Daut Dauti | Ditët e mija më të vështira kanë qenë ato të ushtrisë. Megjithatë, askund nuk kam mësuar gjëra për një vit sikur në ushtri. APJ (Armata Popullore e Jugosllavisë) ka qenë një lloj shkolle interesante.
Pas gjashtë muajve të shërbimit, kur e kreva ‘obukën’ për ‘desetar’, ma dhanë nën komandë një njësi (odelenje) ku shërbeja edhe unë. ‘Desetari’ im i parë ka qenë një hipik nga Vovodina që veten e mbante për shqiptar edhepse nuk dinte aspak shqip pasi që ishte nga një martesë e përzier. I dyti ka qenë një slloven anarkist dhe mua më caktuan në vend të tij kur ai e kreu shërbimin ushtarak dhe shkoi në shtëpi. Dmth. mua më caktuan në komandë të shokëve të mi por unë u gëzova që nuk më larguan nga Zagrebi pasi që isha mësuar me ambientin. Plus, gjatë vikendeve kisha ku të dilja pasi që Zagrebi është qytet i madh dhe atraktiv edhe për ushtarët.
Por, ma dhanë edhe një detyrë tjetër mjaft të vështirë. Çdo dy muaj nga kazerma jonë (Marshall Tito) e dërgoja një grup të ushtarëve prej 10 deri në 15 vetave për kontroll në një spital ushtarak që gjendej në Vlaška në Zagreb. Këta ushtarë kanë qenë të shënuar si persona me probleme psiqike. Para se t’i dërgoja në spital, një kapiten kroat i quajtur Peretin, më këshillonte se si duhej të veproja me ta. Pastaj, mi jepte kartonat e tyre të shëndetësisë dhe unë i fusja në çantën time për t’ia dorëzuar mjekëve.
Me sa e mbaj në mend këta ushtarë kanë qenë të ndarë në dy kategori. Njëra kategori ka qenë e atillë sa që këta nëse e bënin ndonjë gabim, i lironin nga ushtria. Por, këta nuk e dinin këtë gjë dhe unë nuk ju tregoja se kështu ishte urdhëri. Në mesin e kësaj kategorie kanë qenë edhe dy shqiptarë. Kanë qenë të ndjeshëm dhe shumë agresiv por mua nuk më shkaktonin probleme. Oficerët mendonin se ata frikoheshin nga unë por kjo nuk ishte e vërtetë. Ata mua më dëgjonin për shkak se unë isha eprori i tyre i parë, isha më i vjetër, i shkolluar, dhe, mbi të gjitha, isha shqiptar sikur ata.
Sidoqoftë, kisha mjaft probleme me grupin rrugës për në spital dhe gjatë kthimit në kazermë. Ata nuk njiheshin mirë mes vete pasi që ishin nga njësi të ndryshme ushtarake të të dy batalioneve. Dy herë kam patur probleme të mëdha me ta në tramvaj. Një herë u ngatërruan mes veti kurse herën tjetër me disa civilë. Në të dy rastet pati shkëmbime të grushtave dhe shkelmave.
Pas kontrollimeve të psikologut unë i merrja kartonat dhe i ktheja në kazermë. Në kartona mjekët shënonin vërejtjet e tyre dhe në dy raste u patën liruar nga shërbimi dy nga këta ushtarë. Njëri që ishte nga Beogradi dhe me përgatitje universitare u lirua më vonë për një arsye morbide. Ai nuk e duronte dot disciplinën dhe për t’u liruar bëri veprime mjaft të papranueshëm për mendjen e shëndoshë. Qante me zë dhe hante bojë të këpucëve ose së paku pretendonte se hante. Një ditë i kishte futur duart në vrimen e WC dhe e zunë me fytyrë dhe trup të flliqur me asi seni (për m.t është fjala). Ka qenë pamje e tmerrshme. E liruan po atë ditë, me procedurë të shkurtuar. Natyrisht, ai që bënë këso gjëra nuk është për ushtri.
Njërit shqiptar të këtij grupi, që ishte diku nga komuna e Prizrenit, unë ia pata bërë me dije se për çka ishte kjo puna e kontrollimeve dhe tërthorazi i pata thënë që ai mund të lirohej nga ushtria nëse i bënte disa veprime të caktuara. ‘Kurrë jo’ – më tha. ‘Me ma shkru aty n’letra “nesposoban” (i pa aftë) a’? Dhe, kështu ai vazhdoi të sillej mirë para oficerëve. Por, kur oficerët shkonin pas dite në shtëpi, ai, brenda javës rrihej së paku me dy veta. Tipi ka qenë mjaft interesant. Ai më tregonte vet se mendonte mos helbete nuk do ta merrja vesh. Ma mbyllte njërin sy dhe më thoshte me zë të ulët por me shpejtësi:‘i qiva nanën edhe njanit, veq mos kallxo ti se m’shkrujnë për “nesposoban”. Tjetër hall ky nuk kishte. Një ditë u kacafyt me një bodibilder, nga ata kampionët që i ilustronin faqet e revistës sportive Tempo por qëllova afër dhe i ndava se në këtë rast do ta pësonte keq me siguri.
Më respektonte për shkak se sillesha mirë me të por më shumë për shkak se nganjëherë ia plotësoja një dëshirë që kishte. Dëshira e tij e flaktë ka qenë që ta vishte uniformën e kapitenit kur ai shkonte në shtëpi. E vishte uniformën (vetëm xhaketën dhe kapelën) dhe ndjehej shumë i rëndësishëm por, njëkohësisht edhe qesharak për shkak se i vinte e madhe. Sikur t’ia jepja edhe pistoletën, me siguri do të çmendej nga gëzimi por, ec e beso që nuk do ta përdorte. Dy apo tre minuta, sa e lejoja unë, ai ecte nëpër korridor dhe ju bërtiste ushtarëve duke ju dhënë urdhëra interesante e të pazbatueshme. Ushtarët binin për tokë duke qeshur për shkak se edhe sërbishtja e tij ka qenë e çalë dhe në urdhëra dilte tejet qesharake. Qeshjet nganjëherë krijonin rrezik për shkak se rolin e kapitenit ky e merrte seriozisht.
Me kalimin e kohës unë u bëra një lloj kujdestari jozyrtar i këtyre ushtarëve dhe ndalesha për të biseduar me ta në poligone, pistë, kantinë apo kudo tjetër që takoheshim. Numri i disa shokëve të mi nuk ka qenë i vogël që më shpotiste për këtë punë. Sipas disave, unë isha bërë komandant apo prijës i ushtarëve të çmendur. Por, unë as atëherë nuk e kam pasë dert se çka thot dikush për mua.
Sidoqoftë, poenta e këtij tregimi është se shëndetin mental të njeriut me uniformë ushtarake apo policore duhet kontrolluar shpesh. Këta njerëz, nëse nuk janë mirë, bëhen të rrezikshëm për shkak se kanë armë. Prandaj, duhet të lirohen nga puna ose arma. Por, në rastin e ushtrisë që e solla në këtë tregim, shqiptarët edhe kur kishin probleme, i mbulonin për shkak se atëherë ka qenë turp i madh nëse nuk ishe i aftë për ushtri. Sot ky turp nuk duhet të ekzistoj.
PS. Në këtë foto unë jam i dyti nga e djathta. Pastaj, poashtu në krahun tim të djathtë është ‘desetari’ slloven që përmendet në këtë tregim.
https://www.facebook.com/daut.dauti.18/posts/10158239127654047