jo nga mitologjia, por nga ngjarjet historike në jetën e Greqisë së shekullit V para K. Fitorja e grekëve kundër persëve është jo vetëm fitore e një lufte të drejtë, por edhe e demokracisë kundër tiranisë së Lindjes, e qytetërimit të ndritur helen kundër prapambetjes dhe errësirës që mbulonte një perandori despotike.
“Orestia” është e vetmja trilogji që është ruajtur e plotë, e përbërë nga tri tragjedi: “Agamemnoni”, “Koeforet” dhe “Eumenidet”. Subjekti i “Orestias” është mallkimi i fisit si pasojë e krimit të kryer nga të parët. Ideja e autorit se krimi lind krimin, përshkon të gjitha ngjarjet e tragjedisë.
Në pjesën e parë të trilogjisë – “Agamemnoni”, flitet për kthimin e mbretit në atdhe dhe vrasjen e tij nga e shoqja Klitemnestra dhe i dashuri i saj Egisti. Kjo pjesë e tragjedisë është e mbushur me atmosferë dramatike dhe kontraste të fuqishme, pas të cilave fshihet hipokrizia e Klitemnestrës, e cila e pret të shoqin me nderime të mëdha.
Idetë madhore demokratike e humane të Eskilit shpalosen gjerë në trilogjinë “Orestia” që është një nga vlerat më të çmuara të letërsisë botërore. Liriku, epiku, dramaturgu, prozatori, përkthyesi, kritiku dhe teoricieni letrar gjerman Johan Volfgang Gëte (Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832) tragjedinë “Agamemnoni” të Eskilit e ka cilësuar si “kryevepër të kryeveprave”.
Edhe në tragjedinë e dytë, “Koeforet” (gratë që çojnë në varre vajra, verë etj.) spikat thellësia e artit eskilian. Oresti vret të ëmën, Klitemnestrën dhe të dashurin e saj Egistin, për të marrë hakun e të atit. Por, para se të ngrejë shpatën për t’i mëshuar, ai stepet nga fjalët e së ëmës që kërkon mëshirë.
Në pjesën e tretë të trilogjisë, “Eumenidet” trajtohet çështja që ka të bëjë me aktin e kryer nga Oresti mëmëvrasës. Paraqitet hija e Klitemnestrës e cila kërkon shpagim ndaj të birit. Ajo u drejtohet Erineve, hyjneshave të hakmarrjes që mbrojnë lidhjet e gjakut nga ana e nënës (matriarkatin). Hija kërkon t’i zgjojë nga gjumi dhe të mos e braktisin, por ta mbrojnë. Orestin e mundon dhe e përndjek ndërgjegjja e vrarë. Ky është dënimi më i madh për të, që as në ferr nuk do t’i ndahet. Oresti ka në anën e tij hyjninë Apolon i cili mbron lidhjet e gjakut nga ana e babait (patriarkatin). Në debatin midis Apolonit dhe Erineve për të ndarë çështjen, thirret hyjnesha Atenë e cila i nderon të dyja palët. Ajo fton gjykatësit për ta drejtuar gjyqin. Votat ndahen baras, sa për Orestin, aq edhe për Erinetë. Votën e vet, Atena ia jep Orestit. Pas kësaj, Oresti lirohet nga përndjekja e Erineve.
Në këtë trilogji është shtruar gati tërë tryeza homerike me mitet dhe legjendat e saj, përmes të cilave Eskili u ka bërë jehonë problemeve politike e shoqërore në periudhën e vendosjes së shtetit demokratik skllavopronar.
Eskili, ky baba i tragjedisë antike, është quajtur poet i së drejtës, simbol i së cilës në mitologji ishte bija e Zeusit, hyjnesha Dike. Ai është, sa realist në pasqyrimin e jetës, aq edhe romantik në ëndrrën e tij për një jetë të virtytshme.
Kadare thotë: “Pa Eskilin, nuk dimë si do të dukej Shekspiri”, babai i tragjedisë moderne.
