• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E diel, 26 Mars 2023
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Opinione

Sllengu (Slang-u) i adoleshentëve kosovarë – pasojë inferioriteti apo shkak i globalizmit

25/02/2020
| Opinione

SINDORELA DOLI-KRYEZIU | Sllengu (slang-u) i adoleshentëve kosovarë është edhe trajtimi i kësaj çështje si një dukuri që e kanë futur në fjalorin e tyre të përditshëm. Sllengu (slang-u) përdoret në të folurën joformale në një bashkësi të caktuar njerëzish, në varietete të ndryshme sipas vernakularëve shqipfolës ose sipas idiomës së tyre. Mirëpo, kjo është bërë modë kohëve të fundit në Kosovë. Kudo, në të gjitha qytetet e Kosovës i dëgjon të rinjtë që vazhdimisht përdorin fjalë të huaja, konkretisht të gjuhës angleze, dhe me një mburrje që vetëm ata dinë ta flasin këtë lloj “gjuhe ”. Kjo dukuri ka të bëjë me inferioritetin e tyre që ata dinë të flasin gjuhën angleze dhe ta inkorporojnë vend e pa vend në gjuhën shqipe, apo thjesht është pasojë e globalizmit që po ndikon tek të gjitha gjuhët e botës pos anglishtfolësve!.

Dimë që shqiptarët me shekuj janë munduar të eliminojnë shprehjet e huaja nga sunduesit tashmë të njohur historikisht, me një përkushtim të veçantë në interesin e dëlirësisë së shqipes nga fjalët me ndikim ndërgjuhësor. Kjo u thellua më shumë dhe më me ngulm gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe mund të thuhet se përherë është aktuale, andaj vazhdon edhe sot, sepse gjuha amtare meriton vëmendje të përhershme.

Laramaninë leksikore të shqipes së sotme në Kosovë, duhet parë edhe nga pikëpamja e qarkullimit të njerëzve anekënd botës, globalizmi si proces ndërlidhës midis shtetesh e popujsh , d.m.th. gjuhësh, literatura në gjuhët e huaja, shfrytëzimi i së cilës sa vjen e shtohet, bashkëpunimi me projekte të përbashkëta, zbulimet e reja teknike, teknologjike, elektronike etj. Janë disa nga arsyet e depërtimit të termave fushash të ndryshme nga gjuhët e huaja në gjuhën shqipe.

Një shteg tjetër nga depërtojnë fjalët dhe shprehjet e huaja dhe të pambëhishme është edhe fusha e përkthimit. Menjëherë pas vitit 1999 në Kosovë u vetë shpallën përkthyes nga gjuha angleze, gjermane, italiane, etj. Ata që të cilët kishin dëgjuar ndonjë kurs 3-4 javor në këto gjuhë, pa e ditur mirë gjuhën e huaj dhe pa njohuri nga gjuha standarde shqipe, e aq më pak njohuri nga teoria e përkthimit, e cila është shumë e ndërlikuar dhe kërkon formim të gjerë nga disa disiplina shkencore gjuhësore dhe jogjuhësore, bënë dhe bëjnë edhe sot punë diletantizmi gjuhësor.

Këtu shihet një mosinteresim i shtetit për zbatimin e drejtë të gjuhës standarde dhe për të ruajtur natyrën e saj burimore në të gjitha institucionet publike dhe private, mungesa e ligjit për mbrojtjen e shqipes standarde lënë të hapur mundësinë e mosrespektimit dhe të mospërfilljes së kësaj vlere kaq të madhe kombëtare sikundër që është gjuha standarde.

Dihet se në leksikun e shqipes standarde në të folur, kanë zënë vend edhe huazimet e ndryshme, si pasojë e ndikimit të fuqishëm të anglishtes në rrethanat e sotme të globalizimit. Të tilla kemi pasur prej shumë kohësh, që nga fillimi i shekullit të kaluar, p.sh. basketboll, boks, bluz, futboll, golf, jaht, klub, kloun, kongresmen, marins, miting, penallti, piknik, pulovër, ring, sandviç, slogan, start, stop, uiski, xhol, etj, këtu janë fjalë që s’janë shtuar fjalët e formuara prej këtyre termave.

Importimi apo zëvendësimi i fjalës së re në gjuhën marrëse mund të ndikojë në tri mënyra[1].

  1. Kuptimi i fjalës së re mund të ngatërrohet me kuptimin që ka ekzistuar më herët në gjuhën marrëse;
  2. Fjala që ka ekzistuar më parë në gjuhën marrëse mund të zhduket;
  3. Fjala e re dhe fjala e vjetër mund të mbijetojnë secila po me kuptim të veçantë.

