• FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI
E enjte, 30 Qershor 2022
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art

SHOQATA PËR KULTURË DHE ART “TRADITA”

  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • TRADITA PLUS
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • KONTAKTI
No Result
View All Result
Tradita | Shoqatë për kulturë dhe art
No Result
View All Result
Home Opinione

Pozita e gjuhës shqipe në Mal të Zi te shqiptarët e Malësisë së Madhe

21/02/2020
| Opinione

Mr. Marjan Lulgjuraj | Malësia e Madhe apo Malësia e Mbishkodrës e ndarë nga Malësia e Madhe në pjesën e Shqipërisë ka dashur që të kenë fatin historik, por njëherazi edhe fatin tragjik që një Malësi të ndahet në dy pjesë; edhe pse fjala është për të njëjtin popull, me të njëjtën kulturë, me të njëjtat tradita, me shumë pak ndryshime, dhe me të njëjtën gjuhë. Shqiptarët në Mal të Zi dhe konkretisht shqiptarët e Malësisë së Madhe duke pasur parasysh realitetin dhe të shkuarën e tyre mund të përkufizohen si  ‘’Dy pjesë të një tërësie’’.

Malësia e Madhe që sot është brenda territorit të Malit të Zi e cila i është dhënë me dëshirën e Fuqive të Mëdha, konkretisht bëhet fjalë për Hotin, Grudën, Trieshin, Kojën e Luharin, ka një shtrirje përgjatë kufirit shqiptaro – malazez. Shtrihet në lindje dhe verilindje të Podgoricës.

  Do të ishte gjithsesi e mangët dialektologjia shqiptare, po të mos merreshin në gjykim e vlerësim të folmet e gjalla të shqiptarëve të diasporës. Përndryshe trungu i kombit tonë të lashtë, gjuha shqipe dhe dialektet e saj do të humbisnin shumë, bile pothuaj në të gjitha nënsistemet e tyre.

Tema e kësaj kumtese më këshillon që t’i përmbahem pozitës së gjuhës shqipe në Mal të Zi tek shqiptarët e Malësisë së Madhe në disa nga tekstet që ruajnë etnografinë e ligjërimit në aspektin fonetik dhe morfologjik, e rasti e do që të ndalem tek kryeveprat me bazë gjuhësore malësore  të ruajtura me fanatizëm çdo imtësi gjuhësore që gërshërët e standardit mos ta zhdukin si një variant i të folmes së veriut; veprat në fjalë janë: ‘’Malësori këndon’’ i autorit Gjergj Hasanaj dhe ‘’Vajtime në Malësi’’ i autorit Nikë Arapaj, vepra që në brendësi të tyre të krijojnë mundësinë të lëvrosh gjuhësisht disa nga veçoritë fonetike dhe morfologjike pasi që materiali që është marrur në shqyrtim është origjinal dhe del nga goja e popullit; apo më mirë të themi ky popull i kësaj treve jeton në këtë material, punon dhe vepron me këtë dhe për këtë material, arsyetim ky që i jep jetë të gjatë etnografisë së ligjërimit në trevën shqipfolëse të Malësisë së Madhe. Them kështu sepse mendoj se janë veprat më me vlerë përsa i takon brumit gjuhësor autentik malësor.

 Këngët e këtyre dy përmbledhjeve ruajnë besnikërisht gjuhën e shqiptarëve të Malësisë së Madhe, ndërsa e Gjergj Hasanajt edhe të vendeve tjera shqipfolëse në territorin e Malit të Zi, por për efekt të titullit të kumtesës ne do të marrim në shqyrtim disa nga veçoritë fonetike dhe morfologjike të Malësisë së Madhe. Pa u anashkaluar fakti se këto dy vepra janë të pajisura me një dije të qartë e të mprehtë prej dialektologu, gjë që e ka shpënë atë në një regjistrim mjaft besnik të trajtave fonetike e morfologjike.