Tragjedia “PROMETEU I MBËRTHYER” është vepër madhështore e Eskilit. Është pjesë përbërëse e një trilogjie, dy pjesët e së cilës “Prometeu zjarrsjellës” dhe ”Prometeu i çliruar” nuk janë ruajtur.
Sipas mitit, Prometeu krijoi me baltë njeriun e parë, i cili me kohë u shumëzua. Për të mos i lënë në mjerim dhe padije, shkoi te qerja e zjarrtë e Diellit (Helios), vodhi një shkëndijë të cilën e vuri në një kallam dhe këtë burim të zjarrit hyjnor ua solli njerëzve. Kjo bëri që Zeusi të tmerrohet. Ai urdhëroi Pushtetin, Dhunën dhe Hefestin ta mbërthejnë Prometeun në një shkëmb në malet e Skithisë në Kaukaz. Këtu fillon veprimi i tragjedisë që zhvillohet në atë vis të egër, ku nuk ka shkelur këmbë njeriu. Prometeu është duke u ankuar për ndëshkimin e padrejtë. Dëgjohet fërshëllima e flatrave të nimfave oqeanide, të cilat, bashkë me babanë e tyre vijnë nga larg për ta ngushëlluar. Oqeani i shpreh keqardhje heroit dhe përpiqet ta bindë që të pajtohet me Zeusin. Prometeu më parë pranon të vuajë sesa t’i nënshtrohet tiranit. Oqeani largohet. Prometeu ia tregon korit të nimfave oqeanide të mirat që ia ka sjellë njerëzimit. Më pas vjen Io-ja, e dashura dhe viktima e Zeusit, të cilën gruaja e tij, Hera, e kishte shndërruar në mështjerrë. Prometeu kishte dhunti profetike për të njohur të panjohurën. Ai ia bën me dije Ios vuajtjet e tjera që do të përjetojë ajo. I thotë se nga fisi i saj do të lindë një hero i fuqishëm i cili do ta shpëtojë atë nga vuajtjet. Këtu krijohet nyja që e lidh tragjedinë me pjesën tjetër të trilogjisë “Prometeu i çliruar”.
I tmerruar nga qëndrimi i paepur i titanit, Zeusi e dërgon Hermesin për ta kërcënuar dhe për ta detyruar t’ia zbulojë të ardhmen, por Prometeu hesht. Heshtja e tij shpreh urrejtjen për tiranin. Zeusi s’duron dot më. E gjuan Prometeun me rrufe. Ky, bashkë me shkëmbin ku ishte mbërthyer, groposet në fund të dheut.
Tragjedia “Prometeu i mbërthyer” është vepër e mbushur me patosin e luftës për liri, me ndjenjën e vetëflijimit.
Konflikti midis Prometeut dhe Zeusit ka kuptim të thellë filozofik. Nëpërmjet tij, Eskili goditi për vdekje obskurantizmin dhe tiraninë.
Prometeun e kanë quajtur të shenjtë. E kanë konsideruar si martirin më fisnik në historinë e njerëzimit. Ky martir kryengritës, më parë pranon të vuajë dhe t’i durojë dhimbjet më të tmerrshme sesa t’i nënshtrohet Zeusit dhe t’i shërbejë si skllav. Oqeanidet i thonë titanit: “Kur të çlirohesh, do të matesh në fuqi me Zeusin”. Këtu poeti sheh mundësinë njerëzore për ta sfiduar qiellin. Eskili e ka zbritur Prometeun hy,j në tokë, e ka humanizuar për të simbolizuar me të – drejtësinë, arsyen njerëzore kundër arbitrarizmit dhe pushtetit absolut të hyjnive.