E dimë që fjalët e huazuara në të shumtën e rasteve pësojnë ndryshime në gjuhën marrëse dhe quhen zëvendësim, kurse ato që nuk pësojnë ndryshime quhen të importuara.

Problem është edhe drejtshkrimi i huazimeve, ku ato i gjejmë të shkruara si në gjuhën nga kanë ardhur, po që nga aspekti fonetik janë të papërshtatshme, p.sh. floppy, boss, advocacy, web, window, mous, etj.

Kemi rastin e moslakimit te emrat e përveçëm si ndikim i huaj, ku dihet nga struktura gramatikore e gjuhës shqipe që nuk lakohen si pasojë e ndikimit të huaj. P.sh.: fjalët “ Watson”, “ Jeopardy”, “Galaxy” ( “Koha ditore”, e datës 16 janar ’11, fq.20), “Jimmy Cartes”, ose titulli (po aty) “ Miqtë e kujtojnë me humor Holbrooken”, që pason me emrat e politikanëve “ Hilary Clinton”, ose “Blair ngulmonte për ndërhyrje tokësore në Kosovë”, “ ..Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë Christopher Dell”, “ Intervistë me Pieter Feith”, etj.

Raste të huazimeve të huaja edhe kur ekzistojnë fjalët në gjuhën shqipe që kanë të njëjtin kuptim, p.sh. “ U caktua bordi këshillues”, “ Ishte një njeri mjaft i ndjeshëm dhe mjaft sensibil”, “ Ishte një tentativë për orvajtje…”, “ U implementua dhe u zbatua plani tre mujor”, “ Prioritet me përparësi kishin minoritetet në Kosovë…”, etj.

Po ashtu kemi huazime me prapashtesa ment, që janë futur në aspektin gramatikor, p.sh. “ Apartament”, “ Departament”, “ Statement= steitmenti”, etj.

Huazimet me parashtesa post që në shqip shumë bukur e kemi fjalën pas. P.sh. “U mbajt fjala post-mortum për …”, “ Studimet postuniversitare…”. Kemi parashtesën super, p.sh. “ Superman”, “ Superfamilje”, etj.

Huazime të fjalës bi, p.sh. “ Bilateral”, “Biseksual”, “ Bipartiak”, etj.

Kemi huazime edhe nga kompozitat dhe fjalët e përbëra, që ekzistojnë tri lloje të tyre:

  1. Elementet e kompozitës mund të huazohen, p.sh. “Spiderman”, “ Autostop”, “ Autostradë”, etj.
  2. Elementet e fjalës së përbërë të huazuar që mund të zëvendësohen në gjuhën shqipe, p.sh. “ No problem” ( S’ka problem), “OK” ( mirë), etj.
  3. Elementet mund të barten në gjuhën marrëse, kurse të tjerat zëvendësohen.

Ekzistojnë disa thyerje të normës leksikore me fjalë të huaja, që janë si ndikim i globalizimit gjë që shmangen nga norma leksikore. P.sh. “ Anomali ishte kjo punë”, “ Ky njeri ka një eksperiencë të madhe…”, “ Siç po shikoni është paraqitur një violencë tek kjo familje”, “ U shkatërrua definitivisht”, “ Definitivisht kishte manipulim votash”, Edhe një ‘update’, ‘ I akseptuam kërkesat e grevisteve’, “Kërkoj aplauzë prej jush’, ‘Nëse na suportojnë’, ‘Për look-un tim dhe mbathjet’ ( e kishte fjalën për të mbathurat/këpucët, gazetari TV21 i cili nuk e di anglishten, po që fatkeqësisht s’e ditka as shqipen), ‘ Roundi i parë përfundoi’, ‘E draftova këtë dokumtent’, ‘So – so është ‘, E pripeid-i ai’, ‘ Baj dhe wej, gëzuar ditëlindjen’, ‘ U formua establishmenti’, ‘E kishte një abilitet të fortë’, ‘Baj- baj bajbi’, ( të gjitha këto janë marrë nga mediat tona).

Po ashtu një gjë shumë e dhimbshme është huazimi që ndikon në sintaksë. Kemi anglishten që ka depërtuar në strukturën sintaksore, sidomos në të shkruar. P.sh. “ Ka vdekur…”, në vend të “ Vdiq…” sipas gjuhës shqipe, “ Për ngrohjen e qytetit?, Po punohet në këtë drejtim”, në vend të “ Për ngrohjen e qytetit?, Po punohet për këtë”, “ Qeveria e Kosovës vazhdon rritjen e rrogave të…”, në vend të “ Qeveria e Kosovës bën rritjen e rrogave”, etj.