   Të folmet e Malësisë së Madhe dallohen nga të folmet e tjera të gegërishtes veriperëndimore, jo vetëm në një sasi të madhe dukurish, por edhe në tiparet më të qenësishme që merren si bazë e dallimit të grupit veriperëndimor nga grupet e tjera. Kështu, sipas J.Gjinarit,  gegërishtja veriperëndimore ka këto tipare dalluese: ‘’Në përgjithësi diftongjet e vjetra ae dhe oe nëpërmjet një krasisi kanë përfunduar i pari në ä (a e përparme e mbyllur) dhe i dyti në oe (e e hapët e labializuar): ä ( ngä- nge), ti m thä ( thae) dhe    vÖ ( voes ‘’vesë’’); grupet e vjetra kl,gl kanë dhënë përkatësisht ki,gi, (kiumsht ‘’qumësht’’ dhe giuni ‘’gjuni’’); bashkëtingëllorja n, e ardhur nga asimilimi i grupit nd është më e zhurmshme se n-ja e përbashkët e shqipes (naloj, seńi,  mrên ; grupi fsh është thjeshtësuar në sh: shijse, ’’fshesë’’, munash ‘’mëndafsh’’, kiosha ‘’qofsha’’; rrjedhorja e emrave femërorë njëjës të shquar për nga forma del me –et: mish lopet ‘’mish lope’’ (8). Karakteristikë e të folurit të shqiptarëve të Malësisë është përdorimi i togjeve zanore: uo, ua dhe û ( nasale) në vend të përemrit unë dhe vetës së tretë të prezentit të foljes ndihmëse. Togjet konsonantike; nd,nb,ng etj. përdoren fare pak, por ka raste të tilla. ’’ Të folmet malësore të shqiptarëve në Mal të Zi paraqesin unitet të plotë me të folmet e tjera të Malësisë së Madhe edhe me ruajtjen e togjeve zanore uo dhe ua. Siç dihet, ruajtja e këtyre togjeve u jep vend të veçantë  këtyre të folmeve në kuandrin e të folmeve të gegërishtes veriperëndimore, sepse uo, ua përbëjnë një dukuri ruajtëse me vlerë, që dëshmon një gjendje uniteti të kahershëm të mbarë gjuhës sonë, siç na tregojnë edhe krahasimet me fazat më të moçme të dokumentuara në shkrimet e Buzukut e të autorëve të tjerë të vjetër’’ (9) .

(1)Jorgo Gjinari,Dialektologjia shqiptare,(dispencë) Tiranë 1975,fq.48

(2)  Gjovalin Shkurtaj, ‘’ Disa veçori fonetike të të folmeve shqipe në Mal të Zi’’ në ‘’Studime filologjike’’,nr.3,viti 1982,fq.189.

 Gjithashtu edhe në ndryshimet morfologjike, edhe pse të vogla, janë mjaft karakteristike. Me interes janë disa ndryshime gjatë përdorimit të pjesëve të ligjeratës e posaçërisht të disa pjesëve të ndryshuara. Kemi rastin e emrit të gjinisë mashkullore i cili numrin shumës e formon me anë të mbaresës e në të folmen e Malësisë, në shumës dalin në gjininë femërore. Këto raste janë mjaft të shpeshta: k’to male, ato livade (livadhe), ato vëse (vende) etj.. Disa  emra që tregojnë lëndë, gati në mënyrë të barabartë përdoren në të dy gjinitë, mashkullore e femërore: mjalt-i;  dyll-a dhe dyll-i;  kryq-i dhe krygj-a.

    Rast tjetër i gjinisë femërore që del në Malësinë e Madhe e që në gjuhën letrare dalin në gjininë mashkullore; qiell-a në vend të qiell-i.  Emrat e gjinisë mashkullore, tema e të cilave mbaron me bashkëtingëlloret: k-g-ll dhe r shumësin e formojnë njësoj si në të folmet e tjera dhe në gjuhën letrare, duke i palatalizuar këta tinguj: mik – miq; fik – fiq; zog- zogj-zoj.                                                  Sistemi i rasave në të folmet e Malësisë, marrë në përgjithësi, përputhet me sistemin e rasave të të folmeve që janë bazë e gjuhës letrare. Trajta e gjinores dhe e dhanores në shumës të pashquar del me mbaresën –ve, si p.sh.: male- ve, fusha-ve, kodra-ve etj.. Mirëpo, në disa raste rasa dhanore në të folmen e Malësisë e ruan mbaresën e vjetër –e: nûse, vëse etj.. Emrat e gjinisë femërore, në trajtën e shquar të numrit njëjës, në rasat gjinore, dhanore dhe rrjedhore, dalin me –s: lop-s, pul-s, nân-s etj., kurse emrat, që në të pashquarën mbarojnë me –e ose a (lule, delme, fusha) në rasat gjinore e dhanore dalin me –es: lules, delmes, nûses etj..

  Trajta e pashquar shumës në rasën rrjedhore në shumicën e rasteve del me mbaresën rasore –esh, –ash :  mal-esh, fush-ash, vës-esh, kodr-ash etj..                   Kur kemi të bëjmë me numërorin në Malësi përdoret ‘’ i herë’’ në vend të: ‘’një herë’’ pra numërori një i cili në këto mjedise del i shkurtuar si –i dhe –jâ: ‘’Erlli i mik’’;  ‘’Ma pruni i libër’’; ’’Vetëm jâ kite arll’’; ‘’Jâ e muer e jâ e la’’etj..  Përemri vetor i vetës së parë njëjës përdoret në trajtën e shkurtuar û  (unë).

Në Malësi përdoret â në vend të foljes është.