Zjarri prometean simbolizon arsyen, përparimin, dritën që do të ndriçojë mendjen e njeriut e që do ta bëjë atë të vetëdijshëm për madhështinë e tij. Prometeu parandien se një ditë do të çlirohet nga vargonjtë e Zeusit. Ai beson në forcën emancipuese të përparimit, ndaj është iluminist. Ai është i pari romantik i letërsisë evropiane, ai ëndërron për ditë më të mira. Për fisnikërinë dhe dashurinë që ka për njerëzit, ai është një nga figurat më madhështore të artit botëror. Dinjiteti dhe përmasat vigane të Prometeut shquhen përballë hyjnive servilë që i shërbejnë verbërisht Zeusit tiran, Pushtetit dhe Hefesit të cilët e mbërthejnë në pranga. Ai u thotë: “Jam armik i Zeusit dhe i të gjithë perëndive që e kërrusin qafën”. Servilë që i binden vullnetit të Zeusit pa asnjë luhatje, madje me zell të madh. Hefesti i bindej urdhrit të Zeusit, por i dhimbsej Prometeu, ashtu siç i dhimbsej edhe Oqeanit. Por, këta nuk mund ta kuptojnë sesi mund të guxojë ndokush të ngrihet kundër Zeusit.
Dhimbje të vërtetë për Prometeun ndiejnë nimfat oqeanide. Ato janë të vetëdijshme për despotizmin e Zeusit. Por edhe oqeanidet, duke i parë vuajtjet e titanit, përpiqen ta pajtojnë atë me Kryeperëndinë. Ky është fati i heronjve-viktima, të ndjekur nga hyjnitë.
* * *
SOFOKLIU jetoi në periudhën e qytetit-shtet të Athinës. Lindi në Kolonë afër Athinës më 497 para K. Ishte i entuziazmuar nga fitorja e grekëve kundër ushtrisë perse pranë ishullit të Salaminës në vitin 480 para K. Kurrë nuk udhëtoi jashtë atdheut të tij, Atikës. Jetoi 91 vjet. Vdiq në vitin 406 para K.
Vepra – Autorët antikë thonë se Sofokliu ka shkruar rreth 123 tragjedi. Prej tyre kanë mbetur shtatë të plota. Ka shkruar edhe dramën satirike “Ihneutët” (Kërkuesit e gjurmëve). Edhe nga kjo dramë kanë humbur shumë vargje. Tragjeditë janë: “Ajaksi”, “Antigona”, “Edipi mbret”, “Elektra”, “Trahiniet”, “Filokteti”, “Edipi në Kolonë”. Nga të 115 veprat nga të cilat njihen vetëm titujt, kanë mbetur mbi 1000 fragmente. Subjektet e tragjedive dhe të dramave satirike, Sofokliu i ka marrë nga mitologjia dhe legjendat e ndryshme. Si për krijuesit e tjerë, ashtu edhe për Sofokliun, burim i pashterur kanë qenë poemat e Homerit.
Babai i historiografisë greke, Herodoti (shek.. V para K.) thotë se Homeri dhe Hesiodi kanë jetuar katër shekuj para Sofokliut. Homeri mendohet të ketë jetuar në shekullin IX para K. Por ka edhe mendime se ai ka jetuar në shek. VIII para K.
Tragjedia ”Ajaksi” ka në themel të saj ngjarjen e njohur në Këngë XI të “Odisesë”, vargjet 673-704. Ajaks Telamoni, heroi më i fortë pas Akilit në luftën e Trojës, është fyer rëndë nga prijësit grekë – Agamemnoni dhe Menelau, për arsye se armët e Akilit nuk ia kanë dhënë atij por Odiseut.
Në tragjedinë “Edipi mbret” poeti trajton problemin e fatit të paracaktuar dhe përpjekjet njerëzore për ta mënjanuar atë. Pasojat e fajit të mbretit të Tebës, Lait do të rëndojnë mbi fatin e djalit të tij, Edipit dhe në fatin e fëmijëve të tij. Kjo vazhdë fatkeqësish që bie mbi një familje të tërë do të tregohet edhe në dy tragjeditë e tjera – “Agamemnoni” dhe “Edipi në Kolonë”. Sipas orakullit, interpretuesit në tokë, të vullnetit të perëndive, Edipit i ishte përcaktuar një fat i rëndë: të vriste të atin dhe të martohej me të ëmën, Jokastën. Ky njeri i mirë i cili mëshiron idealin e sundimtarit të drejtë që i sjell të mira atdheut të vet, Tebës, kryen në mënyrë të pavetëdijshme krime të tmerrshme. Por Edipi vepron që fatin e paracaktuar t’ia nënshtrojë vullnetit të vet. Kjo flet për besimin e heroit në forcat e veta dhe kjo përbën shtratin e tragjedisë, d.m.th. luftën kundër fatit.