Kemi mediat tona, p.sh. “Amazing be njiri”, “Pro et contra”, “Hit-parade”, “Miss Kosova”, “Top Fest”, etj.

Emërtimet e sipërmarrjeve tregtare e industriale, stacioneve televizive, etj. P.sh. Z-Mobile, Digitalb-telecom, PCB (Procredit Bank), Raiffeisen Bank, etj.

Mallra e produkte, p.sh. baked rolls, crackers, coca-cola, fanta exotic, sprite, etj.

Grupet muzikore artistike, programet televizive e muzikore, në radio, në tekstet e këngëve, me fjalë të tjera të gjitha të emërtuara në anglisht, p.sh.: Energy band, Latino Band, Big mama, Top show, etj.

Gjuha e informatikës, elektronikës dhe kompjuterit është tërësisht në anglisht, ku edhe në të përditshme të njëjta shprehje i përdorim po me një ndryshim, ku iu kemi vënë edhe mbaresat e gjuhës shqipe, pra kjo punë i bie sikur jemi në rregull me termat e huaj!. P.sh.: klik-oj, softë-erat, fajl-et, CD-të, printer-i, insert-i, maus-in, disket-en, etj.

Në fushën e sportit, ku mjaft është stërmbushur me terme angliciste, p.sh.:

  • Skuadra nuk është adaptuar në këtë fushë (Adaptoj, adaptuar – përshtat, përshtatur)
  • Vendasit kaluan në avantazh (Avantazh – epërsi, përparësi)
  • Arbitër – gjyqtar
  • Topi nuk arriti në destinacionin e duhur (Destinacion – cak, qëllim)
  • Reparti defansiv – Reparti mbrojtës
  • Skuadra dominon në fushë – Skuadra mbizotëron në fushë
  • Nuk tregoi asgjë ekselente – Nuk tregoi asgjë të shkëlqyeshme.
  • Po paraqitemi lajv nga stadiumi… – Po paraqitemi drejtpërdrejt nga stadiumi…
  • Ofsajd – pozitë jashtë loje
  • Goditje perfekte – Goditje e përkryer
  • Humbi shansin e madh – Humbi rastin e madh

Së këndejmi, edhe paraqitja e skuadrave bëhet me fjalë të huaja: Los Blankos për të bardhët e Realit të Madridit; Rosonerët për Milanin (kuqezinjtë); Biankonerët për Juventusin (bardhezinjtë); etj.

Pastaj, kemi gabime morfo-sintaksore, ku për ndërtimin emëror me parafjalën për: për momentin, që është marrë nga modeli i anglishtes for the moment, kemi shprehjet tona të cilat shumë lehtë zëvendësohen : hëpërhë, tani për tani, etj.

 Ose shprehja tjetër e burimit të anglishtes që përdoret në sferën ekonomike, p.sh. Dola për shoping ( Dola për të blerë), A do ta paguash me para kesh? ( A do të paguash me para në dorë), pastaj kemi ndajfoljen nga anglishtja full, që përdoret nga të rinjtë sidomos Ishte kafiqi full ( Ishte lokali i mbushur plot). Këtu kemi rastin edhe të huazimit nga serbishtja.

Sot në Kosovë, kanë hyrë shumë fjalë të reja në leksikun e përditshëm të tyre. Specifikë tjetër është aspekti i të rinjve që kanë filluar ta përdorin një zhargon të tyre, të ashtuquajtur “cool”-erave (kullerave). Të cilët për të qenë më të veçantë nga një pjesë tjetër e shoqërisë, për të dominuar në këtë fushë, çdo fjalë të tyren e kanë kthyer mbrapsht. Kjo shpjegohet në aspektin sociolinguistik dhe psikolinguistik, thënë ndryshe gjuhë e prestigjit, pra kjo ka të bëjë me slang-un e të rinjve.

Aspekt tjetër për vernakularin e komunave të ndryshme të Kosovës është dallimi psikolinguistik nga Qendra dhe Periferia.