            Gjuha e gjallë malësore në veprat e Hasanajt dhe Arapajt

 Gjergj Hasanaj dhe Nikë Arapaj në veprat e tyre përdorin përemrin vetor dhe dëftor si fenomen të gjallë gjuhësor e që duhet të vihet në pah si veçori morfologjike e kësaj krahine.

  1. Përemri vetor û në veprën e Hasanajt dhe Arapajt:

‘’ Çi me brit vaj û kam filluo

Çi ashtu ën Grud shtir le mâ tjetri

Aj âsht kjën trim e dajllar

Me studime â kjën i pari … ‘’ (3).

                      ‘’I mjeri û për ty o Gjelosh Tomë, kapidani

                         Valla Gjelosh û vajin e kam lanë … (4) .

Përemri vēt përdoret për vetorin unë: vēt i thaç. Në rasën dhanore e rrjedhore përdoret: mua, meje. Për numrin shumës, për vetën e parë përdoret përemri na,kurse në rasën dhanore e rrjedhore ne, nesh.

(3)   Gjergj, Hasanaj ‘’Malësori këndon ‘’ , Cetinë, 1971, fq.387

(4)  Nikë, Arapaj ‘’Vajtime në Malësi’’, Tuz, ‘’Illyricumi’’, 2010, fq. 114

  1. b) Përemri dëftor aj në veprën e Hasanajt dhe Arapajt dhe lakimi i tij si fenomen gjuhësor morfologjik me karakteristikë të veçantë në trevën e Malësisë së Madhe. Si element tjetër i përdorimit të përemrit dëftor në veprat e Hasanajt dhe Arapajt kemi kur në vend të përemrit dëftor ai përdoret edhe varianti jaj, ‘’jaj na erdhi e nuk di se kur ka me shkua’’.

‘’ Baca Kurti  aj  daji… ‘’ (5) .

‘’Dok Gjeloshi  aj burrë daji… ‘’(6) .

Më poshtë po paraqes paradigmën e lakimit të përemrit dëftor aj si fenomen i gjallë në trevën e Malësisë së Madhe.

                                             Emërore-   aj   _______________ ajo

                                             Gjinore -(i,e) atí (atina)_________ (i,e)asaj (asajna)

                                             Dhanore –atí (atina) ___________ asaj (asajna)

                                             Kallëzore – atâ _______________ atâ

                                             Rrjedhore – prej atí (atina) ______ prej asaj (asajna)

Folja âsht dhe â në veprat e Hasanajt dhe Arapajt dëshmojnë ruajtjen e të folmes së Malësisë.

‘’… i biri i Prëls çi kje burrë daí,

È oficer âsht  kënë n’ushtri,

(5)   Gjergj, Hasanaj ‘’Malësori këndon ‘’ , Cetinë, 1971, fq.387

(6)  Nikë, Arapaj ‘’Vajtime në Malësi’’, Tuz, ‘’Illyricumi’’, 2010, fq. 114

… Çi mâ trim s’âsht gjetë i djalë,

Ku â lypë nevoja e â lypë gajreti ‘’ (7) .

        ‘’ Haberrne zi â shtir me va çua

           I shtirë â haberri i zi

           Se dikush plak e dikush thmi

           Me dal mëç nuk â çudi … ‘’ (8) .

   Folja sikurse edhe në të folmet e tjera ashtu edhe në të folmen e Malësisë së Madhe, gjegjësisht në veprën e Hasanajt dhe Arapajt, gjatë përdorimit në veta, kohë, mënyrë dhe diatezë kanë pësuar ndryshime më të mëdha se çdo pjesë tjetër e ligjeratës dhe vërejmë këto dukuri:

E tashmja e dëftorës

 Në vetën e parë të numrit njëjës foljet që mbarojnë me bashkëtingëllore, marrin mbaresën –i: û (unë) prek-i, vjel-i . Në numrin shumës  këto folje marrin mbaresat –im, -ni, -in njësoj si në gjuhën letrare dhe në shumë të folme të toskërishtes e më gjërë:

(na) prek-im     –   vjel-im

(ju) prek-ni       –   vjel-ni

(ata) prek-in     –   vjel-in

(7)   Gjergj, Hasanaj ‘’Malësori këndon ‘’ , Cetinë, 1971, fq.387

(8)  Nikë, Arapaj ‘’Vajtime në Malësi’’, Tuz, ‘’Illyricumi’’, 2010, fq. 114

Foljet që mbarojnë me temë në zanore gjatë zgjedhimit në kohën e tashme diateza veprore nuk ndryshojnë nga të folmet e tjera:

(unë) vrapo-j

(ti) vrapo-n

(ai,ajo) vrapo-n

(ne) vrapo-jmë

(ju) vrapo-ni

(ata,ato) vrapo-jnë

 Në diatezën pësore e vetvetore foljet e të gjitha zgjedhimeve në kohën e tashme marrin këto mbaresa: -ëm, -esh, et, -emi, (-ena), -eni, (-í ) –en. Të gjitha foljet me temë në zanore marrin bashkëtingëlloren antihiatizuese –h.

  1. La-h-ëm, hap-ëm, kre-h-ëm
  2. La-h-esh, hap-esh, kre-hesh (kre-h-é)
  3. La-h-et, hap-et, kre-h-et
  4. La-h-emi (la-h-na), hap-emi (hap-na), kre-h-na
  5. La-h-eni (la-h-i), hap-i, kre-h-i
  6. La-h-en, hap-en, kre-h-en

Foljet ndihmëse kam dhe jam, gjatë përdorimit të tyre nëpër kohë pësojnë ndryshime të mëdha. Folja ndihmëse kam në vetën tretë të kohës së pakryer të mënyrës dëftore del e shkurtuar:

Kíte me u da me ardh (kishte), Kim (kishim), kin (kishin).

Po kështu edhe folja jam: im (ishim), ite (ishte), inë (ishin).

Përveç këtyre në veprën e Hasanajt dhe Arapajt u shtohen fenomeneve të mësipërme edhe trajtat në të kryerën e thjeshtë të foljes jam: kjéç, kje, kíeme, kíet, kíen.

Fjalët me prejardhje turke edhe në këtë të folme të Malësisë së Madhe si në të folmet e tjera të gegërishtes janë të theksuara në rrokjen e parafundit:

Pixhére, káfe, mináre, báçe, páre.

Gjatësia e zanoreve: në këtë të folme kemi dalluar zanoret e gjata dhe të shkurtra. Zanoret e gjata të theksuara janë shkaktuar si rezultat i theksit kryesisht në fund të fjalës, në rrokje të hapur: pleqnī, Malsī, fmī, rinī etj.

Janë të shkurtra zanoret e theksuara edhe në disa fjalë që mbarojnë me një rrokje të mbyllur: fĭk, pěshk, krăp, plěp, gjărm etj.

Hundorëzimi i zanoreve të theksuara

Zanoret hundore dëgjohen qartë në këtë të folme. Mendoj që ky fenomen është i dukshëm dhe shumë i theksuar në trevën e Malësisë së Madhe, ndërsa tek subjekte të ndryshme me profesione të ndryshme vërehet një tendecë për zbutjen e hundorëzimit dhe afrimit me standardin.

Zanoret hundore i gjejmë në këto raste:  a) në rrokje të hapur, në fund të fjalës kur ajo ka mbaruar me një bashkëtingëllore hundore: shullâ, zâ, gbâ, mullî, hû etj. b) në rrokje të hapur në fund të fjalës kur nuk ka pranë bashkëtingëllore hundore: thî, brî,d’dhî  etj.

Përngjashmimi ose asimilimi krahasuar me standard

Asgjë- azgjë, ekzekutoj – egzekutoj, absolut –apsolut, digjte – diqte

Reduktimet; vend – vët, plumb- plum

Metafoni; Cjap- cjep, plak – pleq, marr- merr, heq – hiq-ni, njoh – njeh

Apofoni; rreth- rrath-ë, them –thashë- thaç

Qiellzorizimi; bujk- bujq, mik- miq, akull- akuj.

      Këto sa u përmëndën më lart në këtë studim janë vetëm disa nga veçoritë më karakteristike fonetike dhe morfologjike që  Gjergj Hasanaj dhe Nikë Arapaj në veprat e tyre kanë ruajtur etnografinë e ligjërimit të të folmes së Malësisë së Madhe, gjegjësisht të pjesës së saj në Mal të Zi.


Publikimi i mëparshëm

Rudolf Stambolla: “Kur gjethet bien në vjeshtë”

Publikimi i radhës

21 Shkurti – Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare

Publikimi i radhës

21 Shkurti – Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare









Tradita.org – është portal i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”. Funksionon si platformë multimediale dhe angazhohet për  promovimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit.

Tradita.org – është edhe adresë e debatit të lirë, e zërit kritik dhe e ballafaqimit të mendimeve dhe të ideve përparimtare.


  • FILLIMI
  • IMPRESUM
  • KONTAKTI

2012-2022 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

No Result
View All Result
  • FILLIMI
  • AKTUALE
    • ARSIM
    • KULTURË
    • OPINIONE
    • SPEKTËR
    • COVID-19
  • HISTORIKU
  • MANIFESTIME KULTURORE
  • VEPRIMTARIA SHKENCORE
  • TRADITA PLUS
  • BOTIMET E SHOQATËS
  • KONTAKTI

2012-2022 © Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” / Powered by Optimus Solutions / Privacy Policy.

Mos kopjoni tekst!