Në tragjedinë “Edipi në Kolonë” flitet për fatin e Edipit, pas verbimit të tij. Ai largohet nga Teba për të gjetur strehimin e tij të fundit në Kolonë, vendlindje e Sofokliut. Mbreti i ri i Tebës, Kreonti, kërkon ta kthejë Edipin në qytetin e tij sepse sipas profecisë së orakullit, vendi ku do të vdiste Edipi do të bëhej i begattë dhe do ta shtonte mirëqenien e qytetarëve. Por Edipi nuk largohet nga ai vend, mbreti i të cilit, Tezeu, e priti me bujari. Zeusi ia bën me dije Edipit se i ka ardhur fundi. I shoqëruar nga Tezeu dhe i ndjekur nga qytetarët e brengosur që e shohin për herë të fundit, niset drejt pyllit të shenjtë të Eumenideve ku edhe vdes. Zhduket papandehur. E morën në gjirin e tyre perënditë. I martirizuar prej tyre, ai tani shpërblehet për të gjitha vuajtjet që përjetoi.
Kuptimi i kësaj tragjedie përmblidhet në fjalët e së bijës, Ismenës, drejtuar të atit: “Tani perënditë të ngrenë lart, por pasi më parë të hodhën në humnerë”. Me këtë tragjedi Sofokliu del kundër fuqive që e kanë në dorë fatin e njeriut, e që sillen ndaj tij me egërsi dhe shpërfillje.
Subjekti i tragjedisë “Elektra” është marrë nga cikli mitologjik mbi Atridët. Ngjarjet e kësaj tragjedie shtjellohen në situata të ngjashme me ato të “Koeforeve” të Eskilit: Në të dyja veprat Oresti rritet dhe bëhet burrë në dhe të huaj. Ai është i shoqëruar nga miku i tij Piladi. Në të dyja tragjeditë Oresti vë në provë të motrën duke iu shfaqur në fillim si i huaj. Më pas vjen çasti i rinjohjes. Tek Eskili rolin kryesor e ka Oresti, ndërsa Sofokliu në qendër të vëmendjes vë motrën e vet, Elektrën. Oresti nuk është veçse krahu, ndërsa shpirti është e motra. Që të dy janë të vendosur dhe s’kanë asnjë luhatje kur e vrasin nënën e tyre, Klitemnestrën. Për nga forca e vullnetit dhe për nga vendosmëria për ta kryer një detyrë të shenjtë, Elektra është shumë e afërt me Antigonën.
Në tragjedinë “Trahiniet” poeti i thur himn ndjenjës fisnike të dashurisë dhe shtron një problem shoqëror që ka të bëjë me fatin e dhimbshëm të gruas në Greqinë e lashtë. Burri i lejonte vetes gjithçka që nuk ia lejonte gruas së tij. Prej saj kërkonte besnikëri dhe nënshtrim.
Sofokliu solli risi në dramaturgjinë greke – përfshiu në skenë aktorin e tretë. Kjo e zvogëloi rolin e korit. Këtë risi që e solli Sofokliu, e zbatoi edhe bashkëkohësi i tij, Eskili në trilogjinë “Orestia”.
Komediografi i madh Aristofani (445 para K.) në komedinë e vet ”Paqja”, te tragjeditë e Sofokliut zbulon edhe anë lirike.