Gjithë pesha e gabimit të përcaktimit për një kod shihet më së miri në antinominë Qendër-Periferi. ‘Nëse të ka rastisur të jesh në Periferi, atëherë çka do që bën, i gjithë repertori yt, sipas përkufizimit, mbetet inferior ndaj Qendrës, sepse ata të Qendrës gjithmonë do ta mjeshtërojnë më mirë se ti një çështje gjuhësore dhe gjithmonë do të jenë ata që do ta kenë lirinë e ndërrimit të gjuhës më shumë se Periferia. Edhe po ta flisni ‘të njëjtën gjuhë’, gjithmonë gjuha e Qendrës do të tingëllojë disi ndryshe, më bukur nga juaja, e madje kjo gjë mund t’ju krijojë probleme gjatë të zënit me punë në ndonjë vend prestigjioz. Gjithmonë, Qendra do të jetë e lirë të bëjë ç’të dojë në gjuhë, ndërkohë që Periferia gjithmonë duhet vetëm të çapëlojë e t’i shkojë nga pas dhe të bëjë vetëm atë që tashmë është lejuar në Qendër’. Kështu shkruan Itmar Even-Zohar në punimin e tij “Planifikimi kulturor dhe tregu: krijimi dhe mbijetesa e entiteteve socio-semiotike.”

Të shikojmë të folurën e Qendrës, pra emisionet të cilat trajtojnë tema më serioze, ku pjesëmarrës do të jenë njerëz intelektualë, të fushave të ndryshme që deri diku dinë ta flasin gjuhën standarde, sepse media televizive është vendi më i mirë edhe për studimin e varieteteve të tjera gjuhësore. P.sh. nëse fokusohemi në studimin e të folurit (slang-un) e grupeve të adoleshentëve dhe e të rinjve (peer groups), perfekt do të ishin emisionet televizive që janë të përgatitura nga vet të rinjtë. Aty do të shohim se si ka ndryshuar e folura e të rinjve të Prishtinës, quajtur ndryshe gjuha e prestigjit prishtinas, që do të thotë Qendra po tingëllon ndryshe nga qytetet lokale apo thënë ndryshe Periferia. Slang-u i Prishtinës është bërë aktual edhe në komunat tjera, gjithmonë përmes programeve, filmave apo serialeve të ndryshme të paraqitura në TV-te tona qendrore.

Gjithmonë, kemi parasysh faktin e ngritjes së kulturës gjuhësore, shoqërore e historike. Duhet të jemi të vetëdijshëm, që me zhvillimin e teknologjisë, shumë shprehje dhe huazime i kemi të futura në leksikun tonë të përditshëm, ngase, hë për hë nuk kemi bërë ndonjë zbulim tonin që t’i vëmë emrin objekteve.

Po ashtu, kemi mjaft huazime nga gjuha sllave-serbishtja, mund t’i përmendim këto kalke: “ndaj mendimin, bindjen, qëndrimin, dhimbjen”, nga serbishtja “delim mišlenje”, kjo përdoret gati përditë në mbledhjet e ndryshme që i shohim në të folurën formale të shqipes. Kemi shprehjen “ dha betimin”, nga serbishtja “ dao je zakletvu”, duhet thënë  “…u betuan”,  “ Janë bërë kritika në llogari të tij”  nga serbishtja  “…na njihov raćun”, duhet thënë “ Janë bërë kritika ndaj/ kundër tij..”, etj.

Me të drejtë shprehet R. Mulaku “Kalket, konstruktet dhe modelet nga serbishtja janë aq të llojllojshme dhe janë ngulitur aq thellë në mendjen e disa intelektualëve të Kosovës, sa që duhen bërë përpjekje të mëdha për t’i nxjerrë e për t’i çrrënjosë nga gjuha jonë”[2]

Fjalët turke në gjuhën shqipe kanë hyrë që nga shekulli XV. Fushat që u prekën me terminologji  turke qenë veshja (çarçaf, çorape, perde, etj.) kuzhina ( pazar, byrek, raki, tepsi, xhezve, tenxhere, kafjall- kahvalti, bakllava, kadaif), urbanizmi (penxhere, hambar, hendek, bodrum, ballkon), administrata (kadi, bej, aga, shahit, miftar, ) etj. Pra, ky fond i fjalëve turke, erdhi dhe u rrit edhe më shumë në fjalë të kuzhinës e të jetës shoqërore. Ndërsa, në fjalorin e administratës thuajse këto fjale nuk ekzistojnë më.

Mos të harrojmë se shumë nga këto fjalë janë asimiluar plotësisht nga shqipja dhe janë bërë pronë e saj, si: baba, top, xhep, tepsi, hendek, bilbil, kafe, xhezve, etj[3].Disa dhjetëra fjalë, pra i kanë asimiluar në shqip, disa janë krijuar me vonë dhe gjuha shqipe duke qenë se është një gjuhë mjaft dinamike është duke i zëvendësuar turqizmat. Mirëpo, si thotë Kadareja në një poemë ” kështjellat e sintaksës nuk i morën dot“.