“ANTIGONA” është me temë nga cikli mitologjik teban. Ajo nis aty ku mbaron vepra e Eskilit “Të shtatët kundër Tebës”. Pas vrasjes së dy vëllezërve Eteoklit dhe Polinikut në dyluftim me njëri-tjetrin, në Tebë bëhet mbret Kreonti. Ky jep urdhër që Poliniku dhe të tjerët që luftuan kundër atdheut, të mos varrosen. Këtu zë fill konflikti ndërmjet Antigonës e cila mbron ligjet e pashkruara të ndërgjegjes, të lidhjes së gjakut me vëllain, në një anë dhe Kreontit, i cili mbron ligjet e shkruara të shtetit, në anën tjetër. Urdhrit të Kreontit se do të dënojë me vdekje cilindo që do të guxojë të varrosë Polinikun të shpallur tradhtar, i kundërvihet Antigona, e cila, përkundër urdhrit mbretëror, e varros vëllain. Kreonti e dënon Antigonën me vdekje. Në familjen e mbretit nisin fatkeqësitë. Djali i tij, Hemoni, i fejuari i Antigonës, vret veten. Në fund duket Kreonti duke mbajtur në duar trupin e të birit të vdekur. I dërmuar shpirtërisht, i lutet vdekjes ta marrë edhe atë.
Në botën e lashtë, të varrosje të vdekurin ishte një detyrë e shenjtë. Ndryshe, shpirti i tij do të endej pa gjetur dot prehje. Në këtë tragjedi kemi edhe detyrimin familjar për ta varrosur anëtarin e familjes, përkundër ndalimit me urdhër pushtetari. Kemi dashurinë e motrës ndaj vëllait. Antigona flijoi veten dhe nuk e la vëllain të pavarrosur.
Por, edhe Kreontit i duhej të kërkonte prej qytetarëve ta respektonin rendin dhe ligjin. Shkeljen e ligjit e konsideronte tradhti ndaj atdheut. Kori në tragjedi e qorton Antigonën për veprimin e saj, por Kreontin e dënon më tepër.
Për Sofokliun, Kreonti është një mbret autokrat dhe tiran, një sundimtar arrogant që i shkel me këmbë ndjenjat e shenjta të qytetarëve. Ai nuk është sundimtar që i përgjigjet frymës demokratike të epokës kur jetoi poeti. Sipas Sofokliut, ligjet e shtetit duhen respektuar, por pa u cenuar ligjet e pashkruara morale dhe zakonore të rrënjosura në ndërgjegjen e njerëzve.
* * *
EURIPIDI, i pari poet modern i kohës sonë. Në vitin 480 para K., në Salaminë, në një betejë detare u thye një supershtet i kohës, Persia. Invadimi i persëve e rrafshoi Athinën. Përballë rreth 1000 anijeve perse dolën 378 anije athinase dhe spartane. Euripidi lindi në Salaminë më 20 shtator 480 para K., pra në ditën e betejës detare të Salaminës. Disa studiues thonë se ai ka lindur në vitin 485 para K.
Në këtë luftë mori pjesë edhe babai i tragjedisë antike Eskili 45 vjeçar. Në krye të korit që himnizonte shpëtimin e atdheut dhe të qytetërimit grek, qëndronte Sofokliu 16 vjeçar. Emrat e tre tragjikëve të mëdhenj bashkohen me këtë ngjarje të historisë së Greqisë së lashtë. Këta tre poetë, për mijëra vjet i flasin botës për heroizma, për gëzime, vuajtje e hidhërime të jetës. Këta tre poetë përcjellin ndër breza ndjenja dhe mendime njerëzore, nderimin për atdheun, trimërinë, lirinë dhe të drejtën. Euripidi ishte athinas sikundër Tespi, Kirili, Friniku, Sofokliu. Ishte bashkëkohës i luftës së Peloponezit midis Athinës dhe Spartës për hegjemoni (431-404 para K.). Kishte miqësi me Sokratin i cili ndiqte çdo shfaqje të tragjedive të Euripidit. Sa qe gjallë, athinasit e patën lënduar fort. U shpërngul në Pelë të Maqedonisë. Tragjiku i madh realist dhe novator, vdiq në Pelë në vitin 406 para K., në moshën 75-vjeçare. U varros me nderime të larta në Aretusë afër Amfipolit. Pak muaj para Sofokliut.
Vepra – Euripidi shkroi 72 vepra. Disa studiues thonë se ka shkruar mbi 90 vepra. Prej tyre janë ruajtur të plota 18 tragjedi dhe 1 dramë satirike – “Ciklopi”. Me idetë filozofike përparimtare rinovoi konceptin e dramës. Edhe mitin e ndryshoi në dobi të shprehjes së mendimeve filozofike të tij. Vuri në qendër njeriun e kohës, individin me prejardhje të ndryshme shoqërore dhe me tërë kompleksitetin e ndjenjave. I thuri himne atdheut dhe lirisë. Dashurinë për atdheun e shprehu sidomos në tragjeditë e shfaqura pas shpërthimit të luftës së Peloponezit, ku janë mbrujtur mite dhe legjenda atikase.
Veprat e Euripidit që kanë arritur janë: Ifigjenia në Aulidë, Elektra, Oresti, Ifigjenia në Tauridë, Risoja, Troadet (Trojanet), Hekuba, Andromaka, Helena, Ciklopi, Bakidet (Baket), Alkesta, Herakliu i tërbuar, Fenikaset, Joni, Medea, Hipoliti, Heraklidët, Iketidët (Lutësit).
Në tragjedinë “Heraklidët” pasqyron fisnikërinë dhe sakrifikimin e athinasve të vjetër, të cilët për të mbrojtur djemtë e Herakliut, hapën luftë kundër ndjekësit të tyre, Euristeas.
Lavd për athinasit është edhe ”Iketidët”. Në këtë tragjedi Tezeu, mbreti mitologjik i Athinës që paraqitet si mbrojtës i së drejtës së nëpërkëmbur dhe përfaqësues i qytetërimit të lashtë, i detyron me luftë tebanët t’ua dorëzojnë nënave bijtë argjitë, të vrarë në muret e Tebës.
Në tragjeditë “Oresti”, “Ifigjenia në Tauridë”, “Medea”, “Iketidët” “Heraklidët”, poeti i madh këndoi të drejtën dhe dinjitetin njerëzor dhe ëndrrën për një jetë më të mirë. Në tragjeditë e tij përplasen karaktere dhe interesa të kundërt. Ai ishte kundër luftërave shkatërrimtare, padrejtësisë dhe tiranisë.
Ai paraqiti me ngjyra të gjalla dhe simpati figura skllevërish dhe grash me një botë komplekse dhe plot virtyte. Në tragjedinë “Medea” afirmoi luftën e grave për t’u personifikuar, për të zënë një vend të nderuar në familje dhe në shoqëri. Kritikoi gjendjen e mjerë të gruas në shoqërinë e Athinës. Femra ishte e shtypur dhe nuk gëzonte kurrfarë të drejte. Ajo ishte e destinuar vetëm për të lindur fëmijë. Pasqyroi femra me karaktere të forta, si Alkesta, Ifigjenia, Elektra.
Me simpati paraqiti edhe trojane të shquara, si Hekuba, Andromaka etj. të cilat kishin rënë skllave në duart e grekëve fitimtarë.
Në veprat e veta shprehu anët thelbësore të mendimit filozofik përparimtar të epokës së tij. Temat e tragjedive i mbrun me lëndën e miteve dhe të legjendave, por me tendencë për të trajtuar një problematikë të mprehtë aktuale. U bë shprehës i dukurive dhe i ideve të reja të jetës. U bëri jehonë problemeve të ditës dhe e shndërroi teatrin në një arenë politike e filozofike. Vepra e Euripidit u bë pasqyrë e gjallë e kontradiktave të kohës.
Euripidi dallohej për idetë e guximshme përparimtare, për realizmin dhe frymën aktuale dhe novatore. Për këtë arsye, qarqet konservatore të kohës e pritën ftohtë dhe drejtuan kundër tij shigjetat e poetëve satirikë. Nuk shpëtoi as nga arti shpotitës i Aristofanit, i cili në komedinë “Bretkosat” e vendosi përballë Eskilit.
Vetëm në shekullin IV para K., busti i tij u vendos në teatrin e Athinës, përkrah Eskilit dhe Sofokliut.
Aristoteli e ka karakterizuar si më tragjikun ndër tragjedianët e lashtë. Poeti më novator i Greqisë antike, Euripidi, është cilësuar si i pari poet modern i kohës sonë.