Mendojmë se slang-u i adoleshentëve kosovarë ka hyrë si pasojë e globalizmit që është bërë ‘modë’ nga dominimi i anglishtes si gjuhë prestigjioze dhe e domosdoshme në të gjithë globin. Sa i përket inferioritetit, e kemi pasur rastin turqizmave shekuj më parë, ku po s’fole dhe po s’dite turqisht je ‘fshatar’ pa ngritje arsimore, apo si i kanë quajtur ndryshe ‘i pa dalur’. Pastaj, serbishtja në kohën e ish Jugosllavisë, që ishte gjuhë e domosdoshme në shkolla dhe gjuhë e prestigjit të kësaj periudhe. Kur i dëgjojmë dhe shikojmë si turqit në Turqi dhe serbët në Serbi, i kanë të futura fjalët nga gjuha angleze (të ngjashme me slangun e kosovarëve/shqiptarëve), na paraqesin të njëjtën dukuri që slang-u është pasojë globalizmi dhe jo gjuhë inferioriteti.

Mirëpo, si përfundim dua të shtoj se rreth pasurimit dhe pastërtisë së shqipes standarde apo asaj të folur në Kosovë, duhet të kemi parasysh një maturi shkencore. D.m.th. në rastet ku ka mundësi t’i shmangemi përdorimit të fjalëve të huaja që nuk kanë ndonjë funksion të veçantë, duhet të ndiqet ky kriter. Dhe, anasjelltas: kur mungon fjala shqipe, diktohet një qëndrim më i lirë fjalëve të huaja.

Siç po e vërejmë që këto formime janë pak a shumë të gjuhës joformale të futura tek formalja , që i kemi të shikuara apo të dëgjuara në mediat tona, po që fatkeqësisht po e prishin palcën e shqipes, siç thotë dhe shkrimtari Amosz Osz, që “ gjuha e kontaminuar e ka fuqinë shumë herë  më të madhe se bomba bërthamore, sepse helmon disa breza”.

Bibliografia

 Historia e letërsisë shqipe I-II, 150-151

Kelmendi, Tafil “Kështjellat e Sinataksës”, IAK, Prishtinë, 2006

Lloshi, Xhevat “ Ndërhyrja e huazimeve nga anglishtja”, Seminari III Ndërkombëtar i Albanologjisë në Tetovë, 2009

Muja, Hasan & Doli-Kryeziu, Sindorela “ Diktohet në qendrim më i lirë rreth purizmit” IAK, Prishtinë, tetor, 2010

Jani Thomai “Leksikologjia e Gjuhës Shqipe”, Tiranë, 1984.

Mulaku, Ragip “Disa ndikime të anglishtes dhe të serbishtes në gjuhën shqipe” IAK, Prishtinë, 2010

Uanrah Juriel “Interferenca leksikore”, Ndikime Ndërgjuhësore përgatitur nga Vesel Nuhiu, Rilindja, Prishtinë, 1990

[1] Uanrah Juriel “Interferenca leksikore”, Ndikime Ndërgjuhësore përgatitur nga Vesel Nuhiu, Rilindja, Prishtinë, 1990, fq.74-79.

[2] Mulaku, Ragip “Disa ndikime të anglishtes dhe të serbishtes në gjuhën shqipe” IAK, Prishtinë 2010, fq.56

[3] Jani Thomai “Leksikologjia e Gjuhës Shqipe”, Tiranë 1984.


Publikimi i mëparshëm

Tefta Tashko: Edhe gurët e sokakut

Publikimi i radhës

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës do të zhvillohet në shtator

Publikimi i radhës

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës do të zhvillohet në shtator

Emetimi

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON

EDICIONI IX I MANIFESTIMIT KULTUROR ''LIDHJA NA BASHKON

00:03:31

Promovohet revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”

00:04:02

EDICIONI VIII I MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

00:03:00

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”

00:01:29

Shoqata “Tradita” e organizoi Edicionin VII të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”

00:02:38

MANIFESTIMI LETRAR ''SHTIGJE POETIKE'' – EDICIONI II

00:01:13

ORË LETRARE PËR 80 VJETORIN E ISMAIL KADARESË

00:02:49

KONFERENCË SHKENCORE KUSHTUAR PROF. DR. ALI VISHKOS

00:04:25

Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2022 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • ÇMIMI KOMBËTAR “ALI VISHKO”
  • TRADITA PLUS

2012-2022 